PUBLIKIM I REAGIMIT NDAJ SHKRIMIT TË ISH-MINISTRIT XHAFER SHATRI

SHKRUAN: ADNAN ASLLANI

Se sa lehtë është të intrigosh, e madje të shpallësh dikend për zëdhënës të Serbisë, e ilustron më së miri shkrimi i fundit i Xhafer Shatrit, ku ai, pas 20 vitesh, merret me gazetën „Zëri i Kosovës“ të periudhës së luftës, me ç’rast, për shkak të një opinioni kritik ndaj tij, të botuar atëherë, e shpall krejt gazetën „Zë të Serbisë“.

E shoh të nevojshëm sqarimin për lexuesit e painformuar, të cilët nuk kanë qasjen në arkivin e gazetës, për të parë e lexuar se çka është botuar në të vërtetë e çka jo, pa e komentuar përmbajtjen e opinionit, që s’ishte i redaksisë së „Zërit të Kosovës“, as të reagimit të z. Shatri ndaj atij opinioni, sepse kështu, duke iu referuar z. Shatri, tani mund të krijojnë një pasqyrë të gabuar për gazetën dhe redaksinë.

Me këtë rast, dua t’i sqarojë e t’i sigurojë lexuesit, se në atë periudhë të luftës, „Zëri i Kosovës“, ndonëse ka qenë gazetë e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), themelueses së UÇK-së, ka qenë në çdo aspekt më i hapur si gazetë, se disa gazeta të tjera, që proklamoheshin si të pavarura, dhe ka qenë fund e krye në shërbim dhe në mbrojtje të lirisë së fjalës, shprehjes së lirë, përderisa disa nga to patën bërë një embargo ndaj komunikatave të UÇK-së, që nga fillimi i publikimit të tyre.

Kushdo që e ka jetuar e mbijetuar atë kohë, e di fare mirë se „Rilindja“, „Bujku“ e „TVSH“ (Satelitor), të cilat thuhej se ishin nën kontrollin e Ministrisë së Informatave të Qeverisë Bukoshi, ku ministër ishte vetë z. Shatri, kishin vendosur cenzurë të rreptë për gjithçka që vinte nga UÇK-ja e Lëvizja. Një numër i madh i deklaratave politike dhe komunikatave të UÇK-së, të cilat ato mediume s’i botuan apo emetuan, ashtu si mediave ndërkombëtare, iu janë shpërndarë pikërisht nga redaksia e „Zërit të Kosovës“ pasi të tillat na ishin dërguar, postuar në redaksi për botim. Fatmirësisht, përveç “Zëri të Kosovës”, kishte gazeta shqiptare që edhe ishin të hapura, e që botonin edhe komunikatat e UÇK-së e Lëvizjes, por ato ishin jashtë kontrollit të Qeverisë Bukoshi, përkatësisht Ministrisë së Informatave.

Ajo që më nxiti të shkruaj është manipulimi me të vërtetën, që ka dimensione shpifëse, sipas së cilës redaksia e gazetës „Zëri i Kosovës“, kryeredaktor i së cilës isha unë, paska lejuar botimin e opinionit „Kush janë shtatë vëllezërit Geci?“, dhe se gjoja, me insistim të Bedri Islamit nuk e paska lejuar botimin e reagimit të z. Shatri, të dërguar me letër rekomandë.

Dua ta theksoj me përgjegjësi të plotë, se asnjëherë nuk ka pasur diktate të tilla, dhe redaksia nuk do të pranonte kurrë diçka të tillë. Puna jonë vullnetare ishte në funksion të lirisë së shprehjes dhe kundër censurës e diktatit, prandaj, projekti i Lëvizjes dhe i UÇK-së fitoi mbështetjen e botës progresive dhe me ndihmën e tyre populli i Kosovës u çlirua përfundimisht nga robëria shekullore serbe.

Gazeta „Zëri i Kosovës“, ka qenë referencë e shumë mediumeve ndërkombëtare të kohës, të cilat na janë drejtuar për informacione të ndryshme. Asnjëri nga anëtarët e redaksisë nuk do të mund të shantazhoheshin e as manipuloheshin. Të gjithë ishin të dëshmuar kombëtarisht, njerëz me dinjitet dhe kishin një vizion të qartë për çlirimin e Kosovës.

Përpjekja e Xhafer Shatrit për ta etiketuar gazetën „Zëri i Kosovës“ si gazetë antishqiptare, është më shumë se sa naive. Faktet janë kokëforta, ngase gazeta ishte në shërbim të atyre që për çdo ditë, në Kosovë, binin në altarin e lirisë, dhe një pjesë e madhe e tyre ishin kontribues të denjë dhe të drejtpërdrejtë edhe në „Zëri të Kosovës“. Barometër i punëve dhe angazimeve tona ishin pikërisht luftëtarët e lirisë dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në rastin konkret, të cilit i referohet z. Shatri, „Zëri i Kosovës“ e ka botuar të plotë reagimin e tij dhe përveç kësaj, që ta kenë të qartë lexuesit e kohës së sotme moderne, ai shkrim ka ardhur në formë të letrës së dërguar përmes postës. Ne e kemi marrë mundin dhe e kemi daktilografuar, pastaj e kemi radhitur e publikuar në numrin e ardhshëm të gazetës që ishte javore atëherë. Gjithashtu edhe në edicionin online është publikuar ky reagim. Mos të harrojmë se atëherë „Zëri i Kosovës“ kishte faqen e vetë të internetit dhe ishte gazeta e vetme shqiptare që plasonte shkrimet edhe në versionin online.

Është një shpifje e ultë të thuhet se gazeta „Zëri i Kosovës“ ka qenë në shërbim të ndonjë klani politik, e aq më shumë që ka qenë zë i Serbisë. Se çfarë gazete ka qenë „Zëri i Kosovës“ e dijnë lexuesit e saj, ata që luftonin në Kosovë, dhe këte më së miri do ta vlerësojë historia.

Sa për atë se opinionin kritik ndaj z. Shatri e paska botuar edhe gazeta e studentëve „Bota e Re“, më duhet të theksoj dhe infromoj të gjithë, sidomos, ende të painformuarit, se „Zëri i Kosovës“ dhe „Bota e Re“ kanë pasur një marrëveshje mes vete gjatë luftës për të dalë me përmbajtje të njëjtë. Kështu, për herë të parë „Zëri i Kosovës“, de fakto po botohej edhe në Kosovë.

P.S. Në foto e keni reagimin e Xhafer Shatrit të botuar në gazetën „Zëri i Kosovës“, në numrin 1 (334), të datës 07.01.1999.
Gjithashtu po e publikoj edhe ballinën e gazetës (sa shumë emocion më zgjoi ajo!)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *