Rreziku i përbrendshëm

Nga At Gjergj Fishta

Kur, para këtyne shtatë vjetve, na të “Hyllit të Dritës” patëm thanë në nji rasë se ka Shqypni, se do të kishte Shqypni të lirë e të pamvarme, ndokush ndër shqyptarë qeshi, tjerët mrrudhën krahët, e shumta bani se s’po ndien. Të ndrydhun nën nji zgjedhë robnie pesëqindvjeçe, të rrejtun prej të huajve, të tradhtuem prej të mëdhenjve, der shpresën e kishin djerrë shqyptarët se shofin kurrë atdheun e vet të lirë e të pamverme; e prandej shumica e madhe e tyne s’pat as të nxetë as të ftoftë kur u thamë se kishte Shqypni.

Por, qe, sod koha na dha arsye. Sod Shqypnia ka nji qeveri të vetën, ka nji parlament të vetin, ka nji ushtri, nji financë a ma tepër ka nji vijë kufijsh të njoftme ligjsisht prej Fuqive të qytetnueme: të tana sende këto qi na dëshmojnë se Shqypnia asht, e se asht e lirë e e pamvarun. E vërtetë qi, tash për tash, gjinden do fuqi të hueja t’armatosuna përbrenda kufijve të shtetit tonë, por kjo nuk do me thanë se Shqypnia ka bjerrë targin mbi kufij të vet të ligjshëm; do me thanë se tallazat e dyndun prej Lufte të Përbotshme nuk kanë ra fashë ende e se lypet do kohë për me u rysë mentaliteti rrymës i kombeve të Ballkanit. Veç çka, se tash, mbasi Shqypnia ka qenë pranue në gji të Shoqnisë së Kombeve, mundemi me qenë të sigurte se edhe këto vise do të na lirohen prej fuqive të hueja e se përbrenda viseve të caktueme prej Konference të Londonit në 1913 kemi me pasë nji Shqypni të lirë e të pamvarme, shi njashtu si e përkumtojshim na para këtyne shtatë vjetëve. Mdonji pesimist mundet me thanë se Shqypnia ka qenë pranue në Shoqni të Kombeve jo si shtet, por veç si komb, e se prandej shqyptarët nuk munden me qenë pa droje për kufij të 1913-s. Ka me qenë e vërtetë kjo fjalë, por e vërtetë asht edhe se Shoqnia e Kombeve ka pranue parimin qi secili komb me qenë i lirë e i pamvarshëm përmbrenda kufijve të vet të ligjshëm e se prandej nuk ka me mujtë mos me ia njoftë Shqypnisë kufijtë e vet të ligjshëm, mbi të cilat kjo s’e ka djerrë tagrin as me luftë as me vendime ndërkombtare. Pra sod ka Shqypni, e ideali i ynë, për çka i përket pamvarësisë e lirisë së kombit shqytar, u realizue plotësisht. Shteti shqiptar leu!

Po mirë: por a jeton? a rritet? Qe nji problem i madh për t’u zhvillue. Na thanë se përballë gjendjes ndërkombëtare sod ka Shqypni e se nuk do të jetë kush qi, tash për tash, prej së përjashtmit t’i kërcënohet jetës së shtetit tonë. Por, për me u shue nji jetë, nji ekzistencë sidomos e re, nuk lypet gjithmonë qi rreziku t’i vijë prej së përjashtmit; shumë herë ai rrezik vjen tue u pjekë e tue u nugë shi përbrenda tejzave mbi të cilat bulon jeta. Njato mikrobe të helmatsuna, qi vërvisin përbrenda gjakut të nji limfatiku, janë nji për nji të rrezikshëm për jetë të njeriut sa nji zhigjetë a nji plume qi të përshkohet nëpër trup të tij, me këte ndërlikim veç qi ata ia zgjasin ma tepër rektimet e dekës. Duhet pra qi na, si edhe të gjithë njata qi kanë për zemër Shqypninë edhe dijnë çka asht liria e vërtetë, çka asht atdheu, t’i mbledhin mendtë tok mbi nji çashtje kaq me randësi e mos të përkundena në nji optimizëm të paarsyeshëm, tue mahitë vendin e popullin me fjalë entuziazmi. Kombi s’do rrejte; asht mëkat me e rrejte kombin! Kombit i duen çilë sytë e i duen çilë sytë me kohë, kur të shifet se jeta e tij asht në rrezik, kështu qi me kohë të mund të marrë ato masa qi vendi e mndoret t’ia këshillojnë me i përdorue për të shpëtue jetën e vet. Principiis obsta; sero medicina paratur, ka pasë thanë ai i moçmi: lingatës i do ba ballë ç‘në fillim, pse vonë e vonë mandej ka për t’iu gjete bari.

Ani pra, na të “Hyllit të Dritës”, tue ndjekë fill e për pe programin e hershëm tonin, këtu duem me shqyrtue pak si kthjelltë me mikroskop të së vërtetës e t’atdhedashunisë ndër tejza të trupit të shtetit shqyptar, për me pa e me e diftue kombit se kush janë ato mikrobe qi, tue helmatisë gjakun e kombit, vejnë në rrezik jetën e ekzistencës e atdheut. Nuk asht mjaft qi të jetë ba Shqypnia; duhet ta mbajmë!

Ndëmjet vetjes së njeriut e organizimit të nji shteti të qytetnuem ka kaq analogji sa mundet me u thanë me gjithë arsye se shteti asht kopja e njeriut.

Njeriu ka shpirt e trup. Në shpirt janë dy fuqi intelektuale: mendja e vullneti; në trup janë organet gjallnore, qi vejnë shpirtin në të përpjekun me jetë fizike të përjashtme. Mendja dan qëllim, cakton mjetin; vullneti qet në veprim fuqitë gjallnire, për me u kapë në qëllim. Porse trupi s’kishte me u zhdrivillue e organet gjallnore të tija kishin me u sosë e me u troshitë, po mos t’ishte ndojsend qi vijanos t’i ushqente e t’i përtërinte; kështu njeriu ka në trup të vet gjakun qi me qarkullue të vetin e ushqen e e mban në kambë. Dy faktorët e parë, pra, nëpër të cilët trupi i njeriut jeton e vepron mbi botë, janë shpirti e gjaku. Pa shpirt, trupi s’ka jetë; pa gjak, s’ka fuqi e veprim.

Kështu asht edhe shteti i qytetnuem. Edhe shteti ka shpirt e trup. Trupi i shtetit asht populli; shpirti i tij asht auktoriteti. N’auktoritet janë dy fuqitë e para të jetës civile: auktoriteti legjislativ – mendja e shtetit: parlamenti – e auktoriteti ekzekutiv – vullneti i shtetit: qeveria. Parlamenti vendon ligjët; qeveria nëpër organe të shtetit i qet në punë. Por këto organe shtetënore nuk kishin me veprue as kishin me jetue gjatë, po s’qe financa qi me i mbajtë në kambë e me i ba me veprue rregullisht. Financa, pra, asht gjaku i shtetit të qytetnuem. Prandaj, si për trup të njeriut dy faktorët e parë të jetës e të veprimit janë shpirti e gjaku, ashtu edhe për shtet të qytetnuem dy faktorët e parë të jetës së tij civile janë auktoriteti e financa.

Për në daçim, pra, me pa se çfarë rreziku mund t’i kërcënohet atdheut tonë prej s’përmbrendi, duhet qi na, mbas parimevet t’etikës së popujve të qytetnuem, të shofim nji herë ma para natyrën e përmbrendshme t’auktoritetit e rregullat e para mbas të cilave duen përdorue financat e shtetit, e mbasandej të dajmë në shenjë elementin ma të rrezikshmin për auktoritet e për financë.

Si dihet, Shteti asht t’unjisuemit e plotë të shumë familjeve ndërtue për me drejtue nëpër rregulla e mjete të përbashkta e nëpër nji auktoritet të ligjshem veprën e së cilës m’pronim të qëllimit të përbashkët, qi asht autarkia.

