Resurrectio

Shkruan: Edison YPI

Këtu pasoja vjen para shkakut, pjesa është me e madhe se e tëra, fillimi është mbarim, mbarimi është fillim, të vdekurit vlejnë më tepër se të gjallët. Ule zërin të thashë, ule se na dëgjojnë të vdekurit dhe na gjen belaja. Nuk e ul. Le të dëgjojnë. Atyre s’u fshihesh dot. Atyre s’u shpëton dot. Ata ndjejnë, dinë, dëgjojnë, shohin gjithçka. Ja tek erdhën. Pesë. Më të mirët. Ata, që për Shqipërinë shqyen gjokset, nxorën fjalët, ndezën zjarret, shpërthyen dritën. Poetët. Ja, ndreqën kockat, mblodhën mishrat, ngritën rrasat, shkundën baltrat, udhëtuan, u lodhën, erdhën. Shihi si janë ulur nëpër banka si nxënës. Sa urtë rrinë, sa të mirë janë, ke qejf t’i shohësh. Ngrihet madhështori Fishta,

-Zotërinj, në këtë komunikim postum, ne të vdekurit e gjallë do bëjmë sa të mundemi të kjartësojmë të gjallët e vdekur për të zezën që i ka gjetur. Ju lutem bëni kujdes të paraqitemi si kemi qenë në të vërtetë, pra Njerëz prej mishi dhe gjaku. E theksoj këtë, pasi prej syresh që po na dëgjojnë ka jo pak nga ata që i dinë përmendësh rrënqethjet poetike që kemi shkruar dhe na përfytyrojnë jo prej mishi, por prej gipsi. Çka s’është e vërtetë. Të rënë nga qielli nuk kemi qenë as atëherë, pa le tani që vijmë nga baltrat e varreve. Të nisim pra pa humbur kohë, se varret na presin. Ju zoti Migjen, ju aq delicatissimo dhe raffinatissimo në ndjenja, mendime e shpërthime, ç‘mendoni Ju për Shqipërinë e sotme në përgjithësi dhe në veçanti për atë që sapo u tha, se “Këtu fillimi është mbarim”?

Përgjigjet Migjeni,
-Ah Shqipëri-Shqipëri, Ti më e hirshmja se hëna, më e menduara se muzgu, më e lehta se mjegulla, më delikatja se vesa. Un’ t’i di hallet Ty. Un’ turbekulari mezi po flas se kolla më pengon, por dy fjalë po t’i them; Më varrosët e më zhvarrosët sa herë deshët. Më shatë e fjalë s’më latë. Deri edhe soc-realist edhe “Niçean” më quajtët. Sa për niçean, niçean jam. Madje, jo vetëm jam, por si thotë Zoti Lasgush në një përkthim të tijin, “jam dhe e kam për nder, q’ato që vuan çdo njeri, më mbushin plot me helm e vrer”. Prandaj, hiç mos u çudisni tani që po ju them se në Shqipëri ku pasi të vrasin gjatë natës si qen të shpallin shenjtor në mëngjez, ajo;“Këtu, fillimi është mbarim”, është, ishte, dhe do jetë e vërtetë. E provova në lëkurën time; Linda, pra fillova, kuq si molla në Shqipëri. Pasi fillova, menjëherë kuptova se u nxiva, u kalba, mbarova, pra u turbekulova po këtu në Shqipëri ku fillova. Pastaj, “duke parë çdo dit’ e ma mirë e duke vuejtun thellë e ma thellë”, një të ikur në Itali. Kam edhe të tjera sa shpirti ma di, por i rashë shkurt se më pengon kolla.

Flet Naimi si Ai,
-Ju Zoti Lasgush, Ju që më ngritët mua Naimin edhe nja dhjetë qiej më lart, si e kuptoni Ju atë; “Këtu pasoja vjen para shkakut”, ë?
Ja pret Lasgushi,
-Eh moj Shqipëri që ta kafshofsha gushën e vullkanit të pasionit nga shpërthen llava e dashurisë që djeg, ta puthsha aeroportin e ballit ku ulen e ngrihen kaçatorrat e mallëngjimit, ta thithsha hirin e prushit të zjarrit të nën barkut, ta hëngsha bebzën e pishës së syrit. Eh moj Shqipëri, që më bëre të ngrihem nga varri të vij këtu si në mbledhjen e kolektivit në shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Përgjigjen e pyetjes që më bëtë Ju zoti Naim, sapo e thatë vetë; Ju, pasoja që erdhët para shkakut, u bëtë aq i madh sepse, unë shkaku i ardhur pas pasojës, j’u lartësova nja njëzet vite më vonë. Ti zoti Migjen mos u kollit aq fort se pengon të tjerët të dëgjojnë. Mbledhja është mulli. Edhe pak dhe un’ Sovrani do iki. Ju vazhdoni, se inferiorët atë punë kanë.

Hollaku Migjeni,
Jam tejet i prekur që perfeksionisti zoti Lasgush e mbylli me një kunj për mua që jam i racës së Tij. Lasgushi, mbi kapelën republikë, kishte një cikërr balte varri të cilën unë s’ia vura në dukje. Por nejse, t’i lemë këto. Dini të na e shpjegoni Ju zoti Zef Serembe njërin nga absurdet e sotme të Shqipërisë; “Këtu mbarimi është fillim”. Zefi duke u dridhur,
-Uh un’ i mjeri që e dua Shqipërinë më ëmbël se teli tingullin, më dridhshëm se italiani Danten, më bukur se Dantia Beatriçen, më verbtas se besimtari kishën, më madhërishëm se prifti Altarin, obobo sa i desha katundarkat arbëreshe. Aq i desha sa veten vrava. Veten e vrava, pra mbarova, dhe në qiell fluturova, pra fillova. Kaq përgjigja. Tjetër s’di.

Estetizanti Lasgushi,
-Ju zoti Noli, ju që jeni aq i madh sa mëngjezeve puthni veten në pasqyrë, ju që haberin për të ardhur këtu e morët kur ndërkohë ishit duke luajtur në flaut një “Notturno triste molto apassionato” që e keni kompozuar vetë, ju që keni shkruar e përkthyer kryevepra me krime që s’i rrok mendja me të gjallë dyshimtarë deri në lemeri, të vdekur që përpëliten, fantazma që ecin, magjistrica që profetizojnë rrejshëm por këndshëm, a e çthurni dot Ju këtë çorap të zi; “Këtu të vdekurit vlejnë më tepër se të gjallët .”?

I madhi Noli,
Po. Por para çthurjes duhet të bëj një skjarim; Shqipëria ka në themel një krim. Po. Mos u habisni. Madje jo krim dosido por një krim divin . Perëndia u a ka marrë të gjitha nuret, të gjitha hiret, të gjitha bukurirat, të gjitha pasurirat, të gjitha të tjerave, dhe ja ka dhënë të gjitha Asaj, Shqipërisë. Ky është filli që duhet kapur për të bërë të mundur të gjitha çthurjet, çorapet, trikot, zgjedhjet, votimet, numërimet. Pas këtij skjarimi, në vazhdim të arsyetimit mbi krimin divin, përgjigja për pyetjen Tuaj del vetvetiu; Vet prezenca jonë këtu, vet fakti që na thirrën dhe ja ku jemi, provon se të vdekurit e Shqipërisë vlejnë dhe do të vlejnë…etj., etj.

I ëmbli Serembe,
-O Naim, o Bej, o njeri, o qiri, a s’më ndriçon diçka, diçka që në fyt më ka ngecur, diçka që nuk e kuptoj dot kurrsesi, atë; “Këtu pjesa është me e madhe se e tëra”?. S’kam lënë libër dhe enciklopedi pa shfletuar dhe internet pa parë dhe s’e gjej dot.

Gjigandi Naimi,
-Dëgjo o zoti lirik arbëresh, Shqipëria është një palcë pa kockë, një nyjë pa dru, një mish pa tav dheje. Në Shqipëri, domethënë atje, pra këtu, ka shumë më tepër kunguj që rrokullisen se sa sqetulla për t’i mbajtur. Unë, unë i marri me mall të shkari, këto i kam ditur, por nuk i kam shkrojtur, sepse kur unë rrova lypseshin të tjera gjëra. Për të ardhur tek pyetja juaj, them se një poezi e vetme e zotit Lasgushi, pra një “pjesë” e Tij, është shumfish më e madhe se “e tërë” poezia e ndonjë tjetri, apo disa të tjerëve së bashku. E kam të qartë se për ta besuar këtë që sapo thashë, që t’u qarkullojë tamam gjaku në kokë, “redaktorëve të vjershëtorëve” u duhet të thithin paraprakisht krejt Hashin e Lazaratit. Por s’kam ç‘bëj, kjo është e vërteta. Po të ishte ndryshe këllirat s’do ishin zgjyra, por Poeta.

Papritmas Noli,
-Ju lutem prisni. Mos u ngutni të ktheheni. Varret aty janë. Ende nuk kemi mbaruar. Sapo më erdhën dy SMS nga dy mbretër. Të parin ma dërgon Ahmeti nga Mati. Ja po ua lexoj SMS-në e parë;
unë shqipërinë e dua më tepër se të gjithë, më tepër se ministri sorollopin, sorollopi doganat, doganat drogat, fanatiku mitingun, rapsodi çiftelinë, burokrati skrivaninë, xhelati litarin, litari skllavin, skllavi skllavopronarin, kamikazi kuranin, anglia diplomacinë, amerika naftën. prandaj ju them dëgjoni këshillat e mia dhe mos u merrni me dokrra. hëpërhë, në ndonjë mënyrë si t’ju vijë për mbarë, merrini anglisë borxh ca shi’ për të mbushur digat, ca asfalt për të shtruar rrugët, dhe ndonjë muze’ për histori. të tjerat më vonë, se tani po më bie bateria e celularit. Ja dhe SMS-ja e dytë që ma ka dërguar Skënderbeu mua, si i shpatës që jam, aspak nuk më intereson a është a s’është e bukur shqipëria, a më quani kaur apo mysliman, a isha trim a frikacak a mjaftueshëm diplomat me princat dhe kalorësit, kush i fitoi zgjedhjet, kishte a s’kishte në qëndrat e votimit bandita me koka të rruara me zinxhira floriri mbi qafa, e të tjera e të tjera, me këto merruni vetë. hallin un e kam tjetërkund. tek një punë e pakryer, një merak i mbetur pezull i homologut tim ahmet, për atë kërkesën që ahmeti i bëri sejfi vllamasit kur i tha t’i mblidhte një herë të gjithë bashkë në sallën e teatrit të kukullave budallenjtë kapadainj që ja plasën shpirtin se donin të bëheshin të gjithë ministra, pastaj sejfiu të mos kishte hiç merak se me ‘ta do merrej ai, ahmeti, mirpo s’di pse s’u bë, dhe më ka mbetur kunj. atë kunj që ja nguli ahmeti i shekspirit nolit të matit të dalë sot ndonjë trim t’ia shkuli shqipërisë. kënaquni me kaq nga unë mbreti, s’vazhdoj të shkruaj dot se celularit ju mbarua krediti dhe ja as pikë në fund nuk vë dot.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top