Kthimi i Abas Ermenjit në Shqipëri, viti 1995

RËNDËSIA E LIDHJES SË PRIZRENIT

Shkruar nga Prof. Abas Ermenji më 1953, Botuar te Gazeta Zyrtare e Organizatës Balli Kombëtar “FLAMURI”

Në jetën e popujvet, ka disa data me shenjë, që dallohen prej të tjeravet, sepse i hapin udhën një periudhe të re historije : e tillë është për ne Shqiptarët data që shënon Lidhjen e Prizrenit. Për t’a kuptuar në mënyrë të qartë rëndësinë e saj, duhet të përfshijmë në një shikim të vetëm dy pjesë të historisë së Shqiptarëvet : atë që ngjitet nëpër vijën e kohës gjer në shekullin e XV-të dhe atë që zbret drejt 1912-ës e gjer në ditët t’ona. Atëhere do të shohim se Lidhja e Prizrenit del si një nyje që ndan e lidh dy epoka në jetën t’onë kombëtare.

***

Duke lënë mënjanë historinë e vjetër, Shqipëria ka qënë një njësi ethnike e gjeografike në Kohën e Mesme, qyshse, në të XIII-tin shekull, Charles I d’Anjou ngrehu një Mbretëri të Shqipërisë (Regnum Albaniae), e cila ra më vonë në duart e Thopiasvet. Veçse, n’ato kohë të feodalizmës, megjithë gjallërinë ushtarake dhe kolonizonjëse që tregon elementi Shqiptar në Ballkan, duke u-shkapërderdhur përtej kufivet ethnike, sidomos me Balshajt, në Veri, dhe me Shpatajt, në Jugë, duke kolonizuar vende të Greqisë gjer n’Atikë, në More e në ishujt e Egjeut, s’munt të flitet për një Shtet Shqiptar të bashkuar. Bashkimi politik u mungonte atëhere edhe shumë kombeve që kishin pasur tradita të vjetra politike e shtetërore. Vetëm ndënë grushtin e Skënderbeut, Shqiptarët bënë një bashkim kombëtar, i cili u-mbajt për aqë kohë sa jetoi burri i Krujës. Pastaj u-këput ; hynë në mes sundimi i huaj dhe anarqia, dhe çdo krahinë ndoqi fatin e saj.

Gjatë katërqint vjetëve ndënë Perandorinë Otomane, u-duk sikur Shqiptarët e patën humbur, jo vetëm idenë e një Shteti Shqiptar, por edhe vetëdijen e kombësisë.

Shqiptarët, aqë të çquar për inisiativë individuale sa i kanë dhënë botës pa kursim nga më të mëdhenjtë ushtarakë, udhëheqës e themelonjës shtetesh, në truallin e tyre s’kanë mundur të ngrehin diçka të lidhur, të qëndruarëshme, të fortë. Natyrisht, kjo nuk është një e metë race : ka shpjegimin e saj në faktorët historikë-gjeografikë që kanë penguar bashkimin dhe forcimin e një njësie Shqiptare si komb e shtet ; që kanë sjellë ndasira fesh, krahinash, interesash ; që kanë penguar zhvillimin e një kulture kombëtare të lartë, dhe dobësuar besimin në mëkëmbjen e Shqipërisë si Shtet më vehte.

Ky është shkaku që Shqiptarët, gjer nga gjysma e shekullit të XIX-të, paraqiten si një popull pa qëllime, pa drejtim, dhe sidomos pa një ide qëndrore Shqiptare. Edhe kur e prurin rasti që Shqipëria, nga mbarimi i shekullit të XVIII-të dhe në fillim të të XIX-tit, të bjerë tërësisht në duar të Shqiptarëvet, me Ali Tepelenën, në Jugë, dhe me Bushatllinjtë, në Veri, nuk u-ngreh dot si shtet më vehte. Dhe kjo jo nga mungesa e forcës (sepse, atëhere, dy pashallarët Shqiptarë tundnin Perandorinë), por sepse asnjëri prej tyre s’mundi të dalë prej kuptimit të principatës personale në idenë e një Shqipërie – Shtet më vehte.

