Reagojnë diplomatët: NATO nuk ka kërkuar nga BDI-ja t’i lë anash çështjet etnike

“Ne e inkurajojmë BDI-në dhe i duartrokasim për çdo çështje të zgjidhur etnike, duke pas parasysh se çështjet e pazgjidhura etnike kanë gjeneruar kriza, të cilat më pas negativisht reflektohen në rrugën e vendit jo vetëm drejt NATO-s, por edhe drejt BE-së. Vetë fakti që Maqedonia sot e kësaj dite nuk është anëtarësuar në NATO tregon se nuk ka ndonjë efekt nga lënia anash e çështjeve etnike”, thotë për “Lajm” një diplomat në Shkup, që vjen nga një vend anëtar në NATO

Shkup, 30 maj – Disa diplomatë të vendeve vende anëtare të NATO-s kanë shprehur habi të madhe nga deklarata e zëdhënësit të BDI-së, Bujar Osmani, i cili deklaroi se BDI me vetëdije ka hequr dorë nga zgjidhja e çështjeve etnike, sepse prioritet e ka anëtarësimin në NATO.

Këtë deklaratë të Osmanit ata e vlerësojnë si një arsyetim të pakuptimtë, duke theksuar se zgjidhja e çështjeve etnike dhe anëtarësimi në NATO janë një prioritet i përbashkët, që nuk mund të ndahet nga njëri tjetri.

“NATO nuk ka kërkuar nga BDI që të lë anash çështjet etnike, sepse sa më shumë çështje të pazgjidhur që ka një shtet, aq më larg NATO-s gjendet. Ne e inkurajojmë BDI-në dhe i duartrokasim për çdo çështje të zgjidhur etnike, duke pas parasysh se çështjet e pazgjidhura etnike kanë gjeneruar kriza, të cilat më pas negativisht reflektohen në rrugën e vendit jo vetëm drejt NATO-s, por edhe drejt BE-së. Vetë fakti që Maqedonia sot e kësaj dite nuk është anëtarësuar në NATO tregon se nuk ka ndonjë efekt nga lënia anash e çështjeve etnike”, thotë për “Lajm” një diplomat në Shkup, që vjen nga një vend anëtar në NATO.

Ai frikohet se arsyetimet e tilla të BDI-së, se zgjidhja e çështjeve etnike pengon anëtarësimin e vendit në NATO, mund të krijojnë pasqyrë të gabuar për NATO-n te komunitete të caktuara në Maqedoni,

“Distancohemi nga çdo paraqitje e tillë, qoftë nëse vjen nga ndonjë politikan i papërgjegjshëm, ose nga ndonjë parti politike. NATO përkrah zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura etnike. Zgjidhja e këtyre çështjeve vetëm se kontribuon për plotësimin e kushteve për anëtarësim të vendit në NATO, që po pengohet nga mungesa e vullnetit për zgjidhjen e çështjes së emrit”, thekson ai.

Selmani: DUI po flet gjepura

Analistët shqiptarë në Maqedoni vlerësojnë se deklarata e Bujar Osmanit ka për qëllim të mbulojë dëshmtimet e partisë së tij për të realizuar premtimet me të cilat kërkuan votën e shqiptarëve. Analisti Naser Selmani, në një mega-deklaratë për “Lajm”, ka zbërthyer rolin e BDI-së, që ai e quan DUI, në qeverinë aktuale. Në vazhdim ju sjellim deklaratën e tij të plotë:

“Nga njerëz të dështuar, të kapur dhe të korruptuar në politik mund të dëgjosh lloj-lloj gjepurash. Është qëndrim antishqiptar të thuash se të drejtat e shqiptatrëve paskan bërë peng anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE dhe se dikush paska nevojë që t’i saktifikojë ato?! Të drejtat e shqiptarëve janë të garantuara me Marrëveshjen e Ohrit, e cila është inkorporuar në Kushtetutë dhe reazlimi i të drejtave etnike dhe qytetare të shqiptarëve vetëm sa do ta avanconte procesin e integrimit.

Deklarata e Osmanit është ndërrim tezash në stilin e propagandës sovjetike, e cila është e aftë të prodhojë gënjeshtra, të cilat opinionit do t’i serviren si të vërteta. Njerëzit e DUI duke qenë të kapur, të paaftë dhe të korruptuar, shpikin taza idioteske për të fshehur dëshimin e tyre politik për të përfaqësuar denjësisht interesat e shqiptarëve.

DUI nuk ka guxim të thotë se integrimin e vendit e pengon establishmenti shtetëror maqedon, i cili me të gjitha format e mundshme opstruon demokratizimin dhe integrimin e vendit. Nacionalistët maqedon, që kontrollojnë institucionet më të rëndësishme të shtetit, kundershtojne demokratizimin dhe integrimin e vendit në NATO dhe BE sepse nuk duan të ndajnë pushtetin me shqiptarët dhe nuk duan të humbin kontrollin mbi shtetin, të cilin e llogaritin si shtet ekskuzivisht të maqedonëve.

