SHKRUAN: KASTRIOT DERVISHI
Regjimet komuniste në lindje të Europës, duke qenë sovjetike në çdo qelizë të tyre, edhe varrezat e dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore i kishin të ngjashme. Ata i përdornin këto varreza si vende të caktuara për të zhvilluar në mënyrë vizuale propagandistike ideologjinë e tyre për kohën dhe brezat e ardhshëm, në mënyrë që të tregonin gjakun e derdhur për pushtetin komunist. Këto varreza janë të ndryshme nga ato që përfaqësojnë qëndresën antifashiste e antinaziste në Europën perëndimore. Në këtë të fundit nuk flitet as për “revolucion popullor”, e as për “klasa të përmbysura”. Te ne flitet për dëshmorë, por fare pak ose aspak për ata që kanë rënë për njësinë territoriale kombëtare dhe për gjuhën shqipe, që janë themeli i konceptit të dëshmorit të atdheut në çdo vend të botës. Patriotët shqiptarë që kishin luftuar para vitit 1939 nuk dinte kush se ku duhej t’i nderonte. Regjimi komunist në Shqipëri fshiu çdo gjurmë kombëtare që gjeti deri atë moment. Çdo gjë në kujtesë lidhej vetëm me shenjat komuniste.
Në të gjitha vendet e lindjes, koncepti varreza kombëtare njihej pak, sepse në epiqendër ishin vetëm të vrarët në Luftën e Dytë Botërore, si dhe zmadhimi i shifrave dhe dëmeve në mënyrën më maksimale. Fillimisht, nën modelet lindore të shenjave nderuese, aty ku është sot parku i Tiranës u ngritën varrezat e dëshmorëve. Këtu zhvilloheshin ceremonitë dhe në një shtyllë thuajse piramidale betoni me një yll të kuq komunist, model lindor, mbi të cilën vendoseshin kurora. Nisur nga fakti se ky vend nuk i plotësonte tërësisht qëllimet e formimit të këtyre varrezave, me vendimin nr.162, datë 29.4.1964, Këshilli i Ministrave vendosi ngritjen e varrezës së re të dëshmorëve në Tiranë, në të cilën do zhvendoseshin eshtrat dhe do ndërtohej shtatorja kryesore ku do zhvilloheshin ceremonitë. Për këtë shtatore janë paraqitur disa variante. Në të gjitha theksohet prania e yllit të kuq komunist, çka i jepte varrezave karakter të theksuar ideologjik. Si shembull u mor një parim që mbizotëronte në gjithë artin e realizmit socialist. Cilësia ideoartistike e veprave letrare dhe artistike sipas porosisë së Stalinit duhej të ishte “socialiste nga brenda dhe kombëtare nga forma”. Kësisoj, varianti u kopjua nga Ukraina. Shtatorja simbolizon figurën e nënës, ose të quajtur “Rodina mat” (atdheu mëmë). Në Shqipëri, kjo u imitua duke e quajtur “Nënë Shqipëri”. D.m.th. nëna rriti bijtë e bijat e saj për “revolucionin popullor”.
Varrezat e Tiranës u çelën në vitin 1972. U zgjodh ajo kodër sepse nga aty shihej gjithë kryeqyteti e duhet të përfitohej një pamje sa më panoramike. Për këtij, rituali në këto varreza pavarësisht seriozitetit ceremonial, gjithmonë ka pasur elementë humoristikë.
Pas vitit 1990 regjimi komunist ra si sistem në anën politike, por nuk ra në tërësinë e tij. Çmontimi i trashëgimisë komuniste kërkonte energji të shumta dhe sigurisht kohën e vet. Mbetën komuniste aparate e koncepte të shumta. Edhe rituali në varreza vazhdoi të ishte i njëjtë. Bëhej garë çdo 5 maj apo 28-29 nëntor se kush të filmohej më shumë e të vendoste lule te shtatorja sovjetike që përfaqëson modelin e propagandës së një regjimi të shkuar. Meqë personalisht asnjëherë në jetën time nuk kam nderuar simbole sovjetike, ndjej keqardhje për ata persona që i shoh në ceremoni të tilla.
Varrezat e këtij lloji shërbejnë si një mjet i fuqishëm propagande, më së shumti komuniste, duke u dhënë një mundësi të mirë edhe zullumqarëve të politikës të japin shfaqje publike, të duken si idealistë të heshtur. Por njëkohësisht, duke qenë variante lindore komuniste në çdo qelizë të organizimit të tyre, nostalgjikët apo më mirë të themi persekutorët e regjimit të djeshëm, kanë rastin më të mirë të shfaqen e të përkujtojnë në këto vende “idealet” e tyre (në fakt të dështuara të gjitha, madje kriminale). Prandaj dalin “heronj” që gjithë jetës së tyre të luftës nuk e kanë zbrazur as 10 pushkë që deklarojnë në mënyrë qesharake se kanë vrarë 300 gjermanë.
Në foto: Shtatoret “Rodina mat” e Ukrainës dhe “Nënë Shqipëri”