Profesori amerikan Edward Joseph ka deklaruar se në takimin e Hashim Thaçit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, takim ky i ndërmjetësuar nga Ambasadori Richard Grenell, palët kanë diskutuar edhe për ndarjen e Kosovës.
I shpejtë ka qenë reagimi kundërshtues i të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, dhe gjithashtu edhe reagimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Analisti politik, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë për mediat vendore, ka potencuar se marrëveshja finale me Serbinë nuk mund të jetë e shpejtë. Ai është i mendimit se as këtë vit nuk do të ndodhë marrëveshja finale me Serbinë, pasi sipas tij, agjenda e ngjeshur e zgjedhjeve në SHBA dhe para tyre, zgjedhjet në Serbi, e pamundesojnë një gjë të tillë.
“Do ishte në të mirën tonë, kornizimi i asaj marrëveshje, pra një dakordësim rreth një marrëveshje finale e cila ka për synim njohjen reciproke dhe relaksimin e raporteve të Kosovës me fqinjin tonë verior, Serbinë, deri dje armike. Topi është në anën tonë, në fushën tonë, karshi dialogut, për faktin se rifillimi i tij, është kushtëzuar me heqjen pa kushte të tarifave doganore për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, kusht ky tanimë dhe i SHBA-ve të involvuara në procesin e dialogut dhe në zhvillimet tjera në Siujdhesën Ilirike. Ekziston rreziku real i zgjidhjeve tjera për marrëveshjen me Serbinë, qoftë edhe ai i shkëmbimit të territoreve, përkatësisht copëtimit të Kosovës dhe minimit të shtetësisë së saj, por vetëm si pasojë e dështimit tonë në mbetjen në hap, në kohezion dhe në koherencë me synimin dhe vendosmërinë amerikane që t’i jap fund ngërçit, që paraqitet si pengesë e progresit të Kosovës dhe tërë rajonit, për shkak të raporteve Kosovë-Serbi. Etablimi i temës së korrigjimit të kufijve në nivel të presidentëve; Thaçi e Vuçiq, dhe të ish-shefes për politikë të jashtme të BE-së, zonjës Mogherini, në kuadër të dialogut të Brukselit, ishte i rrezikshëm dhe me pasoja të rënda për Kosovën dhe shqiptarët në radhë të parë, por edhe për rajonin, për shkak të presedanit (hapjes së kutisë së pandorës) dhe efekteve zingjirore që nuk do kishin të ndalur. Falë kundërshtimit dhe konsistencës së Gjermanisë së Kancelares Merkel, si dhe qëndrimit të ish-kryeministrit Haradinaj dhe të opozitës së atëhershme; LDK e LVV, u pamundësua si proces, por kjo nuk do thoshte se një rrezik i tillë ishte mënjanuar përgjithmonë, kur dihej fakti se kreatorët e asaj zgjidhje ishin dhe janë ende në skenën politike në Kosovë e në Serbi, përkatësisht presidentët Thaçi e Vuçiq”, është shprehur analisti politik Fatmir Bajraj.