Lidhja e Prizrenit hodhi idenë e bashkimit Shqiptar, përmbi ndarjet fetare e krahinore, përmbi aventurat personale. Këtu qëndron rëndësia historike e saj.

Shekulli i XIX-të karakterizohet nga zgjimi i kombësivet, për popujt e Evropës së Jugë-Lindjes. Eshtë fryma patriotike ajo që zotëron ndjenjën, veprimtaritë, artet dhe letërsitë e tyre n’atë kohë. Lëvizjet për autonomi, kryengritjet për pamvarësi kombëtare zjejnë e pëlcasin ngado. Në Ballkan është bërë kryengritja greke. Popuj të tjerë kanë fituar autonominë. Natyrisht, kjo erë e nxehtë ndjenjash dhe luftash nacionaliste s’munt të mos kalonte edhe mbi popullin Shqiptar. Disa nga bijt e shpërndarë të tij ishin prekur prej saj dhe kishin filluar të shkruajnë e të flasin. Por, në Shqipëri brenda, pritej ndonjë tundje e fortë për t’a zgjuar kombin nga e mpita e shekujvet.

Dhe tundja erdhi më 1878. Rusia, ngadhënjyese mbi Turqinë, e shtrëngoi këtë të nënshkruajë Traktatin e Shën Stefanit, në Mars 1878, i cili krijonte një Bullgari të madhe, dhe zgjeronte Serbinë e Malin e Zi, tre shtetet e mprojtur të Rusisë në Ballkan. Zgjerimi i tyre bëhej sidomos mbi toka Shqiptare.

Traktati i Shën Stefanit, që forconte tepër pozitën e Rusisë në Ballkan dhe mbi ngushticat, prekte, natyrisht, interesat e të tjera fuqive të mëdha. Prandaj, për t’a rishikuar, u-bë një mbledhje e të Mëdhenjvet në Berlin, në Qershor 1878, e cila u-quajt Kongres i Berlinit. Megjithëse aty u-prishën disa pjesë të Traktatit, sidomos plani i një Bullgarie të madhe, prapë se prapë Serbisë dhe Malit të Zi i u njiheshin tokat Shqiptare. Jo vetëm kaq, por u-lëshua edhe Greqia për të kërkuar Epirin gjer në lumin Kallama.

Këto ngjarje u hapën sytë Shqiptarëvet, të cilët vrapuan t’i dalin përpara rrezikut. Dhe vepëruan ashtu siç duhej. U-dyndën nga të katër anët e Shqipërisë dhe dërguan në Prizren delegatët e tyre, të cilët formuan të famëshmen Lidhje të Prizrenit, në Qershor 1878. Eshtë e para herë, pas vdekjes së Skënderbeut, që Shqiptarët çohen peshë të gjithë bashkë si komb, për t’u-mprojtur si komb. Këtu nuk është fjala për luftë krahinash, që kishin zakonisht për qëllim mos-pagimin e taksavet a mosvajtjen ushtarë. Nuk është fjala as për luftë personash ambicjozë, që kërkonin të bëheshin pasha a vezir. Këtu lëvis i tërë kombi, për t’u-mprojtur prej coptimit, prej vdekjes.

***

Lëvizja e Prizrenit nuk u-kufizua në diskutime e fjalë-boshe, por mori masat më energjike për mprojtjen e Vendit. Jo vetëm këtë, por qe edhe e zonja t’i zbatojë, për aqë sa lejonin kushtet dhe gjendja e atëherëshme. Përveç protestavet që i drejtoi Kongresit të Berlinit dhe Fuqivet të Mëdha, Lidhja e Prizrenit i a hyri menjëherë organizimit për një qëndresë me armë, ajo që është mjeti m’i sigurtë i shpëtimit.

