RAMA U FALI ÇEKËVE 550 MILION EURO

Deputeti demokrat Edmond Spaho: “Edi Rama po i shmanget hetimit parlamentar për marrëveshjen me CEZ dhe po bën gjithçka për të prishur seancat e Komisionit, sepse e vërteta e kësaj afere është tronditëse dhe e bën atë përgjegjës për 450 milionë euro të shqiptarëve, detyrime te pranuara nga vete CEZ, që ai i fali kompanisë çeke”

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho në një konferencë për shtyp ka publikuar faktet që  sipas tij kryeministri Edi Rama i ka shmangur në Komisionin Hetimor Parlamentar për çështjen CEZ. Spaho u shpreh se Edi Rama po i shmanget hetimit parlamentar për marrëveshjen me CEZ dhe po bën gjithçka për të prishur seancat e Komisionit, sepse e vërteta e kësaj afere është tronditëse dhe e bën atë përgjegjës për 450 milionë euro të shqiptarëve, detyrime të pranuara nga vetë CEZ, që ai ia ka falur kompanisë çeke. Deputeti Spaho ka vendosur në dispozicion dy dokumente që vërtetojnë sipas tij përgjegjësinë e kryeministrit aktual për këtë aferë: Letra 6092/2 datë 28.09.2012 e Kryetarit të Bordit të CEZ, Jaroslav Macek, i cili konfirmon detyrimet dhe skedulin për shlyerjen e tyre si dhe deponimin e Zv. Ministrit të Financave Erion Luçi në Prokurori, i cili thekson që pala çeke në takimin e dytë që u zhvillua në Vienë në datën 7 Shkurt 2014, nuk i mohoi detyrimet. Në fjalën e mbajtur nga selia blu ai denoncon mashtrimet që vijnë nga kryeministri Rama, kur thotë përmes ministrit Gjiknuri, se marrëveshja e mirëkuptimit u arrit në muajin Qershor 2014. Sipas Spahos, Partia Demokratike posedon fakte se ky pakt është arritur më përpara, dhe marrëveshja ka qenë e paravendosur.

“Faktet tregojnë që Damian Gjiknuri ka deponuar në Prokurori se pas konsultimeve me Kryeministrin dhe përpara takimit të dytë të grupeve negociuse që u zhvillua në datën 7 Shkurt 2014 në Vienë, u mor vendimi politik që CEZ t’i jepen 100 milion euro. Pra pakti tregon se përveçse CEZ-it iu falën të gjitha detyrimet prej 450 milion euro, iu është dhënë edhe 100 milion euro shpërblim për këtë mega-aferë korrupsioni. Përveç deponimeve të Gjiknurit në Prokurori ju vëmë në dispozicion dy korrespondenca të Avokatit të Shtetit, Alma Hiçka me avokatin ndërkombëtar ku konfirmohet ujdia për t’i dhënë CEZ 100 milion euro”, deklaroi Spaho.

Spaho u shpreh për mediat se Edi Rama mashtron edhe kur nëpërmjet Gjiknurit thotë se ishte avokati ndërkombëtar që sugjeroi marrëveshjen me CEZ. Ndërkohë deputeti i opozitës ka paralajmëruar se në ditët e ardhshme nga selia blu do të publikohen fakte të tjera nga ajo që cilësohet si afera më e madhe e shekullit.“Ne kemi prova, që tregojnë se avokati ndërkombëtar i qeverisë ka kundërshtuar hapur këtë marrëveshje. Për këtë ju vëmë në dispozicion korrespondencën e tij të datës 1.04.2016 me Avokatin e Shtetit, Alma Hiçka ku distancon studion e tij nga marrëveshja, arritjen e të cilës e cilëson tmerrësisht atipike”, shprehet Spaho.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top