Reagim i Shoqatës “Trojet e Arbrit”, lidhur me një kërkesë të 8 akademikëve gjakovarë të Kosovës që Fadil Hoxhës t’i jepet titulli “Nderi i Kombit”.
Na habiti shumë informata që, në rrethanat aktuale në Kosovë, ku ndasitë dhe problemet ekzistenciale po e rrezikojnë seriozisht edhe perspektiven e saj si shtet i pavarur, të dalin nostalgjikët komunistë të akomoduar në Akademinë tonë dhe të përpiqen të lartësojnë veprimtarinë e Fadil Hoxhës, liderit kryesor komunist në Kosovë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në një reagim të “Expresit” na është rifreskuar kujtesa për disa nga gjynahet e shumta të Fadil Hoxhës, të cilat i ka shumë të njohura edhe ideatori i këtij propozimi, Jusuf Bajraktari.
Prandaj shtrohet pyetja pse u pranua në Akademi vetëm ky “historian” nostalgjik i Fadil Hoxhës e u refuzuan pa asnjë sqarim, Zekeria Cana, Ramiz Abdyli, Jahja Drançolli, Izber Hoti etj. Cili nga Akademia i ka refuzuar shkencëtarët më të zotë në Kosovë dhe, në vend të tyre, ka pranuar vetëm Jusuf Bajraktarin? Si është e mundur që recensionin për të ta shkruajë një “historian” i filozofisë marksiste dhe shef shumëvjeçar i Kabinetit të Fadil Hoxhës?!
Në shoqatën “Trojet e Arbrit” jemi të inkurajuar kur mësuam se Presidenti Nishani nuk kishte rënë në grackën e mjeshtërve të dredhive dhe të prapaskenave për këtë lloj maskarade. Na duket e çuditshme, përse akademikët nga Gjakova e injorojnë institucionin e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe i drejtohen presidentit të Shqipërisë. Ne mendojmë, se propozuesit do të ishte dashtë që kërkesën t’ia bënin presidentit të Republikës së Kosovës, zoti Hashim Thaqi. Dhe ky, si ish komandant, historian, si dhe President i Kosovës, por edhe nëse duam edhe si drenicas, do të mund ta vlerësonte më mirë se askush tjetër, “ndihmesën” e Fadil Hoxhës për të “mirën” e Kosovës dhe kujdesin e tij për shtypjen e “kontrarevolucionit” në Drenicë, për dhunën dhe terrorin që ushtrohej, sidomos në këtë krahinë, për mobilizimin e djalërisë heroike të Drenicës në kolonat e vdekjes për në Tivar e gjetiu dhe, sidomos, për kujdesin, që asnjë gjakovar të mos gjendej bashkë me ta në këtë kalvar të pashembullt… Këta kanë mundur të llogarisin në presidentin Thaqi, sepse ky e pat nderuar Fadil Hoxhën, madje duke i bërë varrim me nderime ushtarake. Por tani këtë nuk do ta bëjë as presidenti Thaqi, sepse ka kaluar plotësisht koha e nostalgjisë për ata që ishin bashkëpjesëmarrës në ripushtimin e Kosovës me vise dhe kumbarë të copëtimit dhe aneksimit të tyre nga Serbia, me ata që miratuan dhunën dhe terrorin, aksionin e armëve, konfiskimin e tepricave ushqimore, burgjet dhe internimet, shpërnguljen dhe gjithë vuajtjet që pësoi popullli i Kosovës me vite e dekada. Nuk do të bëhet kjo, ngase, me këtë akt, do të ndiheshin të fyer e të injoruar me qindra e mijëra dëshmorë e heronj, që luftuan dhe u flijuan për Kosovë e Shqipëri. Do të lëndoheshin me dhjetëra mijëra studentë të dikurshëm që demonstruan trimërisht, e të cilëve, për sakrificat dhe angazhimin shumë atdhetar, Fadil Hoxha u tregoi “birën e miut 300 grosh” dhe i quajti “plehu i Kosovës”.
E Fadilin e kanë njohur mirë shqiptarët dhe rinia e Kosovës. Prandaj atij i është kënduar edhe kështu:
“Sepse sot vajton Kosova,
E trathtueme nga Fadil Hoxha.”
Ishte kjo këngë e Tiranës, e adaptuar për Kosovën, e kënduar më 1967, edhe Ditën Flamurit, nga studentët e asaj kohe të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren. E këtë këngë e kënduan ata edhe në demonstratat e vitit 1968.
Po të ishte Fadili, ashtu siç u munduan ta kontrabandonin akademikët gjakovarë, ai, pas heqjes se autonomisë se Kosovës, do të dilte në botën e jashtme si Dalaj Lama i Tibetit, kur Kina ia pushtoi dhe aneksoi vendin e tij dhe të alarmonte botën se, e njejta gjë, po i ndodhte edhe Kosovës, apo të bënte edhe ndonjë akt tjetër për t’u vlerësuar.
Prandaj, anëtarët e shoqatës “Trojet e Arbrit” kërkojnë që Akademia e Kosovës, në vend të këtyre propozimeve të pakuptimta, të zotohet për hartimin dhe realizimin e projekteve, që do të jipnin ndihmesë për afirmimin e shtetësisë së Kosovës, për zhvillimin dhe për përparimin e saj. Kjo do të kishte më shumë vlerë se zotimi për Fadil Hoxhën, kur dihet se mbi figurën e tij rëndojnë dyshime të mëdha, të pazbardhura kurrë, që nuk do ta lejonin atë për të fituar respektin e popullit shqiptar. Ithtarët e Fadil Hoxhës mund t’i shprehin mirënjohjen e tyre personale idolit të tyre, por jo edhe në emër të Kosovës dhe të shqiptarëve.
Duam të theksojmë, se në asnjë vend ish – komunist nuk ka ndodhur që dikush nga strukturat drejtuese të asaj kohe të shpallet hero apo nderi i kombit. Përjashtim, ndoshta, mund të bëhej vetëm për Millan Kuçanin e Sllovenisë, të cilin populli slloven e ka dashur dhe e ka zgjedhur President edhe pas shpalljes se pavarësisë së Sllovenisë.
Për shoqatën e intelektualëve mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit”
Prof. dr. Muhamet Shatri, kryetar
Mr. sc. Nue Oroshi, nënkryetar