QEVERIA KRUJA, DËSHMI E FAKTE PËR QËLLIMIN E THELLË ATDHETAR

Shkruan: Eugjen Merlika

Nacionalizmi shqiptar vazhdoi gjithmonë të shpresojë se dhe ato treva që mbetën jashtë kufijve si Çamëria, Pindi dhe zona e Janinës, Artës e Prevezës, do t’i bashkoheshin Atdheut, por ajo mbeti vetëm një ëndërr.

Arsyeja e kësaj mungese nuk gjindet as në Ditarin e Çianos dhe as në librin e Jakomonit. Na ndriçon këtë pikëpyetje diplomati Karlo Umiltà, në veprën e tij “Jugosllavia e Shqipëria”. Duke qenë emëruar Komisar i Lartë i Qeverisë italiane për krahinat e bashkëngjitura Shqipërisë, ai bën një udhëtim me një grup pune në të gjitha ato treva e, më së fundi, i dërgon një relacion Ministrisë së Jashtëme që, siç thotë ai, u muar për bazë prej asaj, për sa i përket Çamërisë e zonave të tjera t’Epirit.

“Sapo mbarova këtë detyrë, ndërsa Komisari i Lartë, Alizoti,kishte shkuar të merrte në dorëzim zyrën e tij në Kosovë e Dibër, Ministria e Jashtme më ngarkoi për të kryer një rreth vëzhgimesh në krahinën që quhej Çamëri e që duhej t’i bashkangjitej më vonë Shqipërisë, nën Komisariatin e Lartë të Xhemil Dinos….

Territori i ri paraqitej i varfër e i shkretë e në qytetin e Kosturit pata shpejt përshtypjen se nuk kishte as hije shqiptarësh….
Ata ishin maqedonas dhe donin të bënin pjesë në Shtetin maqedon, që do të mund të formohej me popullsi të tjera maqedone deri në Follorinë, Monastir (Bitolje) e Shkup (Skoplje). Nëse në fund të luftës Shteti maqedon nuk mund të krijohej, ata dëshironin të vazhdonin të bënin pjesë në Shtetin grek. Nëse dhe ajo nuk do të ishte e mundur, do të kishin mbetur me qejf nën administrimin dhe mbrojtjen italiane, por në asnjë rast nuk do t’i përshtateshin bashkimit me Shqipërinë, madje kundër një bashkimi të tillë, ishin gati për një kryengritje të përgjithshme….

Nga Kosturi u drejtuam për në Gravenè, një qytet i vogël, i banuar në shumicë nga maqedonë e grekë. Asnjë këmbë shqiptari. Dëshirat e tyre ishin të njëjta me ato të Kosturit…. Asnjë nuk donte të dëgjohej të flitej për Shqipërinë….

Mbas Grevenès morëm një lloj rruge sapo të hapur që na çoi rrëzë Pindit e prej andej… deri në Mecovo, qyteti më i rëndësishëm i gjithë territorit. Edhe këtu popullsia është e përzierë prej arumunësh dhe grekësh e më shumë se për bujq bëhet fjalë për barij e pylltarë. Nëpërmjet ushtarakëve tanë, munda të flas me shumëkryepleq fshatrash e me ndonjë kryetar bashkie. Aspiratat e tyre ishin të mbeteshin të bashkuar me Greqinë, mbasi të mbaronte lufta dhe pushtimi ynë ushtarak, për të cilin folën shumë mirë.

Për Shqipërinë as që bëhej fjalë, sepse ata e quanin një Vend të prapambetur e pa t’ardhme.”

Duke vazhduar udhëtimin e tij në Janinë, Prevezë e Artë dhe në Çamëri, diplomati italian përsërit gjithmonë të njëjtat pohime. Arrin deri aty, saqë edhe në Delvinë e Sarandë “të gjithë ishin të një mendimi, të përjashtonin si të papërshtatëshëm zmadhimin e Shqipërisë drejt jugut, me bashkimin e territoreve të tjera, të banuara , pothuajse krejtësisht nga grekët. Edhe shqiptarët myslimanë ishin kundër bashkimit me çamët e racës dhe besimit të tyre. Nga ajo anë kufijtë shqiptarë ishin mirë ashtu siç ishin.

