SHKRUAN: BEN ANDONI
Ka kaq kundërshti në gjërat që thuhen, kaq mosnjohje dhe më shumë përfolje, saqë çdo gjë që lidhet me Kosovën merret e shndërruar në kuptime që janë tepër kontradiktore. Por së fundi një sondazh i kryer nga Instituti Kërkimor për Zhvillimin dhe Çështjet Evropiane, bërë me një mostër prej 1110 qytetarë të Kosovës ka nxjerrë një rezultat që ndjehet dhe dihet por është e vështirë të artikulohet. Sipas këtij sondazhi: tashmë vetëm 43% e popullsisë në Kosovë e mendojnë dhe e dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë.
Në Kosovë rezultatet e këtij sondazhi kanë kaluar pa shumë bujë, kurse në Shqipëri akoma edhe më keq, shpërfillshëm. Ndërsa për Kosovën rezultati e ka një arsye pasi gjendet në një qerthull të frikshëm, për ndoshta vizatimin e ri të kufijve të saj dhe një konfuzioni të madh të liderëve të saj para marrëvshjes së detyrueshme, që në një farë mënyre reflektojnë dhe paqartësinë e konjukturës ndërballkanike.
Shqipëria, prej kohësh, ka impakt shumë të vogël në Kosovë. Mbledhjet e përbashkëta nuk e kanë arritur atë shkallë afrimi me Kosovën, që besohej se do të ndodhte, kurse “Rruga e Kombit”, e cila shpresohej se do të ishte një udhë plot trafik është shndërruar thjesht në një rrugë të gjatë me kalimin e makinave sporadike, që nuk e justifikon investimin e madh dhe barrën e madhe të taksës mbi shqiptarët.
Një justifikues nga qeveritë shqiptare mund të përplasë para fytyrës faktin se marrëdhëniet tregtare janë rritur, por fatkeqësisht sërish Shqipëria nuk e mbush dot hapësirën e madhe që la kufizimi i mallrave serbe prej vendosjes së taksës 100% të qeverisë Haradinaj, ashtu si Shqipëria mbetet shumë cinike për shumë aspekte të Kosovës dhe anasjelltas. Mes nesh ka paragjykime, kurse fatkeqësisht Kosova dhe Shqipëria nuk mund të funksionojnë si duhet institucionalisht, qoftë edhe pas disa mbledhjeve mbushur me slogane patriotike dhe plot detyra të përbashkëta.
Përplasjet politike të dy anëve të kufirit tonë janë të ngritura deri në nivelet e larta, që është reflektuar me qëndrimin e ftohtë së fundmi ndaj kryeministrit shqiptar në Kosovë dhe indiferencën ndaj drejtuesve kosovarë në Tiranë. Kohë më parë, shuplakë do të merrte ish-Ministrja e Mbrojtjes Kodheli prej thjesht një deklarate emocionale, ashtu si zyrtarët kosovarë shpesh në Tiranë do të shpërfillen.
Për fat, brezat e rinj janë më afër me njëri-tjetrin pasi e njohin dhe e respektojnë këtë realitet, por që edhe ata mbesin me një dashuri gati të largët sikur flitet për njerëz të një diaspore të shkuar, apo sikur të ishin Arbëreshët larguar prej shekujsh.
Kosova e sotme zë shumë pak vend në faqet e medias shqiptare dhe anasjelltas, kurse portalet më shumë merren me lajmet politike dhe skandalet sesa gjërat që mund të na afrojnë dhe të përbashkëtat. Bashkimi kombëtar është bërë një slogan që më shumë përdoret prej disa politikanëve për të treguar një staturë false para shqiptarisë sesa realisht një qëndrim.
Kosova dhe Shqipëria, për të ardhur keq, është sepse po largohen prej njëra-tjetrës dhe kjo edhe më shumë sesa ftohtësia e Tiranës dhe Prishtinës përbën dhe rezultatin e konjukturave të reja dhe mënyra sesi Administrata Trump e shikon këtë vatër në Evropë dhe ngutin për ta mbyllur problematikën e tyre.
Kosova po gjen rehatinë te simbolika e flamurit të vet, që paradoksalisht është i vizatuar me kufirin e sotëm, bash atë që do të lëvizë presidenti, por edhe me të gjithë atributet që i fal pavarësia dhe që ia ka vërtetuar edhe GJND (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë). Shqipëria duhet të bindet për këtë realitet, por edhe për një identitet që Kosova po e krijon nga dita në ditë. Nuk mund të harrohet ngazëllimi i Kosovës kur mundi Shqipërinë në futboll dhe sesi kosovarët i gëzohen sot përfaqësueses së tyre në çdo fitore.
Kosova i ka thënë lamtumirë Serbisë, por me sa duket, po ndahet paqësisht edhe me Shqipërinë, sepse këto dy dekada na mësuan që të kuptonim diferencat por edhe predispozitat e elitave të dy vendeve, që e diktojnë këtë ndarje.
Ne, nuk mund t’i dalim dot krah Kosovës në përditmërinë e tyre të vështirë sepse energjia na shkon me budallalliqet tona politike dhe mballosjes së një ekonomie anemike, përveçse se shpirtërisht themi dhe do të jemi gati kurdo që mund të kenë nevojë. Por, Kosova duket se e ka shënjuar veten. Ajo është e pavarur dhe po krijon një identitet të ri, që e kënaq me një flamur dhe himn krejt të ri, që nuk i shkon më frymës së simbolikës sonë, mbushur me trima dhe tradhtarë.
Kosova e sotme është perëndimore dhe nëse do të kishte pak më shumë politikanë të përgjegjshëm do të ishte krahas Shqipërisë dhe Maqedonisë në proceset e integrimit. Ani pse, ka të ngjarë që konjukturat ta ndiejnë sërish, sepse është investim mirëfilli amerikan. Kosova e ndjen dhe i është lezetuar ky sens. Ndaj, ata sot duan veten dhe të ardhmen e tyre para fjalëve të fryra të shqiptarisë dhe sloganeve tona patriotike – Homo Albanicus.