PSE NUK ARRITI MEHMET HAJRIZI TË FORMOJË QEVERINË E KOSOVËS?

SHKRUAR NGA: SHEFQET JASHARI – STROFCI

Pse Mehmet Hajrizi, edhe pse e pranoi mandatin e kryeministrit nga Dr. Ibrahim Rugova, nuk arriti ta formonte qeverinë e Kosovës?

Ka shumë fakte tjera që dëshmojnë se e tërë veprimtaria e LPK-së, e LBDK-së, dhe e partiakëve të shtirë të subjekteve tjera politike ka pasur dhe ka për qëllim realizimin e Marrëveshjes së Zyrihut, dhe se ngjarjet tragjike që i përjetuan shqiptarët gjatë luftës e që po i përjetojnë edhe sot pas luftës, e kanë burimin nga ajo Marrëveshje. Do të veçoj disa prej tyre:

1.Tentimi për shkatërrimin e LDK-së nga Hydajet Hyseni, gjatë mbajtjes së Kuvendit të Tretë zgjedhor, erdhi si rrjedhim i bisedave që ai i pati me Xhavit Halitin, Azem Sylën dhe përfaqësues të tjerë të LPK-së në janar të vitit 1997, kur pat ardhur në Zvicër për të marrë pjesë në manifestimin “Flaka e Janarit”. Siç dihet, ish të burgosurit politik kanë pasur mundësi praktike ta marrin udhëheqjen e LDK-së në mënyrë institicionale në Kuvendin e Dytë zgjedhor të saj, por atëherë shumica prej tyre, me mish e me shpirt kanë punuar në realizimin e platformës së LDK-së për zgjidhjen e çështjes së Kosovës me mjete paqësore, prandaj, bien poshtë si të pa baza akuzat se ish të burgosurit politik, (përgjithësimi është i pabazë) janë futur në LDK, me qëllim të marrjes së “Kalasë nga brenda”. Është më se e sigurtë se tharmin e përçarjeve dhe dyshimeve në mes ish të burgosurve politik dhe të “autonomistëve” që ishin në LDK, e kanë mbjellë spiunët e Serbisë, të futur në strukturat udhëheqëse të LDK-së, qëllimi i të cilëve ishte përçarja e faktorit politik shqiptar të Kosovës duke mbjellë mosbesim në mes ish të burgosurve politik dhe të tjerëve, që do të sillte shkatërrimin e LDK-së, si pasojë e përçarjeve brendapartijake. Kam dëshmi se Hydajet Hyseni para se të fillonte Kuvendi i Tretë zgjedhor i LDK-së, është marrë vesh me shokët e tij (me disa ish të burgosur politik) për ta kundërshtuar ndërrimin e Statutit të LDK-së. Por kur është debatuar për ndryshimin e disa neneve, Hydajet Hyseni nuk ka marrë pjesë fare në debat, çka do të thotë se nuk e ka kundërshtuar ndërrimin e tyre, siç ishte marrë vesh me “shokët”. Kjo ishte një befasi për “shokët e tij”, por befasia tjetër edhe më e madhe ishte se Hydajet Hyseni reagoi shumë ashpër vetëm pasi u miratuan ndryshimet e paralajmëruara. Kjo do të thotë se ai ka manipuluar me shokët, se qëllimi i tij nuk qe “mbrojtja” e LDK-së nga “autonomistët”, por qëllimi i tij i vërtetë qe gjetja e një shkaku për shkatërrimin e LDK-së. Shpresohej se mbi gërmadhat e atij shkatërrimi të ndërtohej “Partia e Re Demokratike” me Qosjen në krye, siç ishte paraparë në Marrëveshjen e Zyrihut.

2. Dërgimi i Gani Sylës nga Hydajet Hyseni në Zvicër me detyrë speciale për ta marrë udhëheqjen e Degës së LDK-së, dëshmon se H. Hyseni ka mbajtur kontakte të fshehta me LPK-në dhe PSSH-në, shumë kohë para se të mbahej Kuvendi i Tretë i LDK-së.

3. Largimi i Jakup Krasniqit dhe i Ramë Bujës nga LDK-ja dhe shkuarja e tyre në Shtabin e Xhavit Halitit dhe të Azem Sylës, të pagëzuar me emrin bubullues Shtab i Përgjithshëm i UÇK-së, tregon se Hydajet Hyseni ishte marrë vesh me Xhavit Halitin dhe Azem Sylën sa ishte në Zvicër, për detyrat që duhej t’i kryente ai me shokët e tij për realizimin e Marrëveshjes së Zyrihut.

