REXHEP MITROVICA – PERSONALITET I PAHARRUAR

Mitrovicë, 15 janar 1888 – Stamboll, 21 mars 1967


SHKRUAR NGA FAZLI HAJRIZI

Rexhep Mitrovica është një ndër protagonistët e shquar të lëvizjes sonë kombëtare për liri dhe pavarësi, të historisë, një figurë madhore e arsimit dhe e kulturës sonë në përgjithësi. Ai ka qenë pjesëmarrës në disa ngjarje të rëndësishme të popullit dhe shtetit shqiptar. Pra, është një figurë komplekse e dramatike, luftëtar i orëve të para për krijimin e Shqipërisë etnike, një personalitet i shquar dhe i veçantë i luftës për liri, demokraci dhe bashkim kombëtar, një intelektual i mirëfilltë, drejtues e edukator, pjesëmarrës në Kongresin e Dytë ë Manastirit (2-3 prill 1910), pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëntor 1912, në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (firmues), anëtar i senatit dhe nënministër i Punëve Botore (1912), drejtor i arsimit për Shqipërinë e Mesme – rajoni i Elbasanit (1914), drejtor i shkollës Popullore Shqipe në Mitrovicë (1916-1918), anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (1918), deputet i Partisë Popullore për Pejë e Gjakovë në Parlamentin Shqiptar (1920), Ministër i Arsimit dhe reformator i parë i arsimit në Shqipëri (24 dhjetor 1921 – shkurt 1924), organizator i Kongresit Arsimor në Tiranë (27 korrik – 3 gusht 1922), zëvendësministër i Punëve të Brendshme (1923), themelues i organizatës “Bashkimi Kombëtar” (Bari i Italisë, 1925), drejtues i gazetës “Bashkimi Kombëtar” (Vjenë, 1928), sekretar i Komitetit të organizatës “Bashkimi Kombëtar” (1934), organizator i protestës në Paris kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste (9 prill 1939), kryetar i organizatës “Lidhja Popullore Shqiptare” me seli në Mitrovicë (gusht 1941), organizator i arsimit në gjuhën shqipe në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Pazar i Ri), kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit (shtator 1943), Kryeministër i Shqipërisë e Ministër i Kulturës Popullore, Këshilli i Lartë (5 nëntor 1943), themelues i organizatës “Lidhja Kosovare” (Stamboll, 1949), hulumtues në Arkivin e Stambollit për Konferencën e Berlinit, bashkëpunëtor i gazetave “Flamuri”, “Besa” (1950-1967) etj.

Kronologji e jetës dhe veprimtarisë së Rexhep bej Mitrovicës
1888. (15 janar 1888) u lind në Mitrovicë nga prindërit Hajria dhe Mahmudi;
1893. – u sëmur nga lia, e cila i la pasoja në pamjen e jashtme të fytyrës;
1895 – i mori mësimet e para (iptidaije) në vendlindje në gjuhën turke;
1896. – i vijoi mësimet në shkollën fillore të Shkupit (Mektebi edem); në mungesë të librave shqip, lexonte literaturë kryesisht në gjuhën turke;
1902/1903. – u regjistrua në Gjimnazin Mbretëror të Selanikut; kishte prirje për të shkruar, prandaj ëndërronte të bëhej shkrimtar;
1904. – vazhdoi studimet në liceun privat modern “Progres” në Selanik; u dha pas leximit të veprave të shkrimtarëve francezë etj.
1906. – i vdiq e ëma, Hajria. Kreu Gjimnazin dhe hapi një librari. Shkoi në Paris, ku studioi drejtësinë dhe letërsinë frënge në Universitetin e Sorbonës. Një vit të plotë, për të gjetur më shpejt një vend pune, studioi në degën e elektricitetit;
1908. – pas shpërthimit të Lëvizjes Xhonturk (22-23 korrik), që tronditi Perandorinë Osmane, Rexhep Mitrovica iu bashkua faktorit shqiptar që organizohej për ringjalljen e çështjes shqiptare. U kthye në Selanik pranë familjes së tij. Atë vit ndërmori një aksion propagandistik në prag të Kongresit të Manastirit, një ngjarje madhore, ku u shtrua çështja e alfabetit të gjuhës shqipe, si element i domosdoshëm për përparimin e veprimtarisë patriotike. Pra, u angazhua në përgatitjen e Kongresit të Manastirit, por nuk mori pjesë në të sepse iu desh të kthehet sërish në Paris për t’i vazhduar studimet;
1909. – kthehet në Selanik. I vdes i ati. I digjet shtëpia dhe pasuria. Merr familjen dhe vendoset në Shkup. Emërohet mësimdhënës e pastaj drejtor në Normalen e Shkupit. Zgjidhet nënkryetar i klubit “Bashkimi” dhe bashkëpunon me organin (gazetën) e këtij klubi “Bashkimi i Kombit”;
1910. – Pas zhgënjimit nga premtimet e turqve të rinj, Rexhep Mitrovica mbështeti aktivitetet kulturore (hapjen e klubeve, shkollave etj.) dhe patriotike (kryengritjet me armë) kundër pushtuesit. Më 2-3 prill) merr pjesë në Kongresin II të Manastirit
1911. – u martua me Nihal Halil Begun nga Selaniku;’ përkrah memorandumin e Gërçës të miratuar më 11 qershor 1911 në Malësi të Madhe.
1912. më 14 tetor në kryeqendrën e vilajetit të Kosovës (Shkup), merr pjesë bashkë me Mit’hat Frashërin, Bedri Pejanin, Sali Gjukën etj., në kuvendin e organizuar për të mbrojtur fatin kombëtar të Shqipërisë. Të katër u zgjodhën delegatë për në Kuvendin Kombëtar. Nga gjysma e tetorit deri më 28 nëntor udhëtuan të katër nga Shkupi në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Durrës deri në Vlorë, ku më 28 Nëntor u ngrit Flamuri Kombëtar dhe u Shpall Pavarësia e Shqipërisë. Ne kujtimet e bashkëkohësve dhe informacionit të gazetës “Perlindja e Shqipniës”, figuron si i Rexhep Mitrovicës propozimi i mëposhtëm: “Si u mbaruan këto pune, kryetar i kuvendit të zgjidhet Ismail Qemal Beu, si shkronjësi i parë Luigj Gurakuqi e shkronjës i dytë, Shefqet bej Daiu”. Rexhep Mitrovica është nënshkrues i dokumentit të Pavarësisë (emri i tij, bashkë e atë të Mit’hat Frashërit e Lef Nosit, është fshirë nga ky akt historik) . Zgjidhet anëtar i Senatit dhe nënministër i Punëve Botore. I lind djali, Nexhati;
1913. Në fillim të vitit udhëtoi në Janinë, mirëpo pas pushtimit të qytetit nga forcat greke, më 6 mars detyrohet të largohet prej andej.. Pas 30 marsit 1913, dorëheqjes së disa anëtarëve të qeverisë, anarkisë që u krijua në Shqipëri, më 28 gusht 1913 nga Selaniku i shkruan letër Ismail Qemal Vlorës, ku e njofton për terrorin serb në Kosovë, veçanërisht në Mitrovicë; Kundërshton veprimet e Esat Pashe Toptanit, i cili më 12 tetor 1913 kishte formuar pleqësinë e Shqipërisë së Mesme në Durrës, duke dalë hapur kundër qeverisë së Ismail Qemalit;
1914. (mars) – u dekretua drejtor i arsimit për Shqipërinë e Mesme (rajoni i Elbasanit). Me 7 mars 1914 mori pjese në pritjen që iu be princ Vidit. Pas pak muajsh nisi Lufta e Madhe dhe Shqipëria u kthye në teatër luftimesh. Ka nënshkruar një protestë kundër mizorive serbe në Veriun e Shqipërisë;
1915. – Rexhep Mitrovica emigron në Sofje e në Bukuresht të Rumanisë, ku qëndron disa javë. Kthehet në Selanik. I vdes bashkëshortja, Nehal Halil Begu. Shkon në Vjenë ku fillon studimet për pedagogji.
1916. – qëndron në Vjenë ku studion shkencat pedagogjike. Një pjesë të madhe të kohës e kalonte ne biblioteka e salla leximi, duke përvetësuar njohuri nga historia, gjeografia, astronomia, kimia, matematika dhe për të përvetësuar disa gjuhë evropiane. Pa i shkëputur lidhjet me atdheun e intelektualët e shpërndarë nëpër Evropë, bashkëveproi me Mit’hat Frashërin, Bajram Currin, Bedri Pejanin, Hasan Prishtinën, Hoxhë Kadriun, Sali Gjukën etj.
