Mbledhja e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara për përcaktimin e Palestinës si kryesuese e “Grupit 77”, për vitin 2019, ka marrë edhe votën e Shqipërisë. Në këtë mënyrë Shqipëria, përcakton edhe një herë pozicion e saj kundër interesave të SHBA në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Shteti shqiptar sërish ngre një votë kundër SHBA në OKB. Është zgjedhur të votohet pro Palestinës, por mund të bëhej një abstenim, ashtu siç veproi Kroacia apo shumë shtete evropiane, shkruan “Shekulli”. Kjo votë u shënua në Asamblenë e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në mbledhjen e datës 16 tetor 2018, ku u miratua Draft Rezoluta, me anë të së cilës, Shteti i Palestinës do të fitojë të drejta të zgjeruara, privilegje në punimet e Asamblesë së Përgjithshme, si dhe pjesëmarrje në seancat e kryesisë së “Grupit 77”, gjatë vitit 2019. Kjo është një mundësi e artë për Palestinën, e cila nuk njihet si shtet nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli.
Votimet e shteteve për Draft-Rezolutën
Seanca i përcaktoi termat e lartpërmendura, në një rezolutë që mban emërtimin: Dokumenti A/73/L.5, e miratuar me një votim të përgjithshëm prej 146 votash në favor të kësaj rezolute, në të cilën bën pjesë edhe Shqipëria dhe pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat, në të njëjtën kohë kanë qenë pro krijimit të Shtetit të Palestinës, me përjashtim të Mbretërisë së Bashkuar; 3 vota kundër, në të cilën përfshihet Australia, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara; si dhe me 15 abstenime, ku përfshihet Kanadaja, Maroku, Kroacia, Austria, Andora etj, pra vende të cilat janë më neutrale në pozicionet e tyre në Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Duke marrë parasysh vendimin e “Grupit 77”, për të zgjedhur shtetin e Palestinës si kryesues të këtij grupimi për vitin 2019, Asambleja vendosi të miratojë disa modalitete për pjesëmarrjen e shtetit të Palestinës në seancat e Asamblesë, gjatë punës dhe konferencave ndërkombëtare të mbledhura nën kujdesin e saj apo organe të tjera e Kombeve të Bashkuara. Këtu përfshihet e drejta për të bërë deklarata, për të paraqitur propozime dhe ndryshime dhe për t’i prezantuar ato në emër të “Grupit 77”; të bashkë-sponsorizojë propozimet dhe ndryshimet e nevojshme ligjore; dhe për të ngritur mocionet procedurale, të cilat përfshihen tek të drejtave të tjera. Duke qenë të vetëdijshëm se shteti i Palestinës është anëtar i plotë i Ligës së Shteteve Arabe, Lëvizja e Vendeve të paangazhuara, Organizata e Bashkëpunimit Islamik, Grupi i Shteteve të Azisë dhe Paqësorit dhe Grupi i 77-të. Asambleja gjithashtu kërkoi nga Këshilli Social dhe organet tjera relevante, agjencitë e specializuara, organizatat dhe entitetet, në kuadër të sistemit të Kombeve të Bashkuara, për të aplikuar modalitetet e sipërpërmendura për kohëzgjatjen e kryesimit të Shtetit Palestinez të “Grupit 77”.
Pozicionimi i Shqipërisë
Nuk është hera e parë që Shqipëria merr të tillë pozicion kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aleati kryesor i Shqipërisë në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, e cila kontribuoi në mënyrë të drejtpërdrejt për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, ndjehet përsëri e tradhtuar nga Shqipëria. Në votimin e muajit Dhjetor 2017, për çështjen e statusit të Jeruzalemit, pro vendeve të Organizatës Islamike, e cila nuk e njihte Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Në një mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të kërkuar nga Turqia dhe Jemeni në emër të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe të një grupi të vendeve arabe, në dhjetor të vitit 2017, këto vende refuzuan njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Shqipëria votoi në unison me anëtarët e tjerë të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, pra në kundërshtim me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara. Përpara votimi, Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të “mbajnë shënim” ato vende të cilat do të votojnë në favor të rezolutës, e cila kaloi me 128 vota pro, 35 abstenime dhe 9 vota kundër, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Një votim i më herët në Këshillin e Sigurimit mbi një rezolutë të ngjashme mori një votë unanime, vetëm SHBA-ja abstenoi. Gjithashtu, politikanët shqiptarë në përgjithësi shfaqin një mbështetje të fortë pro amerikane, ndërsa Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një distancim nga aleati kryesor i Shqipërisë, duke u shprehur kundër kandidaturës dhe zgjedhjes së Trump-it si president gjatë zgjedhjeve të kaluara në Amerikë. Kjo luhatje e Shqipërisë në Marrëdhëniet Ndërkombëtare ndjehet edhe tek çështja e dënimeve të sulmeve Izraelite kundër popullsive civile në zonat e Palestinës dhe të West Bank. Organizata e Bashkëpunimit Islamik miratoi tre ditë më parë një rezolutë ku dënoi me ashpërsi sulmet izraelite kundër popullsisë civile në Shtetin e Palestinës. Në këtë rezolutë prej 30 pikash, sipas faqes zyrtare të Organizata e Bashkëpunimit Islamik (oic-oci.org) theksohej mbështetja dhe miratimi nga të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate, ku bën pjesë edhe Shqipëria prej vitit 1992. Por burime zyrtare të Ministrisë së Evropës dhe e Punëve të Jashtme të Shqipërisë i thanë gazetës “Shekulli” se Shqipëria nuk pranoi të firmosë dokumentin e përbashkët të 57 vendeve të Konferencës së Vendeve Islamike. “Shqipëria u përfaqësua në rang ambasadori, që është niveli më i ulët i përfaqësimit. Aty përfaqësuesi shqiptar ka prezantuar edhe qëndrimin e Shqipërisë ndaj kësaj çështjeje, që është ai që kanë edhe vendet e BE-së dhe më pas është larguar, pa marrë pjesë në nënshkrimin e rezolutës së përbashkët”-deklaroi Ministria e Evropës dhe e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Tritan Shehu: Shqipëria tjetër goditje pas shpine SHBA-ve
Zëvendës kryetari i Komisionit të Jashtëm parlamentar, deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu përmes një postimi në “Facebook” deklaroi se qeveria shqiptare i dha një tjetër goditje pas shpine SHBA-së në Asamblenë e OKB. Shehu theksoi se të martën përfaqësuesi i Shqipërisë votoi përsëri kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke miratuar, “Projekt Rezolutën” e paraqitur nga Egjipti për të njohur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Palestinën si drejtuese të “Grupit 77”. “Ky veprim, krejt në kundërshtim me interesat tona kombëtare, është ne vazhdën e te tilla qëndrimeve të Qeverise sonë në Dhjetor në OKB, Konferencën Islamike e me tej ne Gjeneve”, shkruan Shehu.
Mesazhi i plotë i Tritan Shehut:
Qeveria shqiptare i jep tjetër “goditje” mbas shpine Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ditën e marte, përfaqësuesi ynë votoi përsëri kundër ShBA, duke miratuar Projekt Rezolutën e paraqitur nga Egjipti për të njohur në OKB Palestinën si drejtuese të Grupit 77. Kjo bëhet megjithëse ne nuk jemi pjesë e atij grupi dhe as Palestina nuk është anëtare e plotë e OKB. Ndaj kësaj Rezolute kishte vota kundër si ajo e ShBA dhe te tjera abstenime, ku bënin pjese vende te Bashkimit Evropian, si dhe vetë Bosnja, që është anëtare e “Grupit 77”. Reagimi amerikan ishte i menjëhershëm, duke e konsideruar këtë Rezolute si një akt të dëmshëm dhe që do të vështirësojë procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Ky veprim, krejt ne kundërshtim me interesat tona kombëtare, është në vazhdën e të tilla qëndrimeve të, Qeverise sonë në Dhjetor ne OKB, Konferencën Islamike e me tej në Gjenevë. Të tilla veprime pa asnjë dyshim veçse bëjnë të dobësohet mbështetja e madhe dhe thelbësore për kombin tonë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të vihen në rrezik çështjet tona madhore kombëtare, përfshi këtu dhe të Kosovës. Në këtë mënyrë ne duke “mbështetur” të detyruar Palestinën, e njohur kjo për qëndrimet e forta kundër Kosovës, jo vetëm që i kundërvihemi pozicioneve amerikane, por realisht dëmtojmë dhe proceset e paqes në atë rajon, procese, që nuk mund të zhvillohen pa SHBA-të.