Prej këtij përcaktimi të shtetit nuk duhet se auktoriteti nuk asht tjetër, veç se tagri qi me sundue të tjerët, e prandej auktoriteti asht i ndërlikuem prej popullit; pse, po t’ishte nji për nji me popull, kishim me thanë se ndokush ka tagër m’vedvedi, çka s’mundet me qenë. Veç çka se ndërlikimi qi hin ndërmjet auktoritetit e popullit nuk asht ai qi hin ndërmjet shoqit e shoqit, ndërmjet zotnisë e rrogëtarit, por asht ndërlikimi qi hin ndërmjet dy sendeve qi, për me dalë n’akt e me veprue, duhet të jenë t’individualizueme në nji, si bje fjala prizmi i synit e drita. Për me u përftue spektri i ndritshëm i sendeve, duhet të jetë prizmi e dira; pse as me dritë vetëm, as me prizëm vetëm spektri ase hija e ndritshme e sendeve s’mundet me u përftue. Kjo mundet me u vue n’oroe edhe në fuqinë elektrike, e cila (me çka dihet sod mbi te) nuk vepron, po s’u unjisue në nji fuqi pohenike e mohenike e saj. Kështu, pra, asht edhe puna e auktoritetit e e popullit në nji shtet të qytetnuem. Për me i dhanë jetë e rrnesë shtetit lypet qi qëllimi i auktoritetit të njipërnjisohet me qëllim të popullit, e vepra e njanit e e tjetrit, e ndërlikueme tue mbete, të jetë e frymëzueme me një shpirt të vetëm, kështu qi prej tij, mandej, të ngallisë nji njini shtetnore e fuqishme e gjallojsve.

Prandej ndër sundimtarë të nji shteti të qytetnuem nuk këqyret vetja individuale e tyne, por auktoriteti qi gjindet i përveshun në ta. Si njeri, sundimtari nuk asht tjetër veçse nji mis i popullit, nji për nji si të gjithë të tjerët; sado qi ate t’a quajnë Princ a Bajraktar, pashë a beg, e qi të thohet se ai e ka gjakun ma të kulluet se tjerët. Për kah vlera e përmbrendshme, gjaku i të gjithë njerëzve asht nji; vetëm në trashëgimi të gjakut ndërlikon edukata prej edukate e tagri qi nji gjak, për arsye thjesht të përjashtm, mundet me pasë për me sundue mbi nji vend a me pasë ndonji lehtësim përlimi para ligje. Në qiriun, qi asht ngjeshë për me përftue dritë, na ma së pari shqyrtojmë flakën; dyllet a brumin tjetër, prej të cilit ai ngjeshët, na e marrim vetëm si substraktin e flakës, qi flaka të dalë ma e gjallë e drita ma e fortë. Kështu asht puna me sundimtarë. Në sundimtarin na shofim vetëm auktoritet; vetja individuale e tij merret në kujdes veç për kah vlera ma e madhe a ma e vogël e si substrakt i auktoritetit, qi auktariteti të dalë ma i frotë e ma i dobishëm për jetë e përparim të shtetit.

Ditën, pra, qi nji sundimtar i shtetit zen ta përdorojë auktoritetin shtetnuer jo për dobi të shtetit mbarë, por për qëllime vetjake ase për interes të ndonji kastës në shtet, qëllimi i të cilës mos të ketë kurrnji të përpjekun me lehtësimin e gjallnimit të njeriut mbi tokë e me të përmirësuemit e tij individual e kolektiv, ate ditë fillon shkatërrimi i atij shteti e sundimtari bahet mikrobi-gjaks i kombit të vet, pa qenë nevoja qi armiku prej së përjashtmi të harxhojë fishekë në te.

Për fat të bardhë, kuptojmë se prej pikëpamje të përpjekuni t’auktoritetit me popull, – të përdorimit të keq t’auktoritetit prej ane të sundimtarëve, – Shqypnia s’ka pse dron; pse sod për sod kemi konvinkcionin se sundimtarët tanë përdorojnë auktoritetin vetëm n’interes të kombit, pse e dijnë qi parlamenti – qi asht syni i kombit – edhe mbi këte çashtje, si mbi të gjitha të tjerat, nuk ka me u kotë.

Tash, mbasi pamë natyrën e të përpjekunit të popullit me ate t’auktoritetit, të dallojmë edhe natyrën e të përpjekunit të popullit me auktoritetin.