1917. – Kthehet në Mitrovicë, ku angazhohet për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Pak kohë shërben si mësues dhe drejtor i shkollës Popullore në Mitrovicë;
1918. – gjendet në Korfuz bashkë me Iljaz Vrionin;
1919. – më 10 tetor 1919, e njofton Mit’hat Frashërin se ka hapur në Durrës një klub letrar me emrin “Vllaznija”, që, siç thoshte ai, është një shkrirje e shoqërive “Vaso Pasha” dhe “Mustafa Pasha”. Në mesin e tetorit) bëhet anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Merr pjesë si anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris si përfaqësues i Komitetit të Durrësit për Shqipërinë e Mesme dhe si korrespondent i gazetës “Populli”;
1920. – (27 mars) zgjidhet deputet i Partisë Popullore. Shkruan artikuj të ndryshëm me pseudonimin “Kumona e Popullit” dhe përshëndet pranimin e Shqipërisë si anëtare e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920); Më 29 qershor 1920, si anëtar i Shoqërisë “Albania”, me Gjergj Pekmezin, Fuad Asllanin, Nush Bushatin, Jani Bashon etj., organizon një takim madhështor me artistin Aleksandër Moisiu në Vjenë (Austri);
1921. – si deputet i Kosovës (Pejës dhe Gjakovës) në Parlamentin e Parë Shqiptar të dalë nga Kongresi i Lushnjës, si bashkëthemelues i “Bashkimit të Shejtë” etj., zgjidhet Ministër i Arsimit në Qeverinë e Xhafer Ypit (26 dhjetor 1921 – shkurt 1924). Fillon reformat në arsim në Shqipëri, duke dhënë kështu një kontribut te pamohueshëm në arsimin kombëtar shqiptar; nisi një aktivitet të gjerë në hartimin e teksteve shkollore dhe organizimin e institucioneve qendrore arsimore, dokumentacionet shkollore etj. Me nismën e tij u miratuan disa ligje të rëndësishme; u zyrtarizuan vendime kyçe për demokratizimin e shkollës, laicizmin e saj; u çelën shkolla profesionale trevjeçare, gjimnazi 6 vjeçar, u përcaktua roli i lëndëve shkencore; në veçanti, bashkëpunoi me Hari Fullcin dhe Carls Hollingshedin, për shkollën teknike shqiptaro-amerikane që u ngrit në prill te vitit 1922. Pasi SHBA njohu Shqipërinë më 28 korrik 1922, Rexhep Mitrovica pati një takim të përzemërt me ambasadorin e parë amerikan në Shqipëri (22 shtator 1922 – 8 shkurt 1925), i dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër i Plotfuqishëm), Julisis Grant-Smithin (1870-1959); Hodhi idenë e hapjes së një biblioteke kombëtare në Tiranë;
1922. – me përkrahjen e Ministrisë së Arsimit dhe veçanërisht të Rexhep Mitrovicës, u themeluan organizatat profesionale të mësuesve të Shqipërisë, si: “Lidhja e mësuesve të prefekturës së Durrësit” (8 janar 1922), “Lidhja e mësuesve të prefekturës së Shkodrës” (18.6.1922), u organizua Kongresin Arsimor që u mbajt në Tiranë (27 korrik – 3 gusht) dhe “Lidhja shoqërore e arsimtarëve të Korçës” (23.3.1923), që çuan në krijimin në Tiranë të Lidhjes së Përgjithshme të Arsimtarëve të Shqipërisë” (gusht 1924), në botimin e revistës “Arsimtari” etj;
1923. – kryen punën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme në vend të Sejfi Vllamasit; Ministri i Arsimit kërkon krijimin e “rendeve foshnjore nëpër lagjet e qytetit për fëmijë të vegjël”; në vendimin që ua dërgon drejtorive arsimore, jep edhe këtë porosi: “Lajmëroni të interesuarit për dërgimin e fëmijëve n’ato shkolla ku do të plotësohen dëshirat dhe nevojat e tyre”.
1924. – (shkurt) jep dorëheqje nga posti i Ministrit të Arsimit dhe shkruan “Letër arsimtarëve”. Kthehet ne Mitrovice dhe viziton disa qytete të Kosovës, ku, sa ishte ministër i Arsimit, vazhdimisht kishte dërguar libra e tekste shkollore në mënyrë të fshehtë. Shkon në Itali (Bari), ku martohet për të dytën herë; Kosova do të mbetet preokupimi i tij kryesor i punës gjatë viteve në vazhdim, deri më 1939 që ai i kaloi në Evropë, kryesisht në Austri dhe Francë: Takime me personalitete të kohës, korrespondencë e artikuj në shtyp ku ekspozoheshin vuajtjet e tmerret e kosovarëve.
