Roli i besimeve fetare në zhvillimin e qytetërimeve

SHKRUAR NGA GUSTAVE LE BON


Ndikimi mbizotërues i besimeve fetare në zhvillimin e qytetërimeve. Besimet fetare e kanë përbërë gjithmonë elementin më të rëndësishëm të jetës së popujve. Pjesa më e madhe e ngjarjeve historike, ashtu sikurse institucionet politike e shoqërore rrjedhin nga idetë fetare. Me një ide të re fetare, lind gjithmonë edhe një qytetërim i ri. Pushteti i idealit fetar. Ndikimi i idealit fetar mbi karakterin. Ideali fetar i drejton të gjitha aftësitë e masës drejt një qëllimi të vetëm. Historia politike, artistike dhe letrare e popujve, është bija e besimeve të tyre. Edhe ndryshimi më i vogël në gjendjen e besimeve fetare të ndonjë populli, prodhon si rezultat një sërë ndryshimesh në ekzistencën e tij. Shembuj të ndryshëm.

Mes ideve të ndryshme që udhëheqin popujt e që përbëjnë fatet e historisë dhe polet e qytetërimeve, idetë fetare kanë luajtur një rol shumë dominues e themelor, dhe prandaj, atyre do ua kushtojmë një kapitull të veçantë.

Besimet fetare përbëjnë elementin më të rëndësishëm në jetën e popujve dhe rrjedhimisht, përcaktojnë edhe fatet në historinë e tyre. Ngjarja më e rëndësishme historike, që ka pasur një ndikim kolosal, ishte lindja dhe vdekja e perëndive. Sëbashku me idenë e re fetare, lind edhe një qytetërim i ri. Në të gjithë shekujt e jetës njerëzore, si në kohët e lashta, e poashtu edhe në kohërat e reja, çështjet kryesore për njeriun dhe politikën kanë qenë gjithmonë çështjet fetare. Po qe se njerëzimi do të kishte mundësine t’i lejonte të vdesin të gjitha perënditë e veta, atëherë, për këtë ngjarje do të mund të pohonim se, me pasojat që do të sillte, do të kishte qenë ngjarja më e rëndësishme në histori.

Realisht, ne nuk guxojmë të harrojmë se që në agimet e para të kohërave historike, të gjitha institucionet politike e shoqërore janë bazuar në besimet fetare, dhe se, në skenën politike botërore, perënditë kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë gjithnjë një rol të dorës së parë. Përveç dashurisë që është në vetvete një lloj feje, por fe personale dhe e përkohshme, vetëm besimet fetare janë të afta të veprojnë shumë shpejt dhe vrullshëm mbi karakterin e njerëzve. Pushtimet e arabëve, kryqëzatat, Spanja e kohëve të inkuizicionit, Anglia në epokën e puritanizmit, Franca me natën e Shën Bartolomeut dhe luftërat tjera fetare, na tregojnë qartë se ku dhe në ç’farë gjendje katandiset një popull i fanatizuar nga besimet e tij.

Besimet fetare e bëjnë një hipnotizim të përhershëm dhe aq të fortë, saqë e gjithë gjendja shpirtërore shndërrohet krejtësisht prej saj. Nuk ka asnjë dyshim që perënditë i ka krijuar njeriu, por duke i krijuar perënditë, njeriu u robërua shumë shpejt prej tyre. Perënditë nuk janë bijë të frikës. Perënditë janë bijtë e shpresës dhe ky është shkaku se përse ndikimi i tyre do të jetë i përjetshëm.

Vlera që perënditë ia kanë dhënë njeriut e që deri tani vetëm ato kanë qenë në gjendje t’ia japin, është gjendja shpirtërore që sjell lumturinë. Asnjë filozofi nuk ka qenë në giendje t’ia japë këtë ndjenjë njeriut deri më sot.