Megjithë ankesat e Xhemil Dinos dhe të atyre si ai që ishin t’interesuar për projektin e rrezikshëm të Çamërisë, Qeveria jonë miratoi plotësisht përfundimet e mija dhe u arrit të bindej dhe Qeveria shqiptare për mungesën e leverdisë për të mbajtur në Shqipëri e jashtë saj një shqetësim në dobi të bashkimit, që tashmë nuk mund të sendërtohej në kundërshtim me opinionin e pothuaj gjithë popullsisë, që do të bëhej viktimë, pa dobi për askënd.
Për Çamërinë nuk u fol më dhe vetë Xhemil Dino u kthye nga Tirana në Romë pa bezdisur më Qeverinë tonë.”

Këto ishin disa nga konsideratat e diplomatit Umiltà, që nuk shquhet për simpati karshi shqiptarëvet dhe përfaqësuesve të tyre politikë, sidomos për Mustafa Krujën dhe Eqerem Vlorën “ish diplomat turk e nacionalist i zjarrtë, jo më pak se Kryeministri i tij Kruja”

Diplomati Umiltà që nuk më duket shumë bindës dhe objektiv në përfundimet e tij, në sajë të mungesës së personave të lartpërmendur në Qeverinë shqiptare, arriti t’a varrosë çështjen çame, duke menduar se i ka bërë mirë atyre popullsive. Ai, së bashku me një pjesë të mirë të ushtarakëve italianë, shquheshin për qëndrimin kundër shqiptar gjatë luftës, në territoret ku ishte vendosur ushtria italiane. Kjo ndodhte, sipas tij, sepse pakicat serbe e maqedonase ishin më të “emancipuara”, në kuptimin e botës femërore, se sa shqiptaret myslimane të Kosovës apo Dibrës. Kuptohet qartë se pse ushtarakët italianë, në sytë e Komisarit Umiltà, tjetërsonin dhe opinionet e popullsisë, duke e çuar atë në përfundime të gabuara e me aq pasoja të hidhura për çështjen tonë kombëtare.

“Ajo që ka dëmtuar më shumë forcimin e marredhënieve mes dy shteteve qe politika jashtzakonisht autoritare e Qeverisë shqiptare që, fatkeqësisht u përpoq vazhdimisht të kundërshtonte këshillat e matura e t’arsyeshme që vinin nga Roma. Kur u formua Qeveria Libohova, e keqja ishte bërë dhe maturia arriti shumë vonë.”

Ky ishte përfundimi i përfundimeve të analizës së diplomatit Umiltà, një akuzë e fortë kundrejt Qeverisë Kruja, që kishte në qendrën e veprimtarisë së saj çështjen kombëtare, në të gjitha shfaqjet dhe problemet e saj, një Qeveri që propaganda komuniste e kohës dhe historiografia, deri në ditët tona, vazhdon t’a quajë “bashkëpuntore”, “tradhëtare” e “vegël” e pushtuesit italian. Ajo Qeveri erdhi në fuqi më 3 dhjetor 1941 e pati një jetë prej 13 muajsh, deri më 4 janar 1943.

“Ministrat shqiptarë shëmbëllejnë me njëri tjetrin. Janë të gjithë të rinj, nuk them si moshë, por si shërbim. Janë të gjithë të veshur thjesht, pak t’ashpër, të pregatitur mirë teorikisht. E shkuara e tyre është pothuajse e njëjtë : kanë vuajtur për Vendin e tyre.. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore: bashkimi i Shqipërisë, autonomi e brëndëshme, mbrojtje e racës dhe pasurisë së saj kulturore, bashkëpunim me Italinë në bazën e të drejtave dhe detyrave të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë…

Komandon ministri shqiptar që, teorikisht, mundet edhe të mos kërkojë kurrë këshillën e këshilltarit. Këshilltari pret të pyetet për të dhënë mendimin e tij. Mbasi e ka dhënë atë nuk e imponon; ministri vendos nëse është apo jo rasti për t’a pranuar. Kështu thotë rendi juridik që rregullon marredhëniet mes ministrit e këshilltarit, pra, në praktikë marredhëniet mes Shqipërisë e Italisë.”

