REFIK BEJ TOPTANI, VEPRIMTAR I SHQIPTARIZMIT

SHKRUAR NGA AV. XHAFER SADIKU, Kumtesë e mbajtur në Simpoziumin për kontributin e Refik Bej Toptanit, si veprimtar i shqiptarizmit.
(Muzeu Historik Kombëtar, 24.11.2018)

Kur pas vitit 1945 u diskutuan tezat mbi të cilat do të shkruhej historia e Shqipërisë, pati nga ata që mbrojtën tezën se “lëvizja kombëtare në Shqipëri kish si udhëheqës bejlerët”, dhe se “bejlerët shqiptarë e kishin të qartë rrugën e tyre: duhej të mbronin dhe luftonin për një Shqipëri të lirë; dhe këtë e bënë përgjithësisht”.

Tashmë dihet: triumfuan mbështetësit e vijës së ashpër dhe në historiografi u zbatua teoria e luftës së klasës duke vendosur vija ndarëse: “Ne” dhe “Ata”, “Miq” dhe “Armiq”, “Patriotë” dhe “Tradhëtarë”.

Në këtë mënyrë u trajtuan si armiq e tradhëtarë shumica e atyre që luftuan e punuan për të mirën e Shqipërisë, kryesisht klasa e bejlerëve, të cilët, sipas Syrja Bej Vlorës, “… qenë shkaktarët që ruajtën ekzistencën e Shqipërisë dhe më në fund ata mbërritën me shtjellë flamurin e pavarësisë së saj”.
Njëra nga familjet më të mëdha të aristokracisë së Shqipërisë, që ka dhënë kontribut të madh për atdheun, është padyshim familja Toptani, për të cilën historiografia zyrtare është treguar e padrejtë.

Njëri prej bijve të kësaj familje të madhe, që dha kontribut të madh tërë jetën ka qenë Refik Bej Toptani.

• Seid Seremedin Toptani, rilindasi i harruar

Refik bej Toptani dhe vëllai i tij, Murati, ndoqën rrugën e babait të tyre Seid Seremedin Toptanit. Seid Seremedin Toptani ishte një nga figurat më të ndritura të kohës së tij që u përpoqën për ngritjen kulturore të kombit shqiptar dhe mbollën idenë kombëtare, zgjuan jo vetëm masën intelektuale, por dhe turmat e popullit dhe i dhanë dritë e fuqi Shqipërisë.

I arsimuar në Perëndim, qysh më 1858, ai i dërgoi dy lutje ministrisë (Mexhlisit) të Arsimit, duke kërkuar hapjen e një shkolle laike në Tiranë, me program si ai i vendeve të tjera evropiane, ku merrte përsipër ndërtimin e saj me fondet e veta. Me fondet e veta kishte financuar edhe ngritjen e postkomandave gjatë rrugës Tiranë-Shkodër, për të ruajtur udhëtarët nga hajdutët.

-Po kështu, ai pagoi shpenzimet për segmentin nga Qafa e Kërrabës deri në Bregmati të linjës telegrafike që lidhte Stambollin me Shkodrën dhe vazhdonte deri në Dalmaci, pasi që ajo kalonte nga vendlindja e tij, Tirana.

Që në fillim të viteve 1860 u bënë përpjekje për një alfabet të vetëm të gjuhës shqipe, ku Said Seremedin Toptani ishte njeri nga aktivistët kryesorë. Më 1864, e arrestojnë dhe e internojnë në zonën e Kaukazit. Pas shpalljes së Kushtetutës dhe amnistisë nga Sulltani, ai u kthye në Stamboll ku zuri miqësi të ngushtë me Abdyl Frashërin dhe vëllezërit e tij, Naimin, Samiun dhe Mehmetin.

Studiues të ndryshëm e rendisin emrin e tij përkrah Shemseddin Sami Frashërit, Ismail Qemal bej Vlorës, Konstantin Kristoforidhit, Pashko Vasës, Zef Jubanit dhe Daut Boriçit.

Por punën më të madhe për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe, Seid Seremedi Bej Toptani e bëri në Shqipëri. Shtëpia e tij ka qenë gjithnjë vatër e shqiptarizmit. Atje gjendeshin abetare dhe libra shqipe, të botuara në Stamboll, Bukuresht dhe Sofje. Atë e vizitonin shpesh Hasan Tahsini, Konstandin Kristoforidhi e veprimtarë të tjerë të shqiptarizmit.

