RRETH KUFIJVE DHE SEMANTIKËS SË BALADËS

SHKRUAN: IZET DURAKU

Pas botimit në vitin 2005 të librit “Balada shqiptare” nga Anton Papleka ku përfshihen rreth 350 balada të klasifikuara në 92 ndarje tematike, botimi i vëllimit “Balada popullore”, mbledhur e përgatitur për botim nga Shefqet Hoxha, shënon ngjarjen më të rëndësishme për sa i përket botimit të kësaj gjinie të poezisë popullore. Ndërsa libri i Paplekës përmban pasuri folklorike pothuajse nga të gjitha trevat kombëtare, ky botim përqëndrohet vetëm në pasuritë folkorike të disa trevave të caktuara. Megjithatë ky kufizim nuk ia pakëson vlerat, përkundrazi shfaq pasurinë dhe potencialin e jashtëzakonshëm krijues edhe brenda një hapësire relativisht të ngushtë.

Autori Shefqet Hoxha është dëshmuar herët si mbledhës, përzgjedhës e koleksionues i vlerave folklorike dhe njëkohësisht si studiues i tyre. Përmes një kulture filologjike dhe njohjes së thelluar të përvojës së mëhershme, ai ka dëshmuar gjithshtu prirjen për të hetuar e zbuluar lashtësinë e vlerave duke dalluar shtresimet kronologjike me ndarjet tematiko-gjinore. Në procesin e mbledhjes së visarit kulturor, autori ia ka dalë ta përballojë me profesionalizëm dhe ekzigjencë shkencore vështirësinë e gjetjeve të këngës popullore dhe të shndërrimit në tekst letrar nga forma gojore e qarkullimit folklorik duke e përcjellë me besnikëri dhe korrektesë deri tek lexuesi.

Vlerat që përmbledh vëllimi “Balada popullore” u mblodhën në kohën e duhur, kur bartësit e këtyre vlerave edhe si interpretues, kishin ende publikun e tyre që i pranonte, i ndiqte dhe i admironte. Një pjesë baladash ishin pjesë e repertorit të riteve dhe ceremonive familjare. Ende ruheshin edhe kremtet e përbashkëta tradicionale, ku përmes pjesmarrësve të shumtë nga komunitete të ndryshme, pasuroheshin më tej edhe vlerat folklorike. Një pjesë e madhe e kësaj trashëgimie tashmë të mbledhur, do të ishte tretur në furtunën e ndryshimeve demografike që përfshinë vendin pas viteve ’90 të shek. XX, kur fshatrat e zonës malore të vendit u mpakën, u rrëgjuan deri në braktisje të plotë. Autorit i është njohur me të drejtë edhe merita e mbrojtjes së trashëgimisë sonë kulturore nga zhdukja eventuale e saj.

Ky libër, si një kontribut me vlerë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, të ruajtjes së kujtesës kolektive dhe të vlerave tona të papërsëritshme kombëtare, botohet me kontributin financiar të zotit Flamur Hoxha, që ka dëshmuar ndjeshmërinë e tij rreth kësaj trashëgimie dhe lidhjet e ngushta të tij me vendin e të parëve, kulti i të cilëve, ndër shqiptarët, mbetet gjithnjë i gjallë dhe i respektuar.
Vëllimi “Balada popullore” përfshin një pjesë të konsiderueshme baladash, 178 të tilla, si pjesë e visarit folklorik, që, së paku, deri në kohën e vjeljes së tij (kryesisht në vitet ‘60- ’80 të shekullit XX), bënte ende një jetë aktive në krahinat Lumë, Has, Malzi e Fan, që aso kohe përfshiheshin në rrethin e Kukësit.

Shefqet Hoxha si autori i këtij libri mund të konsiderohet me fat, pasi që në fëmininë e tij në Bice të Lumës qe ndjerë i qarkuar nga një pasuri e madhe e krijimtarisë gojore si në prozë dhe në poezi, të cilat, siç dihet, me sinkretizmin e tyre jetojnë së bashku me muzikën e koreografinë popullore, me deklamimin, lëvizjet, gjestet, yshtjet dhe namatisjet. Në kohën e vjeljes së tij nga autori Sheqet Hoxha, ky art popullor ende ndihej i afërt me besimin. Shpirtrat e lashtë të natyrës dhe të besimeve të hershme shfaqeshin së bashku me format e besimeve të reja. Ky libër vjen si pohim i pasurisë së vlerave të lashta folklorike të kësaj ane, si një plotësim i mëtejshëm i thesarit kombëtar dhe si një dëshmi e përbashkësisë së vlerave edhe përmes larmisë së shprehjeve artistike.

