Shkruar nga Nebil Çika, 19 tetor 1999
Dy ditë më parë, shqiptarët u përballën në mënyrë të (pa)pritur me “festimet masive” të ditëlindjes së diktatorit Hoxha. Mediat e majta i dhanë hapësirë të konsiderueshme këtyre festimeve, sinjalet e rikthimit të së cilave janë paralajmëruar që në përpjekjet për ardhje me dhunë në pushtet të ish-komunistëve shqiptarë në pranverën e vitit ’97. Revolucioni komunist, që solli në pushtet koalicionin aktual, kishte në thelb psikologjinë dhe shpirtin enverist, hakmarrjen për njerëzit që guxuan të rrëzonin diktaturën dhe mitin e diktatorit, si dhe trajtimin si armiq të kundërshtarëve politikë. Kjo frymë vazhdoi të karakterizojë ish-komunistët edhe pas marrjes së pushtetit, gjë që u pa qartë në reformat regresive shumë herë hakmarrëse ndaj çdo gjeje që kishin arritur të bënin në qeverisjen e tyre demokratët. Rehabilitimi jo vetëm moral e politik i diktaturës që filloi dy vjet më parë, u zhvillua në mënyrë të shpejtë me “bekimin e qeveritarëve” të lartë, të cilët në shumë raste nxitën hapur veprime madje edhe antikushtetuese, që synonin këtë rehabilitim të paralajmëruar.
Mars ’97: Ne jemi komunistë!”
Në ditët e para të marsit ’97, kur bandat e të ashtuquajturve Komitete të Shpëtimit Publik kishin marrë nën kontroll Sarandën, më ndodhi që rastësisht të vihem përballë disa njësitesh të armatosura të atyre që e konsideronin jo pa të drejtë veten komunistë. Në një nga këto ditë terrori për qytetin jugor, bashkë me disa miq të mi po dilnim nga qyteti. Në dalje të tij na ndaloi një postbllok i Komitetit të Shpëtimit Publik, i komanduar nga një ish-oficer i ushtrisë, që ne e njihnim mirë. Me tytat e kallashëve drejtuar nga ne, disa djem të rinj filluan të kërkonin llogari kush ishim e ku shkonim. Ndërhyrja e ish-oficerit, që na njihte, bëri që gjendja të qetësohej disi, megjithëse të armatosurit nuk i ulën tytat e armëve. Një miku im, gjyqtar në gjykatën e Gjirokastrës, pyeti një djalë të ri, rreth 19 vjeç, që siç e mora vesh më vonë, ishte i biri i një eksponenti të njohur të policisë sekrete të diktaturës, Sigurimit të Shtetit. Çfarë jeni ju dhe pse keni marrë armët?- iu drejtua miku im djaloshit që mbante të lidhur në ballë një rrip të kuq. Me një inat të dukshëm, i riu iu përgjigj: “Jemi komunistë!”. Këtë thënie të të riut të armatosur e përforcoi edhe komandanti i postbllokut, ish-oficeri, tani në një detyrë të rëndësishme në administratën ushtarake të shtetit. E mbyllëm shpejt bisedën me të dhe u larguam të habitur nga përgjigjja e njerëzve të armatosur, pasi publikisht komitetet dhe ish-opozita që drejtonte revolucionin, nuk e kishin shpallur ende këtë motiv të lëvizjes së armatosur. Miku im gjykatës, pasi më shpjegoi se i kujt ishte djali me rrip të kuq në ballë, (i ati i tij, sot është punonjës i rëndësishëm në Ministrinë e Rendit), më sqaroi se djali nuk merrte vesh fare nga politika, por kjo ishte fryma që qarkullonte në radhët e “luftës”, në dukje e pakuptimtë që kishin nisur komitetet dhe ish-opozita.
Nuk i dhashë rëndësi dhe me dëshirë doja ta injoroja një zhvillim të tillë të ngjarjeve, por shpejt u binda se djaloshi kishte të drejtë. Ata ishin vërtet komunistë. Pas disa kohësh, në një bisedë disi të tensionuar, një nga krerët e komiteteve më pohoi me bindje se ishte komunist dhe e gjithë lufta që ata bënin kishte si qëllim në mos instalimin e komunizmit dhe të diktaturës, të paktën kthimin në pushtet të komunistëve dhe rehabilitimin moral e historik të figurave të diktaturës.