Kjo është fotografia e Qeverisë Kruja, e bërë nga njëri ndër më të mëdhenjtë e gazetarisë botërore, shkrimtari e historiani Indro Montaneli. Besoj se nuk ka nevojë për asnjë koment, ndoshta është kuadri ideal për çfarëdo Qeveri, në çdo vend të botës, në çdo kohë. Dhe ja portreti i Kryetarit të Qeverisë, gjithënjë simbas Montanelit, në intervistën e botuar në “Corriere della Sera” të datës 21 maj 1942 :

“Nuk e shihnja Merlika-Krujën prej dhjetë vjetësh dhe e gjeta pak të ndryshuar. Suksesi dhe nderimet kanë ndryshuar pak në karakterin dhe qëndrimet e jashtëme të këtij njeriu. Ai ishte veshur pak a shumë si dhjetë vjet më parë e nuk nxjerr në pah rëndësinë e tij me poza e fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë i matur e jep përshtypjen se çfarë thotë është e vërtetë….

Dua një Shqipëri të bashkuar brënda kufijve të saj natyrorë. Dua që kjo Shqipëri e bashkuar të zhvillojë jetën e saj në paqën e siguruar nga Roma. Ne jemi lidhur me Romën nga rrethana të pandryshueshme historike e gjeografike. Fakti që edhe ne jemi në luftë nuk rrjedh nga që kemi hequr dorë nga një politikë e jashtëme e pavarur, por nga se Shqipëria, për vetë pozitën e saj gjeografike, është e lidhur me fatin e Italisë”.

Kjo është paraqitja e Kryeministrit shqiptar në opinionin publik italian, por portretin e tij, në një nga këndvështrimet më të rëndësishme të figurës, e plotëson vetë Mëkëmbësi i Mbretit, Jakomoni :

“Një shfaqje nga ana e Mustafa Krujës të asaj që ishte “burrnia” e tij, pra të aftësisë për të përballuar situata me guxim e zemërgjërësi, e pata pak mbas marrjes së funksionit si Kryetar i Qeverisë. Kishte shkuar tek ai Konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë dhe i kishte paraqitur një notë gojore, me të cilën Qeveria naziste kërkonte dorëzimin e më shumë se treqind hebrenjve që, të ikur nga Jugosllavia, kishin gjetur strehë në Shqipëri. Komanda ushtarake gjermane e Beogradit i kishte dhënë lajme të sakta mbi emrat e tyre dhe vëndet ku ishin strehuar në Kosovën shqiptare. Mustafa Kruja erdhi të më kërkojë lejën për t’i lënë të patrazuar në Shqipëri. Nuk kishte në të gjithë Vendin ushtarë gjermanë që të mund t’i njihnin. E quajtëm me vend që hebrenjtë e ikur të shpërnguleshin në krahinën e Gjirokastrës, që kufizohej me zonën greke, të pushtuar nga trupat italiane. Ata do të ishin paisur me një pashaportë shqiptare me emër të rremë e, aty ku do të kishte qenë e nevojshme, të ndihmoheshin materialisht. Këto masa do t’i premtonin Mustafa Krujës t’i përgjigjej, mbas pak ditësh, Konsullit të përgjithshëm të Gjermanisë, se të gjitha kërkimet e bëra në Kosovë, sa i përket emrave të shënuara, kishin dalë të kota.

