SHKRUAN: DR. LEDIAN DROBONIKU
Shqipëria gjendet sot në një udhëkryq, ku shenjat orientuese fillojnë të zveniten. Busulla e globalizimit apo integrimit evropian është tronditur dhe nuk ofron më siguri për të ardhmen. Në fakt nuk e kanë ofruar kurrë. Fatalizmi dhe trishtimi kolektiv ka pushtuar vendin dhe frymorët e tij.
Në një nga letrat e tij, Cicëroni thoshte se: “nata më e zezë nuk është ajo që nuk ka yje, por ajo kur ti zgjedh të mbyllësh sytë“. Popujt që kanë arritur tu mbijetojnë shekujve, e kanë realizuar këtë udhëtim duke prodhuar vlera autentike, të cilat i udhëhiqnin si yjet përgjatë netëve të historisë. Sot Shqipëria gjendet pikërisht në një nga ato netët e gjata të historisë pa gjetur dot yllin e vet polar, edhe pse e ka atë. Ashtu si pas 5 shekujsh errësirë osmane, edhe sot, ideja e kombit mbetet e vetmja që mund të zgjojë përsëri shqiptarinë, sigurojë pjesëmarrje dhe entuziazëm, të evokojë ndjenja për një bashkëjetesë solidare, ekonomi e begati, rikthejë etikën për funksionimin e institucioneve. Por kjo nuk mund të bëhet pa u ndarë më parë, nga ato vlera që janë antitetike me idenë e kombit.
Realiteti i sotëm është produkt i një projeksioni mbi vlera artificiale e jo natyrore.
Varfëria materiale nuk është as natyrore e as rastësore, por lidhje shkak-pasojë e degradimit kulturor-shpirtëror që mban bashkë një komunitet. Shkatërrimi i ekonomisë kombëtare dhe transformimi në koloni importi, nuk do tolerohej nga populli shqiptar, nëse më parë nuk “do të punohej” për rënien shpirtërore e dorëzimin e tij. Mbjellja e fatalitetit dhe sensi i inferioritetit ndaj shqiptarizmës, krijoi një vakum të frikshëm, i cili u mbush me turli vlerash të importuara. Fakti që njerëzit shohin efektet e injorojnë shkaqet, nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit.
Shoqëria është organizëm i gjallë dhe ashtu si njeriu, nuk mund të krijojë asgjë në fushën materiale nëse nuk ndez motorin shpirtëror. Kjo do të thotë që energjitë e saj duhet të marrin kah qendërsynues, për tu shndërruar në sinergji. Ndryshe nga ajo çfarë ndodh prej dekadash, ku të gjitha forcat na shtyjnë në një drejtim konfliktual, centrifugal ose humbje të energjive. Ndryshimi i këtij kursi kërkon në vetvete energji kolosale, intelektuale e materiale. Nuk është e lehtë të zhbësh një botë fallso që na kanë sajuar përqark, sepse vetë ajo influencon dhe prodhimin e ideve dhe veprimeve tona. Si pasojë, edhe ata që dëshirojnë ndryshimin e gjendjes, vozisin pa dashje në forcim të status quos-s. Prandaj dhe distancimi nga antivlerat që janë metabolizuar tashmë, është shumë i vështirë por dhe hap i domosdoshëm për të fituar betejën e emancipimit shpirtëror dhe begatisë materiale.
Pas rënies së komunizmit, Shqipëria kaloi nga izolimi perfekt në ekstremin tjetër, atë të globalizmit. Kështu shqiptarët u detyruan të heqin dorë nga vlerat e tyre autentike pa fituar dot vlera të reja, thjesht sepse globalizmi nuk krijon por zhduk vlera. Vlerat autentike janë produkt i shpirtit të popujve, por globalizmi është një poçes që zëvendëson popujt me masa konsumatorësh dhe vlerat shpirtërore me ato monetare. Kjo strukturë krijon lidhje të dobëta, të cilat nuk mund ti rezistojnë kohës. E në fakt, është pikërisht ajo që po ndodh sot.