Pas pak ditësh, situata u qartësua dhe njerëzit e revolucionit dolën hapur si komunistë, duke përndjekur me egërsi deri në linçim antikomunistët dhe demokratët, shumë prej të cilëve u vranë, u rrahën e u masakruan nga këto banda, sipas listave të përgatitura në selinë e degëve të PS-së. U deshën vetëm pak ditë, të paktën në Jug, dhe të gjithë ishin të qartë se kishin të bënin me një revolucion të pastër komunist dhe me gjak të ngrirë prisnin përfundimin e pasojat e tij.
Meidani President, me votat e Enver Hoxhës
Rehabilitimi i dukshëm i diktaturës u duk më hapur në fushatën elektorale për deputet të Presidentit aktual të Shqipërisë, Rexhep Meidani. I transformuar në një nga qendrat më të egra të revolucionit, Cërriku, qyteti ku Meidani u zgjodh deputet, votoi nën presionin e armëve në kutitë me fotografitë e diktatorit. Përkrahësit e zotit Meidani në këtë zonë elektorale organizuan një fushatë të mbështetur tërësisht mbi parimet komuniste dhe me fotot e diktatorit Enver Hoxha. Në hyrje të qytetit, bandat e armatosura të Komitetit të Shpëtimit Publik kishin vendosur një portret të madh të tij dhe postblloku i përhershëm i detyronte të gjithë personat që futeshin në këtë qytet ta nderonin atë. Portretet e diktatorit dhe parullat komuniste shoqëruan edhe takimet e mitingjet elektorale të ish-sekretarit të Përgjithshëm të PS-së në këtë zonë, që u shpall hapur si enverist. Egërsia ndaj kundërshtarëve të komunizmit në këtë zonë ishte më ekstreme se në të gjitha zonat e tjera, që u vunë nën kontrollin e bandave të komiteteve. Pjesëtarë të Gardës së Republikës, që u dërguan të vendosnin rendin në Cërrik, u branë e u dogjën të gjallë nga bandat, që në pabesi, sulmuan me armë të rënda karvanin e policisë. Kjo masakër, një nga krimet më makabre të rebelimit, është lënë në hije nga prokuroria, për shkak të implikimit në të të drejtuesve lokalë socialistë dhe të komprometimit të fushatës elektorale të Presidentit Meidani. Më 29 qershor të vitit ’97, në të gjitha raportet e medias të huaj për zgjedhjet në Cërrik vihet re mënyra e votimit nën presionin e armëve, pothuaj vetëm me një kandidat, si dhe me portretet e Hoxhës në shumicën e qendrave të votimit. Me pak fjalë, presidenti u zgjodh deputet e më pas President i vendit, me votat e Enver Hoxhës.
Komunistët, rikthim me bekimin e qeverisë
Një nga hapat që i parapriu rehabilitimit të diktaturës ishte edhe kandidatimi dhe “zgjedhja”, në kundërshtim me ligjin e atëhershëm kushtetues, e deputetit komunist Maks Hasani. Zgjedhja e Hasanit ishte planifikuar dhe kishte marrë “OK” e Partisë Socialiste, krerët e së cilës në Berat e kontrollonin krejt qytetin nëpërmjet komitetit dhe bandave që kishin organizuar. Hasani që doli në balotazh me një deputet socialist, u shpall fitues në raundin e dytë, pasi socialistët u siguruan se kishin marrë shumicën absolute të votave në të gjithë Shqipërinë. Zgjedhja e Hasanit si deputet ishte antikushtetuese për faktin se gjatë gjithë fushatës elektoralë ai ishte paraqitur në opinion si kandidat i Partisë Komuniste, (atëherë jashtë ligjit) dhe kishte bërë propagandë për diktaturën dhe diktatorin, propagandë kjo e ndaluar me ligj. Ligji i atëhershëm, i votuar edhe nga të majtët në minorancë, ndalonte dhe dënonte penalisht propagandën komuniste, enveriste, fashiste, naziste, raciste dhe ndalonte ekzistencën e organizatave politike që përkrahnin këto rryma. Megjithëse jashtë ligjit, Hasani u zgjodh dhe komunistët ilegalë siguruan një vend në Parlament me ndihmën e kriptokomunistëve të Fatos Nanos. Ende jashtë ligjit, Hasani e shpalli vetën në Parlament deputet të Partisë Komuniste (ilegale) dhe u përdor nga mazhoranca për të sulmuar me fyerje e sharje publike liderët e opozitës demokratike antikomuniste. Kujtojmë këtu fyerjet ndaj ish-presidentit Berisha ditën e futjes së opozitës në parlament, si dhe përkrahjen publike të Gafur Mazrekut, atentatorit socialist të Azem Hajdarit.
Kërkesa e Hasanit për abrogimin e ligjit antikomunist në parlament dhe për legalizimin e partive komuniste në Shqipëri, u miratua me shumicë votash nga mazhoranca ish-komuniste. Kjo ishte dhe përpjekja e parë legale e tyre për rehabilitimin e diktaturës dhe figurave të drejtuesve të saj. E keqja 50-vjeçare e Shqipërisë u rishfaq me bekimin e parlamentit dhe presidentit, të cilët votuan dhe dekretuan menjëherë ligjin që rikthente komunistët dhe enveristët në jetën politike të vendit, sikur për 50 vjet të mos kishte ndodhur asgjë.
Kontributi i shtetit në rehabilitimin e diktaturës
Përveç përpjekjeve të “komunistëve të sinqertë”, anëtarëve dhe përkrahësve të organizatave komunisto-enveriste, një kontribut të çmuar në rehabilitimin e diktaturës dhe figurave të saj ndërmorën edhe drejtuesit e shtetit dhe të qeverisë aktuale.
“De jure”, të distancuar nga diktatura, presidenti Meidani, kryetari i Parlamentit Gjinushi, ish-kryeministri Nano dhe kryeministri Majko, ndërmorën veprime që inkurajuan “rivlerësimin” e njerëzve që drejtuan në mënyrën më të egër diktaturën komuniste, që solli shumë fatkeqësi për popullin dhe kombin shqiptar në përgjithësi. Nën moton, të rishikojmë dhe shkatërrojmë gjithçka që bënë demokratët, ata u përpoqën në radhë të parë të ingranojnë në strukturat e shtetit njerëz të njohur si të implikuar në krime të diktaturës ose pinjollë të familjeve drejtuese të saj. Persona të njohur si pjesëtarë të Sigurimit të Shtetit, fanatikë enveristë, zunë poste me rëndësi në polici, SHIK, ushtri, gjykata e prokurori. Ish-drejtues të shoqatave famëkeqe “Vullnetarë të Enverit” u “zgjodhën” deputetë, u emëruan në poste kyçe të administratës, ambasadorë, etj. Njerëz të kërkuar për krime gjatë diktaturës dhe në momentet e rënies të saj, u rikthyen në postet e tyre, edhe pse mbi ta rëndonin ende akuza të rënda.
Në emër të festimeve të përvjetorëve të brigadave partizane ose të festave të çlirimeve të qyteteve dhe zonave të ndryshme, krerët e lartë të shtetit organizuan e morën pjesë në kremtime të bujshme, ku u brohorit për diktatorin dhe u kënduan këngë për të. Shumë prej tyre nuk harruan të shënonin në fjalimet e tyre edhe sulme e fjalë fyese për kundërshtarët politikë të diktaturës, nacionalistët demokratë. Në Pezë, Skrapar, Kurvelesh, Vlorë, Labinot e zona të tjera, fjalimet e përmalluar të Meidanit, Gjinushit, Majkos, Nanos e të tjerëve drejtues të shtetit, janë shoqëruar me brohoritje masive të të pranishmëve për Enver Hoxhën dhe drejtues të tjerë të diktaturës. Në shumë përkujtime, drejtuesit e shtetit e të qeverisë kanë vlerësuar e kanë ngritur dolli për emra të njohur si gjakatarë e kriminelë, autorë të vrasjeve, pushkatimeve, dënimeve dhe internimeve të kundërshtarëve politikë të diktaturës, intelektualëve të shquar, nacionalistëve, klerikëve, familjeve të tyre, që nuk kursyen edhe gra e fëmijë. Kanë vlerësuar e kanë ngritur dolli për autorët e shkatërrimit të kishave, xhamive, teqeve e manastireve, duke shfaqur njëherazi edhe admirim për ateizmin mizor të diktaturës dhe diktatorit.
Festa në Pezë, më 16 Shtator, e transmetuar edhe nga TV Shtetëror, ku Meidani dhe Majko u pritën me thirrjet “Enver Hoxha” të të pranishmëve, një pjesë e mirë e tyre ishin pjesëtarë të administratës shtetërore, është tabloja domethënëse e rezultateve të arritura në rehabilitimin e diktaturës të drejtuesve aktualë të shtetit shqiptar. Të dielën, drejtuesit e lartë të shtetit dhe qeverisë, nën brohoritjet për Enver Hoxhën, festuan në Kuçovë çlirimin e këtij qyteti.
Hakmarrje për llogari të diktaturës
Vrasjet, keqtrajtimet, arrestimet, pushimet nga puna dhe përndjekjet për motive politike në këto dy vjet, janë pa dyshim treguesi i qartë i hakmarrjes politike ndaj njerëzve që udhëhoqën përmbysjen e diktaturës.
Vrasja e Azem Hajdarit, liderit absolut të lëvizjes kundër diktaturës, të iniciuar nga studentët në vitin ’90, politikanit të paepur antikomunist dhe nacionalist, është shembulli i qartë i hakmarrjes politike në emër të diktaturës, që pushtetarët aktualë ndërmorën menjëherë pas ardhjes në pushtet. Katër atentate ndaj tij, njëri në sallën e parlamentit, nga një deputet ish-komunist, pjesëtar i mazhorancës, vërtetojnë vendimin politik të eliminimit të tij jo si person, por si simbol i lëvizjes që rrëzoi diktaturën dhe diskreditoi drejtuesit e saj. Goditja për vdekje e simbolit të demokracisë u shoqërua me eliminime të tjera të njerëzve që kishin udhëhequr lëvizjen antikomuniste në Shqipëri. Në Gjirokastër, Fredi Shehu, njëri prej iniciatorëve të heqjes së bustit të diktatorit nga ky qytet, u vra nga civilë të armatosur, që opozita dhe familja e tij i cilësoi si njerëz të shërbimit sekret (SHIK). Një tjetër student i Dhjetorit, bashkëluftëtar i Azemit, Abdyl Matoshi, u vra në Tropojë pak muaj pas ardhjes në pushtet të ish komunistëve. Bashkim Shkurti, një drejtues i lëvizjes demokratike në vitet ’90 në Lushnjë, u pushkatua pranë banesës së tij. Bujar Suli, një aktivist i njohur anti-komunist në Levan të Fierit. Dhjetëra antikomunistë të njohur në Tiranë, Shkodër, Sarandë, Skrapar, Korçë e Fier, u vranë. U plagosën e u rrahën nga policia edhe militantë të partive të koalicionit qeveritar, vetëm për faktin se ishin antikomunistë.
Gjashtë ish-funksionarë të qeverisjes demokratike, të njohur si antikomunistë, u arrestuan nën akuza për krime kundër njerëzimit, menjëherë pasi prokuroria dhe gjykatat mbyllën çështjen gjyqësore dhe shpallën “të pafajshëm” krerët e diktaturës, të akuzuar me prova për krimet kundër njerëzimit, vrasjet në kufi, dënimet dhe internimet pa gjyq e me gjyq të montuar politik të qindra-mijëra shqiptarëve. Pas vrasjes së Azem Hajdarit, policia arrestoi dhe mbajti në burg në mënyrë të paligjshme, dhjetëra pjesëmarrës në ceremoninë e varrimit të tij. Këta ishin antikomunistë të njohur, intelektualë e drejtues të opozitës antikomuniste. Në këtë grup bëjnë pjesë përveç tre gazetarëve të njohur, edhe kryetari i PLL-së, partia më e vjetër nacionaliste e antikomuniste në vend, Ekrem Spahiu. Mbajtja në burg e tyre është cilësuar si hakmarrje e pastër e përpjekje për të trajtuar, si në kohën e diktaturës kundërshtarët politikë.
Gjatë këtyre dy viteve, në të gjithë administratën shtetërore u pushuan nga puna për motive politike mijëra nëpunës të të gjitha niveleve, edhe pse një pjesë e mirë e tyre e kualifikuan edhe jashtë vendit. Në urdhrat e pushimit të tyre nuk shënohej ndonjë arsye profesionale, gjë që ligjëronte pushimin nga puna si hakmarrje politike.
Mediat, në shërbim të diktaturës
Një rol të dorës së parë në përpjekjet për rehabilitimin historik dhe politik të diktaturës dhe diktatorit kanë luajtur edhe mediat pro-qeveritare dhe ato shtetërore.
Gazetarë e analistë të njohur si enveristë e komunistë kanë botuar shkrime e analiza ku përpiqen të justifikojnë krimet e diktaturës dhe autorët e tyre, duke i zbutur ato me domosdoshmërinë e tyre në kushtet kur ato kryheshin. Intervista të ripërsëritura janë realizuar me njerëz të afërt të diktatorit dhe diktatorin pasardhës, Ramiz Alinë. Janë botuar kujtime të njerëzve të njohur si sadistë e kriminelë politikë e të tjerë si këto. Figura mbi të cilat rëndojnë krime dhe përgjegjësi të mëdha të instalimit dhe jetëgjatësisë së diktaturës, po rivlerësohen duke falsifikuar fakte e dokumente, me qëllim manipulimin e opinionit publik.