Në lidhje me gjurmimin, mbledhjen dhe vlerësimin e visarit kulturor popullor, Shefqet Hoxhën e ka favorizuar edhe trashëgimia familjare. Si bijë Morini, nëna e tij Shine Hoxha, të cilës i kushtohet ky libër, ashtu si pjesa më e madhe e brezit të saj, ishte një bartëse e mrekullueshme edhe e vlerave poetike popullore. Ndërsa babai i tij Qamil Hoxha, me veprën e tij që arriti të përmblidhej dhe të botohej edhe si libër më vete, është njëri prej personaliteteve më të spikatura të kulturës popullore lumjane. Si nxënës i Aleksandër Xhuvanit në vitet ’30 të shekullit të kaluar në Shkollën Normale të Elbasanit, ai u edukua të gjurmojë visarin folklorik, dokesor e gjuhësor të trevës së Lumës në veçanti, por edhe në zonat e tjera ku ai shërbeu si mësues. Botimet e para i pati pikërisht në këtë kohë tek “Normalisti”, ndërsa kontributet e tij në mbledhjen e Eposit heroik shqiptar, tekstet e gjashtë këngëve nga cikli i kreshnikëve të mbledhura në Malësinë e Gjakovës, që ia pati dhënë më 1938 folkloristit amerikan Albert Llojd, ruhen në arkivin e universitetit të Harvardit.

Pasionin për folklorin Shefqet Hoxha e dëshmoi përmes bashkëpunimit të hershëm që nga fillimi i viteve ’50, shek. XX me Institutin e Folklorit në Tiranë. Në arkivin e Institutit nga fondi i Sh. Hoxhës, në disa fletore kam lexuar ndër të tjera edhe mijra vargje, kryesisht nga lirika popullore. Me botimin në shtypin shkencor të kohës të artikujve “Lindja në Lumë” (1960), “Fejesa dhe martesa në Lumë”(1961) autori hyri në botën elitare si një nga autorët më serioz për saktësinë e analizës dhe të përfundimeve të sakta.
Në disa shkrime të hershme në gazetën “Bashkimi” jam përpjekur të veçoj punën e tij kërkimore në terren, sidomos në zonat më të thella malore, ku vështirësitë e komunikimit ishin të shumta:

Në vitin 1990 kam shkruar: “Studiuesi i njohur Shefqet Hoxha i ka shkelur pëllëmbë për pëllëmbë këto vende duke hyrë në çdo familje. Proverba, përralla, anekdoda, fjalë të rralla, doke e zakone të moçme, këngë të epikës historike dhe legjendare, rituale… Fletoret janë mbushur plot. Pas fletoreve librat e botuar. Në gjerdanin e çmuar të gjenisë poetike popullore rrezëllijnë perlat e mërgimit ekonomik…”.

Baladat popullore të përfshira në këtë libër i përkasin bartësve nga krahina e Lumës, Hasit, Malziut dhe Fanit dhe, si të tilla, i shtohen visarit të gjithmbarshëm kombëtar shqiptar. Ato kanë bërë jetën e tyre në këto komunitete, janë pranuar dhe ekzekutuar prej tyre duke iu nënshtruar qarkullimit të njohur folklorik, ndryshimeve të vazhdueshme, risive të shtuara në rrjedhë të kohës, por thelbi kombëtar i baladave, shenjat e tyre identifikuese janë ruajtur të pandryshueshme, ashtu siç janë ruajtur gjithshtu të prekshme dukuritë e përbashkëta me baladat ballkanike, evropiane dhe më gjërë.

Shënimet e autorit në fund të këtij libri dëshmojnë se ky vëllim me balada ishte bërë gati për botim që në vitin 1983. Aso kohe interesimi i shkencës folklorike shqiptare ishte fokusuar më shumë tek Epika legjendare, rreth së cilës, krahas botimeve të shumta folklorike që synuan të shfaqnin pasurinë dhe shtrirjen e kësaj epike në trevat shqiptare, u organizuan edhe veprimtari të mirëfillta shkencore. Kësaj kohe i përket edhe botimi nga Shefqet Hoxha i vëllimit “Epikë legjendare nga rrethi i Kukësit”. Ndërkohë që kapacitetet botuese qenë të kufizuara dhe kërkesat për botim ishin të shumta edhe nga autorë të tjerë, botimi i baladave popullore nga trevat e Kukësit u shty për një kohë më të vonshme. Shtyrja në kohë në fakt rezultoi të ishte shumë më e gjatë nga sa mund të mendohej. Pas rënies së komunizmit në vitin 1990, interesimi shtetëror për albanologjinë në përgjithësi dhe veçmas për botimet folklorike erdhi duke u zbehur vazhdimisht.

