RRETH MASAKRËS SË TIVARIT NË LIBRIN E ADEM DERGUTIT

NGA REXHEP SHAHU

Rrëfimet e ballcjanëve të shpëtuar e të mbijetuar nga masakra e Tivarit bëjnë me turp rracën njerzore, bëjnë me turp shtetin kriminal jugosllav të kohës, komunistët e Titos me Titon në krye si kryekriminel për të cilin dëgjon ndonjëherë të thuhet nga ndonjë shqiptar naiv (nuk besoj të jetë spiun), se Tito ka qenë i mirë e Rankoviqi i keq, bëjnë me turp malazezët, qytetarët malazezë e strukturat e qytetit të asaj kohe, bëjnë me turp në fund edhe shqiptarët e Shqipërisë administrative, zyrtarët e Tiranës politike.

Shpesh dëgjohet të akuzohet Tirana zyrtare për masakrën e Tivarit, të akuzohet pse nuk i mbrojti, pse i lejoi të masakruarit të kalonin nëpër Shqipëri, pse nuk luftoi me Jugosllavinë. Këto akuza që do ti quaja të lehta e pa peshë ikin pa lënë gjurmë serioze por thuhen sa për të thënë se e bëmë radhën, akuzuam, shamë, mallkuam dhe kaq mundëm të bënim për ta nxirë shetin e Enver Hoxhës. Duke kritikuar dhe akuzuar shtetin e 1945 të Enver Hoxhës harrojmë se i akuzuari i madh ishte Titoja që donte të zhdukte rininë shqiptare të Kosovës, forcën më vitale të aftë për luftë e punë. Harrojmë se Shqipëria e asaj kohe deri në vitin 1948 ishte thjeshtë një zgjatim i Jugosllavisë pasi Jugosllavia udhëhiqte gjithçka në Shqipëri. Jugosllavia kishte kriijue Partinë Komuniste të Shqipërisë përmes Miladin Popoviqit e Dushan Mugoshës së Nerodimes. Jugosllavët ishin të pranishëm fizikisht në gjithë institucionet e shtetit shqiptar si ekspertë e specialistë kudo në çdo zyrë deri në vitin 1948. Tregtarët serbë mblodhën gjithë valutën dhe floririn që ishte në Shqipëri.

Pra krimin e bënë jugosllavët, masakrën e Tivarit e bënë serbomalazezët por shqiptarët e Shqipërisë nuk bënë asnjë rezistencë sepse shteti i Shqipërisë ishte në shërbim të Jugosllavisë politike dhe shumë zyrtarë ishin në shërbim të Jugosllavisë.

Nuk po përmendim këtu ndihmat spontane apo sporadike që kanë dhënë banorët e Shqipërisë për ata që mundnin të iknin nga autokolona që ishte nisë nga Prizreni drejt Shkodrës e Tivarit dhe kërkonin ndihmë për strehim e shpëtim në banorët e Shqipërisë.

Mos bërja e asnjë rezistence ose mos alarmimi i tragjedisë që po ju ndodhte bijve të Kosovës, kjo është pesha e fajësisë që e rëndon Shqipërinë politike të Enver Hoxhës për masakrën e Tivarit.

Dikush trimërohet e thotë se Shqipëria nuk duhej ti lejonte të kalonin nëpër Shqipëri nga Prizreni deri në Shkodër të masakruarit e Tivarit. Kollaj trimërohet ai që e thotë këtë gjë sot, por duhet të zhvendosemi në atë kohë. Shqipëria e asaj kohe nuk kishte fuqi ushtarake as për luftë me sorra e jo të kundërshtonte ushtarakisht Jugosllavinë e cila kishte krijuar siç thamë Partinë komuniste dhe shtetin komunist të Enver Hoxhës.
Në ato kohë Enveri ishte vëlla me shokun Tito.

