ROLI I GUERILES SHQIPTARE GJATË VITEVE 1991 – 1996

Aktet juridike të Kuvendit gjatë vitit 1990 i hapën rrugën ligjore organizimit të parë të pavarur ushtarak të Republikës së Kosovës. Grupet e para të gueriles kishin bërë përgatitjet në Shqipëri dhe ishin kthyer e po operonin në tërë territorin e vendit. Akcionet pasuese ishin të bujshme dhe i bënë me dije pushtuesit se shpallja e Republikës kishte krijuar një realitet të ri, të pakëndshëm për t’u ballafaquar me te dhe të rrezikshëm për secilin pjesëtar të forcës policore dhe ushtarake të armatës pushtuese. Institucionet e posakrijuara shtetërore po e bënin punën e tyre, duke i treguar botës mbarë, se Kosova ishte e pushtuar dhe kërkonte lirinë dhe pavarësinë e saj nga Serbia pushtuese. Ishte koha kur secili shqiptar i Kosovës, i mishëruar me idenë për shtetin, për lirinë, për demokracinë dhe zhvillimin paqësor të vendit, e jipte kontributin e tij pa përtesë, pa rezervë dhe me kënaqësi të jashtëzakonshme, duke dëshmuar kështu një solidaritet kombëtar që nuk ishte parë ndonjëherë në luftërat e popujve tjerë për lirinë e tyre.

Represioni, segregacioni, vrasjet, dhuna dhe synimi i pushtuesit për zbrazjen e vendit nga shqiptarët autokton, hasi në rezistencën e pamposhtur institucionale politike dhe në pushkën plot e të gatshme kurdoherë për veprim të Gueriles Shqiptare. Burrat e mëdhenj si Salih Çekaj, Adem Jashari, Hamëz Jashari, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha etj., kishin filluar krijimin e celulave të para të Gueriles së Pamposhtur, e cila, me kalimin e kohës, do ta dëshmojë në vepër se sa i drejtë dhe i domosdoshëm ishte veprimi gueril në rrethanat e kohës. Si çdo ndërmarrje e përmasave të tilla kolosale, edhe rezistenca e Gueriles Shqiptare u ballafaqua me vështërsitë e saj. Fatkeqësia më e madhe, Gueriles Shqiptare i vinte prej kryehorrit kryeministër, Bujar Bukoshit, të cilin, historia e shtetit të Kosovës, herdokur ka për ta damkosur me emrin që meriton.

Të bindur se koha për të vërtetën e madhe po troket pamëshirshëm në ndërgjegjen e secilit historian, si redaksi e informatorit, si zë i pjesëtarëve të gueriles së asaj kohe, i bëjmë thirrje të gjithë pjesëtarëve të gjallë të Gueriles Shqiptare, që të ruajnë si sytë e ballit dokumentacionin e luftës, sepse vetëm përmes tij, ne do i shërbejmë të ardhmes së ndritshme të shtetit tonë dhe të pasardhësve tanë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top