Shkruar nga Gjon BERISHA, Prishtinë
Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (Cosenza 1960), e përkthyer nga Redaksia Shqipe e Radio Vatikanit dhe e botuar shqip nga Shtëpia Botuese “Drita” 2018, përbën një përmbledhje studimeve të veçanta të publikuar më parë në “Archivio Storico Italiano” dhe në gazetën “L’Osservatore Romano”.
Libri që po promovojnë sot, është një përpjekje e suksesshme e studiuesit Alessandro Serra-s, për të prezantuar në mënyrë sa më objektive figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në marrëdhënien e tij me Papët e asaj kohe.
Lufta heroike shqiptarëve në krye Gjergj Kastriotin Skënderbeun kundër forcave osmane bëri që ata të vlerësoheshin nga shtetet e huaja si një fuqi e rëndësishme e dorës së parë dhe i vuri shqiptarët në ballë të përpjekjeve për dëbimin e osmanëve nga viset e pushtuara të Evropës. Në anën tjetër edhe Skënderbeu ishte i vetëdijshëm se lufta kundër otomanëve, pa përkrahjen e Perëndimit dhe aleatëve tjerë, ishte e vështirë. Lufta kundër të njëjtit agresor, Perandorisë Osmane, i afroi dhe i bëri aleatë të natyrshëm vendet e Evropës. Një nga vendet me të cilat Skënderbeu pati marrëdhënie të vazhdueshme dhe të një rëndësie të veçantë ishte Selia e Shenjtë apo shteti i Vatikanit në Romë.
Sipas Serra-s dhe studiuesve tjerë që janë marrë me studimin e raporteve të Skënderbeut me Selinë e Shenjtë, gjatë karrierës së tij ushtarake dhe diplomatike, Skënderbeu arriti të lidhë marrëdhënie me pesë papë: Eugjenin IV, Nikollën V, Kalikstin III, Piun II dhe me Palin II.
Për sukseset e tij në luftën çlirimtare dhe në mbrojtjen e vlerave evropiane të kohës, Skënderbeu, nga papët u cilësua si Athleta Christi (Atlet i Krishtit). Në anën tjetër, Skënderbeu u ndihmua nga Selia e Shenjtë me ndihmë materiale, morale dhe diplomatike. Nga Papa Piu II, ishte planifikuar të vihej në krye të një kryqëzate të përgjithshme antiosmane, planë i cili nuk u realizua për shkak të vdekjes së papës dhe me vonë edhe vetë Skënderbeut.
Përparimi i ushtrive osmane në Ballkan, afrimi i tyre në kufijtë e Hungarisë katolike, dalja e tyre në brigjet e Adriatikut, synimi i sulltanëve për të depërtuar në Evropën Qendrore dhe për të kaluar në Gadishullin Italik, e kishin shqetësuar seriozisht Romën. Shqetësimi i Papës Eugjeni IV (1431-1447) u rrit më tepër pasi Koncilit të Firences (1439), ku projekti i tij për një kryqëzatë të përbashkët me Kishën Lindore nuk doli të jetë i suksesshëm. Pikërisht në këto rrethana të zymta, kur dukej se asgjë nuk do ta ndalte furinë osmane, rezistenca e Skënderbeut fitoi, pas asaj të Huniadit, një rëndësi të veçantë strategjike, politike, ushtarake dhe kishtare për Romën, si kishë dhe si shtet.
Madje, së bashku me Hungarinë dhe Bosnjën, Arbëria u konsiderua, sikurse shkruan, një mik i Serra-s (Basilio Pandzic), një nga tri pikat nevralgjike të kryqëzatës, të cilën papa Eugjeni IV e kishte shpallur më 26 maj 1443.
Pozicioni gjeografik i Arbërisë në mes Lindjes dhe Perëndimit, kishte bërë që, Selia e Shenjtë të kishte interes që ledhi apo diga arbërore të rezistonte me çdo kusht përballë invazionit turko-osman. Nga ana e tij, edhe Skënderbeu kishte interes të padiskutueshëm, të siguronte përkrahjen dhe ndihmën e Shtetit Papal. Ky truall interesash të përbashkëta përcaktoi marrëdhëniet politike midis Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë. Pikërisht, kjo tematikë bazë është ajo që përmban i gjithë libri që po e paraqesim para jush.
Aftësitë ushtarake të Skënderbeut, përveç mbrojtjes së Arbërisë, u bënë pengesë e madhe për zgjerimin osman, dhe ai u konsiderua nga shumë vende të Evropën Perëndimore të jetë model i rezistencës së krishterë kundër osmanëve.
Një nga elementet kryesore të trajtuara në këtë libër është ideja e Skënderbeut që kauzën e tij, përkatësisht luftën e tij kundër pushtuesve osman ta bashkonte në kuadër të një aleance politike-ushtarake të kohës të quajtur kryqëzatë. Kjo aleancë e quajtur kryqëzatë e që përfaqësohej nga shtetet evropiane të asaj kohe, kryesisht ato italiane, në krye të së cilës qëndronte Papa, si një organizatë e përbashkët për mbrojtjen e civilizimit evropian, për nga qëllimi, lirisht mund të konsiderohet si një lloj NATO e ditëve të sotme.
