Shkruan: Tanush KASO
Siç është bërë e njohur, më 16 mars 2016, Shoqata e ish të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, vendosi një pllakë përkujtimore, pranë vendit ku ka qenë Drejtoria e Sigurimit të Shtetit (në Rrugën e Dibrës, pranë selvisë), ku janë izoluar e torturuar shumë qytetarë të Tiranës e të rretheve të tjera, të pafajshëm ose që dyshoheshin si antikomunistë. Në vitet e para, aty janë torturuar deri në vdekje edhe persona, të cilëve Sigurimi u kërkonte florinjtë, që dyshonte se i kishin fshehur.
Në vitin 1998, kur ajo ndërtesë qëndronte ende në këmbë, Shoqata e ish të Burgosurve Politikë në bashkëpunim me forumin e grave të burgosura, kishte vendosur një pllakë përkujtimore, e cila u hoq gjatë prishjes së asaj dhe ngritjes së një pallati të madh shumëkatesh. Para tre vjetëve, po kjo Shoqatë, me ndihmën e z.Arben Tafaj, kryetar i Shoqatës “Tirana” dhe ish-kryetar i Njësisë Bashkiake Nr.8, e rivendosi atë pllakë, në pjesën e përparme të pallatit të ri. Por, siç duket pronarit të dyqanit mbi fasadën e të cilit u vendos pllaka, nuk i pëlqeu kjo gjë. Prandaj, me pretekstin e rregullimeve dhe të zbukurimit të dyqanit, e hoqi dhe e zhduku atë pllakë, e cila -siç na thanë- ishte dëmtuar “pa dashje”. Kësisoj, na u desh të përgatisnim e ta rivendosnim për të tretën herë, në faqen anësore të murit të pallatit, atë pllakë prej mermeri, në kujtim të të rënëve nga torturat.
Në ceremoninë e rastit, ku u mbajt një minutë heshtje për viktimat e torturave, merrnin pjesë, përveç kryetarëve të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, edhe shumë ish të burgosur e të përndjekur politikë të nderuar e idealistë. Pastaj të pranishmit kaluan për një kafe, tek lokali i afërm, ku u zhvillua një bisedë e lirë, me mbresa e kujtime. Gjithçka shkoi për bukuri. Po ndërsa njerëzit po largoheshin, na u shfaq papritmas një “revolucionar i revoltuar”, i cili na kërcënoi se do ta hiqte atë pllakë, të vendosur, siç pretendonte në pronën e tij. Kur e pyetëm se kush ishte, ai na u prezantua me emrin Naim Vathi, tiranas. U zhvillua një debat i ashpër, ku ishim së bashku me mikun tonë të fb, z.Sebastian Zonja. Por, kur i përmendëm emrin e z.Arben Tafaj, ai sikur u zbut disi, si bashkëqytetarë që ishin. Por, më vonë mësuam se nuk paska qenë vetëm ai “i revoltuar” nga ajo pllak[, që nuk ka asnjë fjalë fyese për banorët dhe pronarët e atij pallati madhështor, të ngritur mbi shpirtërat e viktimave të pafajshme të terrorit komunist. Zonja Nedime Delvina, e përndjekur, motra e historianit të njohur Sherif Delvina, na tregoi se pak ditë më parë kishte zhvilluar një debat të ngjashëm, me nja dy të njohurat e asaj, banore të atij pallati me bindje komuniste, për atë pllakë, që nuk dihet përse i trondit aq shumë disa banorë e dyqanxhinj të atij pallati, që me sa duket “e kanë mizën në kësulë”, siç thotë populli.