Rrënimi i kishës katolike në fshatin Keqekollë

SHKRUAR NGA DR. QAZIM NAMANI

Në qendër të fshatit Keqekollë, përkatësisht në lokalitetin e quajtur “Konaku i Jonuzit”, në anën e djathtë të rrugës dhe përroit, në lagjen e Qelajve, ka gjurmë të një vendbanimi mesjetar. Gjurmë të vendbanimit mesjetar janë hasur edhe në anën e majtë, në përroin tjetër që e ndanë lagjen e Qelajve me lagjen e Kurtajve. Është me rëndësi të dihet, se te “Konaku i Jonuzit”, në një bregore të vogël (Shih foton 1), deri pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, i kishte mbijetuar kohës, një kishë katolike shqiptare. Bazuar nga dëshmitë e banorëve të kësaj ane, e sidomos një banor i kësaj lagjeje, plaku Hetemi, i cili rrëfen për gjurmët arkeologjike në këtë lokalitet dhe objektin e kishës. Sipas rrëfimeve të tij, në fillim të viteve 50 të shekullit XX ishte rreth 18 vjeçar, atëherë kur pushteti i asaj kohe i kishte mobilizuar banorët e fshatrave të kësaj treve për ta ndërtuar shtëpinë e kulturës (Shih foton 2), në qendrën e fshatit Keqekollë.

Mbaj mend, rrëfen Hetemi, kur pushteti urdhëroi që ta prishim kishën e lagjes tonë. Kisha deri në ato vite i kishte muret, por i mungonte çatia. Pushteti urdhëroi që gurët e kishës të barten për ti ndërtuar muret e shtëpisë së kulturës.

Unë isha njëri nga punëtorët që isha caktuar për ta rrënuar kishën. Ne filluam rrënimin e kishës, dhe gurët i bartnim me qerre deri te vendi ku do të ndërtohej shtëpia e kulturës. Mbaj mend se te pragu i kishës, ne hasëm në një pllakë të mermerit me ngjyrë të kuqërremtë. Në këtë pllakë ishte i skalitur një kryq dhe në pllakë kishte qenë një shkrim me shkronja latine. Por, sa e dërguam këtë pllakë te vendi ku ndërtohej objekti i ri, dikush nga punëtoret, e ndau pllakën nga gurët tjerë dhe e mbështeti për murin e objektit të policisë. Për fatin e këtij mbishkrimi, ne banorët e kësaj ane nuk kemi asnjë informatë tjetër, rrëfen plaku Hetem.

Këtë rrëfim e kishin treguar edhe disa banorë tjerë që në ato vite kishin marrë pjesë në ndërtimin e shtëpisë së kulturës në fshatin Keqekollë.

Kështu pas pushtimit nga Serbia, shkatërrohej çdo gjurmë e shqiptarëve autokton në këto troje.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top