Kryetari Rama ka ka bërë të ditur se nga janari i vitit që vjen do të nisë matja e zhurmave në kafenetë e kryeqytetit, ndërsa testimi i tyre tashmë ka filluar.
“Nga janari i vitit 2023 do të fillojmë me matësit e zhurmave në Prishtinë. Këta matës janë krijuar enkas për Prishtinën nga kompania “Fara” por e njëjta pajisje mund të përdoret edhe në raste tjera si të tymit, zjarrit etj.”.
Përparim Rama, në Klan Kosova, pohoi se komuna ka arritur të bashkëpunojë me gastronomët dhe qytetarët që të zgjidhet problemi i zhurmave që shkaktohen nga kafeteritë në Prishtinë. Mes tjerash, i pari i kryeqytetit bëri të ditur se gastronomët që s’i përmbahen rregullit të vendosur për zhurma, mund edhe t’iu merret leja e punës.
“Fillimisht, këta matës do të merren me zhurmën, pasi kjo vazhdon të mbetet në fokus dhe pasi që paraqet një problem goxha të madh. Gastronomët janë pajtuar me propozimet tona dhe ne jemi në bashkëpunim me ta, për arsye se reduktimi i zhurmës është në të mirë të banorëve rezident në kryeqytet”.
“Gastronomët në përgjithësi i përmbahen rregullave, instrumenti do të funksionojë për ata që thyejnë rregullat. Instrumenti vepron në (“realtime”) kohë reale dhe do të matë decibelazhën, gjë që kur tejkalohet herën e parë, gastronomët do ta kenë një paralajmërim, herën e dytë do të gjobiten dhe herën e tretë, atyre do t’iu merret edhe leja e punës”.
Duke vazhduar, kryetari Rama tha se rregulli për zhurmën mund të ndryshojë gjatë verës, teksa edhe për këtë thotë se ka mirëkuptim mes gastronomëve dhe banorëve.
“Nga 15 korriku deri 15 gusht, decibelazha mbase do të jetë pak më e madhe për shkak të verës dhe numrit të madh të turistëve. Kjo marrëveshje është arritur me bashkëpunimin e gastronomëve dhe rezidentëve” tha Rama.
Vërejtje e redaksisë: siç jemi informuar nga zyrtarët komunal, ligji për zhurmën nuk do të gjejë zbatim te Partia Aksidentale e Kosovës dhe xhamiat e Dianetit turk.