– Antar aktiv i “Komitetit të Stambollit” dhe ndër më aktivët për programin e Lidhjes së Prizrenit, ai kundërshtoi disa herë hapur autoritetet osmane. Veprimtaria e tij pasqyrohet në raportet e konsujve të Fuqive të Mëdha në Rumeli, sidomos nga ai i Austro-Hungarisë dhe Rusisë, nga Aleksandër Thomson i Shoqërisë Biblike të Skocisë, si dhe nga studiues të ndryshëm. Për veprimtarinë e tij si antar i udhëheqjes së Lidhjes së Prizrenit, ai u arrestua në Manastir, dhe u dërgua në Stamboll. Porta e Lartë e internoi përsëri në Kaukaz, ku edhe vdiq më 1882.

Në çastet e fundit të jetës, – siç shkruante Refik Beu, – ai e porosit të birin: “…Po vdes pa e pa atdheun tim t’gëzuar siç dishirojshe e u përpoqa…, kam shpresë se ju do të përpiqeni si un dhe dot ja mbrrini asaj dite që dëshirova ta shof u’ atdheun”.

• Refik Bej Toptani dhe Murat Bej Toptani, luftëtarë të arsimit shqip

Bijtë e tij, Refik Bej Toptani dhe Murat Bej Toptani e shpunë më përpara veprën e babait të tyre, si veprimtarë të dalluar të shqiptarizmit, madje Murat beu – dhëndërri i Naim bej Frashërit, më 1897, në moshën 26 vjeç- u arrestua, në të njejtën kohë me Dervish bej Elbasanin. Disa herë i dënuar dhe i internuar për veprimtarinë e tij patriotike.

Refik Toptani iu kushtua ngritjes së vetëdijes kombëtare të bashkëqytetarëve të tij. Sipas Klejer, Refik Toptani ishte angazhuar shumë në shqiptarizëm, dhe ishte “i vetmi që mendonte se fillimisht duhej që Shqipëria të ngrihej kulturalisht dhe ekonomikisht përpara se të vetqeverisej në mënyrë autonome”.

– Më 1908 ai drejtoi komitetin Shoqëria Mirëbërëse, e cila kishte për qëllim ruajtjen e qetësisë, futjen e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore dhe hapjen e shkollave shqipe.
– Në tetor të atij viti, u krijua klubi “Bashkimi” i cili kishte në program bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje dhe të trevave shqiptare po ashtu. Kryetar u zgjodh Refik Toptani, ndërsa anëtarë të klubit “Bashkimi” ishin pothuaj se e gjithë paria e Tiranës.
– Refik Bej Toptani ishte përfaqësuesi i vetëm i Tiranës në Kongresin e Manastirit, i cili përcaktoi Alfabetin e gjuhës shqipe. Në procesverbalin ku janë përcaktuar dy alfabetet e gjuhës shqipe, është edhe vula e Refik Bej Toptanit. Dokumentacioni i pasur arkivor për atë ngjarje shumë të rëndësishme të historisë kombëtare na njeh me kontributet e shumë patriotëve, midis të cilëve, edhe të Refik Bej Toptanit.
– Refik bej Toptani dhe Hafiz Ibrahim Dalliu morën pjesë si përfaqësues të Tiranës edhe në kongresin e Elbasanit, që u zhvillua nga data 20 deri 26 gusht 1909, kongres ky që vendosi hapjen e Shkollës Normale, për përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe.
– Sipas gazetës “Dielli”, të 8 tetorit 1909, Refik Toptani ishte në komisionin që hartoi një listë me emrat e shqiptarëve të pasur dhe u kërkoi ndihma për mbajtjen e shkollave shqipe.

Po kështu, ai ishte antar i komisionit që hartoi rregulloren dhe programin për mësonjëtoren dhe mësonjësit dhe që formalizoi vendimet e kongresit. Antarë të komisionit ishin edhe Mid’hat Frashëri, Kristo Dako, Dom Nikoll Kacorri, Qirjazi, Cilka, etj.