Rendi i Ri Botëror, ngritur mbi idenë e zëvendësimit të kombeve me mekanizmat e tregut, po falimenton. Kjo nuk është profeci e filozofëve apo politiologëve si Kissinger (Libri mbi World Order) por një realitet që po merr formë gjithmonë e më shumë. Politikat sovraniste të Trump kundër globalizimit (America First) në mbrojtje të popullit amerikan ekonomisë së saj kombëtare e fuqizimi i shteteve sovraniste si Kina, Rusia, Turqia, Brazili, India etj, i dhanë fund ëndrrës së një bote njëpolare. Rikuperimi i idesë së kombit, për mbrojtjen e interesave ekonomike rrezikuar nga forca globale, po forcohet e zgjerohet kudo.
Gjerat nuk bëjnë përjashtim as në Evropë. Projekti i BE-së “nuk ngroh” më dhe ka hyrë në një parabolë rënëse. Si një sovrastrukurë avangard e neoliberizmit globalist, ajo zëvendësoi proçeset demokratike me mekanizmat e tregut, solidaritetin me konkurrencën, duke rritur konfliktet sociale dhe larguar popujt nga njëri tjetri. BE-ja nuk ishte modeli që kërkoi Kant dhe iluministët evropianë për bashkimin e popujve, por projekt i ithtarëve të tregut si Kalergie e Hayek. Ja pse kudo në Evropë ka një rizgjim të ideve sovraniste, të kanalizuara në parti politike të reja apo të vjetra. Dhe këto forca do shtohen gjithmonë e më shumë sepse synojnë të rikuperojnë lidhjet natyrore mes shoqërisë, territorit dhe historisë.
Kombi nuk ofron vetëm një thirrje shpirtërore e aftë për të organizuar energjitë njerëzore por dhe për ti mbrojtur ato më me efikasitet, brenda strukturave solide të shtetit-komb.
Por në Shqipërinë tonë, çfarë po ndodh?
Si gjithmonë, Shqipëria ka një sfazaturë kohore me atë çfarë ndodh në botë. Të ngecur brenda ligjëratës të ç/integrimit evropian, fetiçizimit amerikan apo banalizimit me akuza mbi korrupsionin, vendi zhytet çdo ditë në errësirë. Degradimi shpirtëror, individual, familjar e shoqëror, shumëfishohet me atë material e skamja shtohet përditë, duke minuar të ardhmen. Duket sikur jemi trampoluar pas një shekulli kur mateshim me çështje ekzistenciale, si bashkimi dhe kohezioni kombëtar, analfabetizmi, rënia e shkollës, degradimi kulturor e shoqëror, deindustralizimi i vendit, rregullimi i raporteve në bazë të forcës e jo së drejtës, një oligarki që ka zaptuar vendin e nuk kuron interesin publik, padrejtësia shoqërore dhe varfëria strukturore, papunësia e madhe, hemorragjia e emigrimit dhe shpopullimi i trojeve. Ky është tuneli brenda së cilit kanë ngecur sot shqiptarët.
Por shqiptarët e kanë dritën e tyre nëse vendosin ta ndezin atë. Ne nuk jemi një popull artificial, por një komb autentik, plot vlera farkëtuar ndër shekuj. Vlera që na siguruan mbijetesën në këtë hapësirë gjithmonë të trazuar.
Jam i vetëdijshëm se këto fjalë, tingëllojnë patetike e nuk krijojnë rezonancë tek shumica e shqiptarëve. Kjo nuk vjen për shkak të vërtetësisë objektive të historisë por mutacionit subjektiv të shoqërisë e antropologjisë së njeriut, tashmë jo më qytetar por kafshë individualiste.
Fundi i ideologjisë komuniste, nuk ishte fundi i ideologjive – si propagandojnë zotat e rinj – por zëvendësimi me një ideologji më të sofistikuar, por jo për këtë më pak të rrezikshme: neoliberizmi, i cili është i papajtueshëm qoftë me idenë e kombit ashtu dhe shtetit. Likuidimi i çdo lloj lidhjeje komunitare, krijimin e turmave amorfe dhe individëve pa identitet, privatizimi dhe çmontimi i shtetit, përdorimi i demokracisë si fasadë ku vendimet nuk i merr më populli sovran por një oligarki autoreferenciale, përqendrimi i çdo lloj pushteti dhe pasurie në pak duar, polarizimi dhe konfliktualiteti i shoqërisë ku e vetmja vlerë është konkurrenca apo lufta për mbijetesë e jo më solidariteti. Nga një ideologji, ku ishim rrethuar me armiq, populli shqiptar u dopua me idenë se tani kishim vetëm miq, nga një shoqëri ngritur mbi një shtet totalitar kaluam në ekstremin tjetër ku shteti hiqte dorë nga çdo detyrim kushtetues e mbrojtës i interesit publik.
