SHKRUAN: REXHEP SHAHU
Nëse Xhavit Haliti nuk ka qenë asnjëherë në Kukës, Has e Tropojë, nëse Xhavit Haliti nuk ka qenë kurrë në Kolsh e në Kalimash të Kukësit, në Tropojë, nëse Xhaviti nuk i ka pas sytë me vete, veshët me vete por ka qenë qorr e shurdh atëherë nuk ka pas FARK.
Unë i kam parë me sytë e mi qindra e qindra trupa të FARK-ut dhe më vjen turp të bëj logje sot me lloj lloj Xhaviti. I kam parë me sytë e mi, i kam prekë me duar, jam përshëndetë kur hynin në luftë në Kosovë. Janë njerëz me emra e mbiemra, janë plotë ushtarë dhe është krim i rendë dhe i poshtër të thuash se nuk kanë qenë, nuk ka pas FARK. Qindra e qindra ushtarë të FARK-ut kanë qenë legalë dhe nuk kanë qenë ilegalë si Xhaviti nëpër Kukës. Ushtarët e FARK-ut kanë qenë realitet, kanë qenë të grupuar, stërviteshin në Kolsh e Kalimash, nuk rrinin skutave me Xhavitat, kanë qenë legalë, institucionalë, përgatiteshin dhe hynin në luftë nuk endeshin kafeneve si Xhavitat.
Më vjen shumë keq e turp të mohohet lufta, kontributi, pjesëmarrja e ushtarëve të FARK në luftë. Nëse nuk ka ekzistuar FARK, trupat e FARK, ushtarët e FARK, nuk ka ekzistuar kurrë Xhavit Haliti por hija e tij, fantazma e tij. Kur mohohet sot kontributi i ushtarëve të luftës, i ushtarëve të FARK-ut që janë gjallë, vajmedet çfarë do të bënin Xhavitat pas 50 vjetëve. Unë shkoja dy tre herë në javë në Kolsh, rrija me ushtarët e FARK-ut në qendrën e tyre të stërvitjes. Një natë nentori 1998 mbi 10 kamionë ushtrie vuri në dispozicion të trupave të FARK-ut që ishin në Kolsh gjenerali Kudusi Lame dhe trupat e FARK-ut udhëtuan nga Kukësi në Tropojë e nga Tropoja mbi Krume, Vlahen, Pashjtrik dhe hynë në Kosovë në rajonin e Suharekës. Unë i kam parë me sytë e mi dhe unë u besoj syve të mi më shumë se përrallave të Xhavitave. Ky është vetëm një detaj, por janë dhjetëra e dhjetëra histori me ushtarë të FARK-ut.
(Në foto: Ushtarakët e lartë të Kosovës: Muhamet Vishaj i pari në foto majtas ne vështrim përballë, Ahmet Alishani i dyti që drejtonin stërvitjet e trupave të FARK në Kolshë, Rexhep Shahu, dhe gjeneral Kudusi Lame komandant i divizionit të Kukësit një ditë fillim janari 1999 në Kukës në promovimin e numrit të parë të revistës kulturore Dy Drina, foto e botuar ne kete reviste ne ate kohe).