Pasoja, e ndoshta edhe më sakt, qëllimi i të gjitha qytetërimeve, të gjitha filozofive e të gjitha feve përqëndrohet në atë që të krijojnë një gjendje shpirtërore të caktuar, por që nga këto gjendje shpirtërore, disa e përfshijnë brenda tyre lumturinë e njerëzve, e disa të tjera jo. Lumturia e njerëzve varet shumë pak nga rrethanat e jashtme. Ajo varet kryesisht nga gjendja e shpirtit tonë. Martirët e fesë, duke u djegur në zjarr, me siguri të plotë e ndjenin veten shumë më të lumtur se sa xhelatët e tyre. Roja i hekurudhës që ha e pi i shkujdesur bukën e tij pothuajse të thatë, mund të jetë shumë herë më i lumtur se milioneri me plot telashe të përditshme. Zhvillimi i qytetërimeve te njeriu bashkëkohor e ka krijuar për fat të keq një mori kërkesash, pa i dhënë atij mjete të mjaftueshme për të kënaqur shpirtin e tij, dhe kështu, ai e ka shkaktuar në këtë mënyrë një pakënaqësi të përgjithshme në shpirtrat e njerëzve. Pa dyshim, qytetërimi është babai i progresit, por ai është githashtu edhe babai i socializmit dhe anarkisë, këtyre shprehjeve kërcënuese të dëshpërimit të popujve, e të cilët, në momentin e volitshëm nuk do të mund t’i frenoj asnjë fe. Ju lutem, krahasoni shqetësimin e një europiani të pakënaqur me fatin e tij, me një banorë të orientit që është gjithmonë i kënaqur me fatin e vet. Shtrohet pyetja: si dallohen europiani dhe orientali, nëse jo nga gjendja e tyre shpirtërore? Populli ndryshon, kur ndryshon mënyra e tij e të kuptuarit dhe rrjedhimisht, edhe e të menduarit e të vepruarit. Shoqëria, nëse nuk do që të kërcënohet ekzistenca e saj, duhet të gjejë mjete për krijimin e një gjendje të tillë shpirtërore, që ta bëjë njeriun të lumtur. Të gjitha shoqëritë e krijuara deri tani e kanë gjetur mbështetjen për vete në idealin që është i aftë të nënshtrojë shpirtërat dhe, ato janë zhdukur përgjithmonë, atëherë kur ideali i tyre ka pushuar së pasuri ndikim mbi to.

Një nga gabimet më të mëdha të shekullit tonë (shekulli XIX) qëndron te besimi se shpirti i njeriut mund të gjejë lumturi vetëm në gjërat e jashtme. Por, e vërteta është ndryshe, sepse lumturia është brenda nesh, e krijuar prej nesh dhe pothuajse asnjëherë jashtë vetes tonë. Duke i asgjësuar idealet e shekujve të vjetër, ne, me kalimin e kohës vërejmë se pa ato ideale nuk do të mund të jetojmë bashkarisht dhe se pa ato ideale ne do të ndodhemi nën kërcënimin e idealeve të reja.

Bamirësit e vërtetë të njerëzimit, e që meritojnë ngritjen e përmendoreve kolosale prej ari dhe mirënjohjen e popujve, janë ata magjistarë të fuqishëm të ideve, krijues të idealeve, por që njerëzimi për fat të keq, rrallëherë i prodhon.

Nën rrymën e dukurive të çmendura, idealet janë të vetmet realitete të cilat njeriu i kësaj bote i kupton e mund ti njohë. Idealet shkaktojnë shfaqjen e vegimeve më të forta qetësuese, që ia mbulojnë njeriut anët e errëta të fatit të tij, e që krijojnë për te, një strehë të mrekullueshme ëndrrash e shpresash.

Duke i parë gjërat kryesisht nga pikëpamja politike, mund të vejmë re se edhe te idealet, ndikimi i besimeve fetare është kolosal dhe i pazëvendësueshëm. Fuqinë e tyre të papërballueshme e përbën fakti se ato e përbëjnë faktorin e vetëm i cili mundet brenda një kohe shumë të shkurtë, t’i jap ndonjë populli thelbin e plotë të interesave, ndjenjave dhe mendimeve. Fryma fetare, në këtë mënyrë i zëvendëson arritjet graduale të trashëguara brez pas brezi, vlera këto të domosdoshme për formimin e shpirtit kombëtar. Populli që ka përqafuar ndonjë besim, sigurisht që nuk e ndryshon strukturën e tij shpirtërore, por të gjitha aftësitë e tij tashmë janë përqëndruar në realizimin e një qëllimi të vetëm, d.m.th., në triumfin e fesë së tij të re, dhe si pasojë e kësaj, fuqia e tij shkatërrimtare bëhet e tmerrshme.

Vetëm në epokat fetare popujt e shndërruar aty për aty, kryejnë ato ndryshime të paimagjinueshme dhe i hedhin themelet e atyre perandorive të cilat e çudisin historinë.

Në këtë mënyrë, disa fise arabe, të bashkuar me mendimet e Muhametit, pushtuan për disa vjet kombe që më parë nuk ua dinin as emrin se si quheshin këto fise, dhe që, mëpastaj e themeluan perandorinë e tyre të madhe. Duhet të mbajmë parasysh, se nuk është cilësia e besimit që prodhon fuqinë, por shkalla e fuqisë që një fe e ka mbi shpirtrat. Zoti që i falen njerëzit, qoftë ai Allah apo ç’farëdo emri tjetër qoftë, madje edhe barbarë po të quhet kjo s’ka fare rëndësi, e vendos fatin e luftës dhe të ekzistencës. Perënditë janë shumë qenje të durueshme e shumë të buta, por ato nuk i japin besimtarëve asnjë lloj pushteti. Pasuesit e Muhametit të ashpër sunduan një kohë të gjatë mbi pjesën më të madhe të botës dhe janë edhe sot e kësaj dite të pranishëm në kontinentin europian. Pasuesit e Budës paqësor, historia i ka harruar tashmë.