Pikërisht ku rendi i ri botëror po ngrihej mbi globalizmin apo konkurrencën në shkallën më epërore, shqiptarët dorëzonin sovranitetin politik, ekonomik, monetar, kulturor e artistik. Kjo ka qenë emëruesi i përbashkëti i çdo qeverie të tranzicionit shqiptar. Mbështetja reale e çdo qeverie në pushtet, më shumë vinte nga mbështetja e “emisarëve ndërkombëtarë” sesa nga legjitimimi formal i popullit sovran. Mjafton të kujtosh zgjedhjet (i vetmi kontakt mes popullit dhe shtetit) gjithmonë të kontestuar e pranuar vetëm me arbitrazhin ndërkombëtar. Duhet ndërhyrja e një instance të huaj (eterolegjitimiteti) për të kuptuar se cila parti “ka të drejtë“, nëse një reformë është e duhura apo jo, e kështu me radhë. Kalimi nga izolimi në globalizëm e neo-kolonizëm, (mes lobeve transnacionale e oligarkisë lokale), duhej shoqëruar me një debat publik thelbësor, por kasta fabrikon një debat shterpë bazuar tek fytyrat e kastës dhe jo politikat konstante antikombëtare që po çbënin ekonominë, popullsinë e kulturën shqiptare.
Si në çdo ideologji, ata që ndodhen brenda saj metabolizojnë jo vetëm tezat por dhe antitezat. Ja pse çdo përpjekje për të trajtuar problemet dhe zgjidhjet brenda kësaj ideologjie, janë pa krye si ai që hedh ujin në hava prej 28 vitesh. Por kjo ideologji pompuar nga qarku politik, mediatik, OJQ, aktorë të brendshëm e të huaj, duket sikur ka shënuar fundin e saj. Përballë evidencës, ideologjia neoliberiste ka humbur forcën magjepsëse e po luan në mbrojtje. Ajo nuk bazohet më në premtime për një shoqëri më të mirë, por mbi frikën për mos ta braktisur këtë model, duke u aventuruar në shtigje të reja e të rrezikshme.
Por ideja e kombit nuk është as e re dhe as domosdoshmërish e rrezikshme, si gabimisht mendojnë ata që ndihen “progresistë“. Tipari themelor i këtij fenomeni është energjia që rrezaton, e kjo mund të jetë pozitive ose negative, në varësi të qëllimit. Prandaj dhe elaborimi i konceptit të nacionalizmit dhe patriotizmit. I pari si projeksion i jashtëm dhe i dyti si projeksion i brendshëm i një populli në kërkim të solidaritetit, lirisë, barazisë, drejtësisë, harmonisë e demokracisë. Por një nga shtyllat e neoliberizmit, është pikërisht ndotja semantike e fjalëve dhe koncepteve për të kolonizuar që në djep mendimin kritik. Bashkimi i njerëzve rreth gjuhës, zakoneve, historisë është natyrore e shpirtërore e nuk mund të zëvendësohet me sajesa artificiale e virtuale, si konsumerizmi e globalizmi.
Atë që duhet të bëjmë për mbijetesë pra, është ajo që bën çdo popull, atë që kemi bërë gjithmonë në ditë edhe më të vështira: bashkimi rreth një ideje të përbashkët. Dhe kjo nuk mund të jetë veçse rikuperimi i idesë së kombit në themel të shoqërisë dhe shtetit shqiptar.
Por cila është rruga që duhet të ndjekim për realizimin e shtetit komb? Dhe mbi të gjitha cilët janë shkaqet, faktorët dhe aktorët që e pengojnë sot këtë gjë?
