SHKRUAR NGA ROBERT ELSIE, HAGË – GUSHT 2013
Historia dhe kultura shqiptare nuk njihen mirë jashtë botës shqiptare, gjë që është për të ardhur keq, por fenomen i kuptueshëm për një vend të vogël dhe tradicionalisht të izoluar, si dhe për një popull që flet një gjuhë që nuk mësohet kollaj. Por mund të thuhet gjithashtu se historia dhe kultura shqiptare nuk kuptohen aq mirë as nga vetë shqiptarët. Rrjedha e historisë së Shqipërisë ka qenë plot me trazira, paqëndrueshmëri politike dhe prapambetje të kahershme. Kjo histori e dhimbshme solli në thelb shkatërrimin e një pjese të mirë të kulturës materiale dhe në zhdukjen e po aq kulture jomateriale, d.m.th. në humbjen e kujtesës kolektive. Si zor se mund të gjendet një fshat shqiptar që nuk është djegur të paktën një herë apo banorëve të të cilit nuk u është dashur të marrin arratinë për t’i shpëtuar vdekjes. Të rralla janë gjithashtu xhamitë dhe kishat që nuk u shkatërruan – shumica u rrafshuan fare – në vitet 1960 gjatë fushatës utopike të udhëheqjes staliniste të vendit për ta bërë Shqipërinë shtetin e parë ateist. Me kalimin e kohës u prishën, plaçkitën dhe zbrazën muzetë dhe bibliotekat e vendit.
Rasti më i fundit i kësaj në Shqipëri ishte kryengritja e vitit 1997 kurse në Kosovë lufta e viteve 1998-1999. Kështu u zhduk një pjesë e madhe e trashëgimisë tradicionale të vendit. Të rinjtë shqiptarë, në kërkim të vetëdijes së tyre kombëtare, shpesh e ndjejnë që gjurmët konkrete të historisë së tyre mungojnë dhe se nuk u ka mbetur asgjë përveç legjendave.
Megjithatë, në mes të kësaj humbjeje tragjike ka mbijetuar një institucion i madh kulturor – Fototeka Kombëtare Marubi në Shkodër. Krahas me Arkivin e Shtetit dhe me Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, Fototeka Marubi mund të konsiderohet si thesari i tretë i kujtesës kombëtare shqiptare. Ajo përmban një ndër koleksionet fotografike më të vlefshme në Evropë.
Është shkruar shumë për tre “baballarët” e koleksionit Marubi: refugjati italian Pietro Marubbi (1834-1904), çiraku i tij Kel Kodheli (1870-1940) i cili mori emrin Kel Marubi, dhe i biri i Kelit, Gegë Marubi (1907-1984). Puna e tyre, në tre breza, përbën thelbin e koleksionit, i cili u shtetëzua në vitin 1978.
Fototeka Kombëtare Marubi, e cila disponon rreth 500 000 fotografi (askush nuk e di numrin e saktë të tyre), kaloi vështirësi të kuptueshme në vitet 1990, gjatë periudhës së tranzicionit nga diktatura komuniste në ekonominë e lirë të tregut, dhe për një kohë ishte e rrezikuar. Prej vitit 1994, me financimin e UNESCO-s, u kryen përpjekje për ta ruajtur dhe stabilizuar koleksionin dhe kohët e fundit është bërë mjaft për t’i dhënë qasje publikut në këtë thesar të kujtesës kombëtare. Në veçanti, janë botuar albume të shumta me fotografi të mahnitshme, secili prej tyre një hop cilësor në krahasim me albumin pararendës.
Fotografitë e paraqitura në albumet e Marubit kanë magjepsur publikun ndërkombëtar dhe atë shqiptar. Për herë të parë shqiptarët patën mundësi konkrete të shihnin të kaluarën e tyre. Ata nuk vareshin më nga interpretimet e historianëve dhe të pseudohistorianëve por mund ta shihnin me sy pothuaj një shekull të tërë të historisë shqiptare. Librat mund t’i falsifikojnë dhe shpesh i falsifikojnë gjërat dhe, si pasojë, shumë shqiptarë kanë krijuar një ide disi të shtrembëruar të historisë së tyre. Kulti i heroizmit ende ua rëndon shikimin dhe errëson të vërtetën.
Ngjarjet mund të keqinterpretohen dhe dokumentet mund të falsifikohen, por fotografitë tregojnë të vërtetën (d.m.th. deri para zhvillimeve të fundit teknologjike të manipulimit digjital). Fotografitë e vjetra ofrojnë një dokumentim të saktë të së kaluarës ku nuk fshihet asgjë. Nga ky këndvështrim, mund të pohohet se kohët e fundit Fototeka Marubi mbase ka bërë shumë më tepër për t’u treguar shqiptarëve historinë dhe kulturën e tyre tradicionale se sa të gjithë librat shkencorë. Ajo është një institucion kombëtar me rëndësi më të madhe se sa dihet dhe pranohet zakonisht.
Shpesh harrohet se Fototeka Kombëtare Marubi përfshin jo vetëm fotografi nga tre breza fotografësh të familjes Marubi, por edhe vepra të fotografëve të tjerë të mëdhenj shqiptarë, ndonëse më pak të njohur. Ndër ta është Shan Pici, të cilit i kushtohet ky album. Shan Pici (1906-1976) u rrit në Shkodër dhe mësoi artin e fotografisë nga Kel Marubi. Ishte pikërisht në atelienë e maestros që ai bëri fotografinë e tij të parë në vitin 1922, në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare. Dy vjet më vonë, me mbështetjen e vëllezërve të tij Ndrekë dhe Tefë Pici, hapi dyqanin e vet të fotografisë. Shan Pici e filloi me portrete dhe pak nga pak mësoi të fotografonte pamje të rrugëve dhe të jetës publike. Ai njihet për portretet e atletëve dhe të ngjarjeve sportive, por para së gjithash mbahet mend si pionier i fotografisë së peizazhit.
