RËNDËSIA BIOLOGJIKE DHE SHOQËRORE E NJË FEJESE

E botuar në gazetën Neo – Shqiptarizma, më 1 Korrik 1930 – shkruar nga Branko Merxhani

Në mes të majit u fejua në Korçë zotni Dr. Jan Basho, mjek i Pallatit Mbretëror, me zonjushën Zejnep Maliq Bej Frashëri. Kjo ngjarje e premtimit të martesës midis dy qenieve të fisme dhe të vyera nuk ka vetëm kuptimin e ngushtë të një fejese të ndritshme e të zgjedhur. Ka një kuptim shumë më të gjerë. Ka rëndësinë e një vepre par excellence shoqërore dhe rilindëse, ndështypja dhe influenca e së cilës krijon një etapë të re për realizimin e një prej idealeve më të mëdha të Djalërisë intelektuale shqiptare.

Është po thua hera e parë, pas tetëmbëdhjetë vjetësh të jetës shtetëtore independente, që një ortodoks, i quajtur gjer dje i huaj nga shkaku i ndryshimit fetar sipas parimeve semitike të një feje, e merr lirisht dorën e një vajze muslimane, dhe bile kjo po ndodhë nën mbrojtjen e Ligjeve të Atdheut. Në historinë e re të mbrujtjes së vërtetë nacionaliste dhe të kolektivizmës shqiptare, gjer sot nuk është shënuar as nonjë gjest tjetër, as nonjë kurajo tjetër, që të sjelli kaq hapur vulën e Rilindjes Neoshqiptare. Kjo ngjarje, për grupin e vogël të kësaj reviste përbën një vepër të shenjtë, e cila është edhe më e shenjtë se të gjitha Bajramet e të gjitha Pashkët sëbashku, po edhe më e shenjtë se dita e lindjes dhe dukjes së të gjithë Profetëve të botës.

Një vit më parë (1929) shkruanim këto:

“… Kemi nevojë për një Familje Shqiptare Nacionaliste. Vetëm kjo është e zonja të krijojë një karakter e moral të ri dhe të na fali një formë të re jete. Djalëria Neoshqiptare do të hidhet në fushën e luftës shoqërore me bindjen e patundur se vetëm atëherë do të triumfojnë Idealet e saj, atëherë kur do të vijë ajo dita e madhe, dita e Shqipërisë së Re, në të cilën nuk do të ketë më asnjë pengim, jo vetëm legjislativ, por edhe ndërgjegje fetare, që të bashkojnë zemrat e tyre Djemtë dhe Vajzat e Atdheut Shqiptar pa ndryshim feje. D.m.th. kërkojmë edhe ne një farë Lirie dashurore. Kërkojmë një vatër të vërtetë shqiptare, e cila do ta zhdukë edhe gjurmën e fundit të influencave fetare të huaja, do t’a nacionalizojë shtëpinë t’onë, do ta shqiptarësojë Shqipërinë t’onë: Këtej e tutje fillon rruga e emancipimit të Shqiptares”.

Këto na dukeshin atëhere ëndërra të bukura të një nate pranverore. Po ja që nuk shkuan as dymbëdhjetë muaj dhe ëndërra melankolike, që rronte kurdoherë në zemrat e një grushti të rinjsh, u bë REALITET. “Sa më tepër ëndërrojmë kombet – thotë një filozof i madh i kohës s’onë, – kaq më tepër shtohet e pasurohet edhe prodhimi fisnik i aktivitetit të tyre”. Të gjitha realitetet e sotme shoqërore dje ishin ëndërra dhe, bile shumë herë, të përbuzura. Idetë sundojnë botën. Dhe çdo ide ka një të shkuar të largme, që humbet në retë e një fantazie të dëshpëruar. Çdo ide ka edhe nga një burim të thjeshtë, që u përngjanë ndjenjave të pafajshme të djemve të vegjël.

Çdo gjë që bëhet rreth e rrotull nesh, çdo gjë që bëhet tani, nuk është gjë tjetër përveç se një vazhdim i paprerë lufte mes ideve.

Historia e njerëzisë është historia e ideve. Si djemtë e vegjël bëhen burra të mëdhenj, ashtu edhe ëndërrat, burimet e para të ideve, rriten, ngjallen, gjigantohen dalë-ngadalë dhe krijojnë rrymat e mëdha ideologjike, realitetet e mëdha shoqërore që caktojnë fatin e botës. Dhe kur të vijë kjo ditë, çdo lëvizje reakcionare bëhet më qesharake dhe përparimi bëhet LIGJ, e ky LIGJ pastaj ushtron apsolutizmin e vet…

vazhdon…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top