PSE U VRANË DHE KUSH MUND TË JENË TË PËRZIER NË VRASJEN U JUSUF GËRVALLËS, BARDHOSH GËRVALLËS DHE TË KADRI ZEKËS!?

SHKRUAN: SHEFQET JASHARI – STROFCI

SHQIPËRIA KOMUNISTE NUK ISHTE E INTERESUAR PËR FORCIMIN E NJË ORGANIZATE KOMBËTARE, SIÇ ISHTE ORGANIZATA QË E DREJTONTE METUSH KRASNIQI, JUSUF GËRVALLA DHE BASHKËVEPRIMTARËT E TYRE

Riokupimi i Kosovës nga serbo-jugosllavët pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore; ngadhnjimi i djajve komunistë në Shqipëri mbi forcat djathtiste dhe ardhja në pushtet e bajraktarëve të farës ruse në cilësinë e vasalëve, në gjithë hapsirën tonë kombëtare, i sollën popullit tonë tragjedinë më të rëndë gjatë gjithë historisë së tij. Gjysmë shekulli populli ynë u përball me të ligat e shumta që iu erdhën nga armiqtë tanë shekullorë nëpërmjet “parisë” dhe “udhëheqjes” së tij, që ishte këmbë e krye e lidhur me Beogradin, Moskën dhe Pekinin. Këta kokëkrisur, për t’i ruajtur interesat e tyre personale dhe klanore u shndërruan në rrogtarë, vasalë dhe skllevër të Rankoviqit, Titos, Stalinit, Hrushovit dhe Mao Ce Dunit. Forcat e shëndosha kombëtare, edhe pse të pakta në numër, nuk u pajtuan me robërinë serbo-jugosllavo-bolshevike, por e kundërshtuan atë të keqe me të gjitha mjetet që mund t’i vinin në përdorim, edhepse kushtet për një rezistencë të mirëfilltë nuk ekzistonin. Formimi i organizatave ilegale në Kosovë, menjëherë pas okupimit të saj nga partizanët e Titos, ishte hapi i parë i një rezistence të organizuar.

Burgosjet dhe dënimet e rënda të intelektualëve dhe veprimtarëve të dalluar, që i vunë themelet e rezistencës ilegale në Kosovë, nga ana e OZN-ës dhe UDB-së jugosllave, nuk i arritën qëllimet që kishin për demoralizimin e popullit tonë dhe shpërnguljen e tij për në Turqi. Përkundrazi, të gjitha masat e dhunës së organizuar që kryheshin kundër popullit tonë e forcuan shpresën e fitorës së çështjes shqiptare dhe të ngadhnjimit të drejtësisë mbi padrejtësinë, pasi që ishin të bindur se “zullumi këputet prej së trashuri”, në një ditë, kur shqiptarëve do t’u vijë “shteku”. Me burgosjen dhe dënimin e intelektualëve nacionalistë, që i përkisnin NDSH-së, menjëherë pas masakrës së Tivarit dhe shuarjes së kryengrirjes së Drenicës dhe të Ana Moravës së Gjilanit, ishte një goditje shumë e rëndë për nacionalizmin shqiptar, ishte një humbje e madhe për Kosovën dhe për shqiptarinë. Formimi i Organizatës “Partia Rrevolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë” nga Metush Krasniqi më 1957, ishte një përpjekje serioze për rimëkëmbjen e NDSH-së, ishte përpjekje me përkushtim për ringjalljen e nacionalizmit shqiptarë në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, ishte një përpjekje e qëlluar për vënien e kontakteve me aleatët e kombit tonë anglo-amerikanët, ishte një përpjekje që Lëvizja jonë për çlirim dhe bashkim kombëtar të gjejë përkrahje nga shtetet demokratike të Evropes Perëndimore dhe të SHBA. Burgosja dhe dënimi i veprimtarëve të kësaj organizate me në krye Metush Krasniqin më 1958 do të ketë pasoja të rënda për Lëvizjen tonë kombëtare, pasi që ajo do të marri krejtësishtë tjetër kahje. Zbulimi dhe dënimi i veprimtarëve të organizatave ilegale të Kadri Halimit dhe Ali Aliut- më 1961- dhe më vonë të organizatës së Adem Demaçit- më 1964- bëri që Lëvizja jonë kombëtare të pësojë ndryshime rrënjësore.

Ajo tani nuk drejtohej nga djathtistë siç drejtoheshin organizatat e mëparshme, (NDSH-eja dhe dy Organizatat që i drejtonte Metush Krasniqi) por drejtohej nga intelektualë majtistë, që kishin bindje komuniste (Ali Alija, Adem Demaçi etj.). Udhëheqësitë e këtyre organizatave të mëvonshme, përpos LNÇKVSHJ, mbështetjen dhe përkrahjen nuk e pritnin dhe as nuk e kërkonin nga aleatët tanë të natyrshëm anglo-amerikanët dhe shtetet demokratike të Evropës Perendimore, por mbështetjen dhe përkrahjen e pritnin nga kampi i llogores socialiste, nga Shqipëria, BRSS-ja dhe Kina. Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini dhe Enveri ishte udhëheqja ideore e shumicës dërmuese të veprimtarëve të organizatave ilegale që u krijuan në Kosovë. Mbështetjen për veprimtarinë e tyre e gjenin në shpjegimet teorike të Leninit, që i kishte paraqitur në librin e tij: “Revolucioni socialist dhe e drejta e popujve për vetvendosje”. Partia Komuniste Shqiptare-PPSH-ja dhe Radio Tirana luajtën rol antikombëtar duke u bërë altoparlantë të Beogradit (1944-1948), të Moskës (1948-1962) dhe të Pekinit (1962-1976), dhe njëkohësisht shpërdanë egjrën komuniste (ideologjinë komuniste) në gjithë hapsirën tonë kombëtare. Ushqimi i popullit tonë, veçmas i rinisë, me egjrën komuniste pati dhe ende ka pasoja tejet të rënda për Lëvizjen tonë kombëtare, që lufton për çlirim dhe bashkim kombëtar. Në veçanti dëme dhe pasoja të rënda ka pësuar Shqiptaria, pasi që shumica dërmuese e “udhëheqjeve” shqiptare ende janë në agoninë e egjrës komuniste.

Nacionalizmi shqiptar ka pësuar goditje të rëndë dhe është shtruar për toke si rrjedhojë e ndjekjes këmba-këmbës të bartësve të tij nga këlyshët e Beogradit, të Moskës dhe të Pekinit,që u bënë “udhëheqje” e Shqipërisë dhe e Kosovës. Egjra (ideologjia) komuniste u bë ushqim shpirtëror i rinisë shqiptare në dy anët e kufirit, në saje të gënjeshtrave dhe manipulimeve që i bënte PPSH dhe Radio Tirana, duke e çuar në qiell ideologjinë e kamufluar të pansllavizmit rus, marksizëm- leninizmin. Duhet kuptuar se vështirësitë me të cilat po përballohet sot populli ynë në gjithë hapësirën tonë kombëtare, nuk janë pasojë e perçarjeve të sotit, por janë rrjedhojë e mbjelljes së farës ruse në të gjitha trojet tona etnike, dhe të politikës antikombëtare të PKSH-PPSH-së dhe udhëheqjes së saj: Milladin Popoviqit, Enver Hoxhës, Dushan Mugoshës, Lirie Gegës, Mehmet Shehut, Koqi Xoxës, Hysni Kapos, Spiro Kolekës, Ramiz Alisë, Fatos Nanosit etj Po qe se dëshërojmë të kemi sa më shumë fakte dhe dëshmi për ndriçimin e gjendjes në të cilën ndodhemi, për të nxjerrë mësime që do të na shërbenin për tejkalimin e vështirësive në të cilat ndodhemi, është e domosdoshme të njihet veprimtaria e organizatave ilegale që u formuan në Kosovë gjatë sundimit serbo-jugosllav. Duhet cekur se e gjithë veprimtaria ilegale që u zhvillua në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare gjatë sundimit serbo-jugosllav nuk u konsolidua si duhet për t’u bërë një organizatë e fortë, që do të drejtonte dhe do të kryente veprimtari të llojllojshme ilegale, gjysmëlegale dhe legale, në vazhdimësi, deri sa të na vijë shteku për t’i prerë prangat e robërisë. Të gjitha organizatat ilegale që janë formuar në Kosovë janë zbuluar nga OZN-a dhe UDB-ja jugosllave menjëherë pas kryerjes së aksioneve të para, dhe- në shumicën e rasteve- është zbuluar pothuajse e gjithë struktura udhëheqëse e organizatave ilegale.

Duhet cekur se burgosja dhe dënimi i veprimtarëve të veprimtarisë ilegale, edhe pse ishte një dështim për Lëvizjes tonë për çlirim dhe bashkim kombëtar, luajti rol me rëndësi në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe të forcimit të shpresës te shtresat e gjera të popullsisë se robëria do të jetë e përkohshme dhe se një ditë prangat e robërisë do të këputen, pasi që “zullumi këputet prej së trashuri”, por edhe për faktin se populli shihte se gjenden forca në mesin e tyre që punojnë për reallizimin e synimeve madhore kombëtare. Duhet pranuar se rrethanat ndërkombëtare, (formimi i Byrosë informative) dhe ato jugosllave, (Plenumi i Brioneve) e ndihmuan Lëvizjen tonë për çlirim dhe bashkim kombëtar në shumë drejtime për të arritur suksese të rëndësishme në ngritjen e vetëdijes kombëtare, si dhe në realizimin e disa të drejtave kombëtare, që përbënin bazën e sukseseve të mëvonshme në të gjitha lëmitë e jetës, (Kushtetuta e 1974, formimi i Universitetit të Prishtinës, etj.) Lëvizja jonë kombëtare, edhe pse nuk kishte Qendër (kokë) vendimmarrëse, një pjesë e veprimtarëve të saj ishte e vetëdijshme se me vdekjen e Titos, Jugosllavia do të futej në procesin e zhbërjes, si rrjedhojë e luftës së pakompromis që do të zhvillohet në mes shovinizmit serb dhe nacionalizmit kroato-slloven, prandaj ndërmuarën ç’ishte e mundur që populli ynë të përgatitej për momentin e duhur “kur t’i vijë shteku” për ta hequr nga qafa zgjedhën e robërisë serbo-jugosllave njëherë e përgjithmonë. Kështu në fund të vitit 1976 u krijua “Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi” (LNÇKVSHJ), kryetar i së cilës u zgjodh atdhetari demokrat dhe mësuesi i atdhedashurisë Metush Krasniqi.

Faktet dëshmojnë se Sigurimi i Shqipërisë nuk ka qenë i kënaqur me platformën e kësaj organizate, sepse ajo nuk mbështetej në ideologjinë e djallit të mallkuar, marksizëm leninizëm dhe as në veprat e kryedjajve komunistë: Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit dhe as të Enverit, por në ideologët e Rilindjes Kombëtare dhe në platformën politike të Lidhjes së Prizrenit. CIA NË VITIN 1999 PATI DALË ME TË DHËNA TË DOKUMENTUARA SE NË ORGANET E LARTA SHTETRORE TË SHQIPËRISË PUNOJNË MË TEPËR SE 150 SPIUNË SERBO-JUGOSLLAVË. Sigurimi i Shqipërisë, qysh me kontaktin e parë që pati me këtë organizatë, tregoi pakënaqësi dhe mllefosje ndaj udhëheqjes së kësaj organizate, pasi që ajo nuk e pat autorizuar përfaqësuesin e saj të dërguar në Tiranë (për t’u takuar me përfaqësues të organeve të shtetit të Shqipërisë), t’ua tregonte emrat e udhëheqësve të organizatës. Ajet Haxhiu kishte këmbëngulur që sëpaku të dinte për njeriun që e kishte dërguar, por nuk kishte pas arritur sukses. Kontaktet e mëvonshme të përfaqësuesve të Organizatës, (Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Sabri Novosellës, Ramadan Pllanës, Sheremet Saraçit, Xhafer Durmishit etj,) me përfaqësues të Organeve shtetërore të Shqipërisë në Tiranë, Stamboll dhe Vjenë e gjetiu treguan se Shqipëria nuk ishte e interesuar për rritjen dhe forcimin e një organizate thjesht kombëtare, siç ishte organizata që e drejtonte Metush Krasniqi, Jusuf Gërvalla dhe bashkëveprimtarët e tyre, por ishte e interesuar për formimin e organizatave komuniste. Menjëherë pas formimit të LNÇKVSHJ, Sigurimi i Shqipërisë kishte angazhuar njerëz për formimin e organizatave ilegale, marksiste-leniniste në Kosovë. Njëri ndër të parët që më njoftoi se kishte biseduar me Bujar Hoxhën në Paris dhe i kishte propozuar për të formuar Partinë Komuniste-marksiste-leniniste të Kosovës, ishte Ramadan Pllana.

Ky veprimtar nuk e pat kryer porosinë e B. Hoxhës, pasi që ishte i bindur se Kosovës i duhet një organizatë thjeshtë kombëtare, që do t’i bashkonte të gjitha shtresat e popullsisë në luftë kundër robërisë serbo-jugosllave, prandaj edhe iu bashkangjit Organizatës së Metush Krasniqit dhe Jusuf Gërvallës me një grup shokësh, sepse aty e gjeti vendin e jo në ndonjë organizatë komuniste. Më vonë, me përkrahjen e Sigurimit të fshehtë të Shqipërisë u formuan disa organizata dhe grupe komuniste: Avdullah Prapashtica e pat formuar “Partinë Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi, (PKMLSHJ), Hydajet Hyseni Organizatën marksiste-leniniste të Kosovës (OMLK-në), dikush tjetër e pati formuar “Partinë e Luftës Kundër Revizionizmit”, etj. Shtrohet pyetja pse PPSH dhe Sigurimi i Shqipërisë ishin të interesuar për formimin e organizatave komuniste në kohën kur në Kosovë ishte formuar një organizatë thjesht kombëtare, programi i së cilës do të mund t’i bashkonte të gjitha shtresat e popullsisë në luftë kundër robërisë serbo-jugosllave? Përgjigja është e ditur kur dihet se për Enverin dhe partinë ishte e qartë se çfarë rreziku paraqiste formimi dhe forcimi i një organizate thjesht kombëtare për regjimin dhe pushtetin e tyre, siç ishte LNÇKVSHJ e cila me programin e saj nuk parashihte që zgjidhja e çështjes së Kosovës do të vijë me “ngadhnjimin e revolucionit socialist në botë” dhe të fitores së marksizëm-leninizmit në Jugosllavi mbi “revizionizmin modern” të Titos, siç parashihte dhe besonte Enver Hoxha dhe klika e tij. Përgjegja do të ishte edhe më e plotë, po qe se do t’i cekim disa nga faktet që dëshmojnë se Enveri dhe partia nuk e kishte hallin e Kosovës dhe të shqiptarëve, që- edhe për fajin e tij- kishin mbetur nën robërinë serbo-jugosllave, por e kishin hallin e “ngadhnjimit të socializmit dhe komunizmit në botë”, dhe “forcimit të diktaturës së proletariatit dhe luftës së klasave në Shqipëri”, që ishin mekanizëm për ruajtjen e pushtetit të tij me çdo mënyrë. Për Enverin dhe klikën e tij do të ishte tradhti ndaj socializmit dhe komunizmit po qe se përkrahet nacionalizmi shqiptar në Kosovë, kur dihet se ai i përdori të gjitha mjetet (tradhtinë, vrasjen pas shpine, ndihmën e të huajve etj.) për ta luftuar atë në gjithë hapësirën tonë kombëtare. Pra klikës së Tiranës nuk i shkonte përshtat krijimi i organizatave nacionaliste në Kosovë dhe as në botën e jashtme, por i përshtatej krijimi i organizatatave komuniste, sepse- nëpërmjet tyre- e kontrollonte Lëvizjen kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar dhe- sipas nevojës- mund të intervenonte me forma të njohura staliniste që ajo të mos i dalë prej dore në asnjë mënyrë. Tani nuk është vështirë të kuptohet prapavija e veprimeve të njerëzëve përgjegjës të Shqipërisë kundër LNÇKVSHJ, prandaj ka shumë fakte që dëshmojnë se kundër LNÇKVSHJ dhe platformës së saj politike nuk ishte vetëm Jugosllavia dhe UDB-ja jugosllave por ishte edhe PPSH dhe Sigurimi i Shqipërisë.

Njerëzit e pa informuar nuk do të pajtohen me këtë vlerësim, por fatkeqësisht kjo është një e vërtetë e hidhur ndër shumë të vërteta të tjera edhe më të hidhura, për të cilat opinioni ynë ende nuk është plotësisht i njoftuar. Siç dihet komunisto-çetnikët serbo-jugosllavë e krijuan Partinë Komuniste të Shqipërisë me disa shqipfolës më 1941. Që nga ajo ditë kur serbo-jugosllavët krijuan struktura udhëheqëse në Shqipëri, që do të punojnë sipas këshillave dhe diktatit të tyre, popullit tonë iu krijuan rrethanat e brendshme dhe të jashtme për të rënë nën robërinë serbo-jugosllavo-bolshevike. Edhe pse forcat e djathta shqiptare dhe aleatët tanë anglo-amerikanët, bënë përpjekje për të krijuar rrethana të tjera, që do të dobësonin faktorin serbo-jugosllav dhe ruso-bolshevik, nuk patën sukses. Kolera komuniste dhe robëria serbo-jugosllave e mbuloi hapsirën tonë kombëtare. Kryedjajtë e kuq në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar u bënë spiunë dhe vasalë të qendrave komuniste: Beogradit, Moskës dhe Pekinit. PKSH-PPSH dhe Radio Tirana u bënë autoparlantë të kryedjajve komunistë: Titos, Stalinit, Hrushovit dhe Mao Ce Dunit. Sigurimi i Shqipërisë, që u krijua nga OZN-a jugosllave, kreu urdhërat e spiunëve serbë, rusë dhe kinezë që i krijuan çerdhet (klanet) e tyre në këtë institicion të rëndësishëm shtetëror, që fatkeqësisht edhe sot e gjithë ditën veprojnë kundër interesave shqiptare. (CIA – amerikane më vitin 1999 pat dalë me të dhëna të dokumentuara se në organet e larta shtetërore të Shqipërisë punojnë më tepër se 150 spiunë serbo-jugosllavë).

Se sa spiunë grekë dhe rusë punojnë në Shqipëri nuk dihet, por me siguri numri i tyre nuk është më i vogël se i spiunëve serbë.