Si thamë sipër, për auktoritet merret vesh tagri qi me sundue mbi tjerë, për me drejtue veprën e tyne kah pronimi i qëllimit të përbashkët. Por tagri nënkupton gjithmonë detyrën; prandej, tue kenë se auktoriteti ka tagër me urdhnue të gjithë pjesëtarët e shtetit, rrjedh prej vedit se të gjithë pjesëtarët e shtetit kanë detyrë me ndigjue në gjithçka qi t’u udhnohet për të mirë të përbashkët e qi ndonjifarë mënyre ka të përpjekun me tagër të tjerëve.

Relacioni i parë, pra, që populli ka ndaj shtetit asht ndigjesa, çka nuk do me thanë robni, pse shi në ndigjesë të ligjeve themelohet liria e kombeve të qytetnueme, si ka thanë Arpinati: “Legum servi sumus, ut liberi esse possimus.” E prandej, tue kenë se zehet qi auktoriteti i nji shteti të qytetnuem nuk e përdoron fuqinë e vet kundra lirisë së natyrës e kundra ligjës hyjnore, secili pjesëtar i shtetit të qytetnuem asht i detyruem me themelue tagrin e vet e mprojtjen e tij vetëm mbi fuqi t’auktoritetit, kështu qi përmbrenda shtetit mos të jetë veçse nji ligje, nji gjykatë e nji forcë e armatosun. Përndryshe, shteti s’mundet me u quejtë i qytetnuem e as jetë të gjatë s’mundet me pasë. Nji shtet qi ka ma se nji ligje, ma se një gjykatë, e ku kushdo njeri i veçantë mundet me e ba gjyqin vetë, me armë në dorë, ai jo veç se s’mundet me rrnue gjatë, por as shtet nuk asht, pse s’mundet me u kuptue nji shtet i qytetnuem pa nji qëllim e pa nji auktoritet të përbashkët. Ndigjesa, pra, e popullit ndaj auktoritetit e kujdesi ase dashunia e popullit janë dy elementet e para qi ngjeshin në qëllim të përbashkët njinjinë e forcën gjallnore të shtetit.

Tash, po i përballuem këto parime të para t’etikës shoqnore me gjendje të sotshme të Shqypnisë, mjerisht vërtetohet se organizimi i përmbrendshëm i shtetit shqyptar sod nuk asht asodore qi me na davaritë çdo droje rreziku për jetën politike të tij. Sod me sod në Shqypni ka ligje të ndryshme, ka gjykata të ndryshme e, shka asht ma zi, populli asht i armatosun: kështu qi sod mbrojtja e jetës, e gjatë e e tagrit nuk asht e bazueme aq në fuqi t’auktoritetit, sa në çark të pushkës së secilit njeri të veçantë. Ligjët e ndryshme dëshmojnë se qëllimi i jetës civile në Shqypni nuk asht i përbashkët për të gjithë; gjykatat e ndryshme dëshmojnë se populli ende asht i damë ndër kasta; të bartunit e armëve, mandej, dëshmon se populli ende s’ka uzdajë në fuqi e në vullnet të mirë të Qeverisë; qi asht nja si me thanë se në Shqypni ende s’ka nji shtet të qytetnuem, sado qi na sod kemi nji qeveri e nji parlament, si i kanë shtetet e tjera të qytetnueme e konstitucionale. Nuk është auktoriteti vetëm, si thamë ma sipër, qi përbën shtetin; por asht suktoriteti e populli bashkë. Qeveritë konstitucionale e popull me ligje e gjykata të ndryshme e me armë në krah, asht nji kundërshtim ndër terma e s’ka si kuptohet; asht një parodi! E njëmend: sod Këshilli i Naltë ka grishë kombin me zgjedhë deputët, edhe ka çilë parlamentin; po mirë, po ky Këshill i Naltë a mund t’i dorëzanohet kombit se ligjët qi do të vendojë parlamenti kanë me qenë shi në punë në të tanë Shqypninë, dersa populli të ketë pushkën në krah? Na jemi të mendimit se jo; pse ku asht forca, atje asht tagri (auktoriteti), ka pasë thanë Bismarku; e pushka në krah asht nji forcë gjithmonë. Prandaj, edhe m’atëherë kur parlamenti ynë ta kryejë përlimin e vet ma së miri, vepra e tij ka me u mrrudhë vetëm në kontroll mbi qeverinë. Po, por çka se, sa për shtatë vetë të Qeverisë, numri i kontrollorëve ne na duket pak si tepër i madh: tetëdhetë vetë! Dersa, pra, populli të mos lëshojë armët në dorë të qeverisë së vet e, nëpër nji ligjë e nji gjykatë të njinishme e të nderueme mbas shpirtit e nevojave të tija, të vehet për udhë të qytetnimit të vërtetë, pozicioni i qeverisë e i parlamentit tonë përballë shteteve të tjera – sidomos fqinjve tanë – asht mjaft i vështirë me u mbajte me dinjitet e si lypët nami i Shqyptarit; pse këtyne, për shkak qi populli asht ende i armatosun, u mungon fuqia e nevojshme për me sigurue jetën, gjanë e tagret e qytetasve shqyptarë, pa të cilin sigurim s’ka shtet të qytetnuem; e pse kurdoherë – sidomos kundërshtarët tanë – munden me thanë: mbasi qeverisë shqytarë, për me zbatue ligjët e parlamentit, iu deshka me pritë të çarmatosunit e popullit, ç’nevojë me mbledhë parlamentin e me shtue në budget të vet tetëdhetë rroga ar, – me të cilat do të mujte me mbajte 500 xhandarë ma tepër në muej, – pa çarmatosë popullin një herë para? Apor veç mbledh parlamentin sa me dyfishue në njëfarë mënyre auktoritetin me të gjithë njata shqyptarë të tjerë, qi kanë mbete jashta qeverie e qi kanë cilësi a, mos tjetër, aspiracione për qeveri? Asht e ditun se këto fjalë kishin me qenë krejt pa themel; veç çka se der në ditë qi parlamenti e qeveria e jonë mos të çarmatosin popullin, bota kishte me u dhanë arsye sarkazmave të kundërshtarëve tanë.

