SHKRUAN: XHELAL ZEJNELI
Hoze Ortega y Gaset (Jose Ortega y Gasset) është më i njohuri filozof spanjoll i shekullit XX. Ka lënë pas vetes një opus tejet interesant. Me shkrimet e veta ka prekur një numër të madh temash që e preokupojnë njeriun modern. ka lindur në vitin 1883. I ka përjetuar të gjitha ngjarjet e rëndësishme që e kanë karakterizuar botën moderne, ndaj veprat e tij janë një kronikë mjaft interesante e problemeve dhe e dilemave të këtij qindvjeçari të bujshëm.
Vepra e tij “Revolta e turmës”, është libri spanjoll më i përkthyer i qindvjeçarit XX. Doli nga shtypi në vitin 1930 në Madrid dhe sakaq shkaktoi reagime të bujshme. Libri u shfaq në një çast historik tejet të paqëndrueshëm, periudhë kjo e cila ende i ndjente pasojat e Luftës së Madhe (1914-1918), ndërsa problemet për të cilat ishte bërë lufta, kishin mbetur të pazgjidhura. Në fund të viteve ’20 dhe në fillim të viteve ’30 të shekullit XX, ishin të shumtë ata të cilët e ndjenin se stuhia e luftës do të sulet përsëri. kriza e madhe ekonomike e viteve 1929-1932 e cila e varfëroi një pjesë të madhe të popullsisë së Evropës dhe të ShBA-së, ishte në kulmin e vet. Bota e vjetër e demokracisë liberale dhe e ekonomisë në rritje, u shemb që me krismat e para të vitit 1914. Popujt nuk ia dolën ta rikthejnë stabilitetin as prosperitetin e saj. Në Itali, në BRSS dhe në Gjermani erdhën në pushtet regjimet totalitare, fytyra e vërtetë e të cilave sapo kishte filluar të shihet.
Në një çast historik të tillë, në çastin e qetësisë para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, Ortega y Gaset, në “Revoltën e turmës” përpiqet të bëjë analizën e njeriut që ka sunduar në dhjetëvjeçarët e fundit, duke përshkruar në mënyrë profetike llojin e shoqërisë që do ta krijojë njeriu i tillë. Njëherazi, e sqaron me shpresë, se cilat janë bazat e shoqërisë nga të cilat bota është larguar atëherë, aq shpejt dhe me aq vendosmëri.
Rrethanat historike që i kanë prirë kësaj revolte i kanë rrënjët në shekullin paraprak. Gjysma e dytë e shekullit XIX popujve të hemisferës perëndimore u solli një përparim material të paparë deri atëherë. I solli përmirësim të standardit të jetesës – që nga shëndetësia deri te arsimimi, që nga banimi deri te mundësia për të udhëtuar dhe për të komunikuar. Përveç kësaj, demokracitë liberale të qëndrueshme, të bazuara në të drejtën e përgjithshme të votës dhe në partitë e fuqishme të elitave, midis programeve të cilave zgjedhësit kanë mundur të zgjedhin, mundësuan, qoftë sigurinë e pronës, qoftë sigurinë e jetës njerëzore. Baraspesha e forcave, e vendosur ndërmjet shteteve kryesore të Evropës, ishte garanci e paqes dhe e prosperitetit, kështu që deri në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore në vitin 1914, dukej silur bota pandalshëm përparonte kah një e ardhme e sigurt dhe e ndritshme e cila do të jetë gjithnjë më humane dhe më e begatshme.
Por, baraspesha e forcave u çrregullua dhe plasi Lufta e Madhe. Sasia e barbarisë dhe e gjakderdhjes që pasoi dëshmoi se sa e hollë është shtresa qytetëruese e shoqërisë e cila lëvdohej se është më e përparuara në botë. U shembën perandoritë e vjetra, Austro-Hungareze, Gjermane dhe Osmane. rendet shoqërore të qëndrueshme rrënuan. Shtetet u varfëruan. Sisteme e vlerave u tronditën deri në themel. Në Rusi filloi revolucioni e cila i qëronte llogaritë me kapitalizmin, me religjionin dhe me borgjezinë, duke i rrënuar shtyllat themelore të shoqërisë së vjetër. Evropiani mbeti i çorientuar dhe pa udhëheqje.
