Raporti: Shqipëria, e fundit në Europë për mbrojtjen e investimeve

Shqipëria, Bosnja dhe Malta u renditën të fundit në Europë për klimën e të bërit biznes nga raporti i Bankës Botërore “Doing Business 2020”.

Shqipëria u rendit në vendin e 82 në rang global, me një rënie 19 vende krahasuar me vitin 2019.

Përveçse Shqipëria është e fundit në Europë, renditet edhe ndër vendet me përkeqësimin më të lartë të klimës së biznesit brenda një viti.

Nga 10 indikatorët e marrë në studim shihet se përkeqësimin më të madh e shënoi në mbrojtjen e investimeve. Vitin e kaluar, Shqipëria u rendit në vendin e 26 për mbrojtjen e investimeve, ndërsa këtë vit u rendit në vendin e 111.

Ky është indikatori më i rëndësishëm për investitorët e huaj. Për një vit, shihet se vendi ka rënë në renditje me 85 vende në raport me një vit më parë.

Përkeqësim shënoi edhe indikatori tjetër që ka të bëjë me investimet, “mbrojtja e kontratave”.

Vendi ynë humbi këtë vit 22 vende në renditje në raport me vitin e kaluar. Indikatori prej të cilit jemi penalizuar prej vitesh, lejet e ndërtimit, ka pësuar përkeqësim të mëtejshëm. Këtë vit, Shqipëria renditet në vendin e 166 nga vendi i 151 që ishte një vit më parë.

Siç shihet nga grafiket e mëposhtëm, vendi ka shënuar përkeqësim në të 9 indikatorët nga 10 gjithsej.

Banka raportoi se Shqipëria pati përmirësim në besueshmërinë e furnizimit me energji duke përdorur një sistem automatik të kontrollit mbikëqyrës dhe përvetësimit të të dhënave (SCADA) për monitorimin e ndërprerjeve dhe restaurimin e shërbimit.

Banka raporton se, reformat në pagimin e taksave të përfshira në Doing Business 2020 janë ato të zbatuara në vitin kalendarik 2018 (1 janar 2018 deri më 31 dhjetor 2018).

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top