Tue qenë, pra, se auktoritetit të shtetit shqyptar i mungon cilësia ma e parë, fuqia, pa të cilën s’mbahet shtet në kambë, duhet me thanë se prej kësaj pikëpamjeje shteti ynë gjindet në rrezik. Gjindet në rrezik, pse nji herë ma para s’ka me pasë kurrë paqë e qetësi në vend, pa të cilat populli s’përparon as moralisht as ekonomisht; mbasandej, kundërshtarët tanë kanë me lypë të shkatërruemit e tij. Jugusllavët e grekët kahrerë kanë çarmatosë popullsinë e vet; po a përnjëmend mund të na marrë mendja ne se Llojd Xhorxhi e shokët e tij –  e çfarë shokësh! – po barin qi shqyptarët të rrinë me pushkë për faqe në kufi të sllavit e të grekut?… S’ka tjetër: a me u çarmatosë, a me hupë. Si qe pushka ajo qi na pshtoi kombin pa hupë shqimit, dersa Shqypnia nuk pat qeveri të vetën, kështu pushka, sod qi kemi qeverinë tonë, ka për ta jup Shqypninë, po s’u lëshua sa ma parë në dorë të qeverisë. Marre e turp, mos tjetër, për qytete të Shqypnisë, qi kanë çue nji ushtri zyrtarësh në qeveri e qi ende s’ua kanë ba teslim armët qeverisë së vet. Dersa egërsia të sundojë ndër qytete, ç’sy e faqe kemi me pasë na me i thanë botës se jemi nji shtet i qytetnuem? E mbasandej na s’dijmë edhe si deputetët tanë kanë me mujtë me thanë se ata janë përfaqësuesat e ligjshëm të nji populli t’armatosun. Përfaqësuesi ase deputeti i këtij populli asht pushka e jo Ndoka e Islami. Deputeti, mbas pikëpamjes së filozofisë shoqnore, nuk mund të rrijë i lidhun për ngaskeqe të pushkës s’elektorit. Parlamenti nuk asht club kafshës e llafesh; asht trolli mbi të cilin do të rritet e zhdrivillohet ndërtesa e atdheut; prandaj elektori, me njate dorë me të cilën ep votën, me ate edhe ta lëshojë pushkën në dorë të deputetit të vet, për ma ia ba teslim qeverisë, se, përndryshe, njani e tjetri bahen gazi i dheut.