Unë pra nuk do të komentoj historitë që nuk komentohen, rrëfimet që nuk komentohen. Le ti bëhet loti gur kujt të dojë kur ti lexojë rrëfimet tronditëse nga të mbijetuarit e masakrës së Tivarit.

Për të lexuar tmerret e mëposhtme unë po shërbej thjeshtë si rrëfyes udhe në muzeun e krimit serb në Tivar.
”…Vetëm Bllacës ia vranë e masakruan në Tivar trembëdhjetë djem njomëzakë në lulen e rinisë…

Ja emrat e bllacjanëve që mbetën në Tivar të vrarë e masakruar me 2 prill 1945 : Musë Adem Iballi, (1924 – 1945), Sadri Tahir Iballi, (1924 – 1945), Isuf Hajriz Kroni, (1922 – 1945), Mustafë Jemin Zekolli, (1923 – 1945), Rifat Rexhep Guraziu, (1912 – 1945), Asllan Hajredin Bllaca, (1927 – 1945), Isuf Abaz Guraziu, (1918 – 1945), Metë Salih Pirku, (1917 – 1945), Xhemajli Shaqir Hoxha, (1923 – 1945), Bajram Haxhë Lumi, (1928 – 1945), Jahir Hajdar Suka, (1924 – 1945), Qerim Halim Bajraktari, (1925 – 1945), Ibrahim Bajram Baku. (1919 – 1945). Emrat e këtyre njerzve s’mund të harrohen. Ishin njëzet vjeçarë… Ishin rinia shqiptare e Kosovës… Ishin antikomunistë shqiptarë që do ta shkatërronin komunizmin që u instalua në Kosovë e Shqipëri. Ata u vranë e masakruan në Tivar e kudo vetëm e vetëm që të ngjizej komunizmi edhe në Kosovë. Në këtë vend që vetëm komunizmi nuk mund të ketë vend…

Ata flasin, thërrasin, piskasin: Jo komunizmit në Kosovë…”

“…Rexhep Lezi, i mbijetuar i kësaj masakre e kujtonte Qerimin kështu: ”Qerimit, që nga Kukësi e deri te Ura e Zogut i rridhte gjak nga hundët. Gjatë rrugës ne të gjithë e ndihmonim”.

Kurse i mbijetuari tjetër nga fshati Temeqinë, Bajram Pintolli, për Qerimin tregonte: “Para se të vritej Qerimi më tha: “o kumar, mbaruem bre”, dhe në rafalet e para Qerimi mbeti i vdekur”.

Kurse Selim Ali Baku e kujton kështu: ”Më së vështiri e pata kur pranë meje e zbuluan të plagosur Qerimin, dhe iu drejtuan me fjalët: “Shiptare, josh si zhiv! Sada çemo da te sredimo!” (Shqiptar ende je gjallë, tash do të rregullojmë), dhe aty humba vetëdijën për një kohë. Pastaj, pasi më erdhi vetëdija dhe vërejta se nuk më kishin zbuluar, prita deri sa ra terri i natës dhe mblodha të gjitha forcat për të dalë nga kufomat…”

“…Rexhep Selman Lezi i mbijetuar nga kjo masakër e kujtonte kështu: “Dolëm nga kufomat dhe së bashku me Musën u strehuam në një ullishte. Bashkë me Musën gjatë rrugës e takuam Smail Bytyçin nga fshati Kasterc, dhe Halimin nga Papazi. Ecëm në drejtim të panjohur. U ndalëm te një krua për të pirë ujë. Nga shtëpia e Durak Shabanoviqit dikush gjuajti dhe Musa mbeti i vrarë në vend. E mbulova me një shami dhe ika nga vendi. Pas 20 viteve kur isha musafir te Sylë Maraj nga fshati Ftjan që më pat strehua më pat treguar se në atë vend ku u vra Musa, u vranë edhe 15 shqiptarë tjerë. Ishte luftëtar trim që i la trashëgim brezit tone guximin dhe heroizmin. Po kështu pra mbaroi jeta e Musë Iballit…”

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top