Nuk u njoftua zyrtarisht Roma për këtë gjë, por u njoftua privatisht për të Drejtori i përgjithshëm i çështjeve sekrete, Ministri i plotfuqishëm Vidau. Ai ishte njeri me zemër dhe me të merrnim masa, nëpërmjet përfaqësive tona jashtë shtetit, të furnizonim hebrenjtë gjermanë, çekë, polakë, hungarezë e rumunë me pasaporta shqiptare. Ata mund t’i shpëtonin kështu përndjekjeve racore, duke shkuar në Shqipëri.”

Ky pohim i Mëkëmbësit të Mbretit italian në Shqipëri është një fletë nderi ndërkombëtare, jo vetëm për M. Krujën dhe Qeverinë e tij, por për gjithë Shqipërinë e banorët e saj. Me këto veprime Shqipëria vihet në rradhën e atyre pak Vendeve të Evropës së pushtuar nga nazifashistët, që nuk morën mbi vehte turpin e një krimi, nga më të shëmtuarit e më mizorët në historinë e botës, atë të Holokaustit. Shqipëria e vogël, në sajë të bijve të saj fisnikë, vuri mbi krye një kurorë, të cilën nuk patën guximin e meritën t’a kenë as popuj shumë më të mëdhenj, më të zhvilluar e më të fuqishëm. Ajo kurorë mbante emrin e humanizmit në shkallë eprore, e vlerave njerëzore të respektuara edhe në rrethanat më të errëta të historisë njerëzore. Në sajë të këtij gjesti, Shqipëria ballëlartë mes gërmadhave të përfundimit të luftës, kishte të drejtën e ligjëshme të kërkonte vendin e saj të nderit, në renditjen e fituesve moralë të tragjedisë më të madhe që kishte kaluar njerëzimi.

Ja si na e përshkruan një nga studjuesit më të pregatitur të historisë sonë, Z. Mergim Korça këtë episod të rrënjosur thellë në kujtesën e tij rinore:
“ …Atëherë Mustafa Merlika Kruja i tha babait ( Dr. Xhevat Korça E.M.) se duhej të merrnin masa urgjente për t’u ardhur në ndihmë hebrenjve në Kosovë. I telefonuan Ministrit të Punëve të Brëndëshme z. Mark Gjomarkaj si edhe sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, z. Engjëll Çoba dhe e lanë të mblidheshin menjëherë në zyrën e Kryeministrit.

Mbas disa ditësh mësova se Mark Gjomarkaj kishte dërguar në krye të një ekipi të tërë prefektësh, nënprefektësh si edhe nëpunësish të besuar të Ministrisë së Brëndëshme, duke mobilizuar edhe të gjithë autobuzët e shoqërisë S.A.T.A., zotin Engjëll Çoba në Prishtinë si i plotfuqishëm të pajiste me dokumenta shqiptare si edhe me emra shqiptarë sa më shumë hebrenj që t’ishte e mundur e t’i transferonte në Shqipëri…”

Por për shtatëdhjetë vjet, përfshirë këtu edhe njëzet prej tyre të demokracisë, kjo meritë e madhe e kombit, kjo meteorë e ndritëshme në qiellin e historisë së tij, nuk u zu në gojë, nuk u bë e njohur. Njëzet vjetët e fundit ishin inercia e pesëdhjetë viteve të regjimit, që u mundua t’a varrosë në katakombet e harresës këtë monument të krenarisë kombëtare, shpëtimin e hebrenjve. Kjo ndodhte vetëm e vetëm sepse ai lidhej me emra si Ahmet Zogu, Mustafa Kruja, Mark Gjomarkaj, Xhevat Korça, Engjëll Çoba, Maliq Bushati, Kolë Bib Mirakaj, at Anton Harapi, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Xhaferr Deva, Fiqiri Dine, Ibrahim Biçaku e sa e sa qeveritarë të tjerë të Shqipërisë etnike, në të gjitha nivelet, që nderuan me veprën e tyre emrin e saj e i lanë brezave t’ardhshëm krenarinë e të qënit bir i një populli që dhunës i kundërvu humanizmin e vërtetë.