Po ashtu nuk dihet se sa spiunë të shërbimeve të huaja punojnë në Kosovë dhe Viset tjera shqiptare. Fatkeqësisht edhe pas gjithë këtyre të ligave që e gjetën Shqipërinë, Kosovën dhe Viset tjera shqiptare, një pjesë e madhe e intelegjencës dhe politikanëve tanë, nuk janë në gjendje të kuptojnë se burimi i të gjitha tragjedive që e gjetën popullin tonë, burimi i të gjitha përçarjeve që lindën në mes nesh, janë pasojë e krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare në Shqipëri dhe ardhjes në pushtet të komunistëve shqiptarë. Pra, kolera komuniste që e përfshiu kombin tonë, solli në të njëjtën kohë edhe legalizimin e vijës antikombëtare në të gjitha trojet tona etnike dhe krijoi rrethanat dhe kushtet që në të gjitha vendbanimet shqiptare e në institicionet e tij shtetërore dhe kulturore të krijohen çerdhet e sigurimeve të fshehta të çakajve të Ballkanit dhe aleatëve të tyre. Pra, të gjitha këto të liga që na gjetën janë rrjedhojë e veprimtarisë antikombëtare të bajraktarëve të farës ruse, që luanin rolin e pushtetarëve në Shqipëri dhe Kosovë, por në fakt ata ishin spiunë dhe vasalë të serbo-sllavo-grekëve, kuptohet që ka pasur edhe përjashtime. Nuk mund të shpjegohët me një shkrim e gjithë veprimtaria antikombëtare e bajraktarëve të farës ruse, por duhet veçuar se kreu politik dhe shtetëror i Shqipërisë pengoi rritjen dhe forcimin e Lëvizjes tonë për çlirim dhe bashkim kombëtar, mu nga shkaku se spiunët e armiqve tanë shekullor patën zënë pozita udhëheqëse në kreun e PKSH-PPSH-në, në Qeverinë dhe Sigurimin shtetëror të Shqipërisë. Enver Hoxha, Koqi Xoxe, Mehmet Shehu, Lirije Gega, Hysni Kapo, Ramiz Alija, Fadil Hoxha, Fatos Nanosi, etj, së bashku me Milladin Popoviqin dhe Dushan Mugoshën e mbollën, e rritën dhe e zhvilluan farën ruse- farën e pansllavizmit rus, që ndryshe quhet stalinizëm-rankoviçizëm në të gjitha trojet tona etnike. Më vonë “dyshi” Tito-Kardeli e mbollën një varietet tjetër të farës ruse në Jugosllavi-Kosovë, që quhej “titizëm” apo “socializmi vetqeverisës”. Kjo farë ruse- për dallim nga fara e pansllavizmit rus (stalinizmi-enverizmi-rankoviqizmi),-qytetarët e saj nuk i ushqeu vetëm me egjër komuniste, (ideologji bolshevike-leniniste) por edhe me ushqime tradicionale të popujve që e përbënin Jugosllavinë.

Pra, edhe Kosova dhe shqiptarët e robëruar arritën ca suksese të rëndësishme në saje të zëvendësimit të rankoviqizmit me titizmin. Faktet dëshmojnë se prishja e Enver Hoxhës me Titon nuk ka ardhur për çështje të Kosovës, siç mundohen ta paraqesin disa kokëkrisur shqiptarë, por erdhi si pasojë e prishjes së Titos me Stalinin, për çështje dominimi dhe për çështje të interesave të tyre shtetërore e kombëtare. Enver Hoxha për këta dy kryedjaj komunistë nuk paraqiste asgjë tjetër përpos se një piun në tabelën e shahut, lojë e pamëshirshme që luhej në mes dy kryedjajve komunistë. Fatkeqësisht Enver Hoxha nuk mblodhi mend kurrë. Ai mbeti axhami- vasal lojal, herë i njërit, herë i tjetrit kryedjall. Në vend që t’i shfrytëzonte konjunkturat politike që krijoheshin kohëpaskohe në dobi të kombit tonë, ai mbeti nën ndikimin e spiunëve serbo-ruso-grekë. E gjithë veprimtaria e tij politike shkonte në dobi të shovenizmit serb. Vetizolimi i Shqipërisë, mbështetja në “forcat e veta”, ndalimi me kushtetutë i marrjes së kredive nga jashtë, “lufta e klasave”, “mbrojtja e pastërtisë së marksizëm-leninizmit” etj, bënë që klasa politike shqiptare ta çojnë në vend amanetin e Pashiqit, i cili para se të vdiste iu pat thënë bashkëpunëtorëve të tij: ” Pasi që nuk mundëm të pengonim bërjen e Shqipërisë, atëherë duhet të punojmë që ajo të jetë sa më e dobët ekonomikisht, pa forcë ushtarake e pa aleatë dhe autoritet të fuqishëm ndërkombëtarë”. VITET 1979-1981 PARAQESIN FILLIMIN E PERIUDHËS KUR LËVIZJA JONË KOMBËTARE DO TË BËJË NJË HAP DREJT ÇLIRIMIT KOMBËTAR.

Pra, kur në Kosovë u krijua Organizata kombëtare “Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi” Shqipëria e Enver Hoxhës nëpërmjet Radio Tiranës dhe shtypit të saj bënte një fushatë të egër kundër “imperializmit amerikan”, “socialimperializmit rus”, “revizionizmit modern jugosllav ” dhe “revizionizmit kinez”. Pra për Enver Hoxhën dhe PPSH-në nuk kishte detyrë parësore mbrojtja e interesave kombëtare, por “mbrojtja e pastërtisë së marksizëm-leninizmit”, mbrojtja e “internacionalizmit proletar” dhe mbrojtja e “diktaturës së proletariatit”. Këta tradhtarë të kombit çdo ditë betoheshin se rrugën e nisur nuk do ta lëshojnë, po qe se detyrohen në vend buke të hanë edhe bar. Pra, Enver Hoxha në vend se në pleqëri të vijë në vete dhe të bëjë përpjekje për ndreqjen e gabimeve të rënda që i pat bërë sa ishte në moshen e re, dhe t’i mëshonte shkelm paçavrës së pansllavizmit rus- stalinizmit, që edhe vetë rusët i kishin mëshuar shkelm, se i kishte futur në një rrugë të pa krye, diktatori i kuq shqiptar, bënte aventura politike dhe ekonomike, që e çonin në tradhti edhe më të rënda kombëtare. Pra në këto rrethana dhe kushte që e kishte çuar Shqipërinë banda kriminele e Enver Hoxhës ishte e pamundur të kryente detyrën që e kishte ndaj pjesës së kombit që kishte mbetur jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë, me fajin e parisë shqiptare, por më tepër edhe me fajin e tij.

Prandaj ishte e pamundur që organet shtetërore të Shqipërisë ta ndihmonin LNÇKVSHJ-në, kur- qysh në kontaktin e parë që e patën me Përfaqësuesin e saj-, kuptuan se nuk ishte organizatë komuniste-leniniste, por ishte një organizatë thjesht kombëtare, që kishte synime çlirimtare, por jo edhe ideologjike, siç dëshironin ata. Vitet 1979-1981 paraqesin fillimin e periudhës kur Lëvizja jonë kombëtare për çlirim do të bëjë një kërcim cilësor përpara. Veprimtaria ilegale dhe legale do ta plotësonin njëra tjetrën. Vizita e Titos në Prishtinë u parapri me parulla antititiste dhe antijugosllave në gjithë Kosovën. UDB-ja jugosllave arriti t’i zbulonte disa celula të organizatave që vepronin atëherë në Kosovë, në mesin e të cilave u zbuluan edhe dy-tri bërthama të Komiteteve Qarkore dhe vendore të LNÇKVSHJ, që për pasojë pati largimin e dy anëtarëve të udhëheqjes qendrore të organizatës, Jusuf Gërvallës për në Slloveni- Gjermani dhe të Sabri Novosellës për në Shqipëri-Turqi. Edhe dy anëtarë të udhëheqjes qëndrore u burgosën, ndërsa në Kosovë edhe më tutje mbeti të vepronte shumica e udhëheqjes qendrore (Komiteti Qëndror) dhe Komitetet Qarkore e Komitetet e vendit, që drejtoheshin nga kryetari i saj Metush Krasniqi.

Burgosjet e fundvitit 1979 dhe fillimit të vitir 1980, patën jehonë të madhe në Kosovë si çdo burgosje tjetër e mëparshme. Njerëzit e thjeshtë që i kishte lodhur robëria serbo-jugosllave, duke u nisur nga dëshira e madhe që veprimtarinë ilegale ta shihnin sa më të fuqishme, çdo burgosjeje që bëhej, nuk e merrnin si dështim, por e merrnin si fitore, se “rrushi sheh rrushin dhe piqet”. Në veçanti pati bujë arratisja e Jusuf Gërvallës i cili kishte bërë emër në jetën kulturore dhe publike në gjithë hapsitën tonë kombëtare. Ai u bë legjendë e gjallë për gjindëshmërinë, guximin dhe aftësinë që tregoi për t’i ikur burgosjes së sigurtë në momentin e fundit, kur veç ishin bërë përgatitjet e fundit për burgosjen e tij nga udbashët e çartur jugosllavë. Ardhja e Jusuf Gërvallës në Gjermani bëri bujë edhe në diasporën shqiptare. Ishte hera e parë që një intelektual i mirëfilltë, një intelektual dhe atdhetar që kishte bërë emër me veprimtarinë e tij artistike, të merret haptas edhe me veprimtari patriotike. Ardhja e tij në Gjermani i gëzoi shumë atdhetarë që donin të punonin, por nuk dinin se si të vepronin, apo dinin çka duhet të punonin, por nuk kishin aftësi t’i kryenin punët që duhej t’i kryenin. Jusufi posa erdhi në Gjermoni, në saje edhe të vëllait e bashkëveprimtarit të tij Bardhoshit, i cili kishte fituar një përvojë të vlefshme pune dhe bashkëpunimi me njerëz të gjeneratave dhe shtresave të ndryshme, kuptoi se çka ishte parësore, çka dytësore dhe çka ishte e pa rëndësishme fare në veprimtarinë që duhej të kryhet. Veprimtaria e tij e gjërë kombëtare, publike, politike dhe organizative bënë ndryshime të mëdha sasiore dhe cilësore në rritjen dhe zgjerimin e veprimtarisë patriotike në Gjermani, Zvicër e shtete tjera të Evropes Perendimore. Puna e tij ndikoi shumë edhe në aktualizimin e çështjes së Kosovës në mjetet e opinionit publik në Gjermani dhe atë ndërkombëtar. Ai ishte intelektuali i parë i mirëfilltë i Kosovës i cili e filloi luftën kundër Jugosllavisë haptas pa u maskuar me maska dhe pa iu trembur syri se po e rrezikonte jeten e tij dhe familjen e tij nga shërbimi sekret jugosllav, që edhe në Evropën Perëndimore vepronte nëpërmjet emigracionit ekonomik shqiptar dhe emigracionit politik serb. Jusuf Gërvalla duke parë se emigracioni (politik dhe ekonomik)shqiptar në Evropën Perindimore mund të bëhej një krah i fortë i çështjes madhore kombëtare, nëse punohet me mend dhe me mençuri, filloi të punojë me përkushtim, që këtë kapital shqiptar ta vejë në shërbim të shqiptarisë. Shtëpia e tij u bë shkollë për atdhedashuri. Vinin dhe shkonin njerëz palë palë për të mësuar se si do t’i dilet në skej me Jugosllavinë. Bënin pyetje të llojllojshme, shpeshherë edhe asosh që tregonin se niveli i vetëdijes kombëtare ishte tepër i ultë.

Por, Jusufi kishte durim që bashkëbiseduesin ta dëgjonte deri në fund, dhe pastaj dalëngadalë i jepte përgjigje të duhur, pa e nënçmuar apo pa e qortuar atë që nuk i dinte edhe gjërat e thjeshta. Vëllai i tij Bardhoshi dhe bashkëshortja e tij Syzana u bënë bashkëpuntorët e tij më të ngushtë. Syzana përpos punëve të shtëpisë dhe përkujdesjes ndaj fëmijëve, e ndihmoi Jusufin në përgatitjen teknike të revistave dhe gazetave që ai i bënte gati për botim. Bardhoshi ishte një intelektual i zgjuar. Ishte një poliglot i rrallë. I fliste dhe i shkruante shtatë gjuhë të huaja: gjermanishten, frengjishten, anglishten, serbokroatishtën, sllovenishten, italishten dhe turqishten. Qysh nga dita e parë që ka shkuar në Gjermani ka kryer profesionin e Punëtorit social. Një profesion që i mundësonte të kishte kontakte me njerëz të shtresave, moshave dhe profesioneve të ndryshme, por edhe të krijonte miqësi të sinqertë jo vetëm në mesin e bashkëkombësve të tij, por edhe në mesin e shtetasve gjermanë dhe të komuniteteve të ndryshme, që punonin dhe jetonin në Gjermani. Ai kryente punë për të cilat duhej t’i vente në veprim të gjitha aftësië e tij në shërbim të zgjedhjes së problemeve që iu dilnin bashkëkombësve të tij në jetën e përditshme. Pra, Bardhoshi me aftësitë intelektuale dhe organizative, përvojën dhe miqtë që i kishte fituar në mërgim, u bë dora e djathtë e vëllait të tij Jusufit, pa të cilin Jusufi nuk do të kishte mundësi të kryente gjithë ato punë që shkonin në dobi të çështjes madhore kombëtare. Pra, Jusufi me punën e tij, të vëllait, bashkëshortes dhe të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, i vuri themelet e veprimtarisë së mirëfilltë kombëtare jashta atdheut. Ai krijoi bazën për nxjerrjen e gazetave dhe revistave duke krijuar mjete teknike për shtypjen e tyre. Shkroi tekste ku demaskohej politika antishqiptare e regjimit të Beogradit dhe të kukullave të tyre që i kishin vu në Kosovë. Ua la në disponim një numër të madh shkrimesh Ibrahim Kelmendit dhe Kadri Zekës, për t’i zgjedhur vetë ato që iu pëlqenin për organet e organizatave të tyre. (I. Kelmendi ishte themeluesi i “Frontit të Kuq Popullor”, ndërsa Kadri Zekës ishte përfaqësues i Organizatës Marksiste Leniniste të Kosovës (OMLK-së) në Zvicër. Jusufi e ndihmoi I. Kelmendin për nxjerrjen e organit të organizatës së tij “Bashkimi”. Në periudhën kohore shkurt 1980- janar 1981 ndihmoi në xjerrjen e numrave 2, 3 dhe 4. Edhe Kadri Zekën e ndihmoi në nxjerrjen e organit të OMLK-së “Liria”. Për këtë më së miri na flet bashkëveprimtari i Jusufit, Xhafer Durmishi i cili sëbashku me Jusufin dhe Bardhoshin ishin anëtarë të KQ të LNÇKVSHJ, (Jusufi bënte pjesë në udhëheqjen e ngusht të organizatës). Xhafer Durmishi në një shkrim të pabotuar jep të dhëna të shumta për veprimtarinë e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës dhe veprimtarëve tjerë.

JUSUFI NUK ISHTE NGA ATA QË VETËM JEPTE URDHRA DHE KËRKONTE LLOGARI PËR KRYERJEN E TYRE

Për bashkëpunimin e Jusuf Gërvallës me Kadri Zekën, Xhafer Durmishi thotë: “Ai, (fjalën e ka për Jusufin, vërejtja ime) Kadri Zekës i ofroi ndihmë ashtu siç i kishte ndihmuar më parë Ibrahim Kelmendit. I la në disponim disa artikuj Kadri Zekës që të zgjedhë për numrin e tretë të Lirisë, që doli në mars 81, nën mbikqyrjen teknike të Jusuf Gërvallës, i cili e radhiti dhe bëri të gjithë punën grafike për nxerrjen e numrit të tretë. Jusufi përgatiti teknikisht numrin 4-5 të Lirisë që doli në korrik dhe kontriboi me artikuj”. Veprimtaria e tij ishte e gjerë. Kontaktet e tij me bashkombës bënë që shumë individë të kyçen në veprimtarinë ilegale, që zhvillohej në botën e jashtme. Faridin Tafallari, njëri ndër anëtarët e parë të LNÇKVSHJ që dha betimin para Jusuf Gërvallës në Gjermani dhe pastaj, me aktivitetin që kreu, u bë njëri ndër bashkëveprimtarët e ngushtë të Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, në librin e tij “Terror, Dhimbje, Qëndresë” jep shumë të dhëna që kanë të bëjnë me veprimtarinë patriotike dhe veprimtari ilegale të Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Sabri Novosellës, Ibrahim Kelmendit, Xhafer Durmishit, Xhafer Shatrit, Hasan Malës, Faredin Tafallarit, Emrush dhe Mustafë Xhemajli, Saime Zeka- Isufi dhe aktivistëve të shumtë të LPK-së, kontributi i të cilëve një ditë do të vihet në peshojën e historianit (shkencëtarit) të paanshëm dhe do të dihet saktësisht se kush nga ata çoi ujë në mullinin e shqiptarisë e kush në mullinin e armiqve tanë shekullorë. Jusufi dhe Bardhoshi shumicën e kohës së lirë ua kushtuan kontakteve me bashkëkombës. Bisedat e tyre me ta ndikuan në rritjen e veprimtarëve që do të merren me çështje kombëtare. Zotëri Tafallari tregon kontaktin e parë që e kishte pasur me Jusufin dhe Bardhoshin. “Sokoli (pseudonimi i Jusufit) më pyeti për shumë gjëra dhe nuk ma ndante shikimin. Fliste si një intelektual dhe poet atdhedashës. Po ashtu edhe Bardhi. Jusufi më foli se si duhet të jetë një patriot shembull në gjithçka për të tjerët. Veç dashurisë për atdheun, (thoshte Jusufi) nevojitet vendosmëria, guximi, gatishmëria për sakrifica, etj.”.

