PSE GODITET SALI BERISHA

SHKRUAN: AV. XHAFER SADIKU

Sa herë ka kriza politike në Shqipëri, politikanë, analistë dhe gazetarë kryesisht nga radhët e së Majtës, në vend që të bëjnë analizën për shkaqet dhe pasojat e krizave e kanë gjetur më thjeshtë: fajësojnë Sali Berishën, megjithëse ai ka gjashtë vjet pa funksione ekzekutive dhe partiake.

Ka ditë që në rrjetet sociale qarkullon një listë me emrat e 338 “themeluesve të PD” ku theksohet sikur i paska eliminuar Berisha.
Lista me emra të njohur e të panjohur të grish të hedhësh disa rreshta rreth kësaj teme.

Së pari, nuk dimë në janë pyetur ata që janë “eliminuar” dhe a kanë të njëjtin mendim se i ka “eliminuar” Berisha” dhe nëse po, për cilat arsye?

Së dyti, sa prej të “eliminuarëve” hynë në administratën shtetërore në pushtetin e PD me nga një kostum doku të dalë boje dhe sa prej tyre dolën milionerë, ndërtues, tregëtarë, pronarë asetesh të privatizuara etj.?

Së treti, sa prej tyre u larguan me dëshirën e tyre duke krijuar parti të tjera apo edhe jashtë atdheut?

Duke qenë se ende nuk kemi të dhëna dokumentare dhe arkivore, kësaj teme mund t’i qasemi edhe nga një optikë tjetër.
Po të vrejmë kritizerët e ashpër të Sali Berishës, mund t’i ndajmë në disa kategori:

Së pari, social-komunistët dhe nacional-komunistët që janë e njëjta gjë. Kush njeh sado përciptaz historinë e Partisë (PK-PPSH-PS), vren se çdo antar i saj që ka patur ide oportuniste është përjashtuar, burgosur, madje edhe vrarë. Që nga Anastas Lula e Sadik Premte e deri tek socialistët e pas viteve 1990 është një histori e përgjakur. Sali Berisha nuk bën përjshtim nga ky rregull e mu për këtë arsye, kundër tij duhet hedhur çdo akuzë që pjell fantazia e tyre.
Duke e identifikuar që në krye të herës Sali Berishën me “tradhëtarin e partisë”, ata godisin në fakt “armiqtë e klasës” me të cilët, sipas tyre, është bashkuar ai.

Së dyti, ish të privilegjuarit e pushtetit të Berishës, që pasi zhvatën sa mundën, kaluan në “anën tjetër” për të gjetur mbështetje, pasi ra Berisha nga pushteti.

Së treti, kritizerë të Sali Berishës janë edhe disa të djathtë “tradicionalë”, që për të justifikuar dështimin e tyre, e akuzojnë, kinse është ai që nuk i ka lejuar të përfaqësohen dhe të kenë sukses. Në fakt, është mungesa e ideve, guximi për ti artikuluar publikisht dhe aksioni politik i munguar nga ana e tyre, se sa Berisha që i ka penguar në këtë drejtim.

Së katërti, “miqtë” tanë ndërkombëtarë, që duke e ditur profilin e lartë politik të z. Berisha dhe peshën e fjalës së tij në hapsirën etnike shqiptare, përdorin jo vetem intrigat kundër tij, por edhe sulme të hapura politike.

Në këtë mënyrë ata mbajnë nën kontroll lëvizjet kombëtare në hapsirën shqiptare, duke mbështetur të majtën ekstreme që i ka mbytur në gjak shqiptarët që nga vitet e luftës së Dytë. Pa ndihmën e tyre klika e Tiranës nuk mund të sundonte kurrë mbi shqiptarët.

Berisha ka shumë për të kritikuar, por jo për ato që e godasin social-komunistët dhe nacional-komunistët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.