Raporti i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, (ILO) për trendin e punësimit tek të rinjtë, tregon se përqindja më e lartë e të rinjve nga mosha 15 -29 vjeç, që duan të emigrojnë në botë, janë shqiptarët për shkak të keqqeverisjes, papunësisë dhe mungesë së shpresës
Edi Ramën do ta regjistrojë historia si kryeministrin që rilindi eksodet masive të shqiptarëve, si rrjedhojë e varfërisë ekstreme të shkaktuar nga politikat e gabuara të qeverisë, pa mbushur ende një mandat të plotë. Shqipëria zë vendin e parë jo vetëm në Evropë por dhe në botë sa i përket dëshirës së të rinjve për të emigruar.
Raporti i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, (ILO) për trendin e punësimit tek të rinjtë, tregon se përqindja më e lartë e të rinjve nga mosha 15 -29 vjeç, që duan të emigrojnë në botë, janë nga Shqipëria, ndërsa më e ulët në Evropë është në Luksemburg, ndërsa në botë në Izrael. Numri i shqiptarëve të cilët vazhdojnë të emigrojnë drejt vendeve të BE mbetet në shifra të frikshme dhe çdo ditë e më tepër institucionet e Bashkimit Evropian ngrenë alarmin për kërkesat në rritje për azil politike. Largimi i shqiptarëve po merr përmasat e një eksodi tragjik, duke u shndërruar gjithnjë e më tepër në një dramë kombëtare. Arsyet themelore të eksodit që s’po di të ndalet është mungesa e shpresës, papunësia, varfëria, pesimizmi për të ardhmen nga qeverisja e klasifikuar si qeverisje e “oligarkisë, banditizmit, korrupsionit dhe krimit në politikë”.
Kjo qeveri e drogës po rrjep shqiptarët e ndershëm, ndërsa në kurriz të tyre po ngre në piedestal bandat mafioze. Edhe pse ka hyrë në vitin e katërt të qeverisjes Edi Rama nuk ka ndërmarrë asnjë politikë që mundëson krijimin e vendeve të punës, që u mundëson shqiptarëve kushte për të punuar dhe përballuar problemet e përditshme. I etur për para të pista dhe pushtet prej një diktatori të vërtetë, ku vetë ai është Zoti, Rama po bën gjithçka për të mbushur xhepat e vet dhe klientëve të tij, ndërsa po detyron shqiptarët të marrin rrugën pa kthim. Të rinjtë që janë e ardhmja e vendit janë më të pashpresët.
Në kushte tejet të vështira arrijnë të përfundojnë një shkollë, por asnjëherë nuk gjejnë një punë. Edhe në raportin e Organizatës Botërore të Punës, thuhet se gatishmëria e të rinjve për të emigruar është nxitur pjesërisht nga deficite të tregut të punës dhe një normë e lartë papunësisë. Po ashtu mungesa e mundësive në tregun e punës është një tjetër faktor kyç që i shtyn ata drejt dëshirës për të lënë vendin e tyre. Shqipëria zë një përqindje të lartë të të rinjve që janë në kërkim të një pune, por që e kanë të pamundur ta gjejnë atë. ILO raporton se 28-35 për qind e grupmoshës 15-24 vjeç në kërkim të një pune në Shqipëri, nuk arrijnë të integrohen në treg. Në aspektin e vullnetit të përgjithshëm, prirja më të lartë për të lëvizur jashtë vendit, në 38 për qind, është gjetur në Afrikën sub – Sahariane, Amerika Latine dhe Karaibe, e ndjekur nga afër nga Evropa Lindore në 37 për qind.
Prirja më të ulët për të emigruar ekziston në Amerikën Veriore, ku vetëm 15 për qind e të rinjve janë të gatshëm për të lëvizur jashtë vendit përgjithmonë. Sa i përket të ardhurave vjetore, Shqipëria pozicionohet në një vend me të ardhura mesatare, që varijojnë nga 976 usd deri në 3855 usd. Edi Rama, nga etja për pushtet dhe pasuri, i ka marr gjithçka popullit të vet. E gjitha kjo, po nxit ikjen masive nga vendi, duke mos u lënë shumicës prej tyre as mundësitë minimale për mbijetesë. Ishte premtues në vitin 2013 kontrata e qeverise së Edi Ramës me shumicën e popullit, për një rilindje të Shqipërisë, pa të cilën s’ka rilindje të shqiptarëve. Por, gjithçka mbeti veçse në kuadrin e propagandës për të marrë pushtetin.
Kjo qeveri, këta politikanë, në vend që të ulen e të punojnë për të krijuar vende pune, të punojnë me seriozitetin që i takon një qeverie, duke mos terrorizuar njerëzit e thjeshtë, përmes shtypjes dhe dhunës po dënon banorët e vendit të vet. Familjet shqiptare po jetojnë në varfëri ekstreme dhe po përjetojnë dramën e ndarjes për së gjallë për shkak të mungesës së standardit minimal të jetesës dhe humbjes së çdo shprese. Vetëm një qeveri, si kjo e Edi Ramës mund ta bëjë një gjë të tillë, duke mos pasur asnjë ndjesi për mijëra familje që vdesin për bukën e gojës. Drama e largimit të qytetarëve nga vendi është lëngimi më i madh që po përjeton sot shoqëria shqiptare. Qeveria jo vetëm që duhet të pranojë dhe të kërkojë falje që e ka kthyer këtë vend të pabanueshëm, por duhet të japë zgjidhjet dhe të ndërmarrë hapa konkrete. Shqiptarët kanë mbajtur shënim, ndërsa dita kur Rama do të bjerë nga pushteti po bëhet edhe më e afërt.