4. Hydajet Hyseni dhe Rexhep Qosja shkuan fshehtas në Tiranë, pas krijimit të Këshillit Nismëtar për formimin e partisë së tyre, kishte për qëllim marrjen e garancave nga Nanosi dhe Mejdani se subjekti i tyre politik në formim e sipër, do të trajtohej si i barabartë me LPK-në, në një ndarje të mundshme të pushtetit të Kosovës.

5. Bojkotimi i zgjedhjeve të dyta Parlamentare dhe Presidenciale dhe mos njohja e institucioneve shtetërore që dolën nga ato zgjedhje nga ana LBDK-së dhe LPK-ja.

6. Hyrja e Adem Demaçit dhe partisë së tij nën kulmin e partisë së Qosjes.

7. Afrimi i Bujar Bukoshit me Demaçin dhe Qosjen dhe ndërprerja e kontakteve me Rugovën, përzierja e këmbëve me Ibrahim Kelmendin, caktimi i Selatin Novoselës për Kryetar të Këshillit Republikan të Emergjencës dhe të Gani Sylës kryetar të emergjencës për Diasporë, dëshmon se edhe Bukoshi ishte i lidhur me komplotistët dhe kishte për synim realizimin e Marrëveshjes së Zyrihut.

8. Pëpjekja e diplomatëve të SHBA-ve për formimin e Qeverisë së Kosovës në verën e vitit 1998 nga subjektet politike shqiptare dhe nga UÇK-ja, u kundërshtua nga pehlivanët dhe argatët e Nanosit, që ishin në ballë të LBDK-së dhe të UÇK-së, edhe pse mandatin për formimin e Qeverisë së Kosovës Ibrahim Rugova ia kishte besuar Mehmet Hajrizit. Me siguri Mehmet Hajrizi nuk do ta kishte pranuar postin e Kryeministrit nga kryetari i Republikës së Kosovës, po të kishte qenë në rrethin e njerëzve të besueshëm të H. Hysenit, por ai dhe shumë ish të burgosur tjerë, që ishin në udhëheqësinë qendrore dhe komunale të LDK-së, ishin të manipuluar nga H.Hyseni dhe njerëzit e tij të besueshëm.

9. Mosnjohja e Parlamentit të Republikës së Kosovës me kryetar Idriz Ajetin,( që për nderë do ta kishin parlamentet e shteteve të Evropës Perendimore ta kenë një personalitet të nivelit të tij shkencor në kryesinë e parlamenteve të tyre) nga pehlivanët e Nanosit dhe argatët e Xhavit Halitit, edhe pse Parlamenti i Kosovës e njohu UÇK-në, si të vetmin subjekt ushtarak të Republikës së Kosovës, dhe u zotua se do të formojë Qeverinë e Kosovës me përfaqësues të të gjitha subjekteve politike shqiptare. Shpifjet dhe kopallat e pehlivanëve dhe argatëve të Nanosit se organet shtetërore të Kosovës nuk e njohën UÇK-në, nuk pinë ujë dhe janë të pa baza.

10. Angazhimi i pehlivanëve të Nanosit dhe argatëve të Xhavit Halitit për krijimin e Asamblesë së Kosovës në vend të Parlamentit të Kosovës e bëri të qartë Xhavit Haliti me intervistën e tij të botuar në “Zëri” me 5-16 shkurt 2001. Ai na i jep ca fakte që dëshmojnë se idenë për formimin e Asamblesë së Kosovës nuk e ka dhënë as Qosja dhe as Demaçi, por Drejtoria Politike e SHP të UÇK-së, (pra vet Xhavit Haliti) dhe Qeveria e Shqipërisë. Ai në intervistën e tij thotë: “Ne kemi bërë një përpjekje në maj, qershor apo korrik të 1998 për të bërë një draft për krijimin e Asamblesë së Kosovës, prej nga do të dilte Qeveria….Ideja ka qenë që Asamblenë e Kosovës ta përfaqësojnë mbi 50% strukturat dhe njerëzit e UÇK-së, ndërsa të tjerat të plotësohen me parti dhe me njerëz me ndikim. Për krijimin e Asamblesë së Kosovës dinte vetëm Qeveria shqiptare, ndërsa në Kosovë dinte SHP i UÇK-së dhe Drejtoria Politike e SHP të UÇK-së”. Nuk ka nevojë për koment, pasi që del i qartë qëllimi i Xh.Halitit dhe i Qeverisë së Shqipërisë për realizimin e Marrëveshjes së Zyrihut. Por Xh.Haliti na jep të dhëna për të kuptuar se kur dhe për çfarë arsye e kanë afruar Adem Demaçin. Ai thotë: “…me qenë se përpjekja e parë dështoi, e sidomos pas kontakteve me diplomacinë e huaj, veçanërishë me atë të SHBA-ve, ishte domosdoshmëri të bëhej edhe një përpjekje e re. Kështu që e thirrëm Adem Demaçin, për të biseduar dhe për t’u marrë vesh me të, …që ai të jetë njëri ndër negociatorët kryesorë për krijimin e Asamblesë së Kosovës”.