* * * * *
Komunizmi shqiptar nuk foli kurrë për këtë epope të fisnikërisë njerëzore, të shfaqur në tokën e tij, sepse ai e kishte përdhosur atë me krimet e tij brënda racës, brënda kombit, brënda popullit që pati meritën t’a prodhonte. Ata qindra jetë hebrenjsh që shqiptarët shpëtuan nga rreziku i asgjësimit nazist, u kompensuan nga njëqindfishi i krimeve mbi vetë shqiptarët, madje mbi pjesën më të vlefshme e më fisnike të saj. Atë kurajo, guxim e zemërgjërësi që treguan shqiptarët në mbrojtjen e hebrenjvet, bandat kriminale të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut e të ngjajshmëve të tyre, u a zhdukën në pak ditë, në sajë të një terrori, para të cilit edhe ai i SS-ve gjermanë ishte një hije e zbehtë.

Por si u arrit në këtë gjëndje? Si i u dorëzua Shqipëria kësaj sprove fatale tmerri të historisë së saj? A ishte një fatalitet i pashmangshëm, apo një fatkeqësi që e gatuam me duart tona? A kemi kurajën sot, mbas 70 vjetësh t’i shohim e t’i analizojmë me gjakftohtësi ngjarjet e atyre viteve, tepër të vështira, e t’i afrohemi gjykimit të historisë që ende nuk e ka dhënë vendimin e saj?

Qeveria Mustafa Kruja lindi si pasojë e lindjes së PKSH, të organizuar e të pagëzuar nga Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, të dërguarit e PK Jugosllave, të cilëve komunistët laramanë e folklorikë shqiptarë i u drejtuan për ndihmë, mbasi Baba Stalini u rrezikua nga sulmi i “pabesë” i mikut të tij, Hitlerit. Ajo i vuri vehtes dy synime kryesore : të konsolidonte Shqipërinë etnike me strukturat e saj administrative, arsimore, ligjore, kulturore e ekonomike e të ndalonte fuqizimin dhe ardhjen në pushtet të komunistëve sllavofilë shqiptarë. Kjo ishte vija e asaj pjese të nacionalizmit shqiptar që i besoi politikës së bashkëpunimit me Italinë, për të arritur synimin e Shqipërisë së bashkuar. Po të njëjtin synim kishte edhe pjesa tjetër e nacionalizmit shqiptar që nuk pranonte asnjë lloj bashkëpunimi me pushtuesit italianë e, më vonë, me ata gjermanë. Në parim kishin të drejtë këta të dytët, por në praktikë problemi reduktohej në një alternativë tepër të vështirë që i ngjante një nyje gordiane.

Në librin e fundit të Ali Këlcyrës “Shkrime për Historinë e Shqipërisë” ka një pjesë që është tepër shprehëse e idesë së mësipërme. Majori britanik M.F. Eden, mik i shqiptarëve, që vjen në Gjenevë për të takuar Qazim Koculin dhe Ali Këlcyrën, bisedon me këtë të fundit pak ditë mbas 7 prillit 1939 :
“ Eden-i më tha : Lufta e përgjithshme, duket e shpejtë dhe e pandalshme. Në qoftë se do të fitojnë Demokracitë Shqipëria do të jetë indipendente, por e shumta do të ketë kufijtë e 1913-ës. Po të fitojë Boshti nuk do të ketë pavarësinë e duhur, por shqiptarët do të përmblidhen në një grumbull të madh familjar, nën influencën e imperializmit fashist.. Unë, si mik i shqiptarëve, për interesin e tyre kombëtar, do të pëlqeja më mirë një Shqipëri me Kosovën e Çamërinë, qoftë dhe jo indipendente, në vend të një Shqipërie të gjymtuar të 1913-ës, e cila, në rast se del triumfuese në fund të luftës, nuk do të mund të sigurojë lehtë, përballë fqinjëve të saj ballkanikë, as dhe kufijtë e saj të sotëm. Unë, si patriot anglez po të kisha bindjen se populli shqiptar do të luante një rol me rëndësi në luftën botërore që po përgatitet, do t’ju këshilloja të vazhdonit përpjekjet tuaja. Por meqë një bindje të tillë nuk e kam dhe meqë ajo që kishit parathënë me kohë e me kaq insistim në të gjitha anët e botës për 14 vjet me rradhë u vërtetua plotësisht, pasi fashizmi e pushtoi me bajonetë të zbërthyer aleaten e tijtë vogël, e duke qenë në nji mëndje me bashkatdhetarët e mi, miq të Shqipërisë, ju këshilloj nxehtësisht të ktheheni një orë e më parë në atdhe. Qëndrimi i juaj i mëtejshëm në mërgim, në gjëndjen e sotme, më duket jo vetëm i kotë, por edhe kundërprodhues. Kam besim se ju mund t’i bëni më shumë shërbim çështjes kombëtare, e ndoshta deri në njëfarë pike edhe çështjes së përgjithshme, po të vijë rasti, duke qëndruar të organizuar në malet e Shqipërisë dhe jo në vendet e lira të perëndimit. Aty duhet të prisni zhvillimin e ngjarjeve, pasi aty do t’ju paraqitet rasti të shpëtoni prapë lirinë e kombit tuaj.”