Tafallari tregon se më vonë, kur ai u bë anëtar i organizatës së Jusuf Gërvallës- LNÇKVSHJ, e ka shoqëruar në shumë takime, që pati me punëtorë shqiptarë të cilët jetonin dhe punonin në Gjermani. Ai thotë: “Së bashku me Jusufin shkonim dhe takonim punëtorë kosovarë. Kudo që ishte i pranishëm Jusufi lente përshtypje të mirë te punëtorët. Ishte i mençur, i ditur dhe i thjeshtë. Nuk përtonte të udhëtonte edhe me qindra kilometra vetëm e vetëm për të sqaruar punëtorët kosovarë dhe për t’i përgatitur ata për të ardhmen”. Por Jusufi nuk ishte prej atyre që vetëm jepte urdhëra dhe kërkonte llogari për kryerjen e tyre. Ai raportet ndërnjerëzore i kuptonte të barabarta dhe të ndërsjellta. Njerëzit me të ishin të lirë t’i shprehnin mendimet e tyre, sepse Jusufi i dëgjonte dhe i respektonte pa marrë parasysh se a pajtohej me botëkuptimet e tyre apo jo. Siç tregon Tafallari, në një takim tjetër që kishte pasur me Jusufin, kishte kërkuar nga ai ta shkruajë një dramë. Tafallari shpresonte se me shokët e tij do të arrijnë ta përgatisin për ta shfaqur me rastin e festimit të 28 Nëntorit- Ditës së Flamurit (1980)). Jusufi ishte një intelektual zemërbardhë. Ai i gëzohej suksesit të çdo shqiptari që arrinte suksese në jetën e përditshme, në familje dhe në shoqëri. Veçmas e gëzonte suksesi i veprimtarëve të lamive të ndryshme kur vinin një gur të çmueshëm në kalanë e shqiptarisë. Jusufi, brenda një kohe të shkurtër, e shkruan një dramë dhe ia jep z.Tafallarit. Tafallari me një grup shokësh e përgatitën dramën, por shfaqja nuk u dha, për shkak se dy persona që kishin role me rëndësi në atë dramë nuk erdhën ditën që duhej të shfaqej drama dhe kështu e gjithë puna e Tafallarit me shokë ra në ujë. Megjithatë kremtimii festës u bë. Përgatitjet e tjera nuk dështuan. Bardhoshi kishte pas siguruar një aparat projektimi filmash. Ai e shfaqi filmin shqiptar “Gunat mbi tela”, ndërsa Jusufi iu kishte folur të pranishmëve për jetën dhe veprën e lavdishme të Skënderbeut dhe për krijimin e perspektivës për realizimin e synimet tona kombëtare. Pati recitime dhe në fund edhe pyetje nga të pranishmit. Jusufi me ëndje i sqaronte bashkombasit për paqartësitë e tyre në lidhje me çështje të ndryshme të aktiviteteve patriotike dhe gjendjes aktuale në Kosovë. Kontaktet që i pati me bashkëkombas e bindën Jusufin se është e nevojshme nxerrja e një reviste me anën e sëcilës do të ndihmonte bashkëkombësit për ta kuptuar sa më mirë gjendjen në të cilën ndodhej kombi ynë dhe për të propaganduar domosdonë e organizimit për ngjarje të bujshme që i parashihte se do të ndodhin pas vdekjes së Titos.

Për këtë qëllim nxori revistën “Lajmëtari i lirisë” (numri i parë doli në gusht të 1980, numri dy në tetor dhe numri tre në janar të 1981). Një titull simbolik, me një përmbajtje që do të forconte shpirtin liridashës dhe luftarak të bashkëkombësve të tij; një revistë që do të pranohet aq mirë, jo vetëm në diasporën shqiptare, por edhe në Kosovë e gjetiu ku arriti të shpërndahej dorë pas dore. Jusufi pra, ua solli bashkëkombësve të tij “Lajmëtarin e lirisë”- një revistë kombëtare, një revistë, që me aq përkushtim mbrojti shqiptarinë dhe të të drejtat e shqiptarëve të përkëmbur nga robëria e dyfishtë jugosllavo-bolshevike, një revistë që do të bëhet e kërkuar dhe e dashur për të vjetrin dhe për të riun, një revistë familjare. Dhe më të vërtetë Jusuf Gërvalla me revistën e tij u bë Lajmëtari i Lirisë, jo vetëm për gurbetçarët, që jetonin jashtë atdheut, larg familjes, por edhe për shqiptarët që ëndrronin, e donin, e gjakonin dhe punonin pa kursim për Lirinë e shqiptarëve. Jusuf Gërvalla i nxori vetëm tre numra të Lajmëtarit të lirisë, në periudhën kohore gusht 1980- janar 1981. Me siguri botimi i revistës nuk do të ndërpritej po të mos e kishte botuar OLMK-ja revistën “Liria”. Jusufi mbronte qëndrimin e tij personal dhe të organizatës së tij (LNÇKVSHJ-së) se të gjitha organizatat ilegale duhet të bashkohen në një organizatë të vetme, me një udhëheqje të vetme, me një statut, me një program dhe me një organ të vetëm. Prandaj me botimin e dy numrave të parë të organit të OLMK-së “Liria”, Jusufi e ndërpreu revistën e tij. Ndërprerja e “Lajmëtarit të lirisë” u bë për shkakun se filluan bisedimet për bashkimin e organizatave, prandaj Jusufi donte që të japë shembullin konkret se bashkimi nuk vjen vetvetiu, por për të duhet të gjithë të kontribojnë me punë konkrete. Ai duke “matur me kandarin e vet” mendonte se bashkimi i organizatave në një organizatë të vetme do të bëhet shumë shpejtë, por ashtu nuk doli. Edhe pse Jusufit iu patën lënë duart e lira për të vendosur kur do ta nxirrte organin e LNÇKVSHJ-së “Zëri i Kosovës” ai e zhagiti daljen e tij duke shpresuar se do të kontribonte në përshpejtimin e bashkimit të organizatave në një organizatë të vetme. Vetëm kur dështuan bisedimet për bashkimin e LNÇKVSHJ dhe OMLK-së, që u mbajtën në Stamboll në tetorin e vitit 1981 në mes Kadri Zekës, që e përfaqësonte OMLK-në, dhe Sabri Novosellës e Bardhosh Gërvallës, që e përfaqësonin LNÇKVSHJ-në, Jusuf Gërvalla e nxori organin e LNÇKVSHJ-së, “Zëri i Kosovës” në nëntor të 1981, ndërsa numri dy del nga shtypi në janar të 1982.

Edhe Kadri Zeka me veprimtarinë e tij ilegale në Zvicër, me bisedat që i pati me punëtorë dhe me botimin e revistës “Liria” krijoi një rreth aktivistësh që kryen një punë të mirë në organizimin e demostratave gjatë vitit 1981 në Zvicër. Shovinizmi serb ishte përgatitur të bënte ndryshimin e Kushtetutës së vitit 1974 qysh më heret, kur udhëheqja politike e Serbisë kishte dalë me të ashtuquajturin “Libri i gjelbërt”, ku paraqitnin pakënaqësitë e tyre me ndryshimet kushtetutare që u bënë pas fitores së klanit të Titos mbi klanin e Rankoviqit. Demonstrata e studentëve të 11 marsit për përmirësimin e kushteve të studentëve, krijuan kushtet për organizimin e demonstratave të mëdha të 1 dhe 2 prillit të po atij viti, kur policia jugosllave vrau, plagosi dhe burgosi qytetarë të Kosovës. Shqiptarët hynë në një luftë të pabarabartë me Jugosllavinë, që më tepër i shkonte në interes Serbisë sesa shqiptarëve që ishin nën thundren e okupatorëve serbo-jugosllavë. Klasa politike shqiptare e Kosovës në atë periudhë kohore, si edhe më herët, më tepër i mbronte interesat serbe sesa interesat shqiptare, ndërsa një pjesë e intelegjencës së lartë shqiptare, kreu punën e robit kur i përkrahnin haptas masat serbe për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës. Studentët dhe rinia shkollore ishte ajo shtresë e popullsisë që luajti rol me rëndësi duke mbajtur të ndezur zjarrin e rezistencës kombëtare kundër robërisë serbo-jugosllave. Organizatat ilegale që vepronin në Kosovë në situatën e krijuar nuk patën mundësi t’i bashkërëndisin aksionet dhe veprimet e ndryshme ilegale dhe legale, për shkak se nuk patën arritur të bëjnë bashkimin e tyre në një organizatë të vetme me një qendër komanduese të vetme. Masat e dhunës dhe të terrorit që i ndërmuar Jugosllavia në Kosovë, ngjallën shpirtin luftarak tek veprimtarët, intelektualët dhe puntorët shqiptarë që jetonin dhe punonin në Evropën Perendimore për t’u solidarizuar me kërkesat e studentëve shqiptarë të Universitetit të Prishtinës, duke organizuar demonstrata në qendrat politike kryesore të Gjermanisë, Zvicrës dhe të Belgjikës. Këto demonstrata i organizuan Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka dhe bashkëveprimtarët e tyre. Demonstrata u mbajtën në Munih, Shtutgard, Bon, Dyseldorf, Bern, Zurih, Gjenevë dhe Bruksel. Rëndësia e këtyre demonstratave ishte se nëpërmjet tyre njoftohej opinioni i gjerë i Evropës Perëndimore me padrejtësitë që i bëheshin popullit Shqiptar në Jugosllavi; njihej me dhunën serbe në Kosovë dhe me kërkesat e studentëve dhe të popullsisë shqiptare në Kosovë. Gjatë mbajtjes së demonstratave shpërndaheshin pamflete në gjuhën gjermane, franceze etj, me anën e të cilave jepeshin të dhëna të sakta për shkeljen e të drejtave njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës dhe të Viseve tjera shqiptare në Jugosllavi. Këto demonstrata patën një rëndësi të madhe edhe në ngritjen e vetëdijes kombëtare tek puntorët shqiptarë, që punonin në Evropën Perendimore dhe gjetiu jashtë atdheut. Patën bërë jehonë të madhe në Kosovë, Jugosllavi dhe shtete tjera të Evropës dhe të Amerikës.

UDB-ja jugosllave, që i kishte çerdhet e saj kudo nëpër Evropë, bëri përpjekje të mëdha për t’i penguar punëtorët shqiptarë, që të mos marrin pjesë në demonstrata, në radhë të parë, duke i frikësuar ata për pasojat që do t’i kenë kur të kthehen në vendlindje (marrja e pasaportës, burgosjet etj). Faredin Tafallari në librin e tij “Terror, dhembje, qëndresë”, në mes tjerash, na tregon edhe për luftën e ashpër që bëhej në mes veprimtarëve shqiptarë, që i prinin masës nëpër demonstrata për t’i hudhur në ujë planet e spiunëve serbojugosllavë që punëtorët shqiptarë të mos marrin pjesë në demonstrata. “POSA I PAMË SPIUNËT JUGOSLLAVË QË FOTOGRAFONIN DEMONSTRUESIT, DISA PREJ NESH NË KRYE ME BARDHOSHIN, IU SULËM, UA RRËMBYEM APARATET DHE I SHKELMUAM” Tafallari thotë:”Në një demonstratë që u organizua në Shtutgard në prill 1981 nga Jusufi, njerëzit e UDB-ës dhe të konsullatës Jugosllave në Shtutgard kishin përgatitur njerëzit e tyre që të filmonin e të fotografonin pjesëmarrësit në demonstratë që- pastaj- t’i merrnin në pyetje kur të ktheheshin në Kosovë”. Kështu ata donin t’i frikësonin bashkatdhetarët tanë në mërgim që të mos merrnin pjesë në demonstratë. “Në një shtëpi të përfaqësisë Jugosllave ishin grumbulluar 7-8 vetë me lloj-lloj aparatesh. Porsa i pamë, disa prej nesh me në krye Bardhoshin, iu sulëm shkallëve përpjetë dhe u futëm brenda. Ua rrëmbyem aparatet; aty ishte edhe një i quajtur Bashkim Hisari, shqiptar që në atë kohë punonte në konsullatë. Ky u mundua që të na sulmonte, por nuk ia arriti dot sepse Bardhi dhe të tjerë prej nesh, shkelmuam Bashkimin. Edhe ca të tjerë nga ata me aparate hangrën disa grushta si dhuratë për “punën” policore, kurse aparatet i thyem”. Duhet cekur se kërkesa kryesore që dëgjohet gjatë mbajtjes së demonstratave nëpër Kosovë dhe gjetiu jashtë Kosovës ishte “Kosova republikë”, që binte në kundërshtim me kërkesën e LNÇKVSHJ, e cila luftonte për çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me shtetin amë- Shqipërinë.

Njerëzit kishin paqartësi të shumta dhe nuk kuptonin se cila kërkesë është më reale dhe më e drejtë. Këto paqartësi dhe keqkuptime tejkaloheshin në tubimet që mbaheshin pas përfundimit të demonstratave apo gjatë tubimeve festive, kur bashkëkombësit tuboheshin në ndonjë sallë që rezorvohej qysh më parë. Zotëri Tafallari në librin e tij i jep të plota përgjigjet e Jusuf Gërvallës dhe të Kadri Zekës (që vetë i ka incizuar) ndaj pyetjeve që bashkëkombësit i shtruan në tubimin festiv të mbajtur më 28 nëntor 1981 për të festuar Ditën e Flamurit. Tafallari tregon se “Jusufi kishte gjetur një sallë të madhe dhe të bukur afër Ludwigsburgut për të festuar 28 Nëntorin. Për këtë kishte përgatitur edhe fletë-thirrjet. Ne ato i kemi shpërndarë te shumë bashkatdhetarë, në Gjermani por edhe në Zvicër. Pat ardhur edhe Kadri Zeka me të fejuarën e tij, Saime Jusufi (Bulja) dhe me shokë të tjerë. Kadriu ishte shumë i dashur dhe i afërt me shokët. Në Zvicër ai e kishte zhvilluar ndërgjegjen kombëtare të punëtorëve shqiptarë dhe i kishte aktivizuar ata për çështjen e Kosovës”. Do t’i citoj disa pjesë nga përgjigjet e Jusuf Gërvallës dhe të Kadri Zekës, që i kam nxerr nga libri i lartpërmendur i z.Tafallarit. Nga përgjigjet e Jusuf Gërvallës mësojmë për qëndrimin e tij ndaj kërkesës “Kosova republikë”. Ai thotë: ” Populli ka bërë një hap të drejtë, një hap të ligjshëm; ai ka bërë një hap që tani i lejon të kthehet dhe të presë përgjigjen përfundimtare të Qeverisë shoviniste të Beogradit. Populli pa dyshim është ai që di më së miri se deri kur duhet të presë që të realizohet kërkesa Kosova republikë. Populli është i pagabueshëm; unë, ti, ai tjetri mund të gabojmë të gjithë me radhë, për arsye se jemi njerëz, jemi individë. Populli, i cili po tregohet kaq i durueshëm për realizimin e kërkesës, pa kurrfarë dyshimi do të dijë se deri ku shtrihen kufijtë e durimit për fitimin e statusit të republikës, “Kosova republikë”. (Duartrokitjet për një kohë e ndërprejnë bisedën e Jusufit) Prandaj ne si bij të popullit që jemi, kurrsesi nuk duhet ta vemë në gjumë mendjen tonë. Të jemi syçel, ta matim pulsin e popullit dhe të presim prej tij ato rrugë që na i cakton ai dhe të jemi gjithmonë të gatshëm që t’iu përgjigjemi. Nuk ka kurrfarë dyshimi se kur të tregohet jo-objektive pritja e mëtejshme për Kosovën republikë, populli do ta dijë vetë ta hedhë poshtë një kërkesë të tillë dhe të dalë me kërkesa tjera, me një fjalë me qëllimin e tij të fundit që është, ka qenë dhe do të jetë bashkimi i gjithë shqiptarëve, bashkimi i ligjshëm, bashkimi i ligjshëm i gjithë shqiptarëve me shtetin e tyre kombëtar”. Përgjigja tjetër ka të bëjë me çështjen se çfarë të mire iu sjell shqiptarëve realizimi i kërkesës “Kosova republikë”: “Në qoftë se më lejoni do të kthehesha shkurtimisht, përsa i përket asaj pyetjeje që shtroi një shok pak më parë, d.m.th. se çka do t’i sjellë, çfarë të mirash do të kemi ne shqiptarët nga statusi i republkës. Ne duhet ta analizojmë e ta shtrydhim mendjen, të mendojmë ditë e natë për këtë, se një njeri i mençur thotë se “mendimi është e vetma parajsë nga e cila nuk mund të na përzënë”. Një pikëmbështetje nga e cila mund të nisemi kur të analizojmë se çfarë të mirash do të sjellë statusi i republikës, është konkretisht vetë armiku ynë. Po të ishte një kërkesë boshe, një kërkesë në ajër, një kërkesë mendjelehtë, një kërkesë që e kanë bërë aventurierët, një kërkesë që e kanë bërë ata që ëndrrojnë pa baza, pa kurrfarë dyshimi se Beogradi qysh me 11 mars të këtij viti do të dilte me dokumentin për statusin e republikës së Kosovës. Dhe do të na thoshte: shqiptarë, urdhëroni, ja ku e keni republikën. Por a është kështu, ne po e shohim prej afër 9 muajsh.

Të gjitha forcat, gjithë plehun, gjithë vrerin shovenist të shtatëdhjetë e kusur vjetëve, apo edhe të qindra vjetëve të mëparshëm, Beogradi tash e ka akumuluar, e ka grumbulluar për ta shtypur kërkesën Kosova republikë. Po të ishte kjo kërkesë me rëndësi të vogël, ose pa rëndësi, pa dyshim që Beogradi do të shfrytëzonte rastin dhe do të na bënte qejfin. Por kjo është një kërkesë shumë vitale për popullin shqiptar dhe prandaj qeveria e Beogradit, si qeveri e tërbuar në kulm, na e mohon me kaq këmbëngulje. A do të mund të na mohojë, apo jo, këtë do ta tregojë e nesërmja. Shenja se si do të përfundojë kjo punë, kemi qysh sot… Ç’do të thotë kjo? Vetë kërkesa që Kosovës t’i njihet statusi i republikës, është një kërkesë e cila flet qartë se në këtë moment populli shqiptar në Jugosllavi ka përqafuar idenë e luftës për një autonomi të vërtetë të shqiptarëve në Jugosllavi. Po a është e drejtë kjo? Le të kthehemi mbrapa në histori, në kohën e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në kohën e kryengritjeve të mëdha të Kosovës më 1909-1912. Asokohe kushtet objektive nuk lejonin që populli ynë të dilte menjëherë me kërkesen e një pavarësie të plotë të Shqipërisë. Por populli në atë kohë u detyrua që të dalë me kërkesen për një autonomi. Sado që historia nuk përsëritet, por një rrugë e tillë na imponohet sot ne shqiptarëve në Jugosllavi dhe gjithë kombit tonë, kur është fjala për realizimin e të drejtave tona, qoftë në kuadër të kufijve të Jugosllavisë, qoftë për bashkimin e plotë të mbarë shqiptarëve që jetojnë në tokat e tyre, gjë që nesër do të realizohet patjetër”. Ja edhe disa fragmente të përgjigjeve të Kadri Zekës : “Ndoshta po zgjatem pak, por u shtrua një pyetje nga një shok. Erdhi puna deri atje sa t’i vihet një qyteti me tradita të lashta patriotike, emri i kryeudbashit Tito. Kam dëgjuar se këtu punëtorët tanë në Gjermoni kanë vendosur që kush e përmend emrin e Titos, dënohet me 5 marka gjermane. Prandaj unë s’do ta përmend shpesh që të mos dënohem aq shumë. Në kuadrin e masave që kanë marrë, si në shkollat, dhe në çdo fushë tjetër, tani kanë arrijtur ta pengojnë edhe radio-televizionin shqiptar, ta pengojnë me qëllim që në Kosovë te shqiptarët mos të mund të depërtojë asnjë ideologji tjetër, por vetëm ajo që na servisin dhe na imponojnë shovinistët jugosllavë.