Mbledhja, regjistrimi dhe botimi i vlerave folklorike edhe në trevat e Kukësit dëshmohet relativisht vonë. Interesimet e para nisin që në gjysmën e parë të shekullit XX. Botimet e pakta të mëhershme, ndonëse fatlume duhen konsideruar si të rastësishme. E tillë është edhe përfshirja e një kënge lumjane për heroin Mahmut Daci tek “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos. Në botimet e mëvonshme kjo këngë u klasifikua si pjesë e epikës historike. Nisur nga struktura e ndërtimit të saj, ku përparësi marrin notat emocionale, poezia popullore për Mahmut Dacin mund dhe duhet të klasifikohet si baladë me temën e qëndresës ndaj dhunës së autoriteteve të huaja dhe të ruajtjes së nderit vetiak dhe kolektiv. Ndërsa në fillim të shekullit XX Vinçenc Prennushi përfshiu edhe një numër jo të vogël poezish mirditore në “Kangë popullore gegnishte”, që u bënë themeli mbi të cilin më vonë do të ngrihej vepra monumentale kombëtare; “Visaret e Kombit”, ku gjerësisht u pasyruan edhe vlerat folklorike të Lumës, Hasit, Malziut dhe Fanit.

Ndonëse interesimi për mbledhjen e baladave popullore shqiptare dëshmohet që në dorëshkrimin e Kieutit (1737) dhe ato kanë bërë pjesë në botimet më të hershme folklorike, deri nga mesi i shekullit XX, nuk janë konsideruar si një lloj më vete i poezisë gojore, nuk janë ndarë veçmas në përmbledhjet folklorike dhe nuk janë emërtuar si balada..Mungesa e klasifikimit të baladave duket se ka pasur një rrjedhojë jo pozitive edhe në gjurmimin, mbledhjen dhe botimin e tyre. Një koncept më i qartë teorik do të ndikonte gjithë procesin e punës shkencore duke filluar që nga organizimi i kërkimeve në terren.

Në kohën e vjeljes së materiailit të përfshirë në këtë libër, në botimet folklorike termi “baladë” përmendej në një numër të kufizuar autorësh si Dhimitër Shuteriqi, Qemal Haxhihasani e Anton Çeta. Si personalitete edhe të folkloristikës shqiptare ata kanë ndikuar edhe në botimet e mëvonshme të autorëve të tjerë.

Por paqartësitë teorike së bashku me kufizimet ideore të kohës bënë që të mos botoheshin një numër i madh baladash, ndërsa një numër tjetër u emërtua ndryshe, duke zgjeruar kufijtë e epikës fillimisht, por edhe të lirikës më vonë. Dëmin më të madh për kufizimet në botime duket se e shkaktoi çensura shtetërore që veproi në vitet 1944 – 1990. Një pjesë krijimesh konsideroheshin si të papërshtashme për tu botuar. Qemal Haxhihasani në parathënien e librit të tij “Balada popullore shqiptare shkruante: “…Në këtë përmbledhje janë lënë jashtë disa këngë që ndonëse e kanë formën e mirëfilltë të baladës, po që nuk i përgjigjen qëllimit edukativ të vëllimit (si p.sh., kënga e Selman Likës, e vëllavrasjes, e tradhtisë së gruas, etj)”. Dukuria antishkencore që vinte prej çensurës bënte që këngët të shkarkoheshin “në ndonjë rast nga elemente të errta e të paqarta”, siç shkruante Q. Haxhihasani.

Në ndarjen e këngëve në balada dhe legjenda A.Çeta mbështetej në botën tematikore që ato përfshijnë. Ai konsideronte balada këngët liriko-epike, “me një notë të theksuar dramatike dhe me syzhe nga jeta e rëndomtë – nga jeta familjare dhe lidhjet dashurore, në të cilat aty këtu elementet ireale, të mrekullueshme, luajnë një rol episodik”. Kurse legjendat përfshinin sipas tij “këngë me syzhe mitike, përrallore, fetare”. Edhe në këtë përmbledhje baladash duken gjurmë të kësaj ndarje, ku dy balada me subjekt mitologjik e përrallor të përfshira në fund të këtij vëllimi, “Xharpni dhanërr”dhe “Ça kish ba kral Kapedani” emërtohen si legjenda.