Kjo ishte një arenë botërore për paraqitjen e një dukurie të re, dukurie të cilën Ortega y Gaset e quan njeri i turmës.
Papritmas, në qendër të qytetërimit të vjetër u shfaq njeriu primitiv. Nëpër shkolla, të cilat kishin qenë tejet krenare për shekullin e kaluar, turmave mund t’ia mësonin vetëm teknikën e jetës bashkëkohore, por nuk ia dolën t’ua mësojnë. Morën instrumente për një jetë intensive, por jo edhe ndjenjën për detyra të mëdha historike. Vazhdimisht prisheshin duke u krenuar me fuqinë e mediumeve bashkëkohore, por shpirti i tyre nuk u pasurua. Prandaj turmat nuk dëshirojnë të kenë asnjë lidhje me shpirtin.
Ortega y Gaset thotë se me turmën nuk nënkupton asnjë klasë të posaçme në shoqëri, por për një kategori të posaçme psikologjike dhe sociologjike të njeriut, pjesëtarët e së cilës rekrutohen nga të gjitha klasat e shoqërisë. Njeriu i turmës është njeri në jetën e të cilit nuk ka projekte dhe i cili i jepet rrymës, shkon me rrjedhën. Ai nuk krijon asgjë, edhe pse autorizimet e tij janë tejet të mëdha. Ai lejon ekspansionin e lirë të orekseve të tij jetësore dhe posedon mosmirënjohje radikale ndaj çdo gjëje që e ka lehtësuar ekzistimin e tij. Që të dy tiparet e krijojnë psikologjinë e njohur të fëmijës së lazdruar. .
Ai është njeri pa ndonjë prirje apo kompetencë të veçantë. Është njeri mesatar, i prirë për kënaqësi të imëta dhe për jetë private të qetë. Shumë njerëz i përkasin këtij lloji të njerëzve dhe këtu s’ka asgjë të keqe. Paramendoni një njeri modest i cili pyet në është i talentuar për diçka, në shquhet në ndonjë lëmë dhe vjen në përfundim se nuk shquhet në asnjë fushë. Ai njeri do të ndjehet mesatar dhe i rëndomtë, i patalentuar, por nuk do të ndjehet pjesë “e turmës”.
Me revoltën e turmës, Ortega nënkupton dukurinë kur njeriu i tillë fillon të mohoj çdo autoritet dhe pushon t’i nënshtrohet çdo instance të lartë, qofshin atë pushteti, institucioni fetar, kodeksi moral apo diçka tjetër; kur turmat si shumicë, pushojnë t’i dëgjojnë pakicat prej të cilëve dikur kanë qenë të udhëhequr dhe të orientuar. Njeriu i turmës përnjëherë paraqitet sikur çdo gjë e di më së miri, i ka idetë e veta, ndërsa jetën e vet ka vendosur ta orientojnë kah përvetësimi i një sasie sa më të madhe pasurie, për vete dhe për të afërmit e vet.
Turmat në skenë – Problemin themelor të shoqërive të atëhershme Ortega i sheh në faktin se turma të mëdha njerëzish të cilët më parë me përulësi e kishin zënë vendin e vet në shoqëri, përnjëherë kanë dalë në skenën e jetës kulturore dhe politike. Nën ndikimin e pasioneve dhe të ndjenjave të tyre të pakontrolluara, turma e pakontrolluar prej ndokujt dhe e aftë vetëm për të shkatërruar dhe për linçim, bie në duart e udhëheqësve demagogë të cilët e keqpërdorin forcën e madhe të saj.
