Para disa ditësh, vëllezërit Qerim dhe Ibrahim Kelmendi, duke u thirrur në rolin dhe pozitën e tyre para, gjatë dhe pas luftës, me shumë mburrje deklarojnë se Presidenti Rugova paska qenë i shënjuar si tradhtar dhe paska qenë në krye të një liste të njerëzve që do të duhej ekzekutuar në vend. Për më tepër, pa fije turpi, ata thonë se po t’u kishte dhënë mundësia këtë vrasje do ta bënin edhe vetë.
Si familjarë, por edhe si ithtarë të paepur të mendimit politik të Presidentit Rugova, kemi pritur që do të ketë një reagim institucional, qoftë nga institucionet e Republikës apo edhe nga LDK si parti, por ky reagim ka munguar. Pa dashur që të ndërhyjmë në fushatën aktuale për të mbledhur vota për një kandidaturë të caktuar për President të Republikës, shprehim indinjatën e thellë me mungesën e reagimit për këtë çështje kaq të ndjeshme.
Në emrin tim personal, por edhe në emër të atyre familjarëve të Presidentit Rugova me të cilët jam konsultuar dhe që ndajnë po të njëjtin shqetësim, kërkoj që institucionet e vendit, përfshirë edhe ato të drejtësisë dhe policisë, të reagojnë, të veprojnë dhe të kërkojnë sqarimet e duhura, sepse nëse paska ekzistuar kjo listë ekzekutimesh, nëse dikush vërtet paska synuar që të vrasë Presidentin Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij, atëherë dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë punë.
Përndryshe, në një raport krejtësisht njerëzor dhe në përputhje me traditën shqiptare, si pinjollë të një familjeje me traditë të dëshmuar kombëtare, si pinjollë të derës së Rrustë Sadrisë dhe Sadri Elezit, ia përkujtojmë vëllezërve Kelmendi se, nëse iu ka ngelur merak që nuk keni mundur të përlyeni duart me gjakun e burrit më të madh jo vetëm të fisit tonë por edhe të gjithë Kosovës, ne, gjaku i Presidentit Rugova, por edhe panumërt shumë pasues të mendimit të tij politik, jemi këtu dhe ju presim”, ka shkruar Dr. Naser Rugova në Facebook.