11. Shkelja e Marrëveshjes së Oslos që parashihte bashkimin e UÇK-së dhe të Ministrisë së Mbrojtjes nga Xh.Haliti, Qosja dhe argatët e tyre që mbanin pozita udhëheqëse në LPK dhe në LBDK.

12. Mos nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujes me kohë, në afatin e parë, ka të bëjë me marrëveshjen e Zyrihut, dhe ajo nuk do të nënshkruhej as në afatin e dytë, sikur të mos kishte lëshuar pe delegacioni i LDK-së dhe Kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova, i cili mandatin për formimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës ia dha UÇK-së.

13. Mënyra, koha dhe vendi i formimit të ’’Qeverisë së Përkohshme të Kosovës’’ nga UÇK-ja, u bë siç e parashihte Marrëveshja a Zyrihut.
Është e tepërt të numërohen të gjitha faktet që dëshmojnë se LPK-ja me LBDK-në, argatët e Xhavitit dhe të Qosjes, që ishin vënë në krye të SHP të UÇK-së dhe të Drejtorisë Politike të SHP të UÇK-së, tërë veprimtarinë e tyre e kanë të lidhur me marrjen e pushtetit, dhe as që kanë bërë përpjekje për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Po të kishin për qëllim çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj, nuk do t’i bënin gjithë ato veprime antikombëtare dhe destruktive që i ceka më lart, dhe shumë tjera që kanë mbetur pa i përmendur fare. Po të kishin qëllim parësor çlirimin e Kosovës, do të bashkëpunonin me diplomacinë amerikane, me LDK-në e partitë tjera, me Parlamentin e Kosovës për ta formuar Qeverinë e Kosovës. Qeveria e Kosovës e formuar nga të gjitha subjektet politike shqiptare, do të merrej me çështje madhore kombëtare dhe do të prezentohej para qendrave të vendosjes ndërkombëtare si Qeveri e Republikës së Kosovës, e cila do t’i bashkonte të gjitha forcat politike dhe ushtarake shqiptare, të gjitha shtresat e popullsisë në luftë kundër okupatorit serb, ndërsa çështja e pushtetit si çështje dytësore, do të vinte në shprehje pas çlirimit të Kosovës. Por Xhavit Haliti, argatët e tij dhe të Fatos Nanos ishin të bindur se e kanë “çliruar” gjashtë dhjetë për qind të Kosovës pa marrë asnjë stacion policie, pa e marrë asnjë garnizon ushtarak, pa e fituar as një betejë me ushtrinë serbe. Nuk e “dinin” se armatimi i dalë nga përdorimi në Shqipëri, lejohej nga ushtria dhe policia serbe të hynte në Kosovë pa pengesa, në bazë të marrëveshjeve të fshehta të Milloshoviqit dhe Nanos që u bënë zyrtare tek me takimin e tyre në Kretë. Ky “furnizim” lejohej në funksion të qëllimeve strategjike të Serbisë, për të bërë pastrimin etnik të Kosovës. Serbët e dinin se me atë armatim, shqiptarët nuk mund ta dëmtonin dhe nxirrnin Serbinë nga Kosova, por mund ta vrisnin njëri-tjetrin për çështje të dominimit dhe të pushtetit. E dinte Milloshi dhe Nanosi se Shtabi i Xhavitit dhe i Azemit, i pagëzuar në SHP të UÇK-së, pa ushtarakët shqiptarë, të cilët i kishin kryer akademitë ushtarake në Jugosllavi, që e dinin taktikën dhe strategjinë e APJ, që e dinin se si formohet ushtria, si bëhet lufta, nuk kishte as mundësinë më të vogël ta rrezikonte ushtrinë dhe policinë e Serbisë. E dinin mirë Milloshi dhe Nanosi se me paradat që do t’i bënin “gjeneralët” e Xhavitit nëpër fshatrat e Kosovës, do t’i jepej shkas Serbisë për ta vënë në përdorim skenarin e vet të pastrimit etnik të Kosovës, siç edhe ndodhi, dhe pastaj me një marrëveshje ndërkombëtare t’ia diktonin kushtet e tyre humbësit në fushën e luftës. Dhe kush do të duhej ta përfaqësonte palën kosovare në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, përpos Xh. Halitit dhe R.Qosjes me argatët e tyre, që e “udhëhoqën luftën e UÇK-së”. Serbia do të “lëshonte pe’’, gjoja pas’’presioneve të miqve të saj”, për t’ia kthyer disa territore të Kosovës Xhavitit dhe Qosjes për të ardhur në pushtet së bashku me argatët e tyre, pushtet që u garantohej nga Marrëveshja për Bashkëpunim dhe Ndihmë Reciproke e Zyrihut e nënshkruar në mars të 1993 në mes LPK-së dhe PSSH-së. Më në fund Serbia me pararojën staliniste të LPK-së dhe karrieristët e LBDK-së do të nënshkruanin marrëveshjen për ndarjen e Kosovës. Këtë ndarje e kishte paralajmëruar Qosja, kur pat deklaruar se “serbëve të Kosovës do t’u njihej e drejta për vetëvendosje”. Krijimi i enklavave serbe dhe ndarja e Mitrovicës, është fakti tjetër që dëshmon se në qarqet më të larta të Beogradit, të Tiranës dhe të kreut të stalinisteve të Kosovës, është arritur një marrëveshje për ndarjen e Kosovës para se të fillonte lufta serbo-shqiptare në bazë të Marrëveshjes së Zyrihut. Rrjedhat e ngjarjeve historike që u zhvilluan pas arritjes së Marrëveshjes së Zyrihut, në gjithë hapësirën tonë etnike, vërtetojnë më së miri se ishte një “dreq i madh” në mesin e shqiptarëve, që u përgatiti kurtha të rrezikshme, për ta bërë Shqipërinë një Liban, dhe Kosovën një Palestinë në zemër të Evropës. Por njerëzit që i drejton arsyeja dhe që dinë të mendojnë me logjikë të shëndoshë, janë të bindur se Marrëveshja e Zyrihut, jo vetëm se është nënshkruar në mes PSSH dhe LPK-së, dhe pastaj, asaj Marrëveshjeje iu kanë bashkangjitur edhe subjekte tjera politike dhe individë me ndikim në jetën politike dhe kulturore të Kosovës, por ajo marrëveshje ende është në fuqi. Shqiptarët duhet të vetëdijësohën se janë të kërcënuar nga shumë rreziqe, burimi i së cilave është ajo marrëveshje, që është nënshkruar në mars të vitit 1993 në Zyrih, në mes kreut të stalinistëve të Shqipërisë dhe kreut të stalinistëve të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare.