Kështu pra, fryma fetare ka luajtur dhe luan një rol kryesor politik në ekzistencën ose zhdukjen e popujve. Sigurisht, perënditë nuk janë të pavdekshme, por fryma fetare është e përjetshme. Edhe kur ajo vihet për njëfarë kohe në gjumë, ajo zgjohet posa të krijohet një fe e re.

Besimi fetar i lejoi Francës një shekull më parë që të qëndronte fitimtare kundër Europës së armatosur. Bota e pa edhe një herë tjetër se çfarë force është në gjendje të demonstrojë fryma fetare, sepse atëherë u formua vërtetë një fe e re, e cila e frymëzoi me frymën e saj të gjithë popullin. Megjithatë, hyjnitë që sapo kishin lindur, ishin shumë të brishta që te ishin në gjendje të ekzistonin gjatë, por sa kohë që ekzistuan, ato e gëzonin një pushtet të pakufizuar.

Pushteti që e posedon feja për të sunduar shpirtërat e njerëzve është mjaft konvencional. Për fat të mirë, shumë rrallë ndodhë që fetë të kenë atë intensivitet për një kohë të gjatë, e që të jenë në gjendje të ndryshojnë karakteret e njerëzve. Në fund të fundit, ëndërra fillon të zbehet, i hipnotizuari pak nga pak zgjohet dhe sfondi i vjetër i karakterit shfaqet përsëri. Madje, edhe atëherë kur besimet janë të gjithfuqishme, karakteri kombëtar njihet gjithmonë nga mënyra se si janë pranuar besimet dhe nga ato pasoja që kanë shkaktuar ato. Shikoni me vëmendje po atë fe në Angli, në Spanjë dhe në Francë. Ç’farë dallimesh! Mos vallë reformacioni ishte ndonjëherë i mundur në Spanjë dhe mos vallë Anglia mund të binte dakort ndonjëherë e t’i bindej zgjedhes së tmerrshme të inkuizicionit? Mos vallë te popujt që e kanë pranuar reformacionin është bërë e vështirë të dallosh tiparet bazë të racave, të cilat, pavarësisht nga hipnoza e besimit, i ruajtën tiparet specifike të strukturës së tyre shpirtërore si pavarësia, energjia dhe zakoni për të arsyetuar pa iu bindur me sy mbyllur ligjit të sundimtarit?

Historia politike, artistike dhe letrare e popujve është bijë e besimeve të tyre, por këto të fundit, duke e ndryshuar krejt karakterin e tyre, i ndryshojnë edhe vlerat politike, artistike e letrare. Karakteri i një populli dhe besimet e tij janë çelësat për të zbuluar fatin e tij. I pari, në elementet e tij kryesore është i pandryshueshem dhe pikërisht për këtë arsye, historia e një populli ruan gjithmonë njëfarë uniteti.

Besimet fetare mund të ndryshohen dhe pikërisht për këtë arsye historia i regjistron vetëm përmbysjet e mëdha. Edhe ndryshimi më i vogël në gjendjen e besimeve të ndonjë populli, ka si pasojë të pashmangshme një sërë shndërrimesh në kushtet e ekzistencës së tij.

E kemi thënë në kapitullin e kaluar se në Francë, njerëzit e shekullit të XVIII dukeshin krejt ndryshe nga njerëzit e shekullit të XVII dhe s’ka asnjë dyshim se prej nga e ka origjinën ky ndryshim? Kjo është shumë e thjeshtë të konstatohet përmes faktit që tregon se në kohën që i ndanë këta dy shekuj, mendimi françez kaloi nga teologjia te shkenca dhe i vuri arsyen si barazpeshë traditës, si dhe të vërtetën shkencore karshi dogmës. Si pasojë e këtij ndryshimi të thjeshtë në të kuptuarit e gjërave, ndryshoi fizionomia e shekullit dhe nëse do të donim të gjurmonim të gjitha pasojat që vijnë prej këtij ndryshimi, atëherë do të shihnim se Revolucioni i Madh Françez si edhe ngjarjet që vijnë më pas e që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, janë pasoja të thjeshta të evolucionit të doktrinave fetare. Madje, në qoftë se tani shoqëria e vjetër lëkundet mbi bazamentet e saj dhe i sheh të gjitha institucionet e saj të lëkunden sëbashku me te, kjo ndodhë për shkakun se ajo që e kanë besuar deri tani është zhdukur, dhe atëherë kur njerëzimi do i humbasë fare ato, qytetërimi i ri, i bazuar mbi besimin e ri do e zë detyrimisht vendin e besimit të vjetër. Historia na tregon se popujt nuk e vuajnë gjatë për zhdukjen e perëndive të tyre, sepse qytetërimet e lindura sëbashku me perënditë e vdekura, vdesin sëbashku me to.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top