Koloneli anglez i ka bërë një diagnozë tepër të saktë s’ardhmes së Shqipërisë e, në ndershmërinë intelektuale të shpalosur në bisedë, merr qëndrim në dy rastet e mundëshme të zhvillimit të ngjarjeve. Si “mik i shqiptarëve” uron Shqipërinë e bashkuar e i paraprin mendimit të Mustafa Krujës që tre vjet më vonë, kur shqiptarët ishin përmbledhur “ në një grumbull të madh familjar, nën influencën e imperializmit fashist” do të deklaronte, në një fjalim të tij të rëndësishëm: “Po të na shtrëngonte fati me zgjedhë njânën dysh : a mâ mirë me humbun Kosovën a lirín, pëlqejmë mâ parë të humbasim lirín, mbasi këtê, të bashkuem me Kosovën, jemi të sigurtë se mund t’a fitojmë prap”.

Hipoteza e dytë që profetizon koloneli anglez është alternative e asaj që ai do të parapëlqente në rrobat e një miku të Shqipërisë. Aty vështrimi shkon më larg dhe rrok interesat e Vendit të tij, që në një luftë të pritëshme, edhe se nuk parashikohet një rol i rëndësishëm për Shqipërinë, dëshiron të ketë dikë “ të organizuar në malet e Shqipërisë”, për t’i shërbyer “çështjes së përgjithshme”. Me shumë mirësjellje e njerëzi koloneli anglez i paralajmëron mikut shqiptar fatin e tij dhe atë të Vendit të tij, duke uruar një bashkëpunim me Mbretërinë e bashkuar, që “të shpëtoni prapë lirinë e kombit tuaj”, por gjithmonë në kufijtë e 1913-ës, të cilët edhe “mund të rrezikohen”.

Hipoteza e parë, ajo e fitores së Boshtit me Shqipërinë etnike të bashkuar me Romën, shihej si rruga e vetme e zgjedhjes nga ata që e quanin problemin kombëtar si çështjen më me përparësi të jetës shqiptare. Pra, në këtë rast, ata që krijonin mundësinë e sendërtimit të tij, duheshin quajtur miq. Zgjedhja ishte bërë me shpresën se me kohë gjërat do të ndryshonin, se gjysëm liria e bashkimit me Romën do të kthehej në liri të plotë në kuadrin e një bashkimi më të gjërë. Në këtë drejtim ishte me interes një artikull i botuar në “Il Giornale d’Italia” të datës 9 janar 1942, me firmën e kontit Çiano e me titullin ngacmues “ Bashkimi i Shqipërisë me Italinë ishte i pari shëmbull i rendit të ri evropian”, në të cilin, mes tjerash, thuhet :