Jo çdo e keqe, vjen për të keqe, thonë. Vonesat në kohë për botimin e kësaj përmbledhje me balada popullore kanë sjellë edhe shmangien e kufizimeve të botimeve të mëparshme. Baladat po botohen të plota, ashtu siç janë mbledhur.

Botimi i varianteve të plota të baladave, madje edhe i varianteve të gjetura në gjendje fragmentare u jep dorë studjuesve për të siguruar një pamje sa më besnike të gjendjes së tyre në kohën kur u mblodhën. Variantet gjithashtu të krijojnë mundësinë që të kuptohen më mirë pëlqimet e bartësve si rrëfimtarë dhe pranimin e dëgjuesve të tyre në kohën e interpretimit në mjedise dhe komunitetet përkatëse. Do të ishte edhe në shijen e pranuesve të këtij arti edhe se çfarë motivesh do të theksoheshin më shumë a më pak. Madje edhe struktura e këngës si gjatësi e rrëfimit dhe cilësi e shprehjes artistike, varej nga raportet që vendoseshin midis këngëtarit dhe dëgjuesve.

Në gjendjen e sotme baladat paraqiten vetëm si tekst i shkruar, por në çastin e regjistrimit të tyre ato përmbanin krahas cilësisë së fjalëve, përkatësisht tërësisë së vargjeve edhe aspektin e interpretimit si dy qasje që plotësojnë njëra – tjetrën. Kur këngëtari ka përcjellë këngën që ka dëgjuar, në interpretimin e tij dhe në tekstin e vet në mënyrë indirekte do ta krijonte raportin në mes folësit dhe dëgjuesit ku do të linin gjurmë edhe jehonat e pjesërishme të kontekstit dhe të dramatizmit të teksturës nga ekzekutimet e mëparshme.

Gjithashtu, për baladat që mblodhi autori, (shumica dërmuese e këtij vëllimi) përveç kohës dhe vendit, shënon edhe emrin e bartësit dhe emrin e mbledhësit, në rastet kur balada është regjistruar nga autorë të tjerë. Është i njohur fakti se në botimet e gjysmës së dytë të shek. XX, mungonin emrat e bartësve dhe të mbledhësve të baladave, ngaqë më të shumtët e mbledhësve kanë qenë priftërinj katolikë. Veç vlerës shkencore të pamohueshme, publikimi i emrave të bartësve dhe të mbledhësve, ashtu siç shprehet studiuesi Anton Papleka, “do të jetë edhe një homazh i merituar për ata intelektualë apo folkloristë që kanë shpëtuar nga humbja visarin e traditës sonë poetike”.

Në fushën e studimeve për baladat popullore shqiptare, është për tu vlerësuar ndihmesa e autorëve Eqrem Çabej, Qemal Haxhihasani, Fatos Arapi, Jorgo Panajoti dhe Anton Çetta, ndërsa monografia e Sadri Fetiut edhe sipas meje, mund të veçohet njëherazi si sinteza dhe pika më e lartë e studimeve tona për këtë lloj poetik. Duke cituar disa nga përfundimet e Sadri Fetiut, Anton Papleka përmbledh si veçori kryesore të baladës karakterin e theksuar sinkretik të saj dhe vizionin tragjik të jetës, por nënvizohet se nuk është baladë çdo këngë me përfundim tragjik. Një konstante e baladës është lidhja e saj me familjen e mardhëniet familjare, ku trajtohen ndodhi të përditshme nga jeta dhe fati i veçantë i individëve. Në baladë ka konflikt moral, ka lidhshmëri të pandashme në mes estetikës dhe etikës dhe veç informacionit epik, balada ka shtresën ndjenjore. Heroi i baladës, njeriu i përditshëm mund të ngadhnjejë vetëm në aspektin moral ose mbetet viktimë e fajit të vet tragjik. Balada përjetohet si një përvojë që nuk duhet të përsëritet, si katarsë që i fisnikëron shpirtrat dhe si ngadhnjim i ideales mbi përditshmërinë. Në asnjë rast balada nuk sjell informacion të plotë për ngjarjet historike, madje as për personazhet si persona historikë. Baladës i mungon kronologjia kohore e ngjarjes. Në baladë gërshetohet rrëfimi epik me dialogun dhe monologun lirik. Në ndërtimin e baladës mbizotëron struktura tripjesore që nis me qëllimin, vijon me përpjekjen për ta kapërcyer dhe mbyllet me fajin tragjik…