Për karakteristikat e turmës, Ortega thotë: “Turmave u intereson vetëm mirëqenia dhe ato janë mosmirënjohëse ndaj faktorëve të asaj mirëqenieje. Në përparësitë e qytetërimit nuk vërejnë ndonjë arritje apo konstruksion me vlerë të cilat mund të mbahen vetëm me përpjekje dhe vëmendje të madhe. Turmat besojnë se roli i tyre ka të bëjë me kërkesën e vendosur të tyre, sikur ato janë të drejta të lindura, të patjetërsueshme.
Turma e re, lirinë e plotë jetësore e konsideron si një gjendje të natyrshme dhe të përcaktuar e cila nuk ka kurrfarë shkaqesh të posaçme. Asgjë nuk e nxit për t’i pranuar kufijtë e vet apo mundësitë e veta, e më këtë edhe t’i ketë parasysh edhe instancat e tjera, sidomos ato superiore.
Njeriu i thjeshtë nuk do të besojë se është i jashtëzakonshëm, por njeriu i thjeshtë do të shpallë të drejtën për të qenë mesatar apo që mesatarja të njihet si një e drejtë. Ka “ide” tejet të sigurta lidhur me atë që ndodh apo që të ndodhë në gjithësi. Prandaj ai e ka humbur kuptimin e të dëgjuarit. E përse të dëgjojë kur posedon përgjigje për çdo gjë? Nuk ekziston asnjë çështje në jetën publike në të cilën ai, i verbët dhe i shurdhët, nuk e imponon “mendimin” e vet”.
Njeriu-turmë nuk pranon debat. Ai instinktivisht refuzon të pranojë ndonjë instancë, objektivisht më të lartë. Prandaj në Evropë, kohët e fundit konsiderohet moderne “të ndërpresësh debatin” dhe shikohet me sy të keq çdo formë e jetës së përbashkët që do të nënkuptonte respektimin e rregullave objektive, që nga biseda, deri te shkenca dhe kuvendi i të zgjedhurve të popullit. Me fjalë të tjera, refuzohet bashkëjetesa e kulturës që u nënshtrohet normave dhe pranohet kthimi në jetën barbare. Suprimohen të gjitha formalitetet e rregullta dhe sipas parimit ‘të aksionit të drejtpërdrejtë”, imponohet ajo që dëshirohet,
Qytetërimi, në radhë të parë është vullnet për jetë të përbashkët. Po qe se njeriu nuk i përfill të tjerët, ai është barbar dhe i paqytetëruar. Barbaria është prirje për ndarje. Prandaj, çdo epokë barbare ka qenë epokë e vetmisë njerëzore, e imtësimit. Në atë kohë kanë lindur grupet e vogla, të ndara dhe armiqësore.
Faji i elitave – Ortega i hulumton arsyet e gjendjes së krijuar. Në një gjendje të tillë kanë ndikuar kushtet historike dhe materiale të theksuara. Por, ai i fajëson edhe elitat për të cilat thotë se kanë pushuar të jenë shembull i jetës kulturore dhe fisnike. Elitat kanë pushuar të punojnë për kapërcimin e kufizimeve të veta dhe të përmirësojnë karakteret e veta. Si rrjedhojë e një materializmi në rritje, pakica udhëheqëse e atëhershme filloi t’i përkushtohet industrisë, tregtisë dhe krijimit të profitit. Lind epoka e dekadencës së aristokracisë e cila heq dorë nga roli udhëheqës, duke i lënë turmat jashtë kontrollit.
Aristokrati i mirëfilltë, pjesëtar i pakicës kreative, është ai i cili kërkon shumë nga vetja dhe kurrë nuk është i kënaqur me atë që ka arritur. Është ai i cili me dëshirën e vet merr përsipër detyra të rënda dhe vazhdimisht është në kërkim të vendit të punës ku do të shërbente më së miri. Vetë fjala “aristokraci” vjen nga greqishtja aristos që do të thotë “më i miri” dhe krateo – “sundoj”. Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me sundimin e më të mirëve, e më të aftëve.