Në përshtatje me gjeografinë dhe me ndarjen administrative të Vendit, Lidhja e Prizrenit organizoi degët e saj gjer në qendrat më të vogla të Shqipërisë, me dy krye-degë të mëdha, njëra në Prizren dhe tjetra në Gjirokastër, duke pasur si pikëpjekje Elbasanin. Mori edhe masat ushtarake për qëndresën me armë. Kështu që, kur Mali i Zi u-lëshua për të pushtuar tokat që i qenë njohur nga Kongresi, u-ndoth përpara forcavet Shqiptare, të komanduara nga Ali Pashë Gucia, dhe u-shtrëngua të mprapset. Në Jugë, me thirrjen e Abdyl Frashërit, frymëzonjës i Lidhjes, u-mblodh përnjëherësh një fuqi e armatosur prej më se 30.000 burrash dhe i u-mvesh kufirit, për të mbajtur Grekët në cak të tyre.

Qëndresa me armë e Shqiptarëvet, jo vetëm që e vuri çështjen e Shqipërisë si një problem ndërkombëtar, por shtrëngoi edhe Kongresin t’a ndryshojë disa herë vijën e tokavet që i njihte Malit të Zi. Gjersa më në funt, Fuqitë e Mëdha u-detyruan të dërgojnë njësira të flotës së tyre përpara Ulqinit, në Shtator 1880, për t’i bërë Shqiptarët të përkulen.

Lidhja e Prizrenit u-muar me të tërë problemin Shqiptar në përgjithësi, dhe jo vetëm me mprojtjen e kufivet. Ajo hodhi programin e një Shqipërie të bashkuar dhe autonome. Kërkoi bashkimin e të gjitha tokavet shqiptare në një vilajet të vetëm, shkolla Shqipe, administratën me nënëpunës të vendit, dhe mëkëmbjen e një ushtërie Shqiptare prej 200.000 vetësh, që do të shërbente vetëm në Shqipëri. Kjo ish autonomia në kuadrin e Perandorisë, që do të përgatiste bazat, shpirtin dhe strukturën e një Shteti Shqiptar të pamvarur, për në t’arthmen. Kjo ish rruga nëpër të cilën janë ngjitur edhe popuj të tjerë drejt pamvarësisë, si për shembull, Serbia, Rumania, Bullgaria.

Lidhja e Prizrenit s’i a arriti dot plotësisht qëllimit, as që e zbatoi dot programin. Një pjesë të tokavet Shqiptare e rrëmbyen fqinjët. Autonomia s’u-arrit. Sepse pengesat dhe forcat e kundërta ishin të shumëta. Fuqitë e Mëdha, jo vetëm që s’i përkrahën kërkesat e Lidhjes, por dërguan edhe flotën për të thyer qëndresën e Shqiptarëvet. Porta e Lartë, që e pat shikuar me sy të mirë Lëvizjen e Shqiptarëvet kur lufta e këtyre i jepte dorë kundër armiqvet të saj që i qenë rrasur gjer tek portat e Stambollit, u-kthye t’a shtypë kur pa se mori thellë dhe u-vu n’udhën e autonomisë. Krerët e Lëvizjes u-kapën dhe u-burgosën, degët e saj u-çthurën, elementët e saj u-ndoqnë në të gjitha anët e Shqipërisë. Por shkundja që i dha popullit Shqiptar Lidhja e Prizrenit, ish i tërë roli historik i saj. Ideja KOMB u-vu përmbi ndarjet fetare e krahinore, në veri e në jugë, në Kosovë e n’Epir. Dhe, jo vetëm që u-vu si ideal, por u-mprojt edhe me gjak. Prandaj ajo e bëri punën e saj ; ose, siç tha Abdyl Frashëri, “fara u-mbuall”.