Kongresi i Elbasanit strukturoi dhe organizoi funksionimin e shkollave shqipe, për drejtimin e të cilave u formua shoqëria “Përparimi” në Korçë. Por, disa muaj më vonë do të shpërthente një kryengritje tjetër ku Refik Toptani do të kishte rolin e tij.

– Për të shtypur kryengritjen e vitit 1910, qeveria xhonturke dërgoi ekspeditën e Turgut Pashës dhe krijoi gjykatat ushtarake të jashtëzakonshme. Refik Bej Toptani u gjykua në mungesë nga Gjykata Ushtarake e Jashtëzakonshme e Elbasanit, pasi që, siç lexojmë në vendim, në shtëpinë e tij “u gjetën një shumicë fletoresh të dëmshme, një libër që ka shkruar Sh. Sami Frashëri mbi pavarësinë e Shqipërisë, që është përkthyer nga Shahin Kolonja dhe portreti i një shqiponje, që kishte të shkruara fjalët Rroftë Shqipëria…”

• Kryengritja e verës 1912 dhe Pavarësia

Refik Bej Toptani, krahas Abdi Bej Toptanit dhe bashkë me patriotë të tjerë tiranas dhe zonave përreth, mori pjesë aktive në kryengritjen e vitit 1912, që përgatiti pavarësinë e Shqipërisë. Kryengritja ishte planifikuar që në ditët e para të janarit 1912, në një mbledhje që u mbajt në shtëpinë e Syrja Bej Vlorës, në lagjen Taksim të Stambollit, ku morën pjesë Ismail Qemali, Esad Pashë Toptani, Aziz Pashë Vrioni, Myfit Bej Libohova dhe Hasan Bej Prishtina. Sipas Syrja Bej Vlorës, ata lidhën besën dhe u betuan se do të përpiqeshim me çdo sakrificë për shpëtimin e kombit.

– Fillimi i kryengritjes në trevën e Tiranës u shpall nga Refik Toptani në një kuvend të mbledhur në fshatin Kamëz, në gjysmën e dytë të qershorit. U formuan dy çeta kryengritësish: njëra e kryesuar nga Abdi Bej Toptani që vepronte në zonën e Krujës dhe tjetra nga Refik Toptani, që veproi kryesisht në zonën e Vorës, Shijakut, Ndroqit.

-Në verë 1912 revolta e shqiptarëve dha rezultate të cilat i tejkalonin të gjitha parashikimet. Kabineti dha dorëheqjen, paralamenti u shpërnda dhe komiteti ekzekutiv i partisë “Bashkim e Përparim”, u detyrua t’u jepte shqiptarëve të gjitha ato që kërkonin.

Me fillimin e luftës ballkanike, më 8 tetor 1912, elita shqiptare u përpoq të shpëtonte vendin.

-Më 18 tetor 1912, Syrja Bej Vlora u dërgonte një letër Abdi, Hamit, Refik e Murat Toptanit ku, pasi i informonte për situatën në territoret shqiptare, midis të tjerave shkruante: “Ju që e kërkuat kombin me pushkë, mos ngurroni me e kërkue tashti së paku me pendë”.

Ata u shpërndanë në zonat e Krujës, Shijakut, Fushkrujës, Tiranës, Dibrës e Matit dhe pasi e njohën popullin për gjendjen e vendit, u zgjodhën nga dy përfaqësues për në kuvendin kombëtar.

– Ndërkohë, në Durrës mbërritën përfaqësuesit e Shqipërisë së Epërme, por duke mos e gjetur gjendjen të favorshme, u kthyen në Tiranë, në shtëpinë e Refik e Murat Toptanit. Aty i telegrafuan Esad Pashë Toptanit që ishte në Luftën e Shkodrës dhe i kërkuan mendim si të vepronin. Sipas gazetës “Populli”, Esad Pasha u tha të shkonin kah Toskënia.

– Më 21 nëntor mbërriti në Durrës Ismail Qemali me bashkëudhëtarët e tij. Për ta pritur, dolën në Durrës Abdi Toptani, Hamit Toptani dhe Refik e Murat Toptani. Refik Toptani shkoi për një natë në katund dhe u siguroi njizet kuaj me shalë për të udhëtuar për në Vorë. Në udhëtimin historik ishin edhe Abdi e Murat Toptani, të cilët kanë firmosur Aktin e Pavarësisë së Shqipërisë.