Deri në kohën e Shan Picit, fotografia në Veri të Shqipërisë ishte përqendruar në qytetin e Shkodrës, rrëzë Alpeve të Veriut. Në vitet 1930, Pici e mori artin e fotografisë me vete nëpër male. Ai ishte fotografi i parë shqiptar që hapi sytë, dhe objektivin e aparatit të tij fotografik për bukuritë e mjedisit natyror.
Që prej shekullit të nëntëmbëdhjetë, Malësia e Shqipërisë së Veriut, e arritshme vetëm me shumë vështirësi nëpër shtigje mushkash, si dhe kultura e veçantë fisnore e banorëve të saj, i kishin magjepsur udhëtarët. Tregimet e para të sjella nga alpinistët dhe udhëtarët e guximshëm, mes tyre edhe gra, e mrekulluan publikun evropian. Ndër këta udhëtarë të fillimit të shekullit të njëzetë, të cilët arritën të depërtonin në këtë zonë enigmatike, vlen të përmenden në veçanti: diplomati francez baroni Aleksandrë Dëgran (Alexandre Degrand, 1844-1911); diplomati austro-hungarez Teodor Ipen (Theodor Ippen, 1861-1935); udhëtarja dhe shkrimtarja e njohur angleze Editë Durham (Edith Durham, 1863-1944), e njohur më vonë si kralica e malësorëve, botanisti italian Antonio Baldaçi (Antonio Baldacci, 1867-1950); misionari nga Tiroli i jugut Ernesto Koci (Ernesto Cozzi, 1870-1926); inxhinieri austriak Karl Shtajnmec (Karl Steinmetz); dhe gjeologu dhe albanologu i njohur austrohungarez, baroni Franc Nopça (Franz Nopcsa, 1877-1933).
Një brez më vonë, shkrimtarja amerikane Rozë Uajlldër Llejn (Rose Wilder Lane, 1886-1968), e cila punonte për Kryqin e Kuq Amerikan pas Luftës së Dytë Botërore, ndodhej në një kamp refugjatësh në Shkodër kur pak para se të largohej, një veprimtare tjetër, Fransis Hardi (Frances Hardy), ia mbushi mendjen të shkonte me të në një ekspeditë në malet e veriut të Shqipërisë, në një udhëtim për të ngritur shkolla.
“Kostandinopoja s’është gjë! Të gjithë shkojnë në Kostandinopojë. Por nëse nuk shikon Shqipërinë, humb një mundësi që të vjen vetëm një herë në jetë. Aty lart – po, pikërisht aty në ato male, një ditë rrugë larg prej këtu – jetojnë njerëz si njëzet shekuj më parë, përpara se të njihej greku, romaku apo sllavi. Atje ka ngulime parahistorike, legjenda të vjetra, këngë dhe zakone për të cilat nuk dihet asgjë. Asnjë i huaj s’i ka parë. O Zot i madh! Dhe ti më rri këtu dhe më flet për Kostandinopojën!” “Por nëse nuk ka shkuar askush, si mund të shkojmë ne?” e pyeta. “Si bëhet çdo gjë në jetë? Thjesht, bëhet! Marrim kuaj, u hipim dhe nisemi.” “Të marrim edhe pushkë me vete?”
“Mos ki frikë, nuk ka rrezik. Aty-këtu ndoshta do të hasim në ndonjë pritë hasmërie dhe do të na i vrasin udhërrëfyesit, por gratë nuk i vret kush. Madje as burrat nuk i vret njeri në prani të grave.”
E frymëzuar nga udhëtimi i saj i vitit 1921, Rozë Uajlldër Llejni shkroi dhe botoi librin e saj më të njohur, “Peaks of Shala, Being a Record of Certain Wanderings among the Hill-tribes of Albania” (Majat e Shalës: përshkrim i disa rrugëve mes fiseve të malësisë së Shqipërisë), Londër 1922, ndihmesë e çmuar në njohjen e Shqipërisë prej amerikanëve në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë. Edhe ajo si Durhami, Nopça dhe Shtajnmeci para saj, kishte bërë fotografi gjatë ekspeditës për në tokën e ëndërruar të Dukagjinit.
Në vitin 1936, në kohën e Mbretit Zog, u ndërtua më në fund një rrugë malore për në Theth, në tokën e shaljanëve, rrugë kjo që e hapi rajonin disi. Shan Pici kaloi andej dy vjet më vonë, më 1938, me aparatin e tij, për të bërë fotot e para të rajonit të kryera nga një fotograf
profesionist. Pamjet e fiseve të Shalës dhe të Shoshit, të Pukës dhe të Pultit, dhe të mjedisit natyror të egër në të cilin jetonin, apo më mirë në të cilin përpiqeshin të mbijetonin banorët, përbëjnë majat kulmore të artit të tij.
Malet e Dukagjinit janë ende ndër vendet më të thella dhe më të izoluara të Evropës. I pari që ngërtheu shkëlqimin e tyre të moçëm ishte Shan Pici. Prandaj është një kënaqësi e veçantë që Fototeka Kombëtare Marubi po i ofron publikut shqiptar dhe ndërkombëtar pamjet e jashtëzakonshme të fiksuara prej tij, pas tre çerek shekujsh harrese. Tani Shan Pici ka zënë vendin e merituar në historinë e fotografisë shqiptare.