Shqyptarë! Atdheu nuk mbahet me dokrra e me pallavra, por me fli e me punë; armët, pra, teslim në dorë të qeverisë shqyptare!

Na, tue ndjekë analogjinë e shtetit me trup të njeriut, thamë se shka asht gjaku për trup të njeriut, ajo asht financa për gjallim të shtetit. Këte mendim e pat shprehë para nesh edhe Ciceroni, kur tha: “Vegtigalia nervi sunt republicae.” (Deimp. Cn. Pomp. VII, 17.) E arsyen e kësaj fjale e bjen Taciti, tue thanë: “Naque quies gentitum sinë ardia sinë tributis haberios sunt. (“As qetia e popujve pa ushtri, as ushtria pa rrogë, as rrogat s’munden me u pasë pa pagesa”. Hist., VII, c 74). Kur t’i përpalojmë këto fjalë, qi Taciti thotë për ushtrinë, edhe degëve të tjera të qeverive të kësokohshme – arsimit, drejtësisë, punëve botore, tregtisë etj., – shofim se përnjimend financa asht gjaku i shtetit e se pa te shteti s’ka jetë. Prandej, mbasi e vërtetuem këte fjalë e mbasi na s’duem të shkruejmë këtu nji traktat etike, po kalojmë me caktue rregullën e  përgjithtë mbas të cilës do të qitet në punë financa, për me e mbajte jetën e shtetit përherë të kërthnestë.

Rrezja e diellit, thonë natyralistat, asht ajo qi ban me shpërthye avullin prej toke, i cili mbasandej, tue u përtëri në voesë, bjen e flladit bimët e lutet. Si ky avull do të jetë edhe financa e shtetit. Qeveria merr të dhetat e pagesat prej popullit e me to mbasandej vesh të mbarën e përparimin e tij, tue ia sigurue jetën me fuqi t’armatosuna; tue ia arratisë mendjen ndër shkolla; tue çilë rruga, tue hapë tregje e tjera sende kësodore. Asht financa nji kontratë e nënkuptueshme ndërmjet popullit e qeverisë. Qeveria shërben, populli kan si lan njeriu qiranë e shtëpisë, jo pse ai asht robi i të zot të shtëpisë, por pse i zoti ia lëshon me banue mbrendë. Rregullat e para të financës, pra, janë këto: a)financa do qitë në punë vetëm për shërbim të shtetit; b) pagesat duen matë mbas shërbimeve të bame a për t’u ba; c) shërbimet duen ba me nji rend t’arsyeshem: ma para të nevojshmet, mandej të dobishmet, së mbramit të kandshmet.

Tash, mbasi caktuem rregullat e para të sistemit financiar të nji shteti, po ua lamë lexuesve tanë përlimin qi me i përballësue me sistem financiar të Shqypnisë e na po kalojmë me i diftue kombit se cili asht, mbas mendimit tonë, elementi ma i rrezikshmi për auktoritetin e për financë – e sidomos për financë të Shqypnisë.

