PUSI

SHKRUAR NGA AGRON TUFA

Jam i gëzuar. Zemra më rreh fort. Për shkak se kthehet vëllau i vogël nga spitali? Për shkak se erdh pranvera? Dhe dielli shndrit? Dhe rrotull kalasë këndojnë laureshat? Për shkak se pas një jave vjen e na merr daja mua dhe Kolën? Fëmijët lejohen, por jo të rriturit. Nuk më gëzon hiç largimi. Dhe s’dihet, po u larguam, a do t’i shohim më gjallë nënën dhe gjyshen. Për Kolën që po kthehet jam i gëzuar. Me siguri. Ai ka luftuar mes jetës dhe vdekjes. 6 muaj në spitalin e Himarës. Sa më ka marrë malli! Gati ia kam harrua pamjen. Qëlloi të na kthehet bash sonte, kur mbush 9 vjeç. I kemi përgatitë dhurata. Janë sekret…
– Dil e shkruaje dhe ti emnin tand në tarracë, lum nana! Thotë dhe më zgjat një gozhdë.
Tarracën e kanë shtruar me beton. Emrat shkruhen sa është i njomë betoni. Gërryej me gozhdë emrin tim dhe të vëllaut. Poshtë shënoj datën.
Po mua më tërheq pusi përjashta. Anash hyrjes. Aty kanë vënë një polic të ri. Të mos lejojë kalamajtë e vegjël të afrohen. Se mos bien. Po si ka mundësi, që, deri më tash, në pus kanë rënë vetëm dy 14 vjeçarë? Asnjë kalama i vogël! Dhe dy 14 vjeçarët prisnin lirimin. Polici nuk ishte aty kur ata ranë në pus. Në asnjërin rast. Ky është polic tjetër. I jap një buzëqeshje dhe ia ngjis dhe atij harenë. Ai shpërvjel buzën në gaz. Sakaq vetëtin në diell i vetmi dhëmb floriri që ka. Shtrëngon në krah rripat e shiritit të kuq të rojes, shkel syrin dhe më thotë, thuajse me pëshpërimë:
– A do me kqyrë në pus? Sa pa ardhë të tjerë… ndryshe s’bën… harroje!
– Dua, i them dhe afrohem. Ulem në gjunjë mbi pllakat në zgrip të pusit, mbështes pëllëmbët në teh dhe, mandej, zhys kokën në grykë, duke u përpjekur të depërtoj errësirën poshtë. Me ngjan se dikush më thërret. Më duket se dëgjoj përfund pëshpërimën e largët të dy 14 vjeçarëve të mbytur. Më zë frika. Rrah të ngrihem, por befas ndesh krahun e dhunshëm me shirit të kuq, që më godet vrulltas. Nuk kam kohë të vikas. Gjysmën e trupit e kam brenda në grykë dhe vetëm këmbët jashtë. Polici nuk len të kapem me to: m’i zë të dyja këmbët dhe me shtyn fort në grykë. Në momentin e fundit shoh nga perspektiva kokëposhtë vezullimin e dhëmbit të tij të artë. “Kështu paskan rënë dhe dy të tjerët”, zbuloj, para se të shuhem tok me britmën time në ujin e zi memec.

Polici shtyn kapakun e rëndë prej betoni dhe gryka e pusit mbyllet…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top