Rruga e Aliut

SHKRUAN: EDISON YPI

Udhëtim në në vend shenjtorësh në një kohë djajsh. S’ka më bukur. Para se me u nisur duhet me j’a hedh një sy hartës.
Po ta palosësh hartën e Shqipërisë. Tropoja me Kolonjën, Vlora me Shkodrën, Elbasani me Mirditën, Korça me Gollobordën, takohen. Disa të cilëve kjo simetri nuk u rezulton, grisin hartën.
Unë nuk gris asnjë hartë. Unë udhëtoj.
Pak janë ata që e dinë se ekziston rruga Çorovodë-Përmet e Shenjtorit Ali.
Meqë ekziston, duhet shkelur.
Pa vajtur në Çorovodë, pranë një kroi ku ndala për t’u freskuar, një mesoburrë mbështetur mbi krrabë me një shprehje fytyre sikur kishte vite që më kishte zënë pusi’ për të më pyetu;
-Hë mo, si thua, do fitojmë ne të Partisë Socialiste ?
I hodha një vështrim gjysëm kërcënues, freskova surratin dhe u largova.
Në Çorovodë, dy policë rrugorë të qeshur. I pyeta policët gazmorë sa kohë duhet për të kapur prej aty Përmetin. Më dhanë një kohë e cila në mbarim të udhëtimit rezultoi nja pesë herë me vogël. Më gënjyen policët, për të mos ma ndalur hovin drejt Përmetit, a se ashtu u tha rakia, një Zot e di.
Çorovoda ka zbrazje por ka dhe gjallëri. Hyjnë e dalin nëpër lokale dhe dyqane njerëz me hap dhe pamje të sigurtë. Aty-këtu, nga dy e nga tre, ata që s’mungojnë kurrë në asnjë qoshe të provincës; të moshuar me kasketë dhe gazetë të palosur në duar. Mbi ish-Komitetin Ekzekutiv, si diçka e harruar, si diçka pa rëndësi, pa ndonjë ndikim, ende nuk e kanë hequr parrullën PUSHTETI BURON NGA POPULLI DHE I TAKON POPULLIT.
Të flasësh për bukurinë e Kanioneve të Osumit, nis e s’mbaron kurrë. Ec e hiç mos e zgjat.
Më shoqëron në këtë udhëtim Aresi, djali i vëllait. Nipit tim gjatë udhëtimeve nëpër Shqipëri nuk i duhen kamerat dhe dylbitë. Ai gjithçka që sheh me sy dhe dëgjon me veshë e ruan përgjithmonë në tru. Këtu në Skrapar duke hedhur sytë rrotull këndon këngë të vjetra. Kolonjari dy metrosh 17 vjeçar, di gjithçka; Emrat e fshatrave, toponimet, etimologjitë, zakonet, besimet, dialektet, eventet historike, ndërlikimet politike të vjetra dhe të reja, të gjitha. Tek Gjurma e Abas Aliut, pasi jep paraprakisht disa të dhëna mbi Shenjtorin, udhëtimin e Tij në Tomorr dhe historinë e kësaj gjurme, gjunjëzohet puth solemnisht gjurmën.
Shkollarë çorovodarë shoqëruar nga mësueset kanë dalë për shëtitje anës Osumit. Skraparllinjtë e rinj nuk dallojnë aspak nga moshatarët e tyre europianë e amerikanë; Zemra Tomorr.
Nja 20 kilometra mbi rrugën që shoqëron lumin, freskia malore nis depërton këndshëm nëpër trup. Pakngapak, madhështinë humnerore të vetes, kanionet j’a përcjellin bujarisht një bimësie të lartë. Para kësaj freskie dehëse rakia duket shpikje e kotë.
Një Benz po vjen përballë. I them shoferit të Benzit; Hë mo, kush do fitojë ? Ma kthen me vendosmëri; Ay atje, Baba Tomorri. Të lumtë skraparlli. Po a s’më thua, ku ishe, nga cila humbëtirë u nise, në cilën guxhuvërrë po vete ? Thotë; “Po vij nga Mulliri”.
Pak më tutje, ku rruga e lë Osumin më të majtë dhe ngjitet përpjetë duke kaluar mbi një urë, ka vërtet një Mulli. Krejt i shkretë ai mulli, bjeri sa të duash borisë, askush s’përgjigjet. Sa duket, si kudo nëpër Shqipëri, të zotët e mullirit kënaqen duke kundruar pas dritareve vuajtjet e udhëtarëve.