Fisnikëria për Ortegën është sinonim i jetës të kaluar në punë, gjithmonë të përcaktuar asisoj që ta tejkalojë veten. Fisnikëri do të thotë të shndërrohesh nga ajo që je tani, në atë që shfaqet si detyrim dhe kërkesë.
Fisniku është i njohur, e njeh tërë bota. Ai ka famë dhe dallohet nga turma anonime. Arsye e famës së tij është përpjekja e madhe. Ai i përgjigjet fisnikes, të guximshmes dhe të shkëlqyerës.
Të shquarin, njeriun e elitës e determinon nevoja intime që normave t’u drejtohet në mënyrë të pavarur, jashtë vetvetes, t’u drejtohet superiorëve, në shërbim të të cilëve vihet me dëshirë. Në kundërshti me atë që besohet, në robëri esenciale jeton i shquari dhe jo njeriu i turmës. të shquarit, nuk i pëlqen jeta po qe se nuk i shërben asaj që është transcendentale. Prandaj, nevojën për të shërbyer nuk e përjeton si opresion. Kjo është një jetë përplot disiplinë, jetë fisnike. Fisnikëria përkufizohet sipas kërkesave të shoqërisë, sipas detyrimeve ndaj shoqërisë dhe jo sipas të drejtave. Fisnikëria është obligim (Noblesse oblige).
Jeta kreative nënkupton një regjim higjiene të lartë, dekori të shkëlqyer, shtytjesh të vazhdueshme që e sfidojnë vetëdijen e dinjitetit. Jeta kreative është energjike dhe një jetë e tillë është i mundur vetëm në njërën prej këtyre dy situatave: ose kur njeriu sundon ose kur ndodhet në një botë në të cilën sundon ndokush të cilit ia pranojmë të gjitha të drejtat për atë funksion. Kështu sepse roli themelor i elitave gjithmonë ka qenë, ose është dashur të kishte qenë, të jenë shembull.
Jeta e njeriut, për natyra e vet, patjetër të orientohet ndaj një gjëje, veprimi të famshëm apo përulës, fatit të shkëlqyeshëm apo të rëndomtë, ngase të jetosh do të thotë të kesh një detyrë të caktuar, të ushtrosh një detyrë, e po qe se i shmangemi detyrimit për t’ia kushtuar jetën një gjëje, atëherë ne i ikim atij. I liruar nga vetvetja, çdo jetë mbetet në dorë të vetvetes, e zbrazët dhe nuk ka ç’të punojë. Egoizmi është labirint. Të jetosh, do të thotë të ngasësh pas një gjëje, të shkosh kah qëllimi. Qëllimi nuk është ecja ime, nuk është jeta ime. Qëllimi është diçka drejt së cilës e orientoj jetën. Prandaj, jashtë saj, qëllimi është larg. Po qe se vendosi që me egoizëm të ec vetë në jetën time, nuk do të përparojë, askund nuk do të mbërrij; do të rrotullohen dhe do të sillem po në atë vend. ky është një labirint që nuk sjell asgjë.
Ortega y Gaset si ideal thekson jetën fisnike, jetën e aksionit dhe të kreativitetit. Duke qenë se për një jetë të tillë janë të aftë një numër i vogël i njerëzve, është e domosdoshme që pakicat e tilla sociale të qeverisin në shoqëri. Pa pakica të tilla kreative, pjesës tjetër të shoqërisë i mungon orientimi dhe qëllimi, drejt të cilit do të mund të synonte. Jeta shndërrohet në një përditshmëri shterpe, që vazhdimisht përsëritet. Për Ortegën, shoqëria e shëndoshë, për nga ndërtimi politik, është gjithmonë aristokrate. Shoqëria e tillë duhet të rregullohet sipas parimeve të caktuara që bëjnë të mundur ekzistimin e pushtetit si dhe të atyre të cilët qeverisen, me pëlqimin e tyre dhe duke respektuar projektin e caktuar që e prodhon pushteti.