DUI ka dy fytyra, fytyrën e rreme dhe fytyrën e vërtet. Fytyra e rreme e DUI është se kjo parti kinse angazhohet për interesat e shqiptarëve dhe intergrimin e vendit, ndërsa fytyra e vërtetë, është fytyra e vërtet është se kjo parti është shëndruar në një formacion të kriminalizuar politik, i cili me përkushtim u shërben interesave të shtetit të kontrolluar nga nacionalistët maqedon. Ky pozicion kuislingësh në politikë u ka siguruar benifite materiale krerëve të partisë dhe militantëve partiak duke shkelur mbi interesat e përgjithshme të shqiptarëve.

E vetmja arsye për ekzistimin e DUI në politikë është shërbimi me përkushtim të interesave të establishmentit shtetëror maqedon dhe të pengojnë ngritjen e shqiptarëve në faktor real politik, i cili do të jetë në gjendje të jetë Zot i vetës dhe të kontriboujë për ndërtimin e Maqedonisë si shtet i lirë, demokratik, i integruar dhe shumëetnik.

Faktet flasin se gjatë 12 viteve në pushtet të DUI Maqedonia nuk është bërë vend as më i lirë, as më demkokratik, as më i integruar, as më shumëetnik. Me DUI në pushtet Maqedonia është bërë shtet policior, i cili me metoda të KGB në mënyrë masive shkel të drejtat e qytetarëve, ndërsa me skenare të montuara dhe të përgjakshëm luftonë bashkësinë shqiptare. Me ndihmën e DUI në Maqedoni po vidhen dhe manipolohen zgjedhjet duke prodhuar votues fiktiv, qofshin qytetarë të vdekur, maqedon nga vendet fqinje, apo maqedon në emigracion, të cilët nuk kanë kurrëfarë lidhjesh me vendin. Me DUI në pushtet Maqedonia kurrë nuk ka qenë më largë anëtarësimit në NATO dhe BE. Pëkundrazi, krerët e shtetit dhe të qeverisë hapur koketojnë dhe u afrohen shteteve autoritare, siç janë Rusia, Kina apo Turqia.

Me DUI në pushtet Maqedonia nuk u bë shtet shumëetnik, përkundrazi ka marrë hovë nacianlizmi ekstrem maqedon, i cili duke keqpërdorur institucionet e shtetit ka vënë në shërbim resurset e vendit në shërbim vetëm të bashkësisë etnike maqedone duke lenë pas dorë bashkësitë tjera.

Prandaj këtë deklaratë të Bujar Osmanit e kuptojë si pjesë e propagandës së planifikuar të DUI për të ruajtur pozicionin e kuislingut në pushtet dhe për të shmangur përgjegjësinë para shqiptarëve për dështimet dhe krimet e bëra të pushtetit gjatë 10 viteve të kaluara”.

Zeqiri: Deklarata e Osmanit është e palogjikshme

“Kjo deklaratë nuk ka lidhje as me sinqeritetin e as me logjikën. Po të ishin të sinqertë këtë deklaratë do ta bënin në fushatë dhe atëherë do ta merrnin përgjigjen më të mirë. Sipas logjikës së BDI-së Merkeli duhet mos të bëjë asnjë veprim për gjermanët por të kujdeset vetëm për NATO. BDI bie në kundërshtim me deklaratat e veta. Thonë se i kanë lënë anash çështjet etnike e rrahin gjoks se hapin universitet shqip në Shkup. Cila është gënjeshtër tani. Sipas meje as çështjet etnike, as NATO e as universitet shqip nuk do të kemi”, thotë për “Lajm”, analisti Arben Zeqiri. Sipas tij, e vetmja kauzë e BDI-së është të shpëtojnë Gruevskin dhe falë tij pastaj të shpëtojnë edhe ata nga drejtësia, por të vazhdojnë të mbeten në baltën që kanë hyrë tani e një kohë të gjatë.

“Meqë integrimi në NATO dhe BE qenkan prioritet dhe agjenda etnike e pengon këtë proces, pse atëherë Ahmeti e bëri luftën e vitit 2001 (nëse e ka bërë ai) dhe nuk priti një herë të integrohet Maqedonia në NATO dhe pastaj ta fillojë luftën. Do të thotë që lufta nuk qenka agjendë kombëtare apo do të thotë që lufta e vitit 2001 e pengoi anëtarësimin në NATO dhe BE? Ja logjika e BDI-së”, pyet Zeqiri.

Ndryshe, zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, si një ndër të rrallët që po merr guximit për t’u paraqitur para qytetarëve në mbrojtje të kësaj partie, me çdo paraqitje vetëm po iriton shqiptarët, shkruan Fakte. Ai në një intervistë televizive edhe një herë në mënyrë të prerë ka deklaruar se “BDI me vetëdije të plotë i ka lanë anesh të gjitha çështjet etnike, për shkak se prioritet për shqiptarët është integrimi në NATO”.

Osmani gjithashtu është shprehur se “të gjitha partitë tjera përveç BDI-së janë parti sezonale, që hapen e mbyllen, ndërsa BDI është e vetmja parti shqiptare që do të jetë e përhershme”. (BS)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top