Aty pranë tjetër mulli, krejt i braktisur, kthyer në stan.
Malindi, Çepani, Muzhëncka, Koprëncka, dhe të tjerë katunde, janë aty rrotull, por nuk duken se pengon gjelbërimi i dendur dhe i lartë. Le dëshpërimi që s’duken Çepani e Koprëncka, por të gjen belaja dhe me nipin. Aresi nuk të lejon të mbash shënime për orët dhe kilometrat e përshkruara. Sipas tij, gjatë një udhëtimi të tillë, nuk është mirë të llogaritet koha dhe kilometrat sepse në këtë mënyrë udhëtimit i ikën magjia. S’e ka keq nipi. Të depërtosh mes këtyre bukurive duke marrë shënime, është njëlloj sikur të pish raki duke vizatuar skica.
Duke u ngjitur rruga keqësohet. Gurë rënë nga mali, rrëshqitje dheu dhe gropa. S’do ment përderisa nuk është bulevard bythpambukësh rehatlinj por rrugë Shenjtorësh vuajtës.
Skrapari, Tomorri, Ostrovica, Kolonja, prej aty duken si në hartë. Kilometra të tëra, xhan-xhin, asnjë frymë. Ujqër, arinj, kunadhe, dhelpra, me siguri na ndjekin të habitur pas aheve, pishave, gëmushave. Në lartësi, paksa mënjanë më të djathtë, dy-tre kilometra nga rruga, fshati Hambull. Një hambulliot ka lënë Benzin me targë italiane anës rrugës dhe vet’ se ku ka vajtur. Njëra më e bukur se tjetra, qafat, përrenjtë, rrëpirat, të ftojnë të fotografosh.
Në një nga qafat e gjata dhe të larta nxjerr kryet me dëborë madhështorja Nëmërçka.
Në Kashisht ka Teqe’ të zbukuruar, por asnjë shtëpi të re.
Nënë e re dhe bijë fëmijë, secila mbi nga një kalë. Jo kuaj brinjë-dalë, kuaj rrace.
Nëna thotë se rruga deri në Përmet prej aty e tutje është e mirë, dhe nis të qartësojë diçka mbi përkatësinë administrative të Kashishtit, Përmet apo Skrapar.
Atje tej, Frashëri. S’ta kam ngenë tani o madhështori Frashër, hërën tjetër, se kjo nuk është e fundit.
Rruga e Aliut Çorovodë-Përmet ka pothuaj të njëjtën strukturë planimetrike si edhe Rruga e Kadriut Rrëshen-Kukës. Nga Çorovoda tek Ura e Hambullit Rruga e Aliut shkon buzë Osumit njëlloj si Rruga e Kadriut buzë Fanit. Në vazhdim të analogjisë simetrike, prej Mullirit e deri në Përmet rrugës i del përpara një masiv malor i ngjajshëm me atë të Kalimashit. Nëse Çorovodë-Përmet do bëhet një ditë autostradë, nga Ura e Hambullit e deri tek Teqeja e Alipostivanit, do çpohet një tunel.
Në Raban, plak përmetar pa dhëmbë mbi gomar. Bëj ta fotografoj, s’mundem. Thotë plaku; Ik lerëmë rehat, nuk dua të fotografohem mbi gomar.
Pak më tutje dy të rinj vendalinj. Njëri është polic në Tiranë. Tjetri banon në Përmet. Që të dy kanë ardhur këtu për qef, për hava’. Pamja e tyre s’të jep asnjë shpresë se mund të marrësh ndonjë përgjigje po t’i pyesësh për zgjedhje dhe partira.
Më të majtë në luginë, Rruga e Frashërit. Më të djathtë-lart Teqeja e famëshme e Alipostivanit.
Edhe pak kilometra deri në Piskovë ku kjo rrugë prek rrugën e asfaltuar buzë Vjosës. Prej Piskovës, pak kilometra më të majtë, ndodhet Përmeti, më të djathtë, pak më larg, Këlcyra.
Pa zbritur në luginë, nga lart duket sikur, po ashtu si nga përplasja e Indisë me kontinentin u ngritën Himalajat, përplasja e Kolonjës me Përmetin ka ngritur lart Nëmërçkën.