“Bashkimi italo-shqiptar ka kthyer në realitet parimin e bashkësisë së popujve, në të cilin, si nga pikpamja historike si nga ajo shoqërore, ripohohet, përsoset e kalohet parimi i kombësisë…

Për popullin italian bëhej fjalë për të futur në jetën e tij të përditëshme parimin e respektit të shenjtë dhe absolut të të drejtave e detyrave të popullit të ri e vëlla, që ishte pritur si i barabartë në familjen e tij politike dhe ekonomike…. Duhej të arrihej tek qytetari italian, veç një ndjenje të re mirëkuptimi, një ndjenjë të re përgjegjësie; të asaj përgjegjësie që binte mbi mbarë Italinë nga funksioni që merrte përkundrejt kombit vëlla.

Duhej mundur mosbesimi i natyrshëm, që edhe para nismash më të hapura e më bujare, përcaktohet në Vendet e vogla, kur ata krijojnë lidhje me Vendet më të mëdha. Së fundi, ishte e domosdoshme të përforcohej në shpirtërat dhe në hapësirë ideja e kombit shqiptar. Prandaj është e nevojshme të shpihej drejt origjinave të tij perëndimore struktura njerëzore dhe ekonomike shqiptare, për t’i dhënë mundësi të sigurojë zhvillimin e një jete në harmoni me atë italiane, kusht i domosdoshëm që bashkëpunimi vëllazëror të mund të vepronte, duke shfrytëzuar arsyeshëm energjitë e ndërsjellta…”

A ishin këto mendime, pararendëse të një epoke që ne sot mund t’a njëjtësojmë me atë të Etërve themelues të Evropës së Bashkuar, apo ishin thjesht prodhim i një evolucioni të brëndshëm të ministrit Çiano, gjithënjë e më tepër i zhgënjyer e në kundërshtim me aleatët gjermanë? Konceptet e shprehura në atë shkrim, sigurisht kapërcenin mendësinë e Perandorisë e të Fuqisë së madhe. Nëse ishin të sinqerta e të pranuara nga regjimi do të kishin qenë me të vërtetë një bazë e sigurtë ku do të mbështetej “rendi i ri”, i kuptuar jo vetëm si një rivendosje drejtësie territoriale për të ndrequr padrejtësitë e së shkuarës, por edhe një projekt i ndërtimit të një bashkësie popujsh që nëpërmjet respektimit të vlerave themelore të solidaritetit, ndihmës së ndërsjelltë, lirive e të drejtave njerëzore, do të krijonte kushtet për një epokë të re në historinë e Evropës. Sikur bërthama e parë e këtij projekti të ishte bashkimi i Shqipërisë me Italinë, siç mëtonte autori i shkrimit, qoftë edhe teorikisht e si synim, meritonte një vëmëndje të veçantë, megjithëse pikëpyetjet që ngrinte trajtimi i tezës së Çianos nuk mungonin. Ajo më e thjeshta ishte : a mund të sendërtohej një projekt i tillë madhështor nga diktatura që imponoheshin me fuqinë e armëve, ku ligjin e bënte gjithënjë më i fuqishmi?

Sidoqoftë artikulli u botua edhe në Shqipëri e pati një kor përgëzimesh për Ministrin e Jashtëm, sepse i përgjigjej pozitivisht shpresave të atyre që besonin në një t’ardhme të përbashkët miqësie me Italinë.