Në kuadrin e këtyre masave, për të zhdukur çdo gjë shqiptare, çdo ndjenjë liridashëse tek shqiptarët, ata vendosën t’i vënë edhe një qyteti kosovar emrin e tij (të Titos)”!. “Po bëhën shumë pyetje: Ç’bënë Shqipëria? Duhet të jemi të sigurt se ka njerëz që shohin më larg se ne. Një çështje që ne në fillim na duket jo e drejtë, është menduar është studjuar dhe është përtej bregut. Kështu që neve na takon t’i kryejmë detyrat tona; që shqiptarët të mos i lëshojnë vatrat e t’i themi serbit: jemi në tokën tonë. T’i themi serbit: në se don të rrish si njeri, rri. Në qoftë se nuk do, atëherë shko kah të duash. Ky është qëndrimi ynë. Padrejtësive t’u bëjmë ballë. T’i fitojmë të drejtat tona me luftë. Përsa u përket të tjerëve që kanë obligime ndaj nesh, si komunistët e botës dhe proletariati ndërkombëtar, qoftë dhe vëllazërit tanë në Shqipëri, ata do t’i kryejnë detyrat e veta. Rroftë populli ynë heroik”. Edhe Viti i Ri 1982 tregon Tafallari, u festua nga bashkëkombasit e shumtë që jetonin dhe punonin në Shtutgart me rethinë. Tafallari i përmend se në mesin e shumë aktivistëve ishin edhe Shaban Klaiqi, Islam Rafuna, Mejdi Rexhaj, Shaban Bobaj, Selim Koca, Nuhi Sylejmani etj. Ai thotë: “Punëtorët tanë na e kishin siguruar një sallë dhe u mblodhëm për të festuar Vitin e Ri. Jusufi dhe Bardhoshi i binin çiftelisë dhe sharkisë; Jusufi edhe këndonte. Kurse baca Jahir na bënte shumë për të qeshur me humorin e tij të këndshëm. Në këtë ndërtesë kishte edhe njerëz me origjinë sllave;(banonin) një nga këta hyri tek ne pa marrë leje dhe na foli në gjuhën sllave. Jusufi tha: “Ju lutem mos lejoni sonte të dëgjojmë gjuhë sllave”. Dhe ashtu u veprua. Mbrëmja kaloi në një atmosferë kënaqësie. Aty nga mbarimi i mbrëmjes së Vitit të Ri, Jusufi na afroi dhe na tha: “Ju e dini se Kadri Zeka na ka ftuar në dasmën e vet dhe ne duhet të shkojmë. Por ne në dasmë nuk kemi pse të përziejmë mosmarrëveshjet tona organizative. Ne do të shkojmë si miq”. Tafallari na jep edhe të dhëna tjera se si janë organizuar për të shkuar në dasëm, si kanë kaluar dhe si ka përfunduar dasma. Ai thotë: “U vendos të shkojmë me makina. Bardhoshi në makinën e vet mori të shoqen e Jusufit dhe shoqen time; ne të tjerët, Jusufi, Nuhi Sylejmani, dhe disa të tjerë udhëtuam me një minibus. Kadriu na priti mirë. Dasma u bë në një shtëpi malore. Dasma si dasëm me këngë e valle, por bëhej në një vend të largët dhe të huaj, vetëm pjesëmarrja e bashkatdhetarëve e bënte atë thjesht shqiptare. Në mëngjes u kthyem; nuk donim t’ia ndalnim këngës në minibusin që po na binte sërish në qytet. Jusufi ishte më i lodhur se ne sepse ai punonte edhe për nxerrjen e gazetës “Zëri i Kosovës”. Atë e mundonte edhe mosmarrëveshja me organizatën tjetër ku kishte edhe anëtarë që nuk pranonin ta merrnin dhe ta shpërndanin Zërin e Kosovës”.

JUSUF GËRVALLA ISHTE I BINDUR SE VETËM NË BAZË TË BASHKËPUNIMIT VËLLAZËROR NË MES PËRFAQËSUESVE TË ORGANIZATAVE ILEGALE DO TË KRIJOHESHIN KUSHTET PËR BASHKIMIN E TË GJITHA ORGANIZATAVE NË NJË ORGANIZATË TË VETME

Kryetari i LNÇKVSHJ Metush Krasniqi, që vepronte në Kosovë, duke ditur se në Kosovë vepronin edhe organizata tjera ilegale, bëri përpjekje për bashkimin e tyre në një organizatë të vetme. Bisedat që u zhvilluan gjatë vitit 1980/ 81 në mes tij dhe Hydajet Hysenit që i pëfaqësonin dy organizata ilegale, LNÇKVSHJ dhe OLMK-në, nuk arritën sukses, për shkakun e vetëm se Hydajet Hyseni dhe Metush Krasniqi kishin qëndrime të kundërta në lidhje me çështjen e bashkimit të organizatave. Metush Krasniqi mbronte qëndrimin se bashkimi i organizatave në një organizatë të vetme nënkupton krijimin e një fronti të përbashkët veprimi, me një udhëheqje, me një program, me një statut dhe me një organ të vetëm, me qëllim të krijimit të kushteve për të qenë të përgatitur sa më mirë që, në momentin e duhur, kur të na “vijë shteku” t’i presim prangat e robrisë, me dëme sa më të vogla për popullin tonë. Ndërsa Hydajet Hyseni e mbronte qëndrimin se duhet krijuar një front i përbashkët veprimi ku do të bashkohen të gjitha masat e gjëra popullore dhe organizatat ilegale, por atë front nuk mund ta udhëheqi askush tjetër përpos “marksistët- leninistëve të Kosovës”. Metush Krasniqi duke parë se nuk ia vlen të harxhojë kohë dhe energji me një komunist injorant, i cili nuk kuptonte apo nuk donte të kuptonte se si arrihet bashkimi dhe çfarë rëndësie kishte ai për Lëvizjen tonë kombëtare i ndërpreu bisedimet për këtë çështje. E vetmja gjë për të cilën u muarën vesh dy udhëheqësit e dy organizatave ilegale ishte, që përfaqësuesit e organizatave të tyre që vepronin në boten e jashtme t’i vazhdojnë bisedimet e ndërprera për gjetjen e gjuhës së përbashkët, për bashkimin e organizatave të tyre në një organizatë të vetme. Siç dihet, nga udhëheqja qendrore e LNÇKVSHJ që vepronte në Gjermani ishin Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Xhafer Durmishi, kurse në Turqi ishte Sabri Novosella. Ndërsa udhëheqjen qendrore të OMLK-së në Zvicër e përbënin Kadri Zeka, Hasan Malaj, Saime Zeka. Pas atentatit të Shtutgartit Xhafer Shatri, edhe pse i kishin mbetur edhe disa muaj për ta kryer vuajtjen e dënimit, pat ikur nga burgu i Prishtinës dhe me ndihmën e shokëve (Hasan Malës etj.) pat ardhë në Zvicër dhe kështu ai e zuri vendin e Kadri Zekës. Jusuf Gërvalla ishte i bindur se vetëm në bazë të bashkëpunimit të ndërsjelltë dhe vëllazëror në mes përfaqësuesve të organizatave ilegale do të krijoheshin parakushtet për bashkimin e të gjitha organizatave në një organizatë të vetme. Ai me punën e tij konkrete tregoi se ishte për një bashkim të mirëfilltë dhe parimor kur ndërpreu daljen e revistën e tij “Lajmëtari i lirisë” dhe zhagiti botimin e organit të organizatës së tij “Zëri i Kosovës”. Të njëjtën gjë duhej ta bënin edhe përfaqësuesit e organizatave tjera, për të krijuar kushtet e një marrëveshjeje për bashkimin e tyre në një Organizatë të vetme, me një udhëheqje, me një program, me një statut dhe organ të vetëm.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e OMLK-së, deri pas atentatit të Shtutgardit, nuk treguan as gjestin më të vogël se janë për bashkimin e organizatave në bazë të parimit të respektit reciprok dhe bashkëpunimit vëllazëror. Edhe pse Hydajet Hyseni ishte “pajtuar” me Metush Krasniqin që përfaqësuesit e dy organizatave që ishin në botën e jashtme t’i vazhdojnë bisedimet për bashkim, H. Hyseni i bllokoi bisedimet kur ua dërgoi përfaqësuesve të organizatës së tij në Zvicër “Tezat (e OMLK-së) rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”. Sipas atyre,,tezave” (vendimeve të H. Hysenit): “Fronti Popullor për Republikën e Kosovës” duhet të jetë jo një koalicion i paqëndrueshëm i krerëve të forcave të ndryshme politike, por një bashkim luftarak i pathyeshëm i të gjitha masave tona popullore; jo marrëveshtje me fjalë në letër, por një bashkim në luftë e sipër..”. Pra, H. Hyseni me anën e atyre “tezave” e bën të pamundur bashkimin e LNÇKVSHJ-së dhe të OMLK-së në një organizatë të vetme, me një udhëheqje, me një statut dhe me një organ të vetëm. Pra ai nuk e do “bashkimin e krerëve të forcave të ndryshme politike” (pra nuk e do bashkimin e Jusuf Gërvallës dhe të Kadri Zekës, vërejtja ime) dhe as nuk do të nënshkruhet kurrfarë marrëveshjeje në mes “krerëve të forcave të ndryshme politike” (pra nuk donë të bëhet kurrfarë marrëveshjeje në mes Kadri Zekës dhe Jusuf Gërvallës) por Hydajet Hyseni e do një “bashkim luftarak të gjitha masave tona popullore”. Pra ai nuk e don atë bashkim që OMLK-në do ta vente në pozitë të barabartë me LNÇKVSHJ, me atë organizatë në programin dhe statutin e së cilës askund nuk përmendej marksizëm-leninizmi dhe as internacionalizmi proletar. H. Hyseni me “tezat” që ia dërgon Kadri Zekës në Zvicër dëshironte të bëjë përçarje dhe të krijojë mosmarrëveshje e ngatërresa në mes veprimtarëve të dy organizatave që vepronin në Evropën Perëndimore, LNÇKVSHJ dhe OMLK-së, kur në një paragraf të “tezave” thuhet: “Bazë e Frontit duhet të jetë aleanca e klasës punëtore me fshatarësinë, nën udhëheqjen e klasës punëtore dhe të pararojës marksiste-leniniste të vërtetë, që do të dalë nga lëvizja komuniste në Kosovë, e cila po rritet, bashkohet e forcohet çdo ditë”. Nga kjo që u citua shihet se, sipas “tezave”, udhëheqja e Frontit duhet të dalë nga “pararoja komuniste-leniniste e vërtetë”. Pra, gjithnjë sipas “tezave”, të gjitha organizatat, pra edhe LNÇKVSHJ, duhej të shkriheshin në “Frontin Popullor për Republikën e Kosovës”, kurse OMLK-ja të mbetej organizatë pararojë me program, statut dhe organ të vetin, për ta udhëhequr “Frontin”?. Dhe kush mund të jetë në krye të “frontit” përpos krerëve të OMLK-së, që sipas H. Hysenit “ishte”, ” pararojë komuniste-leniniste e vërtetë”. Se çfarë politike do të bëjë “Fronti” për realizimin e synimeve të tij, do të shihet nga ky pasus i marrë nga “Tezat rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”.

Po e citoj: ” Duhet ndjekur një politikë konsekuente internacionaliste, Fronti do ta lidhë luftën e tij me luftën që bëjnë popujtë e të gjithë botës për liri e socializëm dhe do të luftojë kundër imperializmit me atë amerikan në krye, kundër socialimperializmit sovjetik, kundër fashizmit dhe reaksionit të të gjitha ngjyrave”. Shtrohet pyetja ku e gjente gjithë atë forcë dhe energji Hydajet Hyseni dhe marksistët-leninistët e OMLK-së për t’i “luftuar” përpos regjimit të Beogradit, edhe dy superfuqitë botërore SHBA-të dhe BRSS-në, fashizmin dhe reakcionin në botë?! Siç tregon z.Tafallari në të gjitha tubimet apo takimet e rastit që punëtorët kishin me Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Kadri Zekën dhe udhëheqës tjerë të organizatave që i përfaqësonin ata, e kanë shtruar çështjen e bashkimit të organizatave në një organizatë të vetme. Vetë Tafallari tregon se në verën e vitit 1981 kur është parë për herë të parë me Kadri Zekën e ka pyetur për çështjen e bashkimit të organizatave. Ai tregon se në këtë pyetje “Zeqa” (pseudonimi i Kadri Zekës) i ka dhënë këtë përgjigje: “Po, Faridin nuk ka dyshim që duhet të bashkohemi. Por ja që ende nuk po gjendet një mendim i përbashkët. Po dhe kjo do ta gjej momentin. Ne me “Frontin e Kuq Popullor” jemi bashkuar dhe tani na duhet të gjejmë një mundësi bashkëpunimi edhe me Lëvizjen (LNÇKVSHJ)”. Njerëzit kudo që takoheshin shtronin këtë pyetje: A thua vallë ku janë pengesat që nuk po arrihet bashkimi i LNÇKVSHJ dhe të OMLK-së, kur- siç dihet- pas demostratave të 1981-shit, të dya këto organizata ilegale e pranuan kërkesën gjithpopullore “Kosova republikë”. Pra këtë kërkesë e pat pranuar edhe LNÇKVSHJ, edhe pse binte ndesh me statutin e saj, (që parashihte jo statusin e Kosovës republikë në federatën jugosllave, por çlirimin e saj dhe të viseve tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me shtetin amë-Shqipërinë.) Se nuk ishte pengesa për bashkim te përfaqësuesit e organizatave (LNÇKVSHJ dhe të OMLK) që vepronin në botën e jashtme tregon bashkëpunimi vëllazëror në mes Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, si në nxerrjen e shtypit ilegal ashtu edhe në organizimin e demonstratave në Evropën Perendimore, por edhe vrasja e tyre nga UDB-ja jugosllave, që- me siguri- u ndihmua edhe nga dora tradhtare e shqipfolësve të gjorë, tregon se Jusufi dhe Kadriu së shpejti do ta bënin bashkimin e Organizatave të tyre. Pengesa duhet kërkuar te udhëheqja e OMLK-së që vepronte në Kosovë, te H. Hyseni e të tjerë, kur Kadri Zekës ia dërguan “Tezat rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës” dhe kërkuan prej tij që në asnjë mënyrë të mos shkelen ato nga ana e tij. Sipas z.Tafallarit, Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka patën bashkëpunuar shumë mirë, por në radhën e veprimtarëve të OMLK-së që vepronin në Evropën Perendimore kishte edhe asish që krijonin pengesa dhe mosmarrëveshje në mes këtyre dy organizatave. Për këte na tregon zotëri Tafallari kur në librin e tij të cekur shumëherë më parë thotë: “Unë di një rast të tillë: Jusufi me Bardhoshin sollën organin e Lëvizjes (LNÇKVSHJ) Zërin e Kosovës në Nagold. Në makinën e tyre e kishin edhe organin “Liria”. Kur më dha Zërin e Kosovës, Jusufi m’i dha edhe disa numra të “Lirisë”, duke më thën : ” Faridin, shpërndaj edhe këto; edhe pse ata të OMLK-së nuk po pranojnë të marrin Zërin e Kosovës për ta shpërndarë, ne do të shpërndajmë si Zërin e Kosovës ashtu edhe Lirinë”.

NË VRASJEN E JUSUF DHE BARDHOSH GËRVALLËS DHE TË KADRI ZEKËS KA MARRË PJESË, PËRPOS SIGURIMIT TË FSHEHTË SERBO-JUGOSLLAV, EDHE SIGURIMI I FSHEHTË I SHQIPËRISË

Edhe pse Metush Krasniqi dhe Hydajet Hyseni nuk arritën marrëveshjen për bashkimin e organizatave të tyre në një organizatë të vetme, përpjekjet për bashkim i vazhduan veprimtarët që iu përkisnin udhëheqjeve qendrore të LNÇKVSHJ-së dhe të OMLK-së, që vepronin në botën e jashtme. Si rrjedhim i gjithë këtyre përpjekjeve, me propozimin e Jusuf Gërvallës, në tetor të vitit 1981 vjen puna deri te takimi në mes përfaqësuesve të LNÇKVSHJ dhe të OMLK-së në Stamboll. Në atë takim muarën pjesë: Kadri Zeka në emër të OMLK-së, ndërsa Sabri Novosella dhe Bardhosh Gërvalla në emër të LNÇKVSHJ. Xhafer Durmishi në një shkrim të pabotuar na e shpjegon këtë takim në bazë të asaj se çka i ka thënë Bardhosh Gërvalla, që ishte pjesëmarrës në ato bisedime. Ai thotë: “Bardhoshi u kthye aty kah 9 tetori 81, më saktësisht një ditë para se të hapej panairi i librit i Franfurkut 81. Rrugës për panair na u dha rasti së pari ta dëgjojmë Bardhin të tregojë për takimin e Stambollit”. Thelbin e bisedimeve ai e tregoi me këto fjalë : “Sabri Novosella: Mund të fillojmë bisedimet për çka jemi mbledhur, bashkimin e organizatave në një të vetme? Kadri Zeka: Ne jemi për krijimin e një fronti në bazë të këtyre tezave, pra për një front i cili do të udhëhiqet nga OMLK-ja! S.Novosella : Ne kemi menduar se do të vish për çështjen e bashkimit të organizatave. Është çështja e këtyre bisedimeve për shkak të të cilave ne e kemi pezulluar nxerrjen e “Zërit të Kosovës” qe disa muaj.! K.Zeka: Unë nuk kam autorizime me bisedue për bashkimin më shumë se ajo që thash e që është në teza!?.” Bardhi vazhdon se, menjëherë pas mbylljes së bisedimeve, u vendos që të fillohet me nxerrjen e Zërit të Kosovës, si organ i LNÇKVSHJ.

Jusufi u befasua nga mosrezultati i takimit, por edhe ishte i kënaqur që gjërat ishin qartësuar. Puna në nxerrjen e Zërit të Kosovës qe e shpejtë dhe numri i parë doli pas njëzet ditësh, pra në fillim të nëntorit 81 “. Pra, siç po shihet, bisedat për bashkim dështuan sepse përfaqësuesi i OLMK-së, Kadri Zeka nuk kishte pasur autorizim nga organizata e tij të bëjë biseda për bashkim, por kishte pasur për detyrë të bëjë komentin e “tezave” dhe t’ia bëjë të qartë udhëheqjes së LNÇKVSHJ-së se të gjitha organizatat dhe grupet ilegale që nuk i përkasin “lëvizjes komuniste në Kosovë”- OMLK-së, pra edhe LNÇKVSHJ-ja duhet të shkrihen në “Frontin për Republikën e Kosovës”, ndërsa OLMK-ja duhet ta udhëheqi “Frontin”?!. Organet shtetërore jugosllave, në veçanti ato serbe, u befasuan me rritjen dhe zgjerimin e Lëvizjes tonë kombëtare që, për shkaqe taktike, përkrahte kërkesën “Kosova republikë”, por nuk kishte hequr dorë nga synimet për krijimin e Shqipërisë etnike. Ata ishin të njoftuar me veprimtarinë e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës- dhe të veprimtarëve tjerë- që bënin përpjekje për bashkimin e organizatave të tyre dhe organizatave tjera në një front të përbashkët, që do të sillte ngritjen cilësore dhe sasiore të veprimtarisë ilegale dhe legale të lëvizjes tonë kombëtare që punonte për realizimin e të drejtave tona legjitime. Një bashkim të tillë e pengoi jo vetëm UDB-ja e Beogradit, por e pengoi edhe UDB-ja e Tiranës. Se pse Beogradi ishte kundër bashkimit të organizatave ilegale në një organizatë të vetme është e qartë, por pse edhe Shqipëria ishte kundër bashkimit të organizatave ilegale, siç mendonte udhëheqja e LNÇKVSHJ (të gjitha organizatat të bashkohën në një organizatë, me një program, me një statut, me një organ dhe me një udhëheqje që do të dilte nga veprimtarët e shquar të të gjitha organizatave ilegale) nuk është e qjartë edhe sot e kësaj dite prej një pjese të popullsisë së Kosovës, sepse nuk i dinin dhe nuk i dinë objektivat madhore të PPSH dhe të udhëheqjes së Shqipërisë. Për PPSH ishte parësore fitorja e socializmit në botë, mbrojtja e marksizëm-leninizmit dhe internacionalizmit proletar.

Formimi i një organizate të fuqishme që do t’i mbronte interesat e Kosovës dhe të kombit shqiptarë para interesave ideologjike për të cilën aq shumë ishte lidhur PPSH dhe Enver Hoxha, do të shkonte në kudërshtim me interesat e ngushta partiake të klasës politike të Shqipërisë, sepse do të dëmtoheshin dhe rrezikoheshin ato interesa. Prandaj, qysh në takimet e para që u bënë për bashkimin e LNÇKVSHJ dhe të OMLK-së, muarën masa të pengojnë bashkimin e këtyre organizatave në bazë të propozimeve konkrete që vinin nga udhëheqja e LNÇKVSHJ. Por diplomatët e Shqipërisë, që vepronin në Evropën Perendimore, përpos që bënin përçarje në mes të veprimtarëve të këtyre organizatave, ata në një mënyrë përkrahnin bashkimin e organizatave në bazë të “Tezave” të OMLK-së, që udhëheqjen e organizatës së bashkuar do ta merrte “pararoja komuniste-leniniste” (udhëheqja e OMLK-së) që faktikisht ishte një dorë e zgjatur e sigurimit të fshehtë të Shqipërisë. Ky farë lloj “bashkimi” do t’ia siguronte PPSH-së kontrollin mbi organizatën e bashkuar dhe do ta shndërronte atë në një altoparlant i PPSH-së, që ajo të mos bëhet një qendër e fuqishme veprimi që do të merrej me çështje madhore kombëtare. Prandaj është më se e sigurt se në vrasjen e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës kanë marrë pjesë, përpos sigurimit të fshehtë serbo-jugosllav, edhe sigurimi i fshehtë i Shqipërisë. Njëri ndër të parët që kërkoi ndihmë prej Jusufit ishte Ibrahim Kelmendi, një ish student i dështuar i Universitetit të Prishtinës, i cili- në mënyrë demonstrative- e kishte pas lëshuar universitetin, duke ua “dhënë fjalën” profesorëve se kanë për të parë se kush është Ibrahim Kelmendi. Ai pasi “nuk pati fat” për ta kryer fakultetin, vendosi “të provojë fatin në gurbet” dhe kështu ia mësyu Gjermanisë. Atje ai bie në kontakt me prijës të emigracionit kroat, me “diplomatë” të Shqipërisë dhe me aventurierë e anarkistë të ndryshëm. Tregoi shkathtësi të rrallë kur i bindi bashkëbiseduesit se ishte i “ndjekur” nga policia serbo-jugosllave, ndërsa pas “formimit” të organizatës ilegale ” Fronti i Kuq Popullor” iu hapën rrugët për të “bashkëpunuar” me përfaqësuesit e organizatave ilegale që ishin formuar në Kosovë dhe i kishin degët e tyre në Evropën Perëndimore (siç ishte rasti me LNÇKVSHJ dhe OLMK-në. Siç kemi thënë, I. Kelmendi gjatë verës së vitit 1979 e pat nxjerr numrin e parë të organit të organizatës së tij që e quante “Bashkimi”. Jusuf Gërvalla, edhe pse nuk përputhej me asgjë me I. Kelmendin, e ndihmoi në nxerrjen e nr.2, 3 dhe 4 të,,Bashkimit”.

Kur Jusufi ia ndërpreu ndihmën I. Kelmendit (janar 1981) “Bashkimi” pushoi së botuari. Shtrohet pyetja pse Jusuf Gërvalla nuk e ndihmoi më tutje I. Kelmendin? Siç dihet, me kalimin e kohës, njerëzit vet diferencohen dhe tregojnë se kush janë. Edhe I. Kelmendi rastësisht i “shplon këmbët”, kur Jusufit i tregon se si ua ka “lëshuar mjekrrën” ustashëve kroat, kur ua kishte marrë 50.000 DM! Fjala është për një mashtrim të thjeshtë të I. Kelmendit i cili ustashëve kroatë iu paraqitet si “udhëheqës” i një organizate ilegale shqiptare që e “lufton komunizmin” dhe “regjimin titist të Jugosllavisë”. Organizata e ustashëve kroatë, duke shpresuar se do të krijojë një aleancë të fortë në mes shqiptarëve dhe kroatëve për ta luftuar armikun e përbashkët, shovenizmin serb, vendosën ta ndihmojnë “organizatën e shqiptarëve”, duke ia dorëzuar I. Kelmendit në dorë një shumë prej 50.000 DM. I. Kelmendi ato të holla në vend se t’i përdorë për çështje për të cilat ia kishin dhënë ustashët, ai ato të holla ia dërgon familjes së tij në Pejë. Jusufi kurrsesi nuk mund ta arsyetonte një veprim kaq të lig të I. Kelmendit, prandaj jo vetëm që nuk e ndihmon më, por edhe kërkoi prej tij që “më kurrë të mos ia shkeli pragun e shtëpisë”. Faredin Tafallari ishte njëri ndër bashkëveprimtarët e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës i cili më së miri i njeh rrethanat që e shtynë Jusuf Gërrvallën t’ia ndërpresin ndihmat Ibrahim Kelmendit. Ai në librin e cekur më parë thotë: “Më kujtohet një takim ku kam qenë edhe unë i pranishëm. Jusufi e pyeti Ibrahimin që t’i tregonte se sa të holla i kishte marrë nga një organizate kroate (emrin e saj nuk e di). Sipas fjalëve të Ibrahimit ka qenë puna për një shumë prej 50 mijë markash gjermane, që do të përdoreshin për të blerë armë. Këtë shumë e kanë marrë njerëzit e Ibrahimit, mandej i përdori ato për të rregulluar një lokal kafeneje në Pejë. Jusufit kjo gjë nuk i pëlqeu dhe e kundërshtoi veprimin e Ibrahimit si jo të mirë. Ibrahimi përgjigjej se “kur gjen budallenj pse të mos përfitosh”. Jusufi ia ktheu: “Ato para janë marrë për diçka tjetër dhe për një çështje tjetër dhe janë përdorur për interesat tuaja. Për tjetër janë kërkuar dhe për tjetër janë shfrytëzuar”. Pastaj vazhdon Tafallari: ” Veç kësaj, për një farë kohe, Rizah Salihu ia ka kontrolluar korespodencën Jusufit; se me çfarë mënyre ia ka arritur kësaj, nuk e di. Por më pas u krijuan dyshime mbi Ibrahimin se vetëm ai ia dinte adresën Jusufit. Rizah Salihu, pas vrasjes së shokëve tanë, është burgosur nga policia gjermane.

Pas demostratës së organizuar në prill 1981 në Shtutgart, ne shkuam në një sallë; aty erdhi edhe Riza Salihi, por pjesëmarrja e tij nuk është mirëpritur as nga Jusufi as nga Kadriu”. Se kush ishte anonimi Riza Salihu, nuk është ditur plotësisht atëherë- dhe as sot nuk dihet. Dihet me siguri se Ibrahim Kelmendi dhe Hysen Gega kanë qenë shokë të pandashëm të tij dhe kanë pasur bashkëpunim të ndërsjelltë e vëllazëror. Sipas fjalëve që qarkullonin atëherë thuhej se Rizah Salihu e kishte pas formuar një grup komunist dhe se e kishte nxjerr një fletushkë me titull: “Zëri i Kosovës”. Po ashtu është e sigurt se anonimi Riza Salihu ka bërë shpifje të liga kundër Jusuf Gërvallës, duke e shpallur “bashkëpuntor të UDB-së”. Sipas z. Tafallarit, shpifjet e Rizah Salihut paskan ndikuar në Hysen Gegën aq shumë sa që ai paska shprehur gatishmërinë ta vrasë Jusufin po qe se është e vërtetë ajo që thonte Salihu për të. Hyseni takohet me Jusufin dhe me bisedën e parë që e pati e kupton se të gjitha ato që i kishte thënë Salihu për Jusufin ishin shpifje. I tregon Jusufit se çka flitej për të në rrethin e ngushtë të Rizah Salihut. Ai i tregon edhe për mendjelehtësinë e tij kur shpifjet në një moment ia kishin prishë shpirtin dhe ia kishin helmuar zemrën. Dhe në fund ndahen si vëllezër.

KUSH KANË QENË ATA QË KANË FORMUAR “KOMITETIN…” PËR LIKUIDIMIN FIZIK TË JUSUF GËRVALLËS?

Por në Evropën Perëndimore, tek bashkëkombësit tanë, qarkullon edhe një variant tjetër i kësaj ngjarjeje. Thuhet se Ibrahim Kelmendi, Rizah Salihu dhe Hysen Gega e paskan formuar një Komitet që do të merrej me likuidimin fizik të Jusuf Gërvallës, ndërsa Hysen Gega qenka zotuar se do ta kryente vet ekzekutimin e dënimit. Thuhet se për atë qëllim paska shkuar në banesën e Jusufit dhe se me bisedat që i zhvilluan atë natë sëbashku, Hyseni e kupton se të gjitha ato që i ka dëgjuar për Jusufin nga anëtarët e atij Komiteti nuk kishte asgjë të vërtetë, por ishin gënjeshtra dhe shpifje. I tregon Jusufit fill e për pe çka flitej për të, dhe për çka kishte ardhuri te ai. Ky takim përfundon siç është më së miri, Hyseni dhe Jusufi bëhen miq dhe shokë të sinqertë, por Hysen Gega pati pasoja pse nuk e kreu detyrën. U burgos nga policia jugosllave, posa pat shkuar në Kosovë për ta vizituar familjen. Faredin Tafallari na i jep ca të dhëna të rëndësishme se kush ia ka përgatitur kurthen Hysen Gegës për të ra në duar të policisë jugosllave? Ai thotë: “Një mbasdite Dema (Demë Demaj kishte qenë shok i ngushtë i z.Tafallarit dhe të dy ishin bërë anëtarë të LNÇKVSHJ) erdhi në shtëpinë time dhe më tha se ka ardhur një shok nga Kosova, i cili është shumë i aftë”!. Tafallari paska shkuar te Dema që të njihet me shokun e tij dhe pastaj paskan dalë në një restorant. Gjatë kohës sa Dema bisedonte me telefon me Jusuf Gërvallën, Sadik Blakaj e paska pyetur Tafallarin për organizatën që bënte pjesë, për udhëheqësit e saj, sa anëtarë i ka dhe kush është në ballë të saj, a jeni të organizuar në grupe apo në celula, me cilat organizata dhe me cilët njerëz bashkëpunojmë etj, por Tafallari iu shmangej pyetjeve dhe nuk i jepte kurrfarë përgjigjeje, në rend të parë se e kishte parë këtë njeri për të parën herë, por edhe në bazë të disa të dhënave biografike që ia kishte dhënë Dema për Sadik Blakajn. Tafallari thotë: “Dema më kishte thënë për Sadikun se ishte patriot dhe i zgjuar shumë, por se kishte edhe ndonjë të keqe. Më tha se ishte i dhënë pas femrave dhe i ndërronte; bile edhe këtë që e ka tani si dashnore, e ka pasur dikur nxënësen e vet, kurse gruan me 5-6 fëmijë e ka te shtëpia. Shtoj se edhe paratë i pëlqejnë. Por Faredin, ky aty ku rri dhe ha nuk bën kësi punësh, kurrsesi. Nuk ka më të zotin dhe më patriot se ky; ua kalon shumë të tjerëve”.

“Me t’i dëgjuar të gjitha këto,unë iu pata përgjegjur Demës: “Po si mund të jetë i vendosur për patriotizëm një njeri që ka kësi të metash? Unë këtij nuk i besoj dhe nuk e njoh për patriot edhe pse ti i beson”!. Tafallari vazhdon: ” Kur erdhën Jusufi me Bardhoshin, dëgjova se Sadik Blakaj i thoshte Jusufit: “Në vendet ku kam qenë, kam pasur shumë shokë dhe më dhimbsen, sidomos miqtë e mi në Francë e në Belgjikë. Por tani që kam ardhur këtu, dëshiroj të bashkëpunoj me ju. Shumë libra më kanë mbetur në Bruksel, ndër të tjera edhe veprat e shokut Enver”. Jusufi iu përgjegj: “Nëse ke pasur shokë, ata duhet t’i kesh shokë edhe këtej e tutje, përgjithnjë”. Duke biseduar Sadikut i rridhnin lotët. Jusufi tha: “Lotët nuk janë për burra; vetëm kur dy të rinj dashurohen dhe u vjen koha e prishjes, ata me lotë mundohen ta zgjasin dashurinë”. Sadiku u pëpoq që të merrte vesh nga Jusufi se sa anëtarë kishte në organizatën e tij dhe kush i ndihmonte. Por Jusufi nuk i dha as një informacion: nuk pranoi që kishte ndonjë organizatë dhe as që ai merrej me punë të tilla”. Nuk vonoi asnjë muaj kur Sadik Blakaj arriti suksesin e parë në dobi të UDB-së jugosllave. Demën e bindi që të mos shkonte për të marrë pjesë në tubimin festiv të 28 Nëntorit (të 1980) me qëllim që drama e përgatitur nga Tafallari dhe Dema me shokë të mos shfaqej atë natë. Por Sadik Blakaj nuk ishte i kënaqur vetëm me kaq. Tash e kishte radhën Hysen Gega të dënohet për “tradhtinë” që ia kishte bërë Rizah Salihut me shokë, kur detyrën që e kishte marrë për ta kryer nuk e kreu. Se si ia mbushin mendjen Hysen Gegës të shkonte në Kosovë, për ta parë familjen dhe për t’i dërguar statutet dhe programet e organizatës së Ibrahim Kelmendit (që edhe vetë ishte anëtarë i saj) ” Fronti i Kuq Popullor”, e di më së miri vet H.Gega, por para se të udhëtojë për Kosovë, Sadiku ia kishte dhënë fjalën Hysenit se “bashkë do të shkojmë dhe bashkë do të kthehemi”. Por Sadik Blakaj, para se të nisej me Hysen Gegën për Kosovë, një mbrëmje udhëtoi për diku. E kishin pas përcjellë Faredin Tafallari dhe Demë Demaj deri në stacion të trenit në Nagold. Dhe, para se të nisej treni, Sadiku i paska thënë Demës: “Shikoi duart e mia; këto nuk punojnë si duart e tua e të Faridinit, por fitojnë, ja kështu, të paprishura”. Kur treni u nis, Sadiku paska thënë: “Demë, për atë bisedë, mos të dijë kush veç ti dhe unë”. Sadiku me Hysenin shkuan në Kosovë. Se qysh e qiti në kurthën e UDB-së Sadik Blakaj bashkudhëtarin Hysen Gegën di më së miri të na tregojë H.Gega, por Sadik Blakaj u kthye në Gjermani në janar të1981, pa pasur kurrfarë problemi gjatë udhtimit, ndërsa Hysen Gega u dënua 10 vjer burg nga gjykata e okupatotit serb në Kosovë. Kur Jusuf Gërvalla mëson për burgosjen e H.Gegës kërkon shpjegime të hollësishme nga Tafallari. Tafallari ia shpjegoi rrjedhën e ngjarjeve, por- për të qenë të dhënat sa më të plota se si kanë rrjedhur ngjarjet- organizon një takim në banesën e tij ku marrin pjesë Jusuf Gërvalla, Faredin Tafallari, Sadik Blakajt dhe Demë Demaj. Po e japim një pjesë të dialogut që është zhvilluar në mes Jusuf Gërvallës dhe Sadik Blakës (që po e nxjerr prej librit të F.Tafallarit): “Po si ju ndodhi që Hysenin e zunë dhe ti u ktheve. Me sa di unë, kur jeni nisur fjalët i keni pasur ndryshe dhe i keni dhënë besën njëri- tjetrit se nuk do të ndaheni. Si ndodhi pra”?. Sadiku mundohej ta linte në gabim Hysenin se gjoja nuk ka ditur të ruhet meqë ishte i pa përvojë dhe se paska pasur qejf të burgosej. Me mënyra e fjalë shumë të ulta mundohej ta bindte Jusufin se Hyseni ishte i paaftë. Por Jusufi që e njihte mirë, iu drejtua: “Pasi Hyseni, nuk paska qenë i aftë, a do të kishe pranuar të shkoje me ndonjë tjetër”?.- “Ah, po-tha Sadiku. – Do të kisha pranuar me ndonjë si ti, se me cilindo nuk do të kisha shkuar.” “Po me mua a pranon”? – e pyeti Jusufi. Po si, bile do të isha nisur qysh sonte”.. “Po a mundesh të garantosh për këtë kalimin e kufirit”? – e pyeti Jusufi. Po tha “Po të garantoj që asnjë gjemb nuk ka për të hyrë në këmbë. Bile me shumë qejf do të kisha shkuar me ty”. Me pyetjet që Jusuf Gërvalla ia shtroi Sadik Blakës dhe përgjigjet që i muar prej tij, u bë e qartë se Sadik Blakaj punonte për Sigurimin e fshehtë serbo-jugosllav. Pra u bë e qartë se ai e kishte dorëzuar Hysen Gegën në policinë jugosllave dhe shprehu dëshirën e flaktë që edhe Jusufin ta dorëzonte si Hysenin. Nuk mërzitej Sadiku se premtimet dhe garancat e tij dalin të rrejshme kur arrinte qëllimin. Pas këtij takimi- dikund në shkurt të 1981 – Demë Demaj pat vendosur të shkonte në Kosovë për ta vizituar familjen.

Siç thotë Tafallari, ky qe konsultuar me Jusuf Gërvallën. Tafallari shënon këtë dialog që është bërë në mes Jusufit dhe Demës: “Baca Jusuf, unë dua të shkoj te shtëpia. Po ti si po më thua”?- “Unë të them të mos shkosh”, u përgjegj Jusufi. Por Dema u tregua këmbëngulës për këtë. Ai i kërkoi Jusufit materiale nga shtypi ilegal që t’i merrte me vete dhe t’i shpërndante në Kosovë. Jusufi tha: “Nuk të jap asnjë nga materialet dhe ti, meqë nuk po më dëgjon, bënë si të duash”. Dhe shtoi: “Po të mungon disiplina”. Këtë e tha me keqardhje. Jusufi nuk donte që shokët të rrezikoheshin pa qenë nevoja dhe kjo ikje pas asaj që kishte ndodhur me Hysenin e brengoste fort”. Dema shkon në Kosovë dhe dikund kah fundi i marsit i bënë telefon F.Tafallarit dhe kërkon prej tij: “Thuaj Bardhoshit që të vijë të më marrë dhe ti jepja pasaporten tënde se më duhet që të kaloj kufirin për aty. Bardhoshi e njeh terrenin dhe ai duhet të vijë”. Siç thotë Tafallari, edhe Ibrahim Kelmendi interesohej të dijë se si po bëhet puna e Demës, pasi që ai e kishte pyetur Tafallarin se “si po vendos për Demën”, kjo don të thotë I. Kelmendi ishte në dijeni të kërkesave të Demës. Tafallari, edhe pse ishte kundër shkuarjes së Bardhoshit në Slloveni, ia përcjellë porosinë e Demës Bardhoshit. Por Bardhoshi i jep këtë përgjigje Tafallarit: ” Ai kur shkoi, nuk na dëgjoi ne dhe tani kërkon ndihmë. Unë nuk shkoj, por as ti të mos rrezikosh, edhe pse e di që e ke shok të ngushtë; por ama kurrsesi të mos shkosh”. Por, siç thotë Tafallari:”Ditët shkonin; nga Dema merrja telegrame. Një herë më thoshte se punën e kishte keq, një herë tjetër më lajmëronte se çdo gjë ishte në rregull. Telegramet ndryshonin nga njëri tjetri brenda pak kohe”. Dema u kthye në Gjermani, por, siç thot Tafallari, ardhja e tij “…zgjoi interesim të madh te shokët, por njëherit edhe dyshim se ai ishte në lidhje me Sadik Blakën”. UDB-ja jugosllave çdo herë që planifikonte zhdukjen fizike të shqiptarëve të cilët i pengonin planet dhe programet e saj në lidhje me Kosovën dhe Viset tjera shqiptare, bënte parapërgatitjet e duhura dhe pastaj realizonte vrasjen e tyre. Kështu ndodhi edhe me vrasjen e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës.

Shpifjet e Rizah Salihut kundër Jusuf Gërvallës, ishin shenjat e para se UDB-ja po i bëte përgatitjet për vrasjen e tij. Ardhja e Sadik Blakës te Demë Demaj në Shtutgard dhe njohja e tij me Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Faridin Tafallarin dhe veprimtarë tjerë, nëpërmjet Demë Demës si dhe bashkëpuniumi i ngushtë në mes Sadik Blakës, Rizah Salihut dhe Ibrahim Kelmendit, ishin shenjat e sigurta se diçka e ligë po përgatitej kundër prijësve të organizatave ilegale që vepronin në botën e jashtme. Edhe burgosja e Hysen Gegës në Kosovë në saje të ndihmës së Sadik Blakës dhe tentimi për ta burgosur Bardhoshin apo Tafallarin në Slloveni, kur ata do të shkonin për ta ndihmuar Demë Demën për ta kaluar kufinin Jugosllavi-Austri, tregonin se sigurimi i fshehtë jugosllav i kishte vënë në veprim të gjitha mekanizmat e saj brenda dhe jashtë vendit që të vinte deri te burgosja apo te zhdukja fizike e veprimtarëve që punonin kundër interesave serbo-jugosllave. F.Tafallari tregon më tej: “Nisën të dalin fjalë se UDB-ja do të kryente aksione konkrete kundër lëvizjes patriotike kosovare në mërgim dhe se donte të vriste prijësit, organizatorët. Më dendur përmedej emri i Jusufit. Këtë fjalë e kishte dëgjuar edhe vëllai im gjatë pyetjeve në sigurimin e Prizrenit. Ne ia treguam këtë gjë edhe Jusufit, por ai si gjithmonë… nuk iu dha rëndësi këtyre paralajmërimeve. Bile një herë më tha: “Pse ty të dhimbset jeta për atdhe”?. Unë u zura ngushtë dhe iu përgjigja: “Jo, mua nuk më dhimbset, por po flitet për ty”. Jusufi nuk i dha rëndësi kësaj çështjeje.” Se kundër Jusufit po përgatitej atentat dinin edhe shumë veprimtarë në Kosovë. Tafallari në librin e tij “Terror, dhimbje, qëndresë” tregon se edhe Metush Krasniqi nëpërmjet Isah Demit, që ishin takuar në Prishtinë, i kishte dërguar të fala dhe porosi Jusufit. Tafallari thotë: “Isah Demi kur u kthye nga Kosova na tha se atje ishte takuar me Metush Krasniqin.

Metushi e kishte porositur që t’i bënte shumë të fala Jusufit dhe t’i thoshte që të kishte kujdes, se armiku e ka në shënjestër, prandaj të ruhej. Bashkë me Isahin shkuam dhe e takuam Jusufin dhe Isahi i tregoi për Metush Krasniqin. Jusufi pyeti: “Po si e njeh ti Metushin”? Dhe i dëgjoi me interesim të madh shpjegimet e Isahit. Në fund Jusufi tha: ” Isah, kur të shkosh përsëri në shtëpi, të më lajmërosh dhe unë kamë për të dhënë porosi për Metushin”. Tafallari tregon se para se të bëhej atentati i Shtutgartit “flitej me të madhe se diç do të ndodhte (se do të vritej dikush). Më së shumti përmendej emri i Jusuf Gërvallës. Shokët e tij ndjenin ankth, e njoftonin Jusufin, por ky nuk shqetësohej, vazhdonte punën patriotike”. NË CILAT RHETHANA U KRY ATENTATI NDAJ VËLLEZËRVE GËRVALLA DHE KADRI ZEKËS NË SHTUTGART? KUSH MUND TË JETË I PËRZIER NË KËTË ATENTAT Pas përgatitjeve të duhura Sigurimi i fshehtë jugosllav realizoi planin dhe skenarin për zhdukjen fizike të tre udhëheqësëve të dy organizstave ilegle që vepronin në Kosovë dhe jashtë atdheut. Vrau Jusuf Gërvallën, njërin ndër udhëheqësit kryesorë të KQ të LNÇKVSHJ; Bardhosh Gërvallën, anëtarin e KQ të LNÇKVSHJ, dhe Kadri Zekën njërin ndër udhëheqësit kryesorë të OMLK-së. Siç dihet, pas demonstratave të mars-prillit 1981, situata politike në Kosovë dhe në Jugosllavi shkonte në dobi të polikës serbe për ndryshimin e Kushtetutës së 1974.

Në Kosovë kukullat e tyre Fadil Hoxha, Azem Vllasi e të tjerë, i shpallën demonstratat “kundërrevolucionare” e kështu ia mundësuan Serbisë dhe federatës jugosllave ta mbushin Kosovën me forca policore speciale, për të kryer dhunë dhe teror mbi popullsinë e Kosovës. Në Evropën Perëndimore vepronin çerdhet e sigurimit të fshehtë jugosllav, që kishin për detyrë t’i fusin njerëzit e tyre në organizatat ilegale që vepronin në Gjermani, Zvicër e gjetiu, për të krijuar përçarje dhe grindje në radhët e anëtarësisë së gjërë të organizatave ilegale. Këtë punë e ndihmuan edhe përfaqësuesit e diplomacisë së Shqipërisë që punonin në Vjenë, Paris, Stamboll dhe Ankara, që i përkrahnin edhe përfaqësuesit e LNÇKVSHJ edhe përfaqësuesit e OMLK-së për të mos i lëshuar pe njëra tjetrës, sa i përket çështjes së bashkimit të organizatave të tyre, dhe në këtë mënyrë bënin pengimin e bashkimit të tyre në një organizatë të vetme. Për këtë çështje ka folur Sabri Novosella me një shkrim të botuar me rastin e dhjetëvjetorit të formimit të LRSHJ me titull: “Si e krijuam Lëvizjen për Republikën Shqiptare në Jugosllavi” që gjendet i shtypur si dokument në librin e z.Tafallarit (të cekur më parë). Do t’i citoj disa fragmente nga ai shkrim, ku shihet se diplomacia e Shqipërisë pengonte bashkimin e organizatave ilegale në një organizatë të vetme, duke i përkrahur të dy palët në qëndrimet e tyre për çështjen e bashkimit të organizatave, qëndrime këto që ishin në kundërshtim me njera tjeten. Sabri Novosella thotë: “Para se të vinin shokët nga Evropa (e ka fjalën për Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën të cilët së bashku me Sabri Novosellën i zhvilluan bisedimet në Stamboll për bashkimin e LNÇKVSHJ dhe OMLK-së, – vërejtja ime) e kisha njoftuar prof. Bujar Hoxhën se do të vijnë disa shokë nga Evropa për të biseduar rreth bashkimit të organizatave ekzistuese…

Bujar Hoxha shprehu dëshirën që edhe ai të takohej me ata shokë… Posa arritën shokët në aeroport i njoftova për kërkesën e Bujar Hoxhës dhe kërkova mendimin e tyre se a ta lajmërojmë. Që të dy propozimin e aprovuan, bile Kadri Zeka më njoftoi se para se të nisej e paska pasur një takim me Engjëll Kolanecin, i cili ishte diplomat në Vjenë… Të nesërmën, sipas marrëveshjes, në një restorant të Stambollit u takuam ne të tre me prof. Bujar Hoxhën dhe me një njeri të Ambasadës që e shoqëronte, të cilin e quante Rauf… Në fund të atij takimi prof. Bujari propozoi që Raufi të shkonte t’i merrte disa pako me cigare dhe shishe me konjak për t’ua dërguar shokëve në Evropë për përshëndetje. Pasi u ngrit Raufi, i propozoi edhe Kadriut që ta shoqëronte, menjëherë i propozoi edhe Bardhoshit që edhe ky t’i shoqëronte. U kuptua se Bujari dëshëronte të më thonte diçka vetëm mua. Pasi mbetëm vetëm, iu drejtova: “Çka po na thua profesor”?. M’u përgjegj tekstualisht: “Mos lëshoni pe”. Bisedimet vazhduan edhe në mbrëmje të asaj dite. Kadriu ishte kurreshtar se çka më tha prof. Bujari, por edhe unë u bëra kurreshtar se çka i kishte thënë Engjëll Kolaneci para se të vinte Kadriu në Turqi. Që të dy “dekonspiruam”. Kadriu na njoftoi se Engjell Kolaneci i kishte thënë: “mbaj qëndrimet e tua”, po ashtu edhe unë e njoftova për atë çka më tha prof. Bujar Hoxha. Që të tre u dëshpëruam keq”. Këto mosmarrëveshtje që u krijuan në mesin e udhëheqjes së dy organizatave që vepronin në Kosovë, Gjermoni, Zvicër dhe shtete tjera, krijuan paqartësi dhe huti në mesin e punëtorëve tanë dhe, në të njëjtën kohë, krijuan terrenin e përshtatshëm për spiunët serbo-jugosllavë për të mbjellë përçarje dhe ndasira në mesin e punëtorëve dhe veprimtarëve që jetonin dhe vepronin në botën e jashtme. Mosshpërndarja e”Zërit të Kosovës” nga ana e veprimtarëve të OMLK-së, ishte një fitore e madhe e sigurimit të fshehtë jugosllav, pa marrë parasysh se a e realizuan njerëzit e saj drejtpërdrejt apo tërthorazi, nëpërmjet spiunëve të saj që i kishin futur në organizatat ilegale apo spiunëve të saj që i kishte futur në Sigurimin e fshehtë të Shqipërisë dhe në diplomacinë shqiptare. Duhet cekur se të padijshmit, që nuk kuptonin asgjë nga polituka dhe atdhedashuria, shumë lehtë manipuloheshin nga demagogjia perfide e spiunëve të regjur jugosllavë. Dhe kështu, pa vetëdije, kryenin urdhërat e tyre, për të shkatërruar çdo organizim të mbarë të bashkëkombësve të tyre që punonin me përkushtim për shqiptari. Punëtorët tanë nuk kuptonin se për çfarë arsyeje shtyhej bashkimi i organizatave.

Faktikisht udhëheqja e organizatave ilegale (Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka e të tjerë) nuk ua tregonin anëtarëve të organizatës dhe as punëtorëve shkaqet e mosbashkimit të organizatave të tyre, nga frika se do të politizohet anëtarësia e gjërë, çka do të çonte në ndarjen e bashkëkombësve në dy taborre kundërshtare, ashtu siç dëshëronte UDB-ja jugosllave. Me siguri ndarja do të vinte po të kuptonin bashkëkombësit tanë që jetonin dhe vepronin në botën e jashtme se mosbashkimi i organizatave në një organizatë të vetme vinte për shkaqe të pa rëndësishme fare (për momentin). Faktet dëshmojnë se zhagitja e bashkimit të organizatave në një organizatë të vetme nuk është bërë për shkaqe parësore por për shkaqe dytësore, pasi që ato ishin çështje të pushtetit, çështje se kush do ta marrë pushtetin e Kosovës pas realizimit të kërkesës: “Kosova republikë”. “Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi” (LNÇKVSHJ), mbronte qëndrimin se të gjitha organizatat ilegale duhej bashkuar në një organizatë të vetme; me një udhëheqje që i përfaqësonte të gjitha organizatat që pranonin bashkimin, me një statut, me një program dhe me një organ të vetëm. Në këto qëndrime nuk kishte synime karrieriste, dhe ishte e vetmja mënyrë për të arritur bashkimin e organizatave ekzistuese në një organizatë të vetme. Në anën tjetër përfaqësuesit e “Organizatës Marksiste Leniniste të Kosovës” (OMLK-ja) që vepronin në Zvicër, i kishin marrë “Tezat rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës” nga Hydajet Hyseni dhe ishin urdhëruar që në as një mënyrë të mos i shkelin “Tezat…” në lidhje me bashkimin e organizatave. Sipas “Tezave…” shifet se “Bazë e Frontit duhet të jetë aleanca e klasës puntore me fshatarësinë, nën udhëheqjen e klasës punëtore dhe të pararojës marksiste-leniniste të vërtetë, që do të dalë nga lëvizja komuniste në Kosovë”. Nga ky pasus i cituar shihet se OMLK-ja mbronte qëndrimin se duhet krijuar “Fronti Popullor për Republikën e Kosovës”nga aleanca e fshatarësisë me klasën punëtore, por “Frontin…” do ta udhëhiqte “pararoja marksiste-leniniste” që do të dalë nga “lëvizja komuniste në Kosovë”. Pra, sipas “Tezave…” që i kishte përpiluar Hydajet Hyseni, “pararojë komuniste-leniniste e vërtetë” ishte OMLK-ja, organizata, që në krye të së cilës ai ishte vënë. Prandaj, sipas logjikës komuniste, vetëm H. Hysenit i takon udhëheqja e “Frontit…” dhe askuj tjetër. Dhe vetëkuptohet se kush do ta udhëhiqte “Frontin” atij do t’i takonte ta merrte pushtetin e Kosovës, pasi që ajo ta fitonte statusin e republikës në federatën jugosllave. Ja, pra, këto ishin shkaqet që e shtynë Hydajet Hysenin të mos bashkohej me LNÇKVSHJ, të cilën e udhëheqte Metush Krasniqi, që për shumicën dërmuese të ish burgosërva politik, që kishin bindje politike komuniste e konsideronin të mbrapambetur, dhe reakcionar, për shkak të bindjeve të tia nacionliste, demokratike dhe properendimore.

Bashkëpunimi i Jusuf Gërvallës me Kadri Zekën ishte vëllazëror, përkundër faktit se Kadri Zeka ishte vënë në një situatë të palakmueshme nga udhëheqja e organizatës së tij, kur e kishin autorizuar të bisedonte me përfaqësues të LNÇKVSHJ për bashkëpunim, por jo edhe për bashkimin e organizatave të tyre në një organizatë të vetme. Me siguri spiunët serbë që kishin depërtuar në radhët e këtyre organizatave, kishin kuptuar se Kadri Zeka në një moment të përshtatshëm, edhe pa pëlqimin e organizatës do të merrej vesh me Jusuf Gërvallën për bashkimin e dy organizatave në një organizatë të vetme, prandaj edhe vendosën t’i vrasin së bashku për të penguar bashkimin e organizatave që ata i përfaqësonin në Evropën Perendimore. Pra, të gjithë faktorët që u përmendën më lart ndikuan drejtpërdrejt apo tërthorazi që puna të vijë deri te atentati i Shtutgartit. Por duhet cekur se edhe faktori i jashtëm ndihmoi Jugosllavinë në realizimin e këtij atentati makabër. Shtrohet pyetja se kush mund të jetë i përzier në këtë atentat drejtpërdrejt dhe kush tërthorazi; kush e ndihmoi Sigurimin e fshehtë serbo-jugosllav me vetëdije dhe kush e ndihmoi pa vetëdije? Po qe se merren në shqyrtim të gjitha ngjarjet dhe aktivitetet që ndodhën në Shtutgart dhe rrethinë para se të ndodhte atentati dhe pasi u bë krimi, do të vijmë në përfundim se në vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës, përpos Sigurimit të fsheht Jugosllav, kanë marrë pjesë tërthorazi edhe Sigurimet e fshehta të Gjermanisë dhe ai i Shqipërisë. Me keqardhje duhet thënë se shqiptarët e ligj dhe tradhtarët e kombit luajtën rol me rëndësi në përgatitjen e terrenit për këtë atentat, duke mbledhur informata për t’ua lehtësuar punën kriminelëve për ta kryer krimin pa pengesa. Nuk është e nevojshme ta zgjatim për t’i numëruar të gjitha shkaqet që ndikuan në kreun e UDB-së Jugosllave të ndërmarrin një aksion aq të rrezikshëm, në një territor të një shteti që aq shumë e ndihmonte Jugosllavinë, duke ia punësuar forcën e lirë punëtore, po të mos ishin në pyetje interesa madhore shtetërore.

Është më se e sigurtë se Sigurimi i fshehtë gjerman ia ka dhënë dritën e gjelbërt Sigurimit të fshehtë Jugosllav për të bërë këtë krim, duke u nisur nga interesat globale të ruajtjes së tërësisë territoriale të Jugosllavisë, e cila me politikën e saj “të paangazhuar” bënte një balancim në mes Rusisë dhe Amerikës dhe dy pakteve ushtarake ekzistuese, ku edhe Gjermania kishte interesat e saj strategjike në atë mes. Fatkeqësisht edhe Sigurimi i fshehtë i Shqipërisë, që ishte “arma e partisë” mos drejtpërdrejt, tërthorazi ka gisht gjithseqysh, pasi që ajo nuk donte në asnjë mënyrë të ndryshonte status-quonë në Ballkan, nga frika se do ta humbin pushtetin. PPSH-ja ishte kundër formimit të një Organizate të fortë me synime të qarta çlirimtare, që do t’i bashkonte shqiptarët në baza kombëtare, sepse shumë lehtë ajo organizatë do të mund të krijonte aleancë me anglo-amerikanët (Metush Krasniqi ishte i njohur për qëndrimet e tia pro anglo-amerikane) rrjedhojë e së cilës do të vinte ndërrimi i status-quosë në Shqipëri. Por dihet mirë se OZN-a Jugosllave e ka krijuar Sigurimin e Shqipërisë, prandaj është plotësisht e arsyeshme dhe e logjikshme që Sigurimi Jugosllav i ka lënë bishtat e saj aty. Ka shumë fakte që dëshmojnë se këto dy sigurime (nanë e bijë) gjithmonë kanë bashkëpunuar ndërmjetveti, prandaj do të ishte e palogjikshme që të mohohej mundësia a bashkëpunimit ndërmjet tyre edhe në këtë atentat ku të dy klikat (e Beogradit dhe e Tiranës) i mbronin interesat e tyre sunduese dhe partiake. A thua nuk dinte asgjë Sigurimi i Shqipërisë për përgatitjet që i bënte UDB-ja për atentat, kur për të dinin dhe flisnin edhe punëtorët tanë që punonin në Gjermani dhe veprimtarët në Kosovë? Pse vallë diplomatët e Shqipërisë nuk ndërrmuarën kurrfarë masash për ta penguar një akt kaq mizor të Jugosllavisë? POROSIA E JUSUFIT: “NË QOFTË SE VRASËSIT JANË SHQIPTARË, MOS U ZBULOFSHIN KURRË!” Nuk ka dyshim se urdhërin për atentatin kundër Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës e ka dhënë kreu i lartë i Sigurimit shtetëror të Jugosllavisë, ndërsa kryerjen e urdhërit e ka realizuar Sigurimi i fshehtë serbo-jugosllav. Shtrohet pyetja a do të kishte pasur mundësi ta kryente këtë atentat sigurimi i fshehtë serbo-jugosllav pa ndihmën e spiunëve të tij që i kishte futur në organizatat ilegale që vepronin në Kosovë dhe në botën e jashtme? Përgjigja është negative. UDB-ja jugosllave nuk do të kishte kurrfarë mundësie t’i tubonte tre udhëheqës kryesor të dy organizatave ilegale që vepronin dhe jetonin në Gjermani e Zvicër, për t’i vrarë të tre përnjëherë. Pra organizimin e takimit të tyre në banesën e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës nuk ka mundur ta bënte sigurimi i fshehtë serbo-jugosllav, në kohën kur ata dëshironin, pa ndihmën e spiunëve të tyre, që kishin depërtuar në organizatat ilegale dhe pa ndihmën e Qendrave të spiunimit që ajo i kishte krijuar në qytetet ku jetonin dhe vepronin Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Sipas fakteve të njohura nga opinioni ynë i gjërë, vijmë në përfundim se në parapërtaditje të atentatit të Shtutgartit kanë marrë pjesë edhe shqiptarë tradhtarë që jetonin dhe vepronin në Gjermani e në Zvicër, të cilët kishin pasur, apo edhe ende kishin kontakte dhe bashkëpunim me udhëheqësit e dy organizatave (LNÇKVSHJ dhe OMLK-së) Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Këta shqipëfolës, që ende rrahin gjoks për “atdhedashuri” e kanë ndihmuar Sigurimin e fshehtë serbo-jugosllav duke i njoftuar me të dhëna që kishin të bënin me jetën dhe veprimtarinë patriotike të Jusufit, Bardhoshit dhe të Kadriut; ku banojnë; me çfarë aktivitetesh të lira merren; me kend shoqërohen, etj. Fatkeqësisht në mesin e veprimtarëve shqiptarë ka të atillë që nuk kuptojnë apo nuk duan të kuptojnë se nuk është njerëzore, nuk është humane dhe nuk është e drejtë të keqpërdoret shpirtmadhësia dhe zemërgjërësia e Jusuf Gërvallës dhe të kërkojnë të mos bëhen hetime për vrasjen e tre Burrave të Dheut, duke e keqpërdorur porosinë e Jusufit i cili menjëherë pas atentatit, (edhe pse me vështitësi fliste nga pasojat e plagëve dhe të gjakderdhjes së tepruar) shprehu brengen e tij të thellë se mos vrasja e tyre do ta pengonte bashkimin e shqiptarëve dhe të organizatave të tyre, kur i tha bashkëshortes dhe bashkëveprimtarës së tij Syzanës: “Në qoftë se janë (kriminelët-vërejtja ime) shqiptarë mos u zbulofshin kurrë!” Ajo vrasje makabre, e cila i pat tronditur atëherë shpirtërisht shqiptarët kudo që jetonin, sot pas çlirimit të Kosovës, është bërë brengë e veprimtarëve dhe e atdhetarëve që veprojnë në katër anët e botës, për t’i gjetur shqipfolësit që ndihmuan drejtëpërdrejt dhe tërthorazi në vrasjen e Jusufit, Bardhoshit dhe të Kadriut.

Është detyrë njerëzore dhe kombëtare e Prokurorisë së Kosovës, por dhe e Shoqatës së Avokatëve të Kosovës, të ngrenë padinë kundër personave të dyshuar, që kanë mundur të marrin pjesë në atentatin e Shtutgartit. Por për t’iu ra në fërkem kriminelëve shqiptarë që u vunë në shërbim të UDB-së së Beogradit, lypen përgjigje ndaj këtyre pyetjeve: 1). Kush e organizoi ndejën për të shikuar filma shqiptarë në shtëpinë e Murat Kryeziut në Bernhausen, që gjendet në afërsi të Shtutgartit, një ditë para se të ndodhte atemtati? 2). Kush i ka sjellë filmat shqiptarë nga Shqipëria në Gjermani dhe kujt iu kanë dërguar ata filma? 3. Kush e pruni Kadri Zekën nga Zvicra në Gjermani, që edhe ai t’i shikonte filmat shqiptarë së bashku me Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën. Për dy pyetjet e para opinioni ynë nuk di asgjë, ndërsa sa i përket pyetjes së tretë dihet se Ibrahim Kelmendi ka shkuar nga Gjermania në Zvicër për ta marrë Kadri Zekën. Edhe kjo çështje nuk është e qartë sa duhet deri sa të dihet përgjigja ndaj një pyetjeje tjetër: Si ndodhi kjo, kur dihet se Kadri Zeka, qëkur u fejua me Saime Isufin, kudo që shkonte (edhe në Gjermani) e merrte të fejuarën e tij. Ndërsa tani, kur qenë martuar, çfarë pengesash lindën që Saime Jusufi të mos shkonte me burrin e saj në Gjermani si herat tjera? Saime Isufi ka për detyrë t’i përgjigjet edhe një pyetjeje po qe se dëshiron të zbardhet kjo vrasje nga organet e drejtësisë së Kosovës: Nga shumë burime flitet se kur është nisur Kadri Zeka për Gjermani, bashkëshortja e tij e ka porositur që, kur të shkojë në Gjermani të lajmërohet nëpërmjet telefonit se si ka kaluar rrugës. Plotësisht ka qenë e drejtë dhe e arsyshme brenga e Saimes për bashkëshortin e saj. Por Saimja duhet të tregojë se kur ia ka thënë atë porosi Kadriut a ishte aty pari Ibrahim Kelmendi apo ndokush tjetër? A ka pasur njohuri Ibrahim Kelmendi se Kadri Zeka ishte i detyruar t’i lajmërohet bashkëshortes së tij me telefon nga Gjermania për t’i treguar se si ka kaluar rrugën? Dihet se një natë para atentatit, Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Ibrahim Kelmendi, Faredin Tafallari e shumë të tjerë janë tubuar në shtëpinë e Murat Kryeziut për t’i parë (nëpërmjet videokasetave) këta filma shqiptarë: “Gërrsheti i luftrave”, “Plumba perandorit” dhe “Udha e shkronjave”. Siç shpjegon Tafallari, nga mesnata është kryer ndeja. Kadriu ka shkuar për të bujtur te Jusufi. Ndërsa për Ibrahim Kelmendin thotë: “Nuk më kujtohet a i thanë apo jo (fjalën e ka te Jusufi dhe Kadriu-vërejtja ime.) edhe Ibrahim Kelmendit që edhe ai të shkonte me ta, por di se Ibrahim Kelmendi u tha: “Mua më duhet të udhëtoj për Dyseldorf, pasi edhe atje dua t’i tuboj bashkatdhetarët për t’i shfaqur këta filma”. Dhe ashtu u bë. Kadriu shkoi me Jusufin e Bardhoshin, kurse Ibrahim Kelmendi me Sylë Nuhën shkuan për Dyseldorf”. Kjo që e thotë z.Tafallari bie ndesh me atë që ka thënë I. Kelmendi në një reagim të tij të botuar në Republika nr. 1 të vitit 1997. I. Kelmendi në atë shkrim pranon se me 16 janar (deri kah ora 22.00) ka marrë pjesë në bisedimet që i zhvilluan Jusufi dhe Kadriu për bashkimin e organizatave të tyre, dhe vetëm dy orë para se të bëhej atentati e merr ikën për Dyseldorf. Pra kjo don të thotë se I. Kelmendi nuk ka shkuar për Dyseldorf natën e 15/16 janarit të 1982 (menjëherë pasi i kanë shikuar filmat në shtëpinë e Murat Kryeziut) siç thotë Tafallari, por ka bujtur te Jusufi apo dikund tjetër në afërsi të Shtutgartit. Për të ardhur deri te e vërteta e plotë se kush nga shqiptarët e ndihmuan Sigurimin e fshehtë Jugosllav për t’i vrarë udhëheqësit e shquar të organizatave ilegale Jusufin, Bardhin dhe Kadriun, duhet të merren në shqyrtim edhe këto çështje: a) Si erdhi Sigurimi i fshehtë Jugosllav deri te informata se Kadri Zeka do të dali te kabina e telefonit për të biseduar me bashkshorten e tij Saime Jusufin?! (Organizimi i pritës në afërsi të banesës së Jusufit tregon se UDB-ja e ka ditur se Kadriu, Jusufi dhe Bardhi do shkojnë deri te kabina e telefonit). b) Kush ua shpjegoi kriminelëve serbo-jugosllavë që e planifikuan krimin se traditat shqiptare nuk lejojnë në asnjë mënyrë që Kadriu të dilte vetëm te kabina e telefonit, por me te kanë për të dalë edhe Jusufi e Bardhi për ta shoqëruar. Mënyra se si është kryer atentati dhe si u zhvilluan ngjarjet para se të bëhet atentati, tregojnë se ky krim është organizuar në mënyë perfide me ndihmën e njerëzve që kanë qenë në kontakt me Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun.

Plani për vrasjen e tyre është shkoqitur nga ekspertë të lartë të lamive të ndryshme serbo-jugosllave, por pa ndihmën e shqiptarëve tradhtarë nuk do të realizohej dot. Dhe ndodhi saktësisht ashtu siç e kishte paraparë Sigurimi i fshehtë serbo-jugosllav. Kriminelët e porositur kishin marrë udhëzime të sakta se ku duhet ta zënë pritën. Ndoshta nuk e kanë paraparë se koha e pritjes do të jetë më e gjatë se sa e kanë paramenduar. Kishte kaluar mesi i natës i 16 janarit dhe kishte filluar pjesa tjetër e natës e 17 janarit të 1982, kur Kadri Zeka i tregon Jusufit se patjetër duhet të dalë deri te kabina telefonike për të folur me bashkëshorten e tij, pasi që Jusufi nuk kishte telefon në shtëpi. Jusufi nuk mund të kundërshtonte atë dëshirë të mysafirit, që ishte e arsyeshme dhe e natyrshme. U ngritën përnjëherë në këmbë dhe dolën jashtë, por Bardhoshi nuk pranonte ta linte vëllain dhe mysafirin vetëm në pikë të natës, pas gjithë atyre fjalëve që dëgjohen ndër shqiptarë se do vritet Jusuf Gërvalla nga UDB-ja e Beogradit. Fatkeqësisht ndodhi siç e kishte planifikuar Sigurimi i fshehtë Jufosllav (në saje të ndihmës së pakursyer të shqiptarëve tradhtarë). Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi ranë në pritën e UDB-së së Beogradit afër garazhes ku e kishte pasur veturën Bardhoshi. Kriminelët e kryen krimin në territorin e një shteti të huaj, pa u frikësuar se do të zbulohe dhe ikën. Shtypi gjerman ka folur shumë për atë ngjarrje që i tronditi shqiptarët kudo që jetonin ata. Janë dhënë shumë variante se kush ka mundur ta bëjë këtë krim, por variantin më të besueshëm e ka dhënë gazeta gjermane “Shtern”. Ajo gazetë i ka publikuar disa fakte që në asnjë mënyrë nuk mund të hudhen poshtë. Sipas gazetës, një shofer që i përkiste ambasadës Jugosllave, duke u kthyer nga Austria për në Gjermani ishte ndalur nga Sigurimi i fshehtë Gjerman, dhe pas hetimeve të para, shoferi ka deklaruar se nga Gjermania i ka përcjellë deri në Austri tre vetë, njëri prej tyre i kombësisë shqiptare, të cilët në kabinën e parë telefonike që e kanë hasur gjatë rrugës e kanë lajmëruar dikend në Beograd se “e kanë kryer punën për të cilën ishin zotuar”. Shoferi i paska lanë në Ausri dhe qenka kthyer për Gjermani. Se pse Gjermania nuk i ka çuar deri në fund hetimet për t’i gjetur kriminelët është çështje tjetër, por shtrohet pyetja a do të kishin mundësi të kryenin krimin ata tre kriminelë pa ua përgatitur terenin shqiptarët e ligj, pa iu ndihmuar tradhtarët e kombit shqiptar. Për të ardhur deri te e vërteta e plotë se kush nga “shqiptarët”ndihmuan Sigurimin e fshehtë Jugosllav drejtpërdrejt dhe kush tërthorazi, kush me vetëdije e kush pa vetëdije për t’i vra Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën e Kadri Zekën është e domosdoshme që opinioni i gjërë të kërkojë sqarime të nevojshme prej njerëzëve që më së shumti ishin të përfolur pas atentatit të Shtutgartit: 1) Rizah Salihu; duhet të sqarojë se për çfarë arsyeje pat shpifur për Jusuf Gërvallën se “ishte i dërguar nga UDB-ja”, dhe pse u mundua ta bindë Hysen Gegën që duhet ta vrasë Jusuf Gërvallën. Kush propozoi (Rizah Salihu, apo Ibrahim Kelmendi) që të formohet “Komiteti për vrasjen e Jusuf Gërvallës” Si e lexonte postën sekrete të Jusuf Gërvallës, kur adresen e tij e dinte vetëm Ibrahim Kelmendi? 2) Ibrahim Kelmendi; duhet të sqarojë se kush e ka organizuar takimin në shtëpinë e Murat Kryeziut për t’i shikuar filmat shqiptarë?

Me propozimin e kujt shkoi në Zvicër ai për ta marrë Kadri Zekën për t’i shikuar filmat shqiptar? Kur ka shkuar ai në Dyseldorf, më 16 apo 17 janar 1982? Ku ka bujtë ai më 16 janar 1982? Duhet të ndriçojë faktin se në çfarë rrethanash ai u gjind natën e kobshme të 16 janarit 1982 me Jusuf dhe Bardhodh Gërvallën e me Kadri Zekën deri dy orë para se të bëhet atentati mbi ta, dhe pastaj arriti të ikë pa pasur kurrfarë pasojash? 3) Sadik Blakaj; duhet të sqarojë burgosjen e Hysen Gegës? Pse dhe qysh e bindi Demë Demajn që të mos marri pjesë në tubimin festiv të 28 Nëntorit- Ditës së Flamurit ku, siç dihet, ka penguar të jepet shfaqja e përgatitur nga Tafallari me shokë? Etj. 4) Hysen Gega; duhet të sqarojë në lidhje me shpifjet e Rizah Salihut kundër Jusuf Gërvallës. Të tregojë për kontaktet dhe bisedat që i pat me Rizah Salihun, Ibrahim Kelmendin, Sadik Blakën, Demë Demën që kishin të bënin me Jusuf Gërvallën etj.. Të tregojë për takimin e parë që e pati me Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën në banesën e tyre. Të tregojë si u burgos dhe a ishte fajor Sadik Blakaj që ra në duar të UDB-së jugosllave. Të japi sqarime se a është e vërtetë apo gënjeshtër se ai i përkiste një “komiteti” që merrej me vrasjen e Jusuf Gërvallës, etj. 5) Demë Demaj; duhet të sqarojë marrëdhëniet që i kishte me Sadik Blakën, Ibrahim Kelmendin dhe Rizah Salihun. Në veçanti duhet t’i sqarojë shkaqet e prishjes së tij me Faradin Tafallarin. Pse nuk u burgos në Kosovë edhe pse ishte burgosur Hysen Gega tre muaj para se ta merrnin në pyetje policët e Sekretariati i Punëve të Brendshme të Kosovës, në marsin e vitit 1981, kur siç dihej, Sadik Blakaj i kishte zbuluar raportet e H.Gegës me Demë Demën? Opinioni shqiptar e ka të qartë nga përvoja e hidhur gati 100-vjeçare se Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën na i ka vra “parja e shkaut” me dorën tradhtare shqiptare. Fatkeqësisht prej Luftës së Dytë Botërore, ortak me “dorën e zezë” serbe për të vrarë shqiptarë, u bënë edhe bajraktarët e farës ruse të njohur përtej kufiri si stalinistë-enveristë të përbetuar, ndërsa këndej kufiri si rankoviçefc-jugosllav pa kombësi, (llumi i shoqërisë shqiptare) të cilët për idealet komuniste nuk lan të zezë pa e bërë. Po ata vranë shqiptarë që nuk e dashtën ideologjinë komuniste; vranë shqiptarë që nuk e dashtën vëllazërim-bashkimin me serbin; vranë shqiptarë që nuk donin kolektivizimin e pasurisë së tyre; vranë shqiptarë që nuk pranonin zakonet ruse në familje; vranë shqiptarë për t’ua marrë pasurinë që e krijuar me djersën e ballit; vranë shqiptarë që e donin më tepër shqiptarinë se sa ideologjinë komuniste. Sidomos u bë i ashpër llumpenproletariati shqiptar kundër aristokracisë shqiptare që i kishte vënë bazat e një shteti modern demokratik në Shqipëri, ndërsa në Kosovë u bë i ashpër kundër shpianikëve dhe pleqnarëve shqiptarë që krijuan bazën e fillozofisë dhe të Drejtës (Kanunit) shqiptar. Pas vrasjes me atentat të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës në afërsi të Shtutgartit, presioni i veprimtarëve mbi organizatat e tyre për t’u bashkuar në një organizatë të vetme u shumfishua. Si rrjedhojë e gjithë atij presioni, në kryeqytetin e Turqisë në Ankara, më 17 shkurt 1982, pra një muaj pas atentatit, erdhi deri te takimi në mes përfaqësuesve të “Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare në Jugosllavi” (LNÇKVSHJ) dhe të “Partisë Komuniste Marksiste- Leniniste Shqiptare në Jugosllavi” (PKMLSHJ), që të bisedojnë për bashkimin e këtyre organizatave në një organizatë të vetme. Nga ana e LNÇKVSHJ muarën pjesë Sabri Novosella dhe Xhafer Durmishi. Ndërsa nga ana e PKMLSHJ muarrën pjesë Avdulla Prapashtica, Osman Osmani dhe Faton Topalli. Në këto bisedime, (dhe më vonë), LNÇKVSHJ nguli këmbë që të ruhet emri i gazetës së LNÇKVSHJ- “Zëri i Kosovës” dhe emri Lëvizje, ku fjalët e asaj kohe si Parti Komuniste e Organizata marksiste- leniniste u zëvendësuan me emrin Lëvizje për Republikë. Kjo ka qenë një zhvendosje nga orientimi klasor në orientimin kryesisht kombëtar. Më në fund përfaqësuesit e dy organizatave njëzërit i prunë këto vendime: a) Formohet “Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi” (LRSHJ) nga bashkimi i organizatave të lartëpërmendura, b) Udhëheqjet e dy organizatave që u bashkuan do ta përbënin udhëheqjen e LRSHJ deri në zgjedhjet e rregullta. C) Organi i LRSHJ do të jetë “Zëri i Kosovës” (më parë ishte organ i LNÇKVSHJ). d). Të dilet me një komunikatë në Kosovë dhe në botën e jashtëme për t’u njoftuar opinioni i gjerë për formimin e LRSHJ. Pas tre muajsh, më 15 maj të 1982, kësaj organizate i bashkohet edhe OMLK-ja dhe kështu u vërtetua se qëndrimi i LNÇKVSHJ në lidhje me bashkimin e organizatave ishte më i arsyeshëm dhe më i drejtë. Xhafer Durmishi, në një shkrim të pabotuar, i ndriçon rrethanat dhe pengesat që lindën pas formimit të LRSHJ. Ai thotë: “Unë e Osman Osmani u kthyem në Gjermani më 22 shkurt 1982. “Zëri i Kosovës”, numri i tretë, ishte në fazën përfundimtare. Unë pritja që të dalë si organ i LRSHJ. Ndërrimi në kokën e organit nga LNÇKVSHJ në LRSHJ ishte një çështje tepër e thjeshtë. Osman Osmani ndërhyri duke thënë: “Le të dalë edhe ky numër si organ i LNÇKVSHJ në mënyrë që armiku të mos kujtojë se mbas atentatit u shkatërrua LNÇKVSHJ. Si intrigant i talentuar e me udhëzime nga Stambolli, ne në rrethin e Shtutgartit nuk e kundërshtuam në këtë pikë. Ne e shtypëm komunikatën në 2000 ekzemplarë për ta komunikuar bashkimin, por Osmani prapë ndërhyri me arsyetimin: “Komunikata nuk bën të shpërndahet njëkohësisht me Zërin se mund të lindin keqkuptime..? Por të gjitha këto ishin dredhi e intriga të cilat kishin për qëllim të vononin çështjen deri më 15 maj, në mënyrë që aty të shtrohej prapë çështja e emrit të gazetës për LRSHJ. Pra, në këtë pikë ku ata vetëm nuk kishin mundur të bënin asnjë ndryshim, shpresonin tani- më 15 maj- se me ndihmën e Xhafer Shatrit do të bënin ndërrimin e emrit të organit”. Pra, nga rrëfimet e Xhafer Durmishit po shihet se pas nxerrjes së vendimit për formimin e LRSHJ, menjëherë filluan komplotet për moskonstituimin e saj nga Osman Osmani, (përfaqësues i PKMLSHJ) që për pasojë pati mosinformimin me kohë të opinionit të gjerë për vendimet e takimit të Ankarasë dhe Zëri i Kosovës të dalë edhe një numër (numri tre) si organ i LNKVSHJ, edhe pse ai duhej të dilte si organ i LRSHJ. Xhafer Durmishi në shkrimin e tij të cekur më parë na jep një kronologji të shkurtër të veprimtarisë së organizatave dhe veprimtarëve që vepruan në Evropën Perendimore. Ai, kur bën fjalë për veprimtarinë që u krye pas atentatit të 17 Janarit të 1982, me pika të shkurtëra do t’i japë këto të dhëna: “Mars 82: Del numri i Zërit të Kosovës (pas atentatit të 17 janarit) nga Xhafer Durmishi, i cili u ndihmua nga Syzana Gërvalla e aktivistë të rrethit të Shtutgartit; Prill 82: Demonstratë e shqiptarëve në Vjenë. Maj 82: Demonstratë e shqiptarëve në Bon. Në Biel-Bien takohen Xhafet Shatri, Oaman Osmani dhe Xhafer Durmishi. Përkundër kërkesave të Osman Osmanit dhe të Xhafer Shatrit për ndryshimin e emrit të organit, “Zëri i Kosovës” mbetet organ i LRSHJ. Në takim ndahen detyrat, ku Xhafer Durmishi ngarkohet të vazhdojë me nxerrjen e organit të Lëvizjes, punë të cilën e bëri gjerë në mars 83. Takimi i 15 majit 82 është i pari dhe i fundit ku ishte e pranishme ajo pjesë që rridhte nga PKMLSHJ. Qershor 82: Del në Shtutgart numri i parë i Zërit të Kosovës si organ i Lëvizjes për Republikë.(e përgatit Xh. Durmishi-Vërejtja ime). Më 26/6 demonstratë shqiptare në Bern, ditën e fillimit të punimeve të Kongresit XII të LKJ. Janar 83: Mbledhje në banesën e Hafiz Gagicës. Marrin pjesë Xhafer Shatri, Hasan Mala, Ibrahim Kelmendi, Xhafer Durmishi. Zgjidhet Qendra Ekzekutive (emër i propozuar prej Xhafer Shatrit) e Lëvizjes. Ndahen këto detyra: Xhafer Shatri- nxerrjen e gazetës, Faredin Tafallari-arkatar, Hasan Mala lidhjet me Kosovën, Ibrahim Kelmendi lidhjet me organizata të jashtme, Xhafer Durmishi-çështjet organizative në mërgim, relacionet me klubet shqiptare. Mars 83: Del numri i dytë i Zërit të Kosovës në Gjenevë nga Xhafer Shatri dhe Xhafer Durmishi. Dhe pas përfundimit të punimeve bëhet një mbledhje e Qendrës Ekzekutive. Hasan Mala dhe Faredin Tafallari votojnë për pikëpamjet e Xhafer Durmishit lidhur me qëndrimin ndaj klubeve shqiptare në mërgim. Korrik 83: Në një shtëpi malore në Zvicër bëhet një tubim i madh i aktivistëve më të dalluar të Lërvizjes në Evropë si dhe përfaqësues klubesh. Mirret një vendim për themelimin e një Bashkësie të klubeve shqiptare dhe demaskohet puna intriguese e PKMLSHJ. Në mbledhjen e Qendrës Ekzekutive që mbahet pas tubimit Xhafer Durmishi kërkon dorëheqje për shkak të pikëpamjeve të kundërta me Ibrahim Kelmendin e Xhafer Shatrin në çështjen e klubeve shqiptare dhe punën e tyre”.

PSE U IDEOLOGJIZUA LËVIZJA, KUR NË JANAR TË VITIT 1985, NË NJË MBLEDHJE TË REDAKSISË VENDOSËN QË NGA BALLINA E ORGANIT TË LËVIZJES TË HIQET CITATI I JUSUF GËRVALLËS?

Edhe z.Tafallari në librin e tij shkruan për mbledhjen e janarit të 1983, edhe pse për shkaqe objektive nuk kishte marrë pjesë në të. Ai thotë: “Xhafer Shatri, Hasan Mala, Xhafer Durmishi dhe Ibrahim Kelmendi ishin tubuar në banesë të Hafiz Gagicës në Ludswigsburg për të formuar Komitetin Qëndror të LRSHJ. Pra u formua KQ dhe detyrat u ndanë kështu: Xhafer Shatri kryetar, Xhafer Durmishi për organizimin, Hasan Mala për lidhje brenda në Kosovë, Ibrahim Kelmendi për organizatat e huaja dhe unë si arkatar. Të nesërmen erdhi në spital për të më vizituar Xhafer Durmishi që më tregoi për mbledhjen dhe më uroi për detyrën e arkatarit. E falënderova për besimin dhe e urova edhe atë për detyrën. Ky forum pra do të ishte përgjegjës për Lëvizjen në botën e jashtme”. Siç shihet z.Tafallari e quan KQ, Qendren Ekzekutive, (që e ka të njejtin funksion-kuptim) por e plotëson Xhafer Durmishin kur thotë se Xhafer Shatri përpos që është zgjedhur përgjegjës për gazetë është zgjedhur edhe kryetar i Lëvizjes për jashtë. Pra, u desh të kalojnë plot 11 muaj nga takimi i Ankarasë, për ta zgjedhur udhëheqjen e Lëvizjes, por-siç po shihet- në atë udhëheqje mungonte përfaqësuesi i PKMLSHJ. Kjo tregon se forcat rrënuese në Lëvizje (LRSHJ) ishin shumë më të fuqishme se sa forcat e mirëfillta kombëtare dhe se bashkimi i organizatave është bërë sa për sy e faqe për ta neutralizuar presionin e anëtarësisë së organizatave që kërkonin bashkimin e organizatave në një organizatë të vetme, sepse interesat grupore dhe ideologjike ishin shumë më të theksuara sesa interesat e përgjithshme kombëtare.

Merre me mend se ku e çon njeriun logjika moniste-komuniste. Sipas kësaj logjike ai që bëhet kryetar duhet t’i ketë nën dominimin e tij të gjitha mekanizmat e dominimit, në rend të parë mjetet e opinionit publik. Dhe në bazë të kësaj logjike, pasi që Xhafer Shatri u bë kryetar i Lëvizjes, medomos është dashur të jetë edhe përgjegjës i Zërit të Kosovës. Prandaj është dashur të sillet makina e Jusuf Gërvallës nga Gjermania në Zvicër-Gjenevë (me plot rreziqe); është dashur të vijë Xhafer Durmishi nga Gjermania në Zvicër për ta mësuar Xhafer Shatrin se si punohet me makinë dhe si përgatitet teknikisht gazeta, në vend se të mbetet teknika e shtypit ku ishte në Gjermani dhe ta nxirrte organin e Lëvizjes Xhafer Durmishi, siç i kishte nxjerrë më parë dy numra të Zërit të Kosovës. Kjo tregon se interesat grupore-ideologjike mbisundonin qysh nga momenti kur është krijuar udhëheqja e Lëvizjes dhe se, qysh nga ai moment kur është vendosur të krijohet Lëvizja, ka filluar për ta brejtur atë krymbi i interesave personale-klanore. Pra që nga ajo mbledhje, (Mbledhja në banesën e Hafiz Gagicës) selia e Lëvizjes kalon nga Gjermania-Shtutgarti në Zvicër-Gjenevë-Bil-Bien, dhe OMLK-ja e merr udhëheqjen e Lëvizjes, (pasi që i pari i saj i merr dy postet kryesore të organizatës, pra bëhet përgjegjës-kryetar i Lëvizjes për jasht dhe kryeredaktor i Zërit të Kosovës). Faktet tregojnë se Lëvizja çdo ditë që kalonte futej në një rrugë të pa krye, kur interesi personal, klanor dhe ideologjik dominonte mbi atë kombëtar. Dredhitë, ndërskamcat dhe mashtrimet u bënë vyrtyte të një pjese të udhëheqjes së Lëvizjes. Siç thotë z.Tafallari “Me ndihmën e Xhafer Shatrit arritën të dalin jashtë vëllezërit Emrush dhe Mustafë Xhemajli.

Xhafer Shatri i kooptoi në redaksinë e Zërit të Kosovës si dhe në udhëheqjen e Lëvizjes. Mirëpo këta të dy, të ndihmuar edhe nga Ibrahim Kelmendi, u përpoqën që ta ideologjizojnë Lëvizjen.” Faktet dëshmojnë se përpjekjet e tyre nuk shkuan huq. Lëvizja plotësisht u ideologjizua kur në janar të 1985, në një mbledhje të redaksisë, vendosën që nga ballina e organit të Lëvizjes të hiqet citati i Jusuf Gërvallës: “Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme”. Dhe në vend të këtij citati të vendosej: “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!”. Si kanë rrjedhur ngjarrjet e mëtutjeshme në lidhje me veprimtarinë e aktivisëve që vepronin në LRSHJ-LRSSHJ-LPK-në dhe përçarjet e thella që u krijuan gjatë vitit 1983-1999 është një temë më vete dhe nuk e ka vendin në këtë shkrim, por duhet thënë se me vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës e të Kadri Zekës nga UDB-ja e Beogradit dhe nga UDB-ja e Tiranës, të ndihmuar nga tradhtarë dhe burra të ligj shqiptarë, Lëvizja jonë kombëtare muar një goditje tepër të rëndë, goditjen më të rëndë pas shkatërrimit të NDSH-së. Ajo (LRSHJ), qysh me formimin e saj, muar goditje të rënda prej UDB-ës së Tiranës kur futën përçarje në mesin e bajraktarëve të Lëvizjes, ndërsa UDB-ja e Beogradit, si çdo herë më parë, dinte ku të godasë. Gjeniu ynë popullor na mëson se “rrufeja nuk godet në fshisa por në lisa”. UDB-ja vazhdoi me vrasjen e Burrave të Dheut, që punonin për shqiptari. Ajo nuk e ndali veprimtarinë e saj vrastare pas atentatit të Shtutgardit, por e vazhdoi edhe më tutje të vrasë burrat më të mirë të kombit. E mbyti në burgun Qendror të Beogradit Zija Shemsiun, një veprimtarë të dalluar të çështjes kombëtare. Në Prishtinë, pas një qëndrese heroike, i vranë Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën. Nuk vonoi shumë, e vranë atdhetarin Bajram Baftirin, etj.

Në tetor të 1986 vdes në Spitalin e Prishtinës Metush Krasniqi nga pasojat e keqtrajtimeve që iu bënë sa ishte në Burgun hetues të Prishtinës. Më 1990 e vranë Enver Hadrin, kur ishte në vlugun e punëve për t’ua treguar fytyrën e vërtetë kriminelëve të Beogradit, etj. Fatkeqësisht Lëvizja (LRSHJ-LRSSHJ-LPK-ja) nuk qe e zonja të bënte pastrimin e radhëve të saj nga elementë përçarës dhe spiunë të UDB-së së Beogradit dhe spiunëve të UDB-së së Tiranës. Sot vetëm kokëkrisurit dhe naivët nuk janë duke e parë veprimtarinë antikombëtare të Lëvizjes-LPK-dhe të derivateve të saj: PDK-së dhe AAK-së. Koha po punon për shqiptarët dhe për shqiptarinë! Të Madhin Zot e kemi në anën tonë! Edhe Amerikën e fuqishme i Plotfuqishmi Perendi e ka urdhëruar të na ndihmoi. Krypehlivanat e Nanosit, shërbëtorët e tyre dhe bajraktarët e farës ruse e kanë fatin e zi! Përfundimin e kanë të trishtueshëm! Të gjithë do të përjetojnë fatin e “Babës së farës ruse”! Do të jenë të vdekur për së gjalli!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top