Tek kalon mes gjithatyre bukurirave të kujtohen vetvetiu fjalët e Lutjes që fillon me,
Sa fije bar ka përmbi dhe’
Sa gjethe gjënden nëpër drurë
Sa thërrime kum ka në çdo det
Sa shkëmbinj edhe sa gurë
N’danë një vreshte dy qën të mëdhenj mbledhur kutullaç. Gëzofat e qënve mbuluar me pluhur pengojnë t’i dallosh cili prej tyre është larua e cili balua.
Një vigan përmetar ish-kulak po korr bar. Ish-Kulaku 73 vjeç që mban me vete raki’ Përmeti nga ajo e mira, se raki të keqe Përmeti s’ka, ka një tru aq të kthjellët dhe aq të shkathët sa mund të krahasohet vetëm me të Ainshtainit ose me një kompjuter që ende nuk është shpikur. Ish-kulaku është i pa kënaqur nga Sali Berisha që sipas tij nuk është antikomunist sa duhet. Ama Kulaku i këndshëm e ka një çupë në Tiranë të punësuar në një televizion të majtë.
Vigani i vujtjeve mban ment gjithçka. Deri edhe meselerat me teqera dhe turqira të gjyshit t’im qefli Rushan Bej Pacomitit që e mbushi luginën e Vjosës me kopila.
Pacomiti është një fshat që ndodhet paksa më të djathtë te disa shtëpi që duken majë një kodre. Në më të madhen e atyre shtëpive nga qefi i Rushanit vendali dhe me konsensusin e gruas së vet gjyshes time, Zyrasë nga Veleshnja, është ngjizur Nëna ime, Hasia.
Nga Çorovoda, deri buzë Vjosës, jo më pak se nja tre orë. Kohë kjo e matur me pozicionin e Diellit në qiell, se ta vrasësh s’të lë Aresi t’i hedhësh sytë orës.
Pasi bien në asfalt, dy bejlerë kolonjarë mbi Suzuki, s’kanë arsye të kthehen në Tiranë nga Mallakastra. Të gjitha arsyet tërheqin më të majtë nga Kolonja. Paçka se imagjinarë, Bejlerët duhet tu hedhin një sy çifligjeve. Pastaj; Nga Kolonja pra. Sado e gjatë të jetë udha. Sado të shumta të jenë kthesat. Sado e madhe të jetë lodhja. Për më tepër që në Helmës pret Agron Nazarko. Agroni para nja një muaji ishte në Tiranë. Më telefonoi tek vërtitej rrotull Ministrisë së Drejtësisë si gurët e Mullirit të Hambullit buzë Osumit. Djali i ikur në Greqi, pas shumë vitesh, një ditë ishte kthyer në shtëpi në Helmës. Pasi u ç’mall desh’ të kthehej përsëri në Greqi. Se ku e zuri Policia i kapi një falsifikim në Pasaportë dhe ja mori pasaportën. Bëri si bëri iku përsëri në Greqi. Por këtej, në Shqipëri, u hap një proces. Për 1 gërmë të falsifikuar, e dënuan 2 vite burg në mungesë. Në prezencë të Agronit telefonova një të njohur në ministri. I thashë, zgjidhja hallin Agronit, se s’është mirë shqiptari të bëjë 2 vite burg për 1 gërmë në Pasaportë. Miku më dëgjoi dhe premtoi. Ndërkohë Agroni, i cili kur halli mori rrugën e zgjidhjes, do duhej të qeshte, nisi të qante. Ç’ke Agron që po qan ? i thashë. S’mu përgjigj. Vetëm qante me lotë të heshtur që i udhëtonin ngadalë teposhtë rrudhave të fytyrës. Dhe ashtu u ndamë, unë duke ikur i habitur, Agroni duke qarë i mekur.
Tani, me Ares erudit në bord, mezi pres të vete ta takoj Agronin në Helmës ta pyes si vajti puna e pasaportës së djalit, dhe pse qau.
Bukuritë e Çarshovës, Leskovikut, Kolonjës, hallall 2 milionë Euro në dorë atij që di t’i përshkruaj.
Por, ah, e gjelbëra e pishave si e vrarë. S’e kanë marrë ende veten pishat nga zjarret e beharit që shkoi.
Mbi një livadh të madh të blertë rrethuar me pisha hallakatet si në jerm një turist i huaj.
Aresi seç thotë për inginieringun e çuditshëm njerëzor që shndrron vendet e zakonshme, pyje, pllaja, korije, në vende të shenjta, vakëfe.
Nëpër faqe malesh gjarpërojnë rrugë katundesh.