Dhe më në fund, dua të cek se diferencimi i shqiptarëve u bë i plotë pas çlirimit të Kosovës. Ata që vepruan për interesat e tyre personale dhe klanore, ata që i kryen urdhrat e Nanosit dhe pehlivanëve të tij, e treguan fytyrën e tyre të vërtetë, i keqpërdorën uniformat e UÇK-së, duke zënë pozita udhëheqëse dhe pasuri shoqërore, duke vjedhur dhe plaçkitur pasuri të të tjerëve, duke kërcënuar dhe vrarë njerëz që nuk ishin si ata, dhe nuk ishin me ta. Po kulmin e krimit e arritën, kur i vranë institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe një pjesë të përfaqësuesve të tyre. Anomalitë shqiptare nuk kanë të sosur. Ato rritën dhe shtohen, se ashtu e do interesi i armiqve tanë, për ta bindur faktorin ndërkombëtar se shqiptarët “nuk janë popull shtetëformues”. Shqipëria e rrënuar prej tyre me dorën e shqiptarëve po u ndihmon në propagandën e tyre antishqiptare. Edhe pehlivanët e Nanosit dhe argatët e tyre me veprimtarinë e tyre gjatë luftës dhe pas çlirimit të Kosovës po i ndihmojnë armiqtë tanë në propagandën e tyre se shqiptarët janë ’’destabilizuesit’’ të Ballkanit. Po nacionalistët shqiptarë ku janë?! Ku janë djemtë, vajzat, nipat dhe mbesat e nacionalistëve shqiptarë, ballistëve-NDSH-istëve?! Si u bë, që ’’fara e Rusisë’’, ajo farë që na e mbollën në trojet tona Milladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, të rritet, të shtohet dhe të forcohet aq shumë në gjithë hapsirën tonë etnike? Po Drenica, epiqendra e kryengritjeve shqiptare, a guxon të bjerë nën ndikimin e ’’farës së Rusisë’’? Jo, kurrsesi nuk guxon të bjerë nën ndikimin e asaj fare, të dreqit të mallkuar. Këtë gjë nuk do ta lejojnë, mos kush tjetër, varret dhe eshtrat e Hasan Prishtinës, Ahmet Delisë, Azem Bejtës dhe Shote Galicës, Shaban Polluzës, Mehmet Gradicës, Bajraktarëve të Llaushës, Riza Grajçefcit, Tahir Mehes e Nebih Mehes, Shaban Murat Jasharit, Hamzë Jasharit dhe Ademin Jasharit dhe eshtrat e mijëra luftëtarëve dhe të masakruarve nga xhelatët serb. Drenica heroike dhe e gjithë Kosova, Shqipëria dhe viset tjera shqiptare, nuk do të lejojnë më që ’’fara e Rusisë’’ dhe farat hibride që u përfituan nga ajo farë bolshevike, të luajnë me fatet e Atdheut. Shqiptarët si popull dhe si komb janë dhe do të jenë gjithmonë të rrezikuar nga armiqtë e tyre, për aq sa ne do t’u lëmë hapësirë të veprojnë lirisht dhe pa kurrë farë pengesa në territoret tonë etnike, në subjektet politike dhe në institucionet shtetërore të shqiptarëve.