Që në fillim të idesë së tij, Skënderbeu detajoi dhe analizoi të gjithë faktorët pro dhe kundër dhe, me një dozë absolutizmi, vendosi që të përfaqësonte kauzën e kryqëzatës. Prandaj Papati po përgatiste terrenin që Skënderbeu, bashkë me domenin e tij, të përkrahej për tu inkuadruar si forcë goditëse në strategjinë globale anti-osmane. Në këtë drejtim, Skënderbeu, jo vetëm që i kishte rezistuar rrethimeve të Sulltanit, por me përkrahjen e Papës, i kishte dhënë karakter të spikatur kryqtar (apo ndërkombëtarë) çështjes së Arbërisë.
Është tepër intrigues evoluimi i marrëdhënieve Skënderbe-Kryqëzatë. Një marrëdhënie tepër e vështirë për një figurë politike si Skënderbeu, i cili, jo shumë vite më parë, ishte një person i panjohur për ndërkombëtarët. I ardhur nga radhët e administratës osmane drejt e në krye të një partnerizimi politiko-ushtarak ndërarbëror, tani ky zotëri, priste ambasadorë, merrte subvencione dhe bënte plane për sulme globale ndaj perandorisë më të madhe të kohës. Dhe kjo nuk ishte e lehtë. U desh të shkohej me qëndresë deri në kufijtë e së pamundurës, që kryqtarët, më në fund, ta pranojnë me ndërgjegje të ftohtë rolin tashmë të pazëvendësueshëm të Gjergjit si prijës i luftës për çlirimin e Ballkanit nga zgjedha osmane.
Nga ana tjetër, përpjekjet e Papës për ngjizjen e frontit të përbashkët arbërorë nuk reshtën, përkundër pengesave të shumta. Emërimi nga Papa Nikolla V, françeskanin arbëror At. Eugen Sumen, në detyrën e nuncit dhe komisarit apostolik në Arbëri, Bullgari dhe Rashë, më 21 shtator 1451; ndarja e indulgjencave për Skënderbeun dhe luftën e tij, ndihma e tij në ndërmjetësimin e feudalët arbërorë që ti bashkohen Skënderbeut, e veprime të shumta, tregojnë rëndësinë që po i jepte Shteti i Papës, trevave arbërore në përgjithësi dhe Skënderbeut në veçanti.
Kështu, duke bashkuar vizionin e tij me rrjedhën natyrale të ngjarjeve, ai përftoi një forcë kolosale, të pashtershme, e cila si një vullkan aktiv, do të shpërthente me intensitet të ndryshëm për një periudhë historike 25 vjeçare. Në këtë proces tejet të mundimshëm Gjergj Kastrioti do të kryente aktin madhor të legalizimit në histori të së drejtës së popullit shqiptar për të qenë pjesë e familjes evropiane.
Në të gjitha këto projekte për luftë të përbashkët, një vend qendror i jepet ushtrisë arbërore të Skënderbeut. Kështu p.sh. në projektin e papa Piut II, parashikohej që ushtria e përbashkët evropiane të ishte 40 mijë veta, gjysmën e tyre do ta dërgonin vendet evropiane dhe do të zbarkonte bashkë me papën në Raguzë, për t’u bashkuar me 20 mijë luftëtarë arbërorë. Kjo ushtri e fuqishme do të formonte frontin qendror (në frontin e Danubit do të vepronin hungarezët, kurse në bregdetin e Greqisë flota luftarake e shteteve Italiane), dhe do të kishte si komandant të përgjithshëm Skënderbeun, të cilin papa Piu II do ta kurorëzonte mbret. Papa dhe Skënderbeu vepruan energjitikisht për realizimin e këtij projekti.
Megjithatë, vdekja e prijësit arbëror nuk i ndërpreu marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë. Ndonëse, Piu II, nuk erdhi në Arbëri, sepse vdiq, ndonëse Arbëria ra në nën sundimin e gjatë dhe të egër të sundimit osman, aleanca mes Selinë së Shenjtë dhe arbërorëve, nuk u shua asnjëherë. Tani e tutje këto marrëdhënie do të ndërtohen në kushte të reja, nën pushtimin osman.
Shekujt që pasuan vdekjen e Skënderbeut e deri në epokën e fillimit të Rilindjes Shqiptare, kanë një histori të pareshtur luftërash antiosmane, të inkurajuara nga princërit e krishterë, por gjithmonë me frymëzimin, patronimatin dhe mbështetjen e Selisë së Shenjtë. Kjo është një histori që nuk kaloi pa lënë një kujtim të madh në ndërgjegjen e kombit.
Dhe krejt për fund, përgëzojmë Redaksinë në Gjuhës Shqipe pranë radio Vatikanit për përkthimin dhe Shtëpinë Botuese “Drita” për botimin e një libri me vlera të veçanta për albanologjinë në përgjithësi dhe historiografinë skënderbegiane në veçanti.
(Fjala në promovimin e librit Alessandro Serra, Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Drita 2018, f. 92. Qendra “Bogdanipolis”, Prishtinë, 21 shkurt 2019)