– Më 26 nëntor, dukej se qendra e zhvillimeve politike ishte Tirana. Ndërsa ushtritë serbe po marrshonin me shpejtësi drejt Tiranës, antarët e këshillit u mblodhën në ndërtesën e qeverisë dhe vendosën të shpallnin vetqeverimin e Shqipërisë dhe asnjanësinë e saj. Ky vendim historik, i marrë nga antarët e këshillit: Refik Bej Toptani, Fuad Bej Toptani, Xhelal Bej Toptani, Abdullah Gjinali, Sheh Ahmet Pazari, Myderiz Sulejman, Myderiz Hysen, Myslym Beshiri, Jusuf Aqif Banka, Selim Petrela dhe Papa Nikolla Papajani, u shpall përpara popullit të Tiranës nga Refik Bej Toptani.

– Kryetari i pushtetit ekzekutiv të Tiranës, Refik Toptani, hartoi me ngut një protestë drejtuar konsullit të Austro-Hungarisë në Durrës dhe për njoftim Ismail Qemalit në Vlorë. Në të lexohet:

“Pasi shteti ynë, ka shpallur Pavarësinë, ne e ftuam komandantin e ushtrisë serbe, që të ndërpriste veprimet armiqësore. Mirëpo ai po sillet në një mënyrë që nuk i përshtatet sjelljes kundrejt një shteti të paanshëm dhe ka për qëllim të shkelë qytetin tonë. Ne protestojmë”.
Toptanët mbështetën qeverinë e Princ Vidit dhe u persekutuan e i’u dogjën shtëpitë nga kryengritja e atyre viteve.

• Raporti me pushtetin dhe popullin

Refik Toptani ishte i dashur për popullin pasiqë karakterizohej nga humanizmi. Kur ra zija e bukës dhe njerëzit vdisnin nga uria, kur spekulantët ngrinin çmimin e bereqetit, Refik Toptani e uli çmimin me 60 përqind, duke detyruar tregëtarët të ulnin edhe ata çmimet. Humbi dhjetë mijë napolona, por shpëtoi njerzit nga vdekja. Formoi Strehën Vorfnore dhe i bëri dhuratë për çdo vit nga 150 copë napolona. U fali pjesën e tij të shtypshkronjës “Tirana” që pat kushtuar pesëqind napolona ar.

– Në vitet 1921 – 1922, Refik Bej Toptani ishte deputet i Partisë Përparimtare, ndërsa në 1922-1925, anëtar i Këshillit të Naltë. Kur u krijua Biblioteka Kombëtare, Refik Beu dhuroi libra për të pasuruar fondin e saj.

– Me formimin e qeverisë së Iliaz Vrionit, Refik Beut iu ofrua posti i ministrit, por ai nuk pranoi. Në një dokument dërguar kryeministrit, ai i parashtroi një program prej tetë pikash, se si e mendonte ai organizimin dhe funksionimin e qeverisjes së vendit. Idetë e tij ishin moderne, madje janë me vlerë edhe për sot. Refik Beu ishte mbështetës i të rinjve të arsimar dhe të aftë për t’i shërbyer popullit, gjë që e tregoi gjatë periudhës kur ishte anëtar dhe kryetar i Këshillit të Naltë.

– Ata që fituan në kryengritjen e qershorit 1924, e morën të pandehur në mungesë, patriotin e shquar Refik Toptani, që kishte sakrifikuar 30 vjet për atdhenë dhe popullin. Në një letër të gjatë dërguar nga Vjena, ai deklarohej i pafajshëm dhe theksonte se ligja, njerëzorja dhe e drejta, si dhe shërbimi që i kishte bërë atdheut, do të shpallte pafajësinë e tij.

– Te flasësh për kontributin e Refik Toptanit dhe Toptanëve në përgjithësi në të mirë të Atdheut duhen orë të tëra. Kontributi i tyre në shërbim të çeshtjes shqiptare nuk duhet harruar dhe padrejtësitë që u janë bërë, vetëm pse i përkisnin aristokracisë shqiptare, duhen kujtuar.

Nderim për ta!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top