Diku pranë një përroi, kolonjare te të dyzetat me shkarpa nën sqetull.
-Dukesh që do votosh për demokratiken.
Ma pret kolonjarka me shkarpa;
-Jo-jo, s’durohet Sali Berisha, na la kërrusur me shkarpa mbi kurriz.
-Shkarpat nuk i ke mbi kurriz. Nuk je e kërrusur. Bëre shaka për Sali Berishën ?
-Buk bëra shaka. Ta thashë se më dukesh si i yni, si socialist.
-Po moj Zonjëzë po, e gjete. Me gjith’ lecka i juaji jam. I juaji këtu në Kolonjë, dhe i tyre atje në Skrapar. Se jo vetëm sipas teje, por edhe sipas meje, të gjithë ata që mbathin këpucë socialista janë. Por a s’më thua, a të kujtohet se si kurvi ua mori të gjitha, edhe leckat, edhe morrat, edhe shkarpat ?
-Po, është e vërtetë, na i mori të gjitha, por ama na dha…
-Çfarë j’u dha ?
Përgjigja ishte e pa besueshme .
-Mëntë .
-Epo mir’ moj kolonjarkë me mënt në vënd. A do ta dish se për kë do votoj unë, se s’po më rrihet pa ta thënë ?
-Po .
-A e do të ta jap me shkrim ?
-Po.
Rrëmbeva një fletë letër nga blloku me shënime të munguara orësh dhe kilometrash për shkak të embargos së nipit estetizant, dhe j’a shpalla kolonjarkës votën; Ja ç’i shkrojta;
Ju nostalgjikët shqiptarë, ju shejtan-budallenjtë e pa ndreqshëm, jeni zhgani kriminal më i ndyrë, jeni bërllogu antishqiptar më i qelbët që Historia e këtij trualli ka njohur. Ju duhet të zhdukeni nga faqja e dheut. Sytë j’u dalçin juve o ndyrësira. Keqbetsh o kolonjare budallaqe me shkarpa nën sqetull. Edison Bej Ypi. (Firma, data)
E mori shushka letrën dhe nisi ta lexojë. Tek lexonte nisën t’i bien shkarpat një nga një në tokë. Dhe nisi të gulçonte. Në fillim nga pak. Pastaj gulçet j’u përzjenë me një të vaje amanozot. Pasi e mbaroi, priti pak çaste, shkundi kokën, fshiu disi lotët, erdhi pak në vete, nisi ta tundë letrën në erë. Ashtu e xhindosur duke tundur letrën u zhduk brenda pyllit me pisha me një hap krenar me kokën lart sikur po e çonte letrën diku për të më denoncuar në ndonjë polici a komitet. U trëmbe moj kolonjare ? Pse u trembe ? Ju komunistet nëpër filma me prita dhe atentate jeni goxha trima. Ik o kolonjare ik, ik dhe kurrë mos ardhsh.
Diku më zunë rrugën ca dhën. Pas tyre vijnë dy barinj shtatlartë. Njëri prej tyre me njeh nga televizori. Kishte parë një reportazh t’imin të quajtur “Fshati për karshi” kushtuar Bezhanit të braktisur. Pasi përshëndoshem me të dy, qefliu i reportazheve më thotë;
-Ku po vete o lako ?
-Në Helmës. Tek Agron Nazarko. Mezi pres ta takoj. Edhe ay si ty, qefli i televizionit. Televizionit si e bëj unë, jo si e bëjnë të shiturit. Për atë reportazhin që mbajtke mënt ti, Agroni më dërgoi me postë një letër të gjatë ku thoshte se Helmësit i kisha borxh dy dit e dy net pa gjumë, dhe shumë lotë.
-Agron Nazarko vdiq para tre ditësh.
-S’ka mundësi.
-Agronit j’u ndal qarkullimi i gjakut në njërën këmbë. Doktorët s’i bënë dot derman. Vdiq në spital në Tiranë.
Paska ikur Agron Nazarko.
Tani, pas Skraparit të Rrugës së Aliut, pas Pacomitit të Nënës, pas Kolonjës së Aresit dhe pas Agron Nazarkos së Helmësit, po iki edhe unë.
Dhe ika në Tiranë. I cfilitur pas plot 553 kilometrash rrugë dhe 16 orë mbi timon brenda një dite. Tani do çlodhem duke fjetur një gjumë të thellë. Po më zuri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.