Besoj se mbi këto tema duhet hapur një debat i thellë për të dalë nga një kaos ideologjik e koncepte anakronike-obskurantiste duke konverguar energjitë mbi një ide të përbashkët, progresiste e demokratike mbi shtetin-komb.
Le të mundohemi të hedhim pak dritë në këtë drejtim, duke larguar disa hije e fantazma që na kanë rrethuar.
Të vetëdijshëm për vështirësitë konceptuale për të përkufizuar plotësisht se çfarë është një komb, përgjithësisht teoritë ndahen në ato që e përkufizojnë si vullnet apo si ndjenjë.
Në rastin e parë, pra kombi si ide, ai do ishte një fenomen racional dhe i ravijëzueshëm, kurse si ndjenjë do të ishte diçka natyrale dhe e pashterueshme konceptualisht. Kështu vetëdijesimi kombëtar shfaqet si një ndjenjë e ndarë me të tjerë që perceptohen si pjesë e gjallë e një gjithçkaje, aty ku ndihet pjesë secili individ. Në bazë të kësaj qëndrojnë dakordësia për disa vlera, ide, stil jete dhe sjelljeje. Një përkatësi që zgjon një proces identifikimi brenda një komuniteti e që i siguron individit atë vazhdimësi të ekzistencës. Në këtë sens, kombi mund të kuptohet si i ngjashëm me konceptin e etnisë, që nga ana e saj mund të kuptohet si zgjerim i idesë së familjes. “Kombi është një familje e madhe, ndaj së cilës çdo antar është pjesë thelbësore dhe që ekziston edhe me variacionet e natyrshme që kanë antarët e tij”- thuhej në kohën e romakëve.
Kështu, disa kombe (psh Gjermania) janë formuar më së shumti duke u bazuar tek koncepti i parë, pra kombi si ndjenjë, e disa të tjerë mbi vullnetin, si është Zvicra. Është e vështirë të inkuadrosh në kontekstin e parë, sensin patriotik të zviceranëve, dhe nuk është për tu injoruar sepse kombi zviceran ka ruajtur për të gjithë Evropën nga fundi i 1700 modelin e një formacioni kombëtar autentik dhe solid. Në Zvicër nuk ka unitet gjuhe, as feje, as dhe territorial sepse lumenjtë dhe liqenet e Zvicrës i përkasin shtretërve hidrografikë të ndryshme.
Megjithë prioritetin logjik mes dy koncepteve, ato qëndrojnë bashkë duke u përplotësuar e përforcuar brenda shtetit-komb. Nëse mungon njëri, tretet dhe tjetri.
Po rasti i Shqipërisë?
Duhet të pranojmë se lëvizjet tona kombëtariste kanë lëvruar më shumë aspektin e parë, pra kombin si ndjenjë (vepra letrare e artistike) e jo si vullnet për të konkretizuar këtë përbashkësi vlerash në një projekt shteti-komb. Pas përgjumjes së ndjenjës kombëtare, rilindasit ishin të detyruar të bënin këtë përzgjedhje, duke u fokusuar tek elementët shpirtërorë të kombit. Megjithatë kryevepra e Rilindjes Kombëtare dhe traktati ideologjik i saj (Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të jetë) rikuperon dhe idenë e kombit si vullnet e si projekt.
Pasi shteron në pjesën e parë, trashëgiminë kulturore, historike e gjuhësore, (kombi si ndjenjë) Sami Frashëri ravijëzon dhe elementët themelorë të shtetit-komb shqiptar (kombi si vullnet). Elementët autentikë historikë e gjeografikë i jepnin të drejtën e plotë popullit shqiptar të formonte shtetin e vet, sipas vizionit pranuar nga bashkësia ndërkombëtare, në atë periudhë. Shqipëria kishte njohur një organizim politik në kohën e shtetit të Gjergj Kastriotit më të gjitha elementët dhe simbolet e një shteti. Megjithatë Sami Frashëri, paralajmëron shqiptarët se duhet të forconin karakterin politik të kombit, për tu përballur me sfidat e reja moderne ndërkombëtare.
Kështu Lëvizja Kombëtare arriti të martonte në mënyrë të lumtur vlerat më të mira shqiptare me ato të iluminizmit evropian.
Në vizionin e rilindasve, shteti-komb shqiptar duhet të ngrihej mbi ide demokratike e jo elitiste, duke u ndarë nga regjimet mesjetare. Është kjo arsyeja se përse u refuzua forma e monarkisë dhe u përzgjodh forma e Republikës. Kombi duhet të shihej si “shtëpi” e qytetarëve të tij të lirë e të barabartë, të cilët formonin nga poshtë vullnetin e shtetit-komb. Në fakt shqiptarët kishin maturuar ndër shekuj, nën eksperiencën e tyre juridike, vendimmarrjen kolegjiale (plakoni) duke privilegjuar kështu pjesëmarrjen dhe “pleqërimin”, sesa vendimet arbitrare nga sipër.
Samiu parashikonte kështu shtrirjen kapilare në të gjithë territorin kombëtar të organizmave përfaqësues dhe asambleve popullore për organizimin e jetës politike. Kjo strukturë do të lejonte pjesëmarrjen direkte të qytetarëve në politikë duke mbajtur gjallë interesin për territorin dhe fatet e kombit. Duket qartë këtu një vizion avangardë i demokracisë, jo thjesht përfaqësuese por demokraci pjesëmarrëse në shumë nivele si ajo e Zvicrës. Madje Shqipëria kishte më shumë avantazhe se Zvicra, sepse kishte kohezion kombëtar dhe popullsi homogjene.
Ky ravijëzim politik i shtetit-komb shqiptar, nuk ishte vetëm parimor por kishte dhe qëllime praktike.
Parësore për rilindësit ishte mbjellja e një kulture politike tek shqiptarët të cilët duhet të lidhnin interesin e tyre individual me begatinë e përgjithshme, sipas aksiomave të shkencës politike dhe ekonomike të kohës. Tensioni natyror mes interesit individual e atij komunitar mund të zgjidhej vetëm brenda një Republike demokratike e cila harmonizonte instancat e lirisë me ato të barazisë. Qëllim tjetër praktik ishte ai i sigurisë kombëtare. Sipas doktrinës së Monteskies, rilindësit kishin kuptuar se popujt e vegjël mund të begatojnë dhe mbrohen vetëm në një shtet demokratik, vetëm aty ku shteti është i tokëzuar me vullnetin e popullit sovran. Në rastin e kundërt, nëse pushteti përqendrohej në duart e një monarkie apo oligarkie, ajo do blihej ose shantazhohej lehtësisht nga fuqitë e huaja. Fjalë profetike në atë çfarë pushtetarët shqiptarë kanë bërë kundër interesit kombëtar.
Fatkeqësisht modeli i shtetit-komb rilindas nuk u zbatua kurrë. Të gjitha regjimet politike që pasuan shtetin shqiptar ishin kundër shpirtit dhe frymës së Rilindjes Kombëtare. Qoftë monarkia, ashtu dhe regjimi komunist apo dhe demokratura e tranzicionit, ngrihen mbi ide elitiste e jo demokratike. Pushteti mbeti gjithmonë brenda një elite autoreferenciale (monarkia, partia-shtet komunist, partitë-shtet-monopole ekonomike) e cila nuk përfshiu qytetarët e lirë në jetën politike dhe ekonomike të vendit. Si pasojë interesi kombëtar u sakrifikua për interesat e një pakice dhe vendi nuk zhvilloi dot as demokracinë dhe as ekonominë.
Por traktati ideologjik i Rilindjes, nuk ravijëzonte vetëm elementët politikë por dhe ato ekonomikë të shtetit-komb shqiptar. Me një largpamësi të kthjellët, Samiu kuptonte rëndësinë e politikave sovraniste të ekonomisë shqiptare për mbijetesën e shtetit shqiptar. Si njohës i mirë i Shqipërisë dhe burimeve të saja pasurore, ai mbështeste idenë e krijimit të një ekonomie kombëtare prodhimi që krijonte sinergji, begati të përgjithshme e drejtësi sociale. Gjithashtu Samiu prek rëndësinë e financës shqiptare dhe nevojën e akumulimit të kapitalit brenda Shqipërisë për të mundësuar zhvillimin ekonomik dhe rritjen e raporteve tregtare me jashtë.
