Edvin Rama, njoftoi sot se i ka mbledhur nënshkrimet për ta kundërshtuar rezolutën e senatorit Dick Marty!
Drejtësia do të triumfojë
Kryeministri i PS të Shqipërisë, Edvin Rama, ka njoftuar sot opinionin publik se ka arritur t’i mbledhë nënshkrimet e nevojshme për mocionin, përmes të cilit synon të miratojë një rezolutë të re, duke e vënë atë mbi rezolutën e dikurshme të senatorit të dikurshëm zviceran, Dick Marty, e cila e akuzonte UÇK-në për krime të rënda gjatë luftës, ndër të tjera edhe për trafikim organesh.
Gjykata Speciale në Hagë, gjatë ditës së sotme, i hodhi poshtë në tërësi akuzat e raportit të senatorit Dick Marty, ndërkohë që i konfirmoi akuzuat për luftën speciale të Shtabit të Përgjithshëm kundër institucioneve shtetërore të Republikës së shpallur në vitin 1990.
Prokurori special në detyrë, Alex Whiting, tha në hyrje të parashtrimeve të tij se katër të akuzuarit janë anëtarë themelues të UÇK-së dhe kanë qenë pjesë e zinxhirit komandues. “Ka pasur edhe një anë të errët të lidershipit të tyre, që janë objekt i kësaj akuze” – deklaroi përfaqësuesi kryesor i organit të akuzës, i cili zëvendësoi prokurorin tashmë të dorëhequr Jack Smith, të cilit iu ngarkua një tjetër detyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në akuzë evidentohet se janë mbi 100 krime, shumica shqiptarë të Kosovës të cilët ishin rivalë politikë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në dosjen e akuzës gjenden dokumente dhe dëshmitarë të shtrirë gjeografikisht në shumë zona të Kosovës, por edhe në Shqipëri. Prokurori në detyrë Whiting theksoi se frikësimi i dëshmitarëve ka qenë dhe mbetet një tjetër sfidë e këtij procesi. “Dëshmitarët e akuzës vijojnë të ndikohen dhe të frikësohen edhe sot”. Rreth 312 persona pritet të dëshmojnë në këtë proces gjyqësor.