* * *

Pas Lidhjes së Prizrenit, historia e Shqiptarëvet hyn në një fazë të re. Në planin ndërkombëtar, problemi i Shqipërisë vihet si një pjesë e pandarë me “Çështjen e Orientit”. Në jetën e brendëshme, shvillohet ajo që quajmë “Rilindja Kombëtare”. Shqiptarët e muarën vesh tani që, po të duanë të rrojnë si komb, duhet të formojnë shpirtin e kombësisë. Edhe i u-vunë punës. Pasi brenda n’atdhe ish i ndaluar mësimi i Shqipes dhe çdo lëvizje patriotike, roli udhëheqës në zgjimin kombëtar u binte Shqiptarëvet të jashtëm. Tek Arbëreshët e Italisë kish nisur kaherë punimi i gjuhës dhe i letravet Shqipe, me De Radën dhe Camarden. Më 1879, kur Lidhja e Prizrenit ish në vepërim e sipër, që formuar “Shoqëria e Stambollit” prej Sami Frashërit, Jani Vretos dhe Vaso Pashës, për punimin e gjuhës. Më vonë nisnë të botohen radhë radhë libra, gazeta, të përkohëshme, nga klube e shoqëri të ndryshme, në Bukuresht, në Sofje, në Kajro, në Bruksel, dhe më në funt n’Amerikë, të cilat gjenin mënyrën sesi të hynin dhe të qarkullonin më të katër anët e Shqipërisë. N’Atdhe, dëshira për të mësuar Shqipen vinte duke u-shtuar dita-ditës. Nisi të lulëzojë një literaturë patriotike, e cila u-ngrit lart sidomos me Naimin dhe Fishtën.

Krahas me zhvillimin e letravet dhe të ndjenjës atdhe-dashëse vinin dhe lëvizjet me armë. Dilnin çetat malevet me Çerçis Topullin dhe Mihal Gramenon. Bëhej kryengritja e Malësisë së Shkodrës, pëlciste kryengritja e Kosovës. U-arrit në Flamurin e Vlorës.

Në historinë e re të Shqipërisë, Lidhja e Prizrenit hodhi kushtrimin e parë për bashkimin e Shqiptarëvet rreth idesë KOMB, rreth truallit ATDHE. Aty zuri fill lëvizja për rilindjen kombëtare, për lirinë e Shqiptarëvet, për ngritjen e Shqipërisë në Shtet më vehte. Dhe atë ide e atë rrymë ndjekin edhe sot e kësaj dite patriotët e vërtetë, ata që duanë t’a bëjnë Shqipërinë të Shqiptarëvet.

***

Por bota s’ka ndryshuar. Imperializmet e tanishëm janë më të fortë e më t’ashpër nga ata të kohës së kaluar. Dhe trathëtorët e brendëshëm janë më të fshehtë, më dinakë, më të pabesë nga ata të dikurshmit. Ata të vjetrit e çfaqnin sheshit për cilin ishin. Këta të sotmit derdhin lotë krokodili për “hallet e Shqipërisë”, dhe, të fshehur prapa fjalësh patriotike – si kunadhja me pendë këndezi – mundohen t’a marrin kalanë nga brenda, për hesap të këtij apo t’atij patroni të huaj. Këtë provë e kemi parë me sytë t’onë dje, dhe po e shohim sot.

Shqiptarë ! Mos luftoni për hesap të të huajvet dhe për të zgjedhur se kujt t’i dorëzoni çilset e Shqipërisë. Mundohuni t’i dalloni interesat t’uaja nga ato t’imperializmevet, dhe luftoni vetëm për vehten t’uaj, për lirinë t’uaj. Të mos përsëriten edhe një herë ato kohë kur lufta bëhej midis Greqisë dhe Perandorisë turke, dhe kokat që thyheshin nga të dy anët ishin të Shqiptarëvet….

Shqiptarë ! S’ka ditë të bardhë as dritë gëzimi për ju gjersa të mos siguroni kushtet e shvillimit të lirë të jetës s’uaj, të mundësivet t’uaja lëndore e shpirtërore ; gjersa të mos siguroni pamvarësinë kombëtare dhe liritë demokratike, duke i mbyllur rrugën lodrës së klikavet të brendëshme, që s’ju ka sjelle veçse vëlla-vrasjen, shtypjen, zinë e bukës, tiraninë. Dhe këto s’munt t’i siguroni gjersa ju, në politikë, të mos dini t’i matni vleftat e njerëzvet në bazë të një morali shoqëror dhe kombëtar ; gjersa ju të mos dini të ndani atdhetarët nga trathëtorët, të drejtët nga hileqarët, barinë nga ujku, grurin nga egjra. Dhe nguleni në mendje njëhere e përgjithëmonë që vetëm në vehten t’uaj, në bashkimin, në mirëkuptimin t’uaj, qëndron shpëtimi i juaj.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top