Korigjimi i gabimeve të së shkuarës edhe në klasifikimin e saktë të tekteve të poezisë gojore do të mundësojë ndër të tjera ripërcaktimin e inventarit të llojeve poetike sipas kritereve shkencore. Edhe në këtë drejtim botimi i librit “Balada popullore” i autorit Shefqet Hoxha duhet konsideruar si një kontribut më shumë. Kështu bie fjala një numër baladash të përfshira në këtë libër, në disa botime të mëparshme përfshiheshin tek epika legjendare, tek epika historike apo edhe te këngët lirike. Natyrisht, ashtu siç thuhet me të drejtë, sado të sakta të jenë klasifikimet, edhe në të ardhmen do të ketë tekste të diskutueshme, sepse ka edhe forma të krijimeve hibride, që qëndrojnë midis baladës dhe këngës historike, të vështira për tu përfshirë me siguri në një grup të caktuar.

Edhe pse në krahasim me kohën e vjeljes dhe të regjistrimit të baladave, ky libër vjen me vonesë, mund të thuhet me plot gojën se me lëndën që përfshin ai dëshmon edhe njëherë për pasurinë folklorike të trevave ku janë mbledhur, në të cilat balada si gjini poetike ka njohur gjithashtu një begati të veçantë. Në vëllim janë përfshirë 178 balada të klasifikuara nga autori në disa grupe tematike, të cilat gjithashtu sipas anëve të përbashkëta përimtësohen më tej në cikle të tjera. Autori i klasifikon baladat në fantastike e realiste duke u mbështetur në shtresëzimet e subjekteve të tyre.

Kështu 22 variantet e “Baladave të murimit”, përfshijnë 15 variante të “Murimit në kala” dhe 7 variante të “Murimit në urë”. Variantet e kësaj balade kanë në thelbin e tyre motivin e sakrificës njerëzore, të flijimit si një shenjë për t’i marrë me të mirë forcat e zemëruara nga shkelja e ligjeve dhe ndalimeve të caktuara. Duket se demoni i tokës nuk i duron plagët e themeleve të hapura. Ndaj muret e kalasë apo të urës që ndërtohen ditën, shemben natën nga dridhjet e tokës. Balada i ka rrënjët në mugëtirën e kohës kur njeriu e shihte natyrën me shpirt si veten, kur e ndjente se duhej që të ndjente si në trupin e vet edhe dhimbjet e tokës. Studjuesi Shaban Sinani ka vënë re se edhe gjithë fondi i baladave shqiptare lind nga shkelja e një tabuje, nga dhunimi i një rregulli që ndalon, nga shthurja e një morali për të pohuar një moral të ri, një kontratë të re sociale. Këto shkelje e dhunime të të ndaluarës së shpallur, sipas tij, janë burimi i konfliktit tragjik, që tenton të shuhet përmes një eufemizmi. Tabuja është paprekshmëria e tokës dhe (në rastin e murimit në kala ose në urë) eufemizmi – marrja me të mirë e tokës është flijimi i njeriut të gjallë.

Variantet e shumta nxjerrin në pah anë të veçanta të dramës tragjike që kulmon me flijimin e nuses së vëllait të vogël, dobësia për të cilin vihet re edhe në të drejtën dokesore shqiptare, kur në rastin e ndarjes si shtëpi më vete, djali më i vogël trashëgon “derën” e babait. Në kanunin e Lumës thuhet: “Nana e baba nuk dahen, shkojnë me djalin e vogël, se ai asht ma nevojtar për ndihmë”.

Në të gjitha variantet e baladës së murimit ndihet një frymë patriarkale, ku vëllezërit më të mëdhenj kanë pushtet mbi vëllain e vogël. Mashtrimet e më të mëdhenjve ngjajnë të shkojnë krahas me përvojën e tyre për tu mbijetuar rrethanave të vështira. Ndërsa naiviteti i më të voglit shpjegohet me mungesën e kësaj përvoje. Naiviteti ndëshkohet. Prej nevojës së mosndëshkimit rrjedh edhe urtësia e shprehjes: “Besnik bëhu, po besë mos zër”.