Fillimi i vitit 1943 jepte sinjale të qarta se nga do të anonte fitorja e luftës. Dorëheqja e Qeverisë së Mustafa Krujës, si pasojë e vrasjes së Qazim Koculit dhe ngurimit të italianëve për të ndëshkuar fajtorët, ishte një paralajmërim i dështimit të projektit politik të tij, që synonte ndalimin e rritjes së forcës së komunistëve në vend. Ndaj luhatjes e premtimeve të pambajtura të politikës italiane, që nuk po i jepte mundësi të kishte një forcë milicie të organizuar shqiptare në vartësi të drejtpërdrejtë të Qeverisë që, në synimin e M.Krujës, do të ishte mjeti kryesor në përballimin e rrezikut komunist, por edhe bërthama e një fuqie që, në çastin e duhur do të kthehej në rolin e saj të çlirimit kombëtar, nëse rrethanat do t’a kërkonin, ai dërgoi në Vlorë Qazim Koculin. Zyrtarisht ai ishte Komisar i lartë i Qeverisë për Vlorën, në fakt misioni i tij ishte shumë i fshehtë : fillimi i organizimit të qëndresës kombëtare nacionaliste në krahinën ku lëvizja komuniste ishte më e fuqishme. Personaliteti i spikatur i Koculit në lëmën e shqiptarizmit jepte garancitë e nevojshme për një sukses të projektit. Italianët e nuhatën dhe, nëpërmjet Halil Alisë e Selim Gjetanit, e vranë heroin e Vlorës, duke i hequr mundësinë të përsëriste 1920-ën.

“Në nji ditë vere të vitit 1939, në Vlonë, në mes meje e Qazim Koculit, u zhvillue kjo bisedë: – Ty, Qazim, nuk të ka hije me hy në Partinë Fashiste e me u përzie kaq tepër me italianët.

– Na, Faik, nën maskën e bashkëpunumit, duhet të përgatitemi me i ra Italisë. Duhet të përsërisim Luftën e Vlonës.
– Ç’thue për mikun tand, Mustafa Krujën?
– Në rast të nji lufte në mes të Shqipnisë e Italisë, Mustafa asht me Shqipninë. Në nji luftë të tillë, Mustafën kërkoje prej meje Atë do t’a marr unë për krahu.

Me të vërtetë, me gjithëthanat e thaçat, akuzat e shpifjet, Qazim Koculi, në krye të vitit 1943, u vra prej italianëve, si drejtues i çetave shqiptare kundër Italisë. Si nji hero, ai ra dëshmor, gjatë asaj rruge që përpiqej me ia mbërrijtë : luftës kundër pushtuesit.”

Kështu shkruan në librin e tij të kujtimeve kolonel Faik Quku, ish antar i udhëheqjes së Ballit Kombëtar. Është një nga librat më objektivë në trajtimin e periudhës së luftës. Autori mbron pikëpamjet e tij dhe të forcës politike që përfaqëson, por i sheh me sy realist ngjarjet e gjykimet për to nuk i nënështrohen as miratimit të çdo ideje e veprimi të anës së tij politike, por gjithashtu, as dënimit e nxirjes së veprës së kundërshtarit. Njohës i mirë i gjithë harkut politik shqiptar, nga përvoja në vetë të parë, jep një tablo mjaft të paanshme e reale të Shqipërisë para komuniste.

Tezën e Qukut e pohon edhe një tjetër drejtues qëndror i Ballit Kombëtar, Ali Këlcyra, tepër kritik ndaj Mustafa Krujës dhe vijës së tij. Në shkrimin “Krijimi i Frontit të Rezistencës në Shqipëri” ai tregon një episod të marrredhënieve me Koculin e nxjerr përfundimin përkatës:

“Të gjithë shokët e mërgimit që ndodheshin aty pranuan të merrnin pjesë në rezistencën me përjashtim të Qazim Koculit, i cili më tha se i kishte dhënë fjalën Mustafa Krujës se nuk do të merrte pjesë në asnjë organizatë të fshehtë pa e vënë atë më parë në dijeni. Qëndrimi i Koculit na habiti e na hidhëroi të gjithëve, dhe me gjithë lutjet dhe këmbënguljen time ai mbeti i patundur në mendimin e tij. Kam bindjen se ai, nën mbrojtjen e Mustafa Krujës shpresonte që në momentin oportun të luante një ditë rolin e luajtur më 1920. Kjo i hëngri kokën…”

Ali Këlcyra, si njohës i mirë i të dyve, ndoshta mund të ketë patur ndonjë sinjalizim prej tyre. Nëse nuk është kështu, tregon mprehtësinë politike për të lexuar përtej asaj që duket.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top