Me “pushtetin” nuk nënkuptohet si parësore forca materiale, e shoqëruar nga forca fizike. Ky raport i qëndrueshëm dhe normal ndërmjet njerëzve që quhet pushtet, kurrë nuk mbështetet në forcë. Pushteti është zbatim normal i autoritetit dhe gjithmonë bazohet në mendimin publik. Madje edhe ata që dëshirojnë të sundojnë me ndihmën e jeniçerëve, varen nga mendimi i tyre si dhe nga mendimi që kanë të tjerët për ta. Është e vërtetë se me ndihmën e jeniçerëve nuk mund të sundohet. Të qeverisësh, nuk do të thotë të rrëmbesh pushtetin, por ta zbatosh atë në mënyrë të qetë. Pushtet do të thotë epërsi e një mendimi, përkatësisht e një fryme mbi tjetrën. Po qe se shumica e njerëzve nuk kanë mendim, fryma patjetër ta ketë pushtetin, ngase pa një forcë shpirtërore, pa një sundimtar, njerëzimi hyn në kaos.
Ortega vjen në përfundim se evropianit më së shumti i mungon objektivi, misioni të cilin do të duhej ta sendërtonte, të cilit do të mund t’ia kushtonte jetën për ta fisnikëruar atë, për ta nxjerrë nga rruga plot gropa hipnotizuese e jetës, e njeriut të turmës.
Atë projekt ai e sheh në bashkimin e rrethit kulturor evropian, duke konsideruar se kufijtë e shteteve kombëtare, që prej kohësh, më tepër paraqesin pengesë, sesa garanci sigurie. Ortega me të madhe u angazhua për idenë e Evropës së bashkuar, duke e konsideruar atë si një projekt drejt të cilit do të duhej të orientoheshin elitat, si një objektiv drejt të cilit do të mund t’i shpinin turmat e çorientuara, duke ua dhënë përsëri ndjenjën e kuptimit dhe të veprimit.
E sotmja dhe revolta e turmave – Kur sot, nga një distancë historike prej 80 vitesh, e lexojmë veprën “Revolta e turmave” të Ortega y Gaset dhe i analizojmë idetë themelore të saj, vijmë në përfundim se shumë mendime të tij edhe sot mund të gjejnë zbatim. Njeriu i turmës ka sunduar në të gjitha shtetet. Pushteti që i shërben është pikërisht i atillë siç e ka përshkruar Ortega – pa një vizion, pa një qëllim, me një synim për të qeverisur prej sot deri nesër, duke i kënaqur interesat e turmës.
Me kalimin e kohës, turma pushoi t’u besonte diktatorëve të fuqishëm. Në periudhën kur filloi të luajë rolin kryesor në skenën botërore, turma i solli në pushtet Vlladimir Iliç Leninin, Benito Musolinin dhe Adolf Hitlerin.
Tani turma më tepër i adhuron ata të cilët i premtojnë pasuri materiale dhe të drejta të mëdha, pa ia ngarkuar asaj detyrat dhe detyrimet ndaj bashkësisë. Midis atyre që qeverisin dhe atyre që qeverisen, tanimë nuk ka dallim.
Edhe pse kjo vepër e Ortegës për nga tema që shtjellon kryesisht është vepër sociologjike, megjithëkëtë mund të konstatojmë se zgjidhja e kësaj situate gri, është në duart e individit. Ortega ia prezanton lexuesit strukturën dhe psikologjinë e njeriut të turmës për ta paralajmëruar për rrezikun se edhe vetë ai i dorëzohet procesit të fuqishëm që e shndërron në njeri të tillë. Duke marrë parasysh faktin se ai gjithmonë ka synuar për ta përmirësuar shoqërinë dhe jetën e përbashkët, Ortega mendonte se emancipimi i individit, bashkëngjitja e tij idealit të jetës fisnike, është çelësi i një bote më të mirë.