Pavarësisht konfliktit bazë ku mbështetet balada, përmes përkrahjes dhe simpatisë për vëllain më të vogël, më të nëpërkëmburin dhe më besnikun njëkohësisht, hetohet dukshëm një moral i ri, që ndonëse jo me forcën e duhur, i kundërvihet moralit më të vjetër. Këto veshje herë-herë emocionale duket se i përkasin kohës kur familja e madhe patriarkale po njihte krizën e saj. Drama e nuses së flijuar si një eufemizëm ndaj zemërimit të tokës, në shumë variante përcillet emocionalisht përmes amaneteve, që synojnë t’ia shpaguajnë disi sakrificën. Në secilën baladë, diku më e plotë dhe diku më e cunguar jepet parashikimi profetik se kështjella që do të ngrihet mbi gjakun e gruas së re, do të qëndrojë e fortë dhe do të trashëgohet nga i biri. Domethënia e porosisë është e qartë.

Ndërsa në ndarjen tematike “Motra me 9 vëllezër” përfshihen 33 balada të njohura me motivin e ringjalljes, që në literaturën popullore europiane u quajt si Kënga e Lenorës, sipas një poezie të poetit gjerman Burger (1747-1794). Eqrem Çabej vlerëson studimin për këngën shqiptare të ringjalljes nga Maksimilian Lambertzi, i cili ka vënë re karakteristikat e përbashkëta të baladës arbëreshe me baladat greke e bullgare që trajtojnë motivin e ringjalljes, por vë re se 9 vëllezërit e Garentinës vdesin në luftë dhe jo për shkak të murtajës duke nënvizuar gjithashtu edhe rolin e ndryshëm të nënës që nuk mallkon të bijtë, po i vajton ato dhe u ndez nga një qiri të gjithëve, ndërsa Konstandinit, që do të ngrihej nga varri për të përmbushur porosinë, i ndez dy qiri dhe e vajton dy herë.

“Ajo që gjetkë njihet si “Kënga e Dhoqinës” është ndër baladat më të njohura në rrethin e Kukësit. Këtë e kemi qëmtuar në të gjitha zonat në 31 variante”, shkruan autori në shënimet e tij. Në variantet e kësaj balade, ashtu siç vëren edhe Shefqet Hoxha, ndryshojnë emrat e personazheve, të motrës së martuar “9 kodra, apo 9 konaqe larg”, ndryshon edhe shkaku i vdekjes së vëllezërve nga “murtaja, derxha e modhe, morta çorre”, ndryshon edhe koha e pritjes së motrës atje larg pa parë derën e prindërve, po nuk ndryshon aspak fati tragjik, rrufetë e të cilit do të godisnin pamëshirë. Prej këtij fati ndëshkues familja e madhe me nëntë vëllezër dhe një motër do të shuhet e shkretohet plotësisht si një ndëshkim nga shkelja e tabusë për martesa ekzogamike.

Miqësinë me botë të largëta që nuk ishin të njejtë me shqiptarët, Sh.Sinani e sheh si një eufemizëm. Edhe ringjallja pas vdekjes, kthimi në jetë nga bota e përtejme si një atribut vetëm i Zotit në fetë monoteiste përbën një shkelje të tabusë që përcillet me eufemizmin e paqes, me vdekjen dhe perëndinë, që rimerr në fund cilësitë e veta. Ndëshkimi hyjnor nuk kursen asnjë, as bijën e kthyer, as nënën plakë të stërmunduar nga mënxyra, që sikur po priste vetëm kthimin e së bijës për të vdekur së bashku.

Duke u mbështetur te kjo baladë, Kadare në romanin e tij, ringjalljen e heroit e sheh në disa optika të ndryshme, por motivi vendimtar që do ta ngrinte nga varri Konstandinin, ishte misioni për të mbajtur besën, fjalën e dhënë motrës së martuar larg familjes. Motivi i besës që ka një zanafillë që nga periudhat e hershme të jetës fisnore të shqiptarëve si popull, është i pranishëm edhe në të gjitha variantet e mbledhura në trevat e Kukësit.

Semantikës së besës, si një fjalë e vështirë për tu përkthyer në gjuhë të tjera dhe që nënkupton edhe fjalën përcaktuese shqiptare, i ka kushtuar një vëmendje të posaçme Sadri Fetiu në monografinë e tij “Balada popullore shqiptare”. Përveç sigurisë se besa përmban në vetvete një kompleks vlerash, virtytesh dhe karakteristikash etnopsikologjike që i dallojnë shqiptarët prej popujve të tjerë, ai shkruan:
“Në mënyrë më të theksuar se në ciklin e këngëve të kreshnikëve, besa është bërë faktor kryesor, që e ka përcaktuar shpesh krijimin dhe ruajtjen deri në kohët tonë të baladave shqiptare me motive të lashta”

Pavarësisht varianteve, balada shqiptare në thelbin e saj ruan tiparet e përbashkëta në të gjithë hapësirën etnike. Është për tu vënë re afria deri në formulime të ngjashme për përfundimin e trishtë të nënës me të bijën në variantet e Lumës me “Këngën e Dhoqinës”, variantin jugor. Në disa variante lumjane formulohet kështu vdekja e nënës me të bijën: “Nana n’prag e bija n’derë/t’dija u thanë si lulja në verë”; “Kur kanë dalë të dia n’derë, na kanë plasë të dia menjerë”. Kurse te varianti jugor epilogu tragjik merr këtë pamje: “Një në prag e një në derë,/ plasën si qelqe me verë”.

Në “Baladat e rinjohjes” përfshihen 29 njësi në cikle a) rinjohja burrë e grua, b) rinjohja vëlla e motër, të ndara përkatësisht edhe sipas personazhit: b1) Luto Fukaraja, – 4 balada; b2) Ali Borxhalija, 2 balada; b3) Rroki i vogël, 1 baladë; b4) Turku ka ra borxh, 18 balada dhe b5) Fukaraja i ngratë, 4 balada.

Megjithëse rinjohja si një nga motivet kryesore mbetet e njëjtë, pikënisja, motivi fillestar dhe konflkti tragjik ndryshojnë në këngët e këtij cikli. Kështu, kënga e Ymer Agës, në të gjitha variantet e saj rimerr motivin e Odiseut, që pas luftës iu deshën plot nëntë vjet që të kthehet i vetmuar në shtëpi. Eskili në tragjedinë e tij “Trojanët” gjithë mundimet e fatkeqësitë e kthimit të ushtrisë pushtuese nga Troja, i shpjegon me tërbimin e Atenës dhe zemërimin e Poseidonit, që do të shpartallonte anijet dhe brigjet e detit do t’i mbushte me kufoma. Sepse grekët, ndonëse ishin paralajmëruar, kishin dhunuar, plaçkitur e shkrumbuar altaret e perëndive. Ky mallkim do ta ndiqte edhe Odiseun që do të kthehej pa asnjë shok në vendlindje, ku e priste një turmë mëtonjësish ndaj gruas, pronës dhe jetës së tij.

Ndërsa në thelb të baladës së Ymer Agës, shkelet tabuja për të mos u larguar nga vendlindja, një tabu që, sipas studjuesve, kishte humbur diku në skutat e thella të vetëdijes njerëzore për moslargim nga vendlindja, si tipar i popujve të lidhur fort me vendin e tyre. Balada ruan gjithashtu edhe hijen e Penelopës në figurën e gruas, që do ta priste burrin që dergjej për 9 vjet “në hapsane”. Rikthimi i burrit dhe ribashkimi me gruan e tij, fatin e parë, është njëra nga arsyet pse është ruajtur kaq gjatë kjo baladë. Shqiptarët e kanë të shtrenjtë familjen. Burrë e grua, deri në ditët tona e quajnë si fatin e tyre bashkëshortin a bashkëshorten. Një fat që duhet nderuar e admiruar deri në fund të jetës. Fati i parë që duhet të ishte edhe fati i fundit.

Këngët dhe variantet e tyre si “Luto Fukaraja”, “Ali Borxhalija”, “Rroki i vogël”, “Turku ka ra borxh” dhe ”Fukaraja i ngratë”, që trajtojnë motivin e rinjohjes vëlla – motër, kanë në themel të tyre konfliktin tragjik të rrezikut për shkeljen e tabusë së inçestit, që e bëri natyrën të derdhë shi dhe gjak. Inçesti që në baladat tona mbetet në prag të realizimit, po që në çastin e fundit tërhiqet, ka tronditur ndërgjegjen e grekëve të vjetër. Eposi helen ka prodhuar një yllnajë tragjedish mbi bazën e motivit të inçestit, me të cilin lidhet “mallkimi i fisit” të Edipit që lindi fëmijë me Jokastën, të ëmën, nënvizon studjuesi Shaban Sinani. Këtej rrjedh edhe shprehja “kompleksi i Edipit”, si një prirje e të pavetëdijshmes së individëve të caktuar drejt mardhënieve inçestuale.

