REAGIM I SHOQATËS SË VETERANËVE TË LUFTËS

Ndaj disa mediumeve elektronike dhe të shkruara (ina-online.net, lajmpress.com etj., të cilat paragjykuan se Daim Hiseni po ja merr SHVL-në Fazli Veliut.

            Publikisht ju njohtoj se Daim Hiseni as nuk ia merr shoqatën Fazli Veliut dhe as nuk ia jep shoqatën Fazli Veliut. SHVL-ja, nuk është as e Daim Hisenit dhe as e Fazli Veliut. SHVL-ja nuk është firmë private dhe nuk duhet lejuar që edhe në të ardhmen të manipulohet me te sikurse është manipuluar dhe uzurpuar deri më tani nga grupe të caktuara.

SHVL-ja është një shoqatë qytetare e themeluar pas luftës së vitit 2001 e cila në programin e saj për qëllim ka ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës si meritë dhe rezultat i gjithë atyre djemëve dhe bijave të këtij kombi të cilët gjatë asaj kohe ishin rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

UÇK-ja ishte formacion ushtarak i përbërë nga djemtë dhe vajzat e mobilizuara, si dhe familjet civile të cilat e mbështetën fizikisht, moralisht dhe materialisht.

Kuvendi, Organet dhe anëtarësia e SHVL-së janë timoni i ecurisë së punës dhe sjelljes së vendimeve për realizimin e pikave që dalin nga Statuti dhe Programi i Shoqatës.

Para një muaji, publikisht kërkova që të thërrasim Kuvendin e Shoqatës, sepse mendoj që Shoqata e Veteranëve nuk është subjekt vetëm për të dërguar lule në varre. Në Programin e Shoqatës janë definuar shumë mirë shumë pikat për të cilat është themeluar kjo shoqatë qytetare. Aty mund të njoftoheni me rolin dhe qëllimin e saj. Dëshmorët e kësaj lufte duhet të dekorohen ndërkombëtarisht, sepse ata janë shtylla kryesore për demokratizimin dhe jetësimin e standardeve konform konventave ndërkombëtare. Ata janë sakrifica për të siguruar lirinë dhe për të çliruar shqiptarët nga kthetrat e diktaturës që ushtrohej mbi ta. Ne ndjehemi të ofenduar dhe të turpëruar kur politika ditore na thotë se nuk mundemi të emërtojmë një objekt ose një rrugë me emër dëshmori! Kjo gjë duhet të na shtangoj të gjithëve si shqiptarë dhe jo vetëm ne veteranëve…

Askush tjetër, por as SHVL-ja nuk e ka atë të drejtë të privatizoj dëshmorët ose varrezat e dëshmorëve. E jona është që të gjithë sëbashku të japim kontribut në ruajtjen e këtyre vlerave dhe të ngremë zërin kundër padrejtësive dhe anashkalimeve që i bëhen kësaj strukture të dalur nga lufta e vitit 2001, ku njëri nga ata që disa herë kam ngritur zërin jam edhe unë, edhepse mediumet tona janë munduar të më heshtin, gjoja se shkrimet e mia do të ndikojnë negativisht në harmonizimin e marrëdhënjeve ndëretnike dhe ndërfetare në vend.

SHVL-së nuk i mjafton trajtimi përmes ngushllimeve private nga individ dhe grupe. Ne jemi të interesuar që këto vlera të cilat sollën deri tek ndryshimi i Kushtetutës, të gjejnë vend në institucione dhe të gëzojnë mbrojtje ligjore. Nuk duhet mohuar aktivitetet që i ka bërë Shoqata e Veteranëve përmes djemëve të luftës. Ka shumë keqpërdorime nga individ të caktuar, por ka edhe punë të mira për të cilat duhet përshëndetur. Nuk gjykoj dhe më së paku dua të paragjykoj, por asnjëherë nuk duhet lejuar që individ të caktuar të jenë mbi institucionet. Gjithmonë duhet të jetë e kundërta, të krijojmë institucione dhe të veprojmë në mënyrë institucionale si një trup i vetëm.

Nëse UÇK-ja e fitoi luftën, atëherë këtë fitore duhet ta institucionalizojmë dhe mbrojmë me ligj.

Ju njoftoj se SHVL-ja nuk është pronë e kryetarit Daim Hiseni, por është pasuri e të gjithë atyre shqiptarëve, pa marë parasysh se ku jetojnë dhe punojnë dhe pavarësisht statusit social që gëzojnë: qofshin mjek, gazetar, politikan, artist, inxhinjer, student, arkitekt, shkrimtar, bujq ose amvise.

Nderoni veten që të na nderojnë edhe të tjerët.

Në fund, publikisht falenderoj gjykatësin nga Tetova, z. Beqir Zulfiu, i cili asaj kohe kur nuk egzistonte BDI-ja, mori guximin dhe në Gjyqin e Tetovës na ndihmoi ta regjistrojmë “Shoqatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, po me këtë emër dhe me këtë amblemë të UÇK-së. Mirënjohës dhe falenderues publik edhe për gjithë të tjerët që asaj kohe më ndihmuan, më mbështetën dhe kontribuan në organizimin dhe regjistrimin e saj.

Daim Hiseni, Kryetar

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top