Mbas mendimit tonë, elementi ma i rrezikshëm a, ma mirë me thanë, rreziku ma i madh i Shqypnisë janë vagabondat: njata shqyptarë qi, pa mujtë me përftue kurrë nji mendim të shëndoshë në mendje të vet, s’janë të zott me i rrshtue dy shkrola bashkë pa gabim; qi për atdhe filluen me u kapë së parit a m’atëherë kur banë rrush e kumlla gjanë e të parëve të vet e ma s’u mbet asnji dysh, sa me ble nji konop e me vjerrë vedin në te; ase kur ndonji qeveri e huej, neveritun prej sish, i xuer me shtjellim prej pune edhe i hodh si stërvina të cofta në Shqypni. Njerëz rrugaça, njerëz shakllabana e të pa kurrfarë njerëzie e mirërritjeje, të pa kurrfarë mësimi të vlefshëm, qi gjithë jetën e vet s’qenë të zott me shtrue kund ndoj plang, me ngulë kund ndoj truell, me ngrefë kund ndoj shtëpi, me kapë kund ndoj punë, me zanë kund ndoj mik, por gjithmonë me valixhe nën dorë, të harlisun nga mendja, të përdhosun kah fjala, të çoroditun kah vepra; ku mbillen, s’korren; ku bijnë nuk çohen; veç nga, si mizat pakrye, skele në skele, fshat në fshat, qytet në qytet, gjithkund tue zanë ndoj ves të ri, gjithkund tue lanë ndonji marre të re për Shqypni. E këta të ploshtë, të dekun në shpirt, coftina të qelbta, qi s’janë të zott me nxjerrë nji mizë prej qumështit, pa nji ideal para sysh, gjithkund duen me u përzie, gjithkund duen me vue gojë e sidomos në politikë të Shqypnisë. Jo, po, këta parazita, porsa ndiejshin se po lot kund ndoj punë për Shqypni, se po u çilet kund ndoj shteg për me u dalë me rrnue në shpinë të tjetërkujt pa punë, si rruqni, as nji as dy s’ia bajshin, por “pupa” në kambë, shpluhno petkat, lustro kundrat, shtrëngo kravatat e, valixhen nën dorë, kapelen tutël në krye, bjeri Europës kryq e tërthuer, jerë tue u shti beglerë, herë kapitana, diku profesora, diku princa, tue shtue hyj në qafzë për majora, kolonela, gjenerala, der qi së mbramit hasshin në ndonji krye-matare diplomatit, qi me ua pague rrugën për Shqypni. T’ardhmen në Shqypni, kapelen në valixhe, kësulën e thijtë në krye e vrap, si orlat ku po ishin zhurma ma e madhe, potera ma e fortë; e aty, nji zhel kuq e zi majë nji huni, hyp në nji karrige kafeje, kce në nji tryezë mejhaneje, ngrefë mustakët kacadre përpjetë ase rrepë turinjsh si mij të përcëlluem, me do fjalë të shterzueme, të marra, dokrra të papuna foli popullit: Hani! Pini” Ku jeni? Ku jeni, nipa të Skenderbegut? Me derdhë gjakun për atdhe! S’na duhet gja feja. Na duhet qytetnia, policia, zhandarmëria. Mos i besoni priftit! Mos i zëni besë hoxhës! Hoxha ju rren; prifti ju shet. Ah! Këta derra! Këta domuza!… Veç me rrjepë popullin! Ka marue sod koha e tyne. Sod asht dija, liria, qytetnia. Grueja shqyptare sod do të dalë, do të shëtisë, do të duket, do të njifet, e jo me ndejë si të gjitha të qyqet, mbrendë në shtëpi të vet. Grueja asht lulja e jetës, asht engjëlli – meleku – i njerëzisë. Ah!… Po!… Rrnofshin zonjat shqiptare! Rrnoftë Shqypnia! Rrnofshin aleatët! Poshtë tradhëtarët! E këso dokrrash të marra, mos me e hangër as qentë. Por çka se, mbasi punët e Shqypnisë atëherë si gati gjithmonë shkojshin tue marrë në thue, kështu këta fatosa-kukulla, të ndiemen qi ndiejshin se për ta po niste me fry nji erë e ftoftë, valixhen në dorë, bishtin ndër kambë e… tym dosë prapë në dhe të huej, si gjysagjeli, tue ua lanë të tjerëve barrën qi me i xjerrë kështejat prej prushit, edhe me gishta, po ta kishte lypë puna.

Qe, pra, se kush janë rreziku ma i madh i Shqypnis: vagabondat, sallahanat, rrugaçat. Por, megjithëkëte, këta njerëz, këta mikrobe të kombit, jo veç se po kanë sy e faqe me lypë, por edhe po munden sod me shpresue se hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar. Po a përnjimend se, për me ushqye e me majë këta njerëz të poshtër, tregtari ynë do të thithë miazmat e dugajave e të sokaqeve, bulku ynë do ta majë kryet në gërshanë gjatë shtigjeve të vështira?… E po ku jemi na, o Zot? A përnjimend se edhe kuptimi i bunrrisë asht harrue në këte dhe, qi njerëzve kaq të poshtër po u delka me u ushqye me djersë – me gjak – të kombit shqyptar?…

Shqyptarë! A vagabondat jashta pune e jashta Shqypnie, ase ndryshe kemi sharrue me t’egër e me të butë.

(Nga “Hylli i Dritës, 1921, nr. 1)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top