* * *
Shumë liderë të vendeve të Ballkanit janë produkt i turmave. Klasat politike të vendeve të Ballkanit janë produkte turmash. Liderët e dalë prej turmave dhe klasat politike të dala prej turmave kurrë nuk mund të krijojnë sistem demokratik të mirëfilltë dhe shtet ligjor. Qeverisja e tyre nuk është as socialiste dhe as kapitaliste, po gjysmëbarbare.
* * *
Jose Ortega y Gasset lindi në Madrid më 9 maj 1883. Babai Jose Ortega Munilla dhe nëna Dolores Gasset Chinchilla, posedonin një shtëpi botuese dhe botonin gazeta, gjë që do të ndikojë fuqishëm mbi Ortegën i cili gjatë tërë jetës së tij ka botuar fejtone dhe ese. Edhe vetë ai boton gazetën “Revista de Occidente”. Shkollimin e filloi në kolegjin jezuit në Malagë për ta vazhduar në Instituto de Malaga, ku kreu filozofinë, letërsinë dhe drejtësinë. Diplomën universitare nga filozofia dhe letërsia e mori në Universitetin Complutense në Madrid, ku edhe doktoroi filozofinë në vitin 1904. Tri herë qëndroi për ngritje profesionale në Gjermani, në Mekën filozofike të atëhershme, në universitetet e Lajpcigut dhe të Marburgut. Në vitin 1910 u bë shef katedre për metafizikë në universitetin e Madridit. Disa herë udhëtoi në Argjentinë ku mbajti ligjërata tejet të vizituara. Aty, mendimi filozofik i tij la një gjurmë të thellë. Gjatë trazirave në Universitetin e Madridit në vitin 1929, i mbështeti studentët dhe hoqi dorë nga katedra dhe vendi i profesorit në universitet. Atëherë e mbajti kolegjin legjendar me emërtimin “Ç’është filozofia?” në kinematë dhe në teatrot e Madridit. Interesimi ishte i jashtëzakonshëm. Qytetarët rendnin pas ligjëratave filozofike të tij, kacafyteshin për bileta, gjë që është një kuriozitet historik i llojit të vet. Në vitin 1931 e pranoi pozitën e përfaqësuesit të provincës Leon në Kuvendin konstitutiv të Republikës së Dytë të Spanjës, por shpejt u dëshpërua me politikën dhe u largua. Me shpërthimin e Luftës civile, u larguar nga Spanja. Shkoi në Paris dhe mbajti një sërë ligjëratash të rëndësishme në mbarë Evropën. U shoqërua me intelektualët më në zë të kohës. Ka mesi i vitit 1939 e vazhdoi emigrimin e vet në Buenos-Aires në Argjentinë, për t’u kthyer në Evropë në vitin 1942. U vendos në Lisbonë. Më 1948 u kthye në Madrid ku e themeloi Institutin e Shkencave Humanitare në të cilin ligjëroi edhe vetë. Vdiq në Madrid në vitin 1955 në moshën 72 vjeçare. Epitafet ia shkruan mendimtarët më të mëdhenj të asaj kohe, siç është edhe filozofi ekzistencialist gjerman Martin Hajdeger (Martin Heidegger, 1889-1976). Ka botuar një numër të madh esesh, librash dhe traktatesh në temë nga metodat filozofike, nga sociologjia, historia etj. Përpos “Revoltës së turmave”, vepra të tjera më të rëndësishme të tij janë: Ç’është filozofia?, Meditime për Kishotin, Studime për dashurinë, Dehumanizimi i artit, etj.
Veprat e tij janë tërheqëse edhe për shkak të gjallërisë intelektuale, freskisë së stilit, bukurisë së shprehjes dhe ekzistimit të një sistemi të vlerave të cilit gjithmonë i mbeti besnik.
Shume aktuale ne shoqërinë shqiptare të tanishme ? !