Rënje drastike e numrit të popullsisë shqiptare

Plakja dhe zvogëlimi i popullsisë shqiptare është fakt, por tashmë është OKB që jep alarmin se vendi ynë deri në 2100 mund të pësojë një rënie drastike të banorëve.

Janë tre skenar, dhe më optimisti, ai me zero emigracion dhe rritje të lindjeve parashikon një popullsi prej 2,8 milionë banorësh. Me variantin normal, në Shqipëri do të ketë 1,6 milionë banorë, ndërsa varianti pesimist na kthen në vitin 1938 me 860 mijë banorë.

Profesor Gëzim Tushi thotë se me të dhënat aktuale rënia e popullsisë është e sigurt.

“Në qoftë se do të vazhdojë emigracioni me këto ritme siç është dhe nëse lindjet vazhdojnë të jenë në këto nivele, nga 2 – 3 fëmijë për grua që kemi pasur në vitin ’90, në 1,6 fëmijë për grua qe jemi tani, gati-gati nuk bëjmë as zëvendësimin natyror të popullsisë dhe këto të gjitha tregojnë se do të ketë një proces të rënies së numrit të shqiptarëve”, shprehet Gëzim Tushi, sociolog.

Sociologia Entela Binjaku shpjegon se çdo të thotë rënie e popullsisë.

“Do të thotë popullsi më e plakur në trojet amë, prishje e ekuilibrit midis grupmoshave, do të thotë që gjithnjë e më shumë të moshuar do të jenë të varur dhe gjithmonë e më pak të rinj do të jenë kontribues aktiv në tregun e punës. Plakja do të thotë edhe nevojë për politika të reja shëndetësore”, shprehet sociologia Binjaku.

Në këtë pikë sipas zonjës Binjaku duhet të ndërhyjë politika.

“Ndoshta shifrat e tilla dhe ai skenar negativ do të ndërgjegjësojë gjithë politikën shqiptare që të tregohet më e vëmendshme ndaj atyre perspektivave që i japin kësaj popullsie qëndrueshmëri dhe nuk e lejojnë të zbresë deri në këto shifra kaq katastrofike”, thotë ajo.

I të njëjtit mendim është edhe Profesor Gëzim Tushi, i cili thotë: “se ne kemi nevojë të ndërtojmë një strategji të re kombëtare të punësimit, të ndikojmë në rritjen e cilësisë së jetës, lidhjen me vendin, pastaj me ndërhyrje në politikat që kanë të bëjnë me nxitjen e natalitetit dhe me politika favorizuese për gratë kur ato bëhen nëna dhe duhet të kujdesen për fëmijët që rritin”, shprehet ai.

I gjithë ky ortek i faktorëve që varen nga qeveria dhe që ndikojnë drejtpërdrejtë në plakjen e popullsisë është problem i mprehtë social, është problem shtetëror, si dhe është problem edhe i jetës private të individit. Pra, kur t’i bashkojmë të gjitha këto komponente në një lloj strategjie për parandalimin e procesit të plakjes së popullsisë, atëherë ndoshta mund të shmangim realizimin e prognozave të frikshme për pakësimin e popullsisë, në mënyrë kaq alarmante siç e ka bërë OKB-ja për Shqipërinë.

Pas kanibales Genta, lajthit edhe poeti komunist Duka

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top