Në variantet e kësaj balade mund të hetohen edhe shtresëzimet kohore historike që sjellin jehonën e largimeve ushtarake në shërbim të perandorisë osmane. Përmes largimeve e harrimit është përligjur gjëma e madhe e mëkatit.

Baladat që trajtojnë motivin e vëllavrasjes si “Ish ni nanë me dy jetima”, “ Ishte kanë ni gjrue e ve”, “Asht ni gjrue me di jetima”, “Rrajti nana di gjem jetajma” etj kanë gjithashtu një shtrirje të gjerë me 23 variante, duke rizbuluar ankthin e një tragjedie që vjen e përgjakshme e primitive deri në ditët më të mbrame. Duket se balada nuk e ka përmbyllur ende nevojën reale të ekzistencës së vet. Ashtu e mistifikuar nga një tis mallkimi amësor dhe të mbijetesës së kujtimeve më të hershme të shkeljes dhe dhunimit të vendeve të shenjta, balada përcjell dhimbjen e pangushëlluar të tragjedisë së shuarjes së vatrës familjare, duke mbyllur përfundimisht shtegun e ripërtëritjes së jetës. Tek “Dasma e Mujit” le të kujtojmë porosinë për krushqit që të mos u binin lodrave në logun e zanave. Duke u harruar pas gëzimit të tyre krushqit dhunuan logun e Zanave që, ashtu të tërbuara, i shndërruan në gurë krushqit e dasmës. Mujit iu desh të zbulonte shpirtin e tyre të mishëruar tek tri dhi brigjata, të cilat i mbajti të ndryme derisa zanat ta hiqnin dënimin e tyre, t’i kthenin gurët sërish në njerëz të gjallë.

Edhe tek balada e vëllavrasjes është pikërisht zana, që u shfaqet dy vëllezërve si grua e një plaku që mezi pret ta heqë qafe dhe të martohet me njërin prej tyre. Maskimi si një grua e zakonshme është një truk i vogël për të shtuar përmasën tragjike, për të arritur vrasjen e vëllezërve me dorën e tyre, duke nxitur ndër ta dellin e lakmisë përçarëse. “Nuk kesh çika me u martue,/po kesh zana me u shitue”, është fomula përmbyllëse e kësaj balade në të shumtat e varianteve.

Ndërsa në ndarjen “Balada të ndryshme” autori ka përfshirë shtatë cikle, përkatësisht dashuria e dy të rinjve, tradhëria e nënës, tradhëtia e motrës, dashuria e motrës për vëllezërit, dashuria e vëllait për motrën dhe balada e Tanës.

Një grup i rëndësishëm, që mund të ishte edhe më i pasur, përfshin këngë që janë botuar më parë nën emërtime të tjera si poezi gojore lirike apo dhe epike. Nisur nga mungesa e elementeve fantastik në strukturën e tyre, këto krijime popullore autori i ka emërtruar si balada realiste. 43 baladat e përfshira në libër ndahën në tre cikle: Balada – vaje, Balada të kurbetit dhe Cikli – Fush’ e Korabit.

Përsa u përket strukturës së tyre, baladat popullore që janë mbledhur në Lumë, Has, Malzi e Fan paraqesin karakteristikat e baladave në zonën e Veriut dhe të Lindjes së vendit. Pothuajse të gjitha këngët që janë mbledhur nga bartës të Hasit, u ngjajnë baladave në zonën veriore. Siç vëren edhe studjuesi S. Fetiu, në zonat e Veriut shqiptar balada, duke bashkëjetuar me këngët epike legjendare dhe historike, sidomos me ato të ciklit të kreshnikëve, si dhe duke u interpretuar në mënyrë krejtësisht të njëjtë me to me përcjellje të lahutës, i është nënshtruar tendencës së epizmit të subjekteve dhe përpjekjeve për motivacion sa më të plotë veprimit të personzheve.

Ndërsa këngët e mbledhuara në Lumë, Malzi e Fan ngjajnë me karakteristikat që u përshkruhen baladave të zonës Lindore të vendit, që fillon nga Kosova dhe duke u shtrirë edhe nëpër viset shqiptare të Maqedonisë dhe shtrihet deri te zonat jugore dhe juglindore, deri tek shqiptarët e Çamërisë. Këtë tip balade e karakterizon pjesmarrja më e harmonizuar e strukturave lirike, epike dhe dramatike brenda strukturës së tërësishme dhe baraspesha e plotë e etapave kompozicionale të rrëfimit poetik brenda baladës.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top