Një anketë e nisur në një të përditshme pro-qeveritare, po mundohet të nxjerre si figurë të shquar të shekullit diktatorin Hoxha. Kjo anketë (e paverifikuar) duket se e ka si qëllim në vetvete këtë problem. Përveç Hoxhës, çdo ditë në faqet e të përditshmes dalin emra të urryer për kombin shqiptar, por që nga brezi i ri veprimtaria e tyre nuk njihet shumë. Duket se manipulimi i opinionit të çoroditur të masës së gjerë të painformuar mirë është synimi i kësaj anketë që ka çdo ditë dy faqe gazete.
Disa javë më parë, gazeta e partisë në pushtet i kushtonte një faqe të tërë një figure drejtuese të diktaturës, krahut të djathtë të E. Hoxhës, Hysni Kapos, të cilin e cilësonte si “djalin nacionalist të Vlorës”. Pa hyrë në fakte konkrete, e vetmja gjë që nuk mund të thuhet në mënyrë kategorike për një komunist të kalibrit të Kapos është nacionalizmi. Përgjegjës për eliminimin fizik të dhjetëra figurave nacionaliste gjatë dhe pas luftës, Kapo rreshtohet të figurat kryesore të diktaturës. Busti i tij u hoq me një urrejtje mbarëpopullore nga banorët e Vlorës, në vitin 1991. Përgjegjësi i persekutimit të dhjetëra personaliteteve dhe familjeve intelektuale e nacionaliste, përfshirë edhe ish-drejtues të “ZP”-së, Kapo, mund të jetë gjithçka, por kurrsesi një bir atdhetar i Vlorës, rrethin ku lufta e klasave është zhvilluar në mënyrë të egër. Edhe TVSH-ja e mediat e tjetra vizive pro-qeveritare i kanë kushtuar një kohë të gjatë propagandës në favor të rehabilitimit të diktaturës. Për dy vjet rresht u nxorën nga arkivat filmat dhe veprat e tjera filmike të realizuara gjatë diktaturës, me qëllim falsifikimin e historisë, si dhe u transmetuan në orët e hershme të këtyre ekraneve si kryevepra të artit e kulturës shqiptare. Për këtë arsye, një pjesë e këshillit kombëtar të RTVSH-së ka dhënë dorëheqjen. Ekrani i qeverisë vazhdon t’i trajtojë figurat nacionaliste si tradhtarë, injorantë dhe pa moral. Ndërkohë, kriminelë të njohur komunistë i paraqet si heronj. Ky institucion me rëndësi kombëtare nuk mund të pretendojë se nuk është vënë në funksion të rehabilitimit dhe rikthimit të “nderit të humbur” të njerëzve që mbajtën nën skllavëri për 50 vjet këtë vend. Rikthimi i lavdisë false të heronjve të krijuar nga diktatura, paraqitja e veseve për virtyte, e spiunit si hero, e sigurimsit si babaxhan, e sekretarit të partisë e kryetarit të frontit si njerëz të ndershëm e parimorë, synon rehabilitimin e diktaturës, të instrumenteve kriminale të saj ose “rripave të transmisionit”, siç i konsideronte diktatori të ashtuquajturat organizata të masave. Njerëz pranë këtyre mediave flasin për shuma të mëdha të vëna në dispozicion të këtij rehabilitimi moral e politik të diktaturës, trashëgimia dhe emri i keq i së cilës duket se i mundon pasardhësit politikë e gjenetikë të diktaturës, duke u krijuar edhe një pengesë serioze pasardhësve, në mbajtjen gjatë të pushtetit, edhe pse “de facto” ata e kontrollojnë atë. Me gjithë përpjekjet për t’u paraqitur si të moderuar e reformatorë, emri ish-komunist i përdorur për ta nga politikanë e gazetarë të vendit e të huaj, është një “bisht qeni” për ish-komunistët. Zbutja disi e kujtimit të hidhur të diktaturës, është si një përpjekje për mbylljen e një plage të pashërueshme, që po i mundon së tepërmi ish-komunistët shqiptarë.
*Marre nga libri Diktatura e Dosjeve , Nebil Çika (i Riu) Botuar per herë të parë në “Albania” – 19 tetor 1999