Edhe një njohës fillestar i ekonomisë reale dhe monetare, kupton që ky vizion rilindas, nuk përputhej as me vizionin feudal zogist, as atë komunist e as atë neoliberist të sotmin. Ndërsa regjimi zogist dhe ky neoliberist u dhurojnë të huajve sektorët strategjikë, na kthejnë praktikisht në koloni importi, nuk krijon begati të përgjithshme dhe prodhon padrejtësi sociale, ai komunist ishte autarki izolacioniste që bllokonte lirinë dhe kreativitetin e qytetarit shqiptar. Të tre këto forma regjimi edhe pse në ekstrem të njëri-tjetrit, prodhojnë paradoksalisht të njëjta efekte negative mbi popullin shqiptar, duke mos lejuar zhvillimin e demokracisë dhe begatisë ekonomike.
Nëse Lidhja e Prizrenit filloi si një organizim i shqiptarëve për të përballuar sulmin e shteteve ballkanike, ajo më pas evoluoi si një organizatë përfaqësuese e shqiptarëve kundrejt Perandorisë Osmane, madje tentoi të vinte në jetë programin për autonominë e Shqipërisë. Veprimtarët më vizionarë të Rilindjes, si Pashko Vasa, Sami Frashëri, Jeronim de Rada etj., e kishin të qartë se në fund të procesit shqiptarët do të duhej të dilnin në një shtet të pavarur dhe do të duhej të mbështeteshin në forcat e veta. Në lidhje me eksperiencën e diktaturës enveriste, duhet të kujtojmë se qysh në Mukje, komunistët nuk pranuan kufijtë e shtetit të atëhershëm që ishin më pranë idealit të përputhjes territoriale komb-shtet. Gjithashtu, ata “tradhtuan” Kosovën te Jugosllavia, rrezikuan që Shqipëria të bëhej republika e shtatë e Jugosllavisë, vranë nacionalistët shqiptarë, u shkëputën nga Perëndimi, vendosën diktaturën mbi popullin shqiptar etj. Lista e veprimeve të komunistëve kundër kombit është e gjatë. Le të themi që regjimi komunist u përpoq që kombin t’ia përshtaste shtetit. Edhe pse nuk mohohej ekzistenca e shqiptarëve matanë kufirit, prapëseprapë “kombi socialist shqiptar” konsiderohej ai brenda kufijve të shtetit, “nga Vermoshi në Konispol”, siç thuhej në atë kohë. Pra, kemi një ngushtim të përfytyrimit të kombit në praktikën politike dhe shoqërore që ndiqte regjimi.
Në dritën e fakteve historike, na duhet të pohojmë se vizioni rilindas u realizua përgjysmë, më shumë mbi kombin si ndjenjë sesa si vullnet apo projekt. Nëse ai mundësoi zgjimin e kombit shqiptar, të njëjtën gjë nuk mund ta themi për ndërtimin e shtetit-komb.
Fatkeqësisht kjo asimetri shqiptare, vijon edhe sot, ku energjitë hidhen vetëm për aspektet sentimentale e shpirtërore të kombit sesa për elementët për ndërtimin e shtetit-komb. Kjo nuk vjen vetëm nga injoranca mbi shkencën politike, ekonomike, jurisprudenciale që ka përfshirë vendin, por shërben dhe si një valvul për të shfryrë fatalizmin në një vajtim kombëtar. Njerëzit e kanë më të thjeshtë të flasin kuturu për historinë, mitet, gjuhën, moralin sesa si ndërtohet një shtet e ekonomi kombëtare. Për këtë duhet jo vetëm kompetencë por dhe vullnet përplasjeje me interesat e një oligarkie që nuk dëshiron ringritjen e kombit dhe begatinë e popullit.
Por cilët janë ato kategori që refuzojnë sot, idenë e kombit dhe shtetit-komb?
Na duhet të pranojmë se këto 3 dekada nën regjimin neoliberal, ideja e kombit ka njohur një sprapsje qoftë në kuptimin popullor ashtu dhe atë intelektual.