Fatkeqësisht, Kosova sot është bërë një ’’poligon’’ për shpërndarjen e gënjeshtrave dhe shpifjeve të llojllojshme nga majtistët e Kosovës kundër nacionalizmit shqiptar dhe bartësve të tij. Veçmas, është bërë halë në sy gazeta kombëtare “Bota sot”, botuesi, kryeredaktori, stafi i gazetës, gazetarët dhe bashkëpunëtorët e saj, që po i qesin në dritë komplotet, të zezat dhe të ligat që ia sollën kombit shqiptar, bartësit e linjës antikombëtare, që sot kanë zënë pozita udhëheqëse në subjektet politike shqiptare dhe në institucionet shtetërore të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës. Fatkeqësisht të gjitha gazetat e përditshme, përpos “Bota sot”, dhe shumica e revistave që dalin në Kosovë, janë bërë altoparlantë të Xhavit Halitit dhe të argatëve të tij, për ta ’’bindur’’ opinionin se gjoja ata ishin’’shpëtimtarët’’ e Kosovës dhe të shqiptarisë, se ata i “krijuan’’ njësitë e para guerile të Kosovës, ’’krijuan’’ UÇK-në dhe ’’ushtrinë e rregullt’’ qysh më 1993. Se vetëm ata e kanë ’’kredibilitetin’’ ta udhëheqin Kosovën, e lavde të tjera bajate. Të gjitha këto po i bëjnë, pasi janë shumë të shqetësuar, që nuk do ta marrin pushtetin e Kosovës sipas Marrëveshjes që e lidhën me kreun e PSSH-së, në mars të vitit 1993 në Zyrih. Fatkeqësisht një pjesë e madhe e gazetarëve shqiptarë kanë humbur dinjitetin njerëzor dhe etikën e gazetarit, kur me dëshirë apo pa të, janë bërë argatë të pehlivanëve të Nanosit, apo argatë të karrieristëve të sëmurë për pushtet dhe kolltue, të subjekteve politike shqiptare, duke rënë kështu në pozitat e sahanlëpirësve dhe të qyqarëve.

Opinioni është i njohur me veprimtarinë e PPSH-PSSH-së dhe të ideologëve të saj, Enver Hoxhës dhe Fatos Nanos, por ende nuk është i njohur me tërë veprimtarinë e pararojës staliniste të LPK-së në krye me Xhavit Halitin dhe Ibrahim Kelmendin. Xhavit Haliti, njëri ndër individët kryesorë të pararojës staliniste të LPK-së, nëpërmjet një interviste të gjatë, botuar në “Zëri” (05-16 shkurt 2001) e ka njoftuar një pjesë të vogël të opinionit kosovar me veprimtarinë e tij, të LPK-së dhe të PSSH-së, në shërbim të realizimit të marrëveshjes së Zyrihut.

Botuar: ,,Bota sot’’ më, 23. 05. 2001

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top