RAMA PO MBLEDH VRASËS PËR ZGJEDHJET E 2017-ËS

Rama kalon nga “misteri i vdekjes”, te skuadronet zgjedhore të vdekjes!

Nga Artur Zheji

Përpara një viti, kur edhe ishte në kohëra më të mira të përkrahjes ndërkombëtare dhe në pikun e pritshmërive të elektoratit të vet shqiptar, në një intervistë me gazetarë të huaj jashtë Shqipërisë, kryeministri shqiptar, foli për “vdekjen” dhe marrëdhënien e tij filozofike me të.

Sigurisht në përpjekje për të krijuar një aureolë speciale prej politikani filozof dhe artist, që nuk merrej me të përditshmen e vogël dhe meskine të politikës, referimi ndaj Vdekjes, si një Fund apo si një Rifillim ekzistencial në një dimension tjetër, ishte padyshim qershia mbi tortë.

Mirëpo “torta politike” e Ramës, ka pësuar dëmtime të konsiderueshme. Për faj të askujt, por sepse pasioni prej pushtetari të panginjur me pushtet personal, arbitrar dhe fodull, herët a vonë të çon në vetminë e thellë të të arsyeshmëve dhe në shtimin e popullatës mercenare dhe puthadore.

Kështu që, duke mos menduar më për “Vdekjen”, por për Vota, kryeministri, po organizon në mënyrë të marrë dhe të papërgjegjshme, një formacion “luftimi” dhe kërcënimi, duke grumbulluar rreth PS dhe Kupolës së tij, ushtarë, vrasës apo ish vrasës, grabitqarë nga të gjitha llojet, me qëllim mbjelljen e Frikës dhe përdorimin e Kërcënimit, që do të zëvendësojnë platformat e tija të dështuara qeverisëse. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe, ky zinxhir “masash”, që ai po ndërmerr në dritën e diellit, duke marrë përditë e më shumë Hua, nga bota e krimit, Gjeneralë të certifikuar të së Keqes, të cilët do të jenë pjesa e padukshme e makinerisë së tij elektorale 2017.

Përveç “blerjeve” më të fundit, përveç pastrimit të orientuar të së kaluarës penale të mjaft prej syresh, ai ka gati një listë blerjesh të reja në merkaton e Krimit, për të ngjeshur radhët, me fytyrat më të egra të Krimit Shqiptar, të integruar në skuadronët e Vdekjes, si dikur diktaturat amerikano-jugore.

Ky është një regres ulëritës dhe shqetësues, që rrëfen se sa keq janë punët për kryeministrin dhe se sa keq dhe se sa e vështirë, mund të bëhet sakaq, jeta e shqiptarit të thjeshtë, në këtë Republikë kanabiste!

Edhe nëse e merr përsëri pushtetin e domosdoshëm kryeministror të vitit 2017, do të kemi një kryeministër të shndërruar në 180 gradë. Ai nuk do të ketë më, petkun e artistit të shkujdesur ndaj vogëlimave meskine të intrigave të politikës, por do të ngjajë gjithmonë e më shumë me një ushtarak, në krye të një ushtrie laramane, gjakësore, mercenare dhe me një qëllim të vetëm: Pushtimin e Pushtetit.

Duke e futur sipas kësaj metode Shqipërinë e vitit 2017, në një spirale po aq të rrezikshme sa ajo e vitit 1997. Si një përkujdesje për t’i kujtuar shqiptarëve, se ata, njëherë në 20 vjet, duhet të rikthehen edhe njëherë, në pikën më të ulët, të nisjes së shtetformimit nga e para.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top