Shpërthimi i individualizmit ekstrem, konkurrencës dhe konfliktualitetit social çmontuan me shpejtësi çdo lloj lidhje solidare, në çdo lloj niveli, familje, shkollë, komunitet deri tek shteti dhe kombi. Iluzioni se realizimi i njeriut bëhet vetëm individualisht pavarësisht se si shkon shoqëria mban peng akoma shumicën e shqiptarëve. Si pasojë ka një indiferentizëm ndaj së mirës publike, politike dhe ekonomike. Republika nuk shihet si shtëpia e shqiptarëve, por pronë e një oligarkie autoreferenciale dhe qytetarët thjesht si banorë në të. Mungesa e një kulture demokratike, bën që shumica e shqiptarëve ta kuptojnë ende politikën si dele/gim e jo pjesëmarrje aktive në fatet e vendit. Kjo mendësi baritore promovohet nga oligarkia pol-eko-mediatike shqiptare dhe lobet e huaja, por është krejtësisht e kundërta me vizionin rilindas, të cilët kishin kuptuar se pjesëmarrja e qytetarëve në politikë dhe ekonominë kombëtare, ishte garancia e vetme e begatisë së përgjithshme dhe forcimit të kombit shqiptar.
Ideja e kombit shihet sot me pesimizëm edhe nga intelektualët shqiptarë. Formimi i tyre në epokën neoliberiste, bën që ata të preferojnë koncepte antitetike me kombin si: individualizmi, kozmopolitizmi, globalizmi, multikulturalizmi, konkurrenca, deregulation etj. Tek shumica e tyre, kombi shihet si një relike e historisë e cila më shumë i ka sjellë dëme shoqërisë sesa të mira. Pak kuptojnë se në fakt, ky është rrëfimi i neoliberizmit, i cili ka nevojë të denigrojë kombet dhe shtetet për dominimin pa kufij të kapitalit transnacional në dëm të popujve dhe të drejtave të fituara. Evropa njohu një periudhë paqeje (Belle epoque – shek XIX) përgjatë krijimit të shteteve komb, kurse luftërat botërore ishin pasojë e dinamikës imperialiste të kapitalit e jo urrejtjes së popujve. Nëse do ishin popujt e jo elitat, që do dekretonin luftën – kujton Thomas Paine – luftërat pothuajse do të zhdukeshin, sepse askush nuk do dërgonte djemtë e tij në një luftë aneksuese por vetëm mbrojtëse. Fatkeqësisht inteligjencia shqiptare ngatërron konceptin e nacionalizmit me atë të patriotizmit, kur Shqipëria nuk ka pasur kurrë imponimin e fuqisë së saj shteteve të tjera, por ka përdorur ndjenjën kombëtare për tu mbrojtur e zhvilluar një bashkëjetesë të organizuar.
Intelektualët e majtë duhet të kuptojnë se Shteti kombëtar, ka qenë gjithashtu e vetmja hapësirë ku është luftuar e fituar të drejtat ekonomike e sociale përballë elitave. Shteti social dhe demokracia ka kuptim vetëm brenda një populli e brenda hapësirës së shtetit-komb. Këto të drejta nuk mund të fitohen e demokracia të vendoset dot në hapësirën ndërkombëtare, sepse nuk ka një popull global por elita globale. Ëndrra e Karl Marksit për bashkim të proletarëve të të gjithë botës në luftë ndaj elitave kapitaliste, ishte një nga utopitë e parealizueshme sepse njerëzit kanë empati e solidaritet me ata që kanë afër tyre e jo ata të huaj e të largët. Këto lidhje transnacionale i krijojnë vetëm elitat të cilat kanë interes të përbashkët dhe mjetet për organizim. Popujt duhet të luftojnë betejat e tyre brenda shtetit të tyre, të marrin në kontroll atë, vendosin demokracinë e mandej kërkojnë paqen në një botë të trazuar.
Edhe intelektualët e djathtë duhet të kuptojnë, se betejat për liri, pronë e iniciativë ekonomike kanë sens vetëm brenda një kombi. Globalizmi nuk fagociton vetëm proletarët por dhe borgjezinë e prodhimit, sepse fatet në vendin tënd i vendosin disa elita të huaja që diktojnë një lloj kolonizimi financiar. Konflikti social me punëtorët mund të zgjidhet vetëm nëse kemi një ekonomi prodhimi, ku fitojnë të dyja palët me negocimin për interesin kombëtar.
Një tjetër ligjëratë e cila ka zëvendësuar idenë e shtetit-komb, është ajo e integrimit evropian. Kushtetuta e Shqipërisë që në preambulën e gjithë përmbajtjen e saj, kërkon ngritjen e shtetit komb e jo një modeli tjetër alternativ si de facto kasta ka krijuar këto dekada. Kjo antikushtetueshmëri nuk duket vetëm në strukturën e brendshme politike dhe ekonomike aktuale, por dhe në moton se “shqiptarët do bashkohen në Evropë”. Por Evropa në natyrën e saj, nuk bashkon por ndan kombet. Dhe rreziku është se sa më shumë vonohet bashkimi me Kosovën aq më shumë atje njerëzit afeksionohen me flamurin e ri, institucionet e shtetit të ri. Kjo strategji perverse ishte kryevepra e oligarkisë shqiptare dhe lobeve të huaja, duke ngrirë vullnetin e popullit shqiptar për bashkim e rezistencë, ashtu si dhe për kërkesa legjitime mbi funksionimin e demokracisë, ngritjen e një ekonomie prodhimi, mirëqenie dhe drejtësie sociale. Bashkimi Evropian ishte një krijesë neoliberiste i cili nuk afronte popujt, por bashkonte elitat duke prodhuar konflikte sociale brenda vendit dhe mes vetë vendeve. Bashkimi me familjen evropiane, nuk realizohet duke çbërë shtetin-komb shqiptar (shih forcimin e Francës apo Gjermanisë dhe devijimit të rregullave evropiane sa herë cenohen interesat e tyre kombëtare) duke humbur sovranitetin politik, ekonomik, monetar, kulturor, por ashtu si e kërkonin rilindësit shqiptarë, me një shtet sovran në një bashkësi të drejtë mes të barabartëve.
Në të njëjtën linjë antikombëtare shkon dhe rritja e ksenofilisë tek opinioni publik shqiptar. Të gjithë bëjnë garë se me kë duhet të bëhet Shqipëria (me Amerikën, me Turqinë, Italinë, Gjermaninë, Greqinë etj) e jo si të ndërtohet më parë Shqipëria. Nata e zezë, si thamë më sipër, kalon nga injoranca totale që ka përfshirë vendin. Askush nuk kupton më – si thoshte Sami Frashëri – se nuk ka miqësi mes kombeve, por interesa, të cilat ose i negocion ose i pëson. Askush nuk kupton më se cili është interesi kombëtar e çfarë janë politikat sovraniste. Në mungesë të tyre vendi do mbetet gjithmonë koloni e perandorisë së radhës e nuk do jemi kurrë partnerë por vasalë. Nuk do arrijmë të shfrytëzojmë vetë pasuritë kombëtare, të zhvillojmë ekonomi prodhimi, punësim e mirëqenie për të gjithë popullin shqiptar. Nga ky adhurim idjotesk për të huajt, kalon dhe mallkimi që na ktheu nga popull autokton në popull endacak nëpër botë.
Por çfarë janë politikat sovraniste?
Janë ato politika që kryhen për mbrojtjen e interesit (politik-ekonomik-kulturor) të kombit dhe popullit shqiptar. Sigurisht interesi i popullit nuk përputhet me interesin e një oligarkie brenda vendit dhe elitave të huaja. Zaptimi i shtetit nga kjo oligarki me mbështetjen e lobeve të huaja, ka bërë që pasuritë kombëtare mos të përdoren për interes publik. Shqipëria nuk krijoi dot as kapitalizëm prodhimi e as borgjezi industriale, por aristokraci, lobe që mbahen vetëm me importe e parazitizëm. Kjo kastë është armike e popullit shqiptar e nuk do politika sovraniste. Krijimi i një ekonomie kombëtare ka nevojë që këto pasuri dhe sektorët strategjikë të vihen në