1925. – (21 shtator) është njëri ndër themeluesit e organizatës “Bashkimi Kombëtar” në Bari të Italisë, organizatë antikomuniste e emigracionit politik shqiptar (1925-1939); Ka qenë nënkryetar i Klubit “Bashkimi” dhe, pas nxjerrjes së Gazetës së këtij klubi me emrin “Bashkimi i Kombit”, edhe bashkëpunëtor i rregullt i saj dhe pastaj drejtor.
1926. – qëndron disa kohë në Austri (Vjenë) për t’u shëruar;
1927. – (fundi i korrikut) me disa anëtarë të grupit “Bashkimi Kombëtar” vendoset në Vjenë;
1928. – (30 mars) nxjerr numrin e parë të gazetës “Bashkimi Kombëtar”, organ i Komitetit Ekzekutiv i organizatës së emigrantëve “Bashkimi Kombëtar”;
1931. (20 shkurt) u arrestua me disa emigrantë me dyshimin se ka organizuar atentat kundër Ahmet Zogut në Vjenë. Në mesin e vitit dëbohet nga Austria dhe me disa emigrantë tjerë të “Bashkimit Kombëtar” strehohen në Paris;
1934. – zgjidhet sekretar i Komitetit të organizatës “Bashkimi Kombëtar”;
1935. – zgjidhet këshilltar i organizatës “Bashkimi Kombëtar”;
1936. – zgjidhet anëtar i Komitetit “Bashkimi Kombëtar” dhe drejtor i gazetës “Bashkimi Kombëtar”. Numri i parë doli më 28 Nëntor 1936;
1938 – anëtar i Direktoriatit të organizatës “Bashkimi Kombëtar”;
1939. – (9 prill) organizon protestë kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Më 30 prill kthehet në Shqipëri dhe bëhet anëtar i Këshillit të shtetit;
1941. – (prill) kthehet në vendlindje (Mitrovicë). Zgjidhet kryetar i parë i “Lidhjes Popullore Shqiptare”. Propozohet komandant i forcave shqiptare në “Trojet e Lirueme”. Angazhohet në organizimin e administratës dhe hapjes së shkollave shqipe në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë dhe Pazar i Ri); Ekzistojnë ndërkaq dëshmi, që Rexhep Mitrovica me gjithë qëndrimin dashamirës ndaj gjermaneve, ka refuzuar apo sabotuar veprimet e tyre siç ishte rasti i arrestimit te disa banoreve hebrenj dhe romë të Kosovës. Për t’i shpëtuar nga ndëshkimi i mëtejshëm, shumë persona kalohen përmes malësive të Drenicës, në territorin e Shqipërisë fshehtas gjermanëve.
1943 – Rexhep Mitrovica kishte marrë detyrën e e “komandantit të forcave vullnetare shqiptare në trojet e çliruara”, duke rënë kështu shpeshherë në konflikt me italianet. I akuzuar “për veprimtari kundër regjimit italian në Shqipëri”, fashistet gjejnë rastin për ta arrestuar dhe burgosur. Dënimin e kreu nga gushti deri me 13 shtator 1943 ne Porto Romano te Durrësit, bashke me Mit’hat dhe Mehdi Frasherin, Bedri Pejanin, Xhelal Mitrovicen etj. Hyrja e trupave gjermane në Shqipëri krijoi një realitet të ri. Në aspektin diplomatik nazistët ruajtën një fasadë respektimi të sovranitetit shtetëror e territorial të Shqipërisë, kurse de jure e de facto vendi kishte hyrë në të vetmen periudhë historike kur kufijtë e shtetit, edhe pse nën praninë e ushtrisë gjermane, përafroheshin në masë shumë të madhe me kufijtë etnikë shqiptarë. Ja çfarë thotë një letër e të plotfuqishmit special gjerman për Juglindjen, Herman Nojbaher, drejtuar ministrisë së Punëve të Jashtme me 23 shtator 1943: “Urgjent! Me datë 20 i kam propozuar komandantit suprem për juglindjen që, duke marrë parasysh pozitën e veçantë të Shqipërisë, në Tiranë, të mos emëroj komandantin ushtarak, por sipas shembullit të Kroacisë, “gjeneralin e plotfuqishëm gjerman për Shqipërinë”, që të mënjanohet çdo analogji me territorin e okupuar. Komandanti suprem është dakord me të. Lutemi që e njëjta vijë të mbahet edhe pranë Komandës së Lartë të Forcave të Armatosura”. Rexhep Mitrovica ka marrë pjesë në themelimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit (pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe lirimit nga burgu, mesi i shtatorit 1943), ku zgjidhet kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Më 16 tetor 1943, u mblodh në Tiranë Kuvendi Kombëtar, i cili shpalli “Këshillin e Lartë të Regjencës”. Më 5 nëntor zgjidhet Kryeministër i Shqipërisë (kryeministër i miratuar, jo i komanduar nga ushtritë gjermane). Iu besua edhe detyra e Ministrit të Kulturës Popullore. Paraqet Programin e tij qeveritar; drejtoi qeverinë e Shqipërisë etnike në kohën kur ushtritë gjermane zëvendësuan italianët e kapitulluar në këtë cep të Ballkanit. Si kryeministër gjatë kohës së pushtimit gjerman (5 nëntor 1943 – 16 qershor 1944), sipas Caccamo, Rexhep Mitrovica u dha një status të privilegjuar ushtarakëve dhe qytetarëve italianë me origjinë arbëreshe, të cilët u krahasuan e u barazuan me qytetarët shqiptarë, duke i shpëtuar, në këtë mënyrë, nga rreziku i burgut ose i dhunimit.

A ushqente vërtet Rexhep Mitrovica iluzionin se Shqipëria ishte realisht e pavarur dhe gjermanët nuk do ta preknin sido që të sillej? Nga vetë dokumentacioni i Vermahtit, dëshmohet se Rexhep Mitrovica, si shumë intelektualë e figura të tjera të “Shqipërisë së Vjetër dhe të Re (Kosovës)”, e kishin të qartë që humbja e luftës nga Gjermania ishte e afërt. Rexhep Mitrovica mori premtime të forta nga gjermanët se, pas tërheqjes nga Shqipëria, ata do të respektonin neutralitetin e vendit në qoftë se të njëjtat garanci i jepnin edhe britanikët dhe amerikanët. Sigurisht R. Mitrovica ishte përveçse nacionalist, dhe antikomunist i bindur: Sjelljen e komunizmit ballkanik ai e kishte provuar me serbët dhe jugosllavet në përgjithësi, ndaj nuk ushqente iluzione se çfarë mund ta priste Kosovën në duart e tyre. Ndërkohë një hapësirë e gjerë mbarëshqiptare kishte nevojë urgjente për normalizim dhe qeverisje. Ja disa hapa qe u ndërmorën muajt e parë: u anuluan të gjitha marrëveshjet me Italinë; u rivu në vend kushtetuta e para 7 prillit 1939; u këmbyen ambasadorë me Gjermaninë; për të luftuar kaosin, qeveria e kërkoi funksionimin normal te administratës civile, ushtrisë, financës, arsimit, në mbarë vendin. Kryeministri kërkoi nga shteti gjerman lirimin e të internuarve në Itali. Gjatë kohës sa ishte në krye të shtetit nuk u formua asnjë parti naziste, nuk u lejuan përshëndetje të huaja, flamuri shqiptar u shpalos pa asnjë shenjë; në fuqi ishte ligji civil dhe jo ai marcial (ushtarak); ushtria gjermane blinte mallra në tregjet shqiptare me monedhën e vendit, frangun. Rexhep Mitrovica i vuri detyrë qeverisë së tij që të parandaloje depërtimin e ideologjisë komuniste dhe ndikimin sllav. Shpresën më të madhe për kalimin e kësaj situate të luftës pa dëmtuar vendin dhe tërësinë e tij ai e kishte tek demokracitë anglo-saksone. Siç thekson historiani i njohur, Bernd Fisher, “me shumë se pro-gjermanë, shumica e ministrave dhe vetë kryeministri Rexhep Mitrovica mund të identifikohej qartësisht si antikomunist. Programi i tij ishte mjaft progresiv. Këshilltarja e SOE-s britanike në Kajro, Margaret Hezllak, shkoi deri aty sa deklaroi qe “nëse nuk do te ishim në luftë me vendin, forcat e të cilit kanë pushtuar Shqipërinë, linja e politikave qeveritare (shqiptare) do të merrte aprovimin tonë të ngrohtë”.
Ngjarjet që pasuar, qenë të dëmshme për Shqipërinë dhe popullin e saj. Forcat komuniste, pasi e kuptuan se Gjermania po i numëronte ditët e fundit, duke pasur mbështetjen e anglo-amerikanëve, shpeshtuan goditjet dhe propagandën, madje edhe nxitën gjakderdhjen vëllavrasëse. Ata, me udhëzimet e Mosha Piadës e Miladin Popoviqit, ushqenin një urrejtje patologjike ndaj nacionalistëve kosovarë, duke organizuar sulme e terror të paparë.
1944 – më 4 shkurtit 1944, në Tiranë u vranë dhjetëra njerëz dhe për këtë disa e fajësojnë Rexhep Mitrovicën dhe ministrin e Brendshëm Xhafer Deva. Për këtë nuk ka asnjë urdhër me shkrim. Dyshohet se këtë vepër makabre e kanë bërë vetë komunistët. Më 7 prill kryeministri mbajti një ligjëratë në radio. Fjala e tij u botua të nesërmen në gazetën “Bashkimi i kombit”. Me 14 korrik 1944 Rexhep Mitrovica jep dorëheqje dhe bashkë me Xhafer Devën kthehet në Prizren. Kosova rrezikohej seriozisht si nga komunistët sllavë, ashtu dhe çetnikët serbë. Vendos të braktisë Kosovën (mesi i nëntorit). Vendoset në Austri, ku, për shkak të përkeqësimit të shëndetit, detyrohet të vendoset në një sanatorium (1945-1947). Aty shkruan “Kujtimet” në gjuhën frënge;
1947. – në verë të vitit kalon në Itali (Gjenovë) bashkë me Xhelal Mitrovicën, Tahir Zajmin dhe Ali Dragën.
1948. – më 3 dhjetor 1948 nga Gjenova arrin në Stamboll, ku e vazhdon aktivitetin dhe përpjekjen për vendin dhe popullin e tij. Atje ra në kontakt me atdhetarë të tjerë, si: Qazim Prodanin, Tahir Kolgjinin, Shaqir Kastratin Asaf Xhaxhulin etj. Mban lidhje me nacionalistë të tjerë të shkapërderdhur nëpër vende të tjera, sidomos me Mit’hat Frashërin.
1949. – Jeton në Maltepe dy dekada me radhë, deri në vdekje më 21 maj 1967). Mit’hat Frashëri i kërkoi që të bënte përpjekje për të krijuar një komitet për Kosovën, ndërkohë që e ftoi të dërgojë në “Komitetin Shqiperia e lire” dy përfaqësues të Komitetit të Kosovës. Në viti 1949, me Mit’hat Frashërin themelojnë organizatën “Lidhja Kosovare”. Kryetar u zgjodh i i biri i tij, Nexhat Mitrovica;
1950 – 1967, shkroi artikuj të ndryshëm, të cilët i botoi në gazetat “Flamuri”, Besa” etj. Shkroi memorandume me anë të të cilëve njoftonte opinionin ndërkombëtar për pozitën e shqiptarëve në Kosovë nën regjimin e Titos dhe në Shqipëri nën diktaturën e Enver Hoxhës. Gjurmoi në Arkivin e Stambollit për Konferencën e Berlinit (1878);
1962. – Rinia e Komitetit “Lidhja Kosovare” në Nju Jork, i dërgon një kujtim modest (fotografi të personaliteteve kombëtare) me rastin e 50 – vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë;
1967. – (21 maj) vdiq dhe u varros të nesërmen në Maltepe. Në pllakën e mermertë është gdhendur emri i tij: Rexhep Mitrovica – kryeministër i Shqipërisë (15 janar 1888 – 21 maj 1967);
2012. – Dekorohet (pas vdekjes) nga Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, me rastin e 100 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë (1912-2012) sikurse të gjithë firmëtarët e Dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë me motivacionin: “Për meritat e tyre historike si figura të shquara të kombit dhe rolin e tyre madhor në krijimin dhe shpalljen e shtetit të pavarur shqiptar, si finalizim i luftës dhe përpjekjeve të pareshtura të popullit liridashës shqiptar në rrjedhë të historisë”.
Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit (e mërkurë, 28 Nëntor 2012), Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në bazë të kompetencave të saj kushtetuese, respektivisht Nenit 84, paragrafi 23, ka dekoruar Rexhep bej Mitrovicën (pas vdekjes) me “Urdhrin e Lirisë”, për kontribut të veçantë që nga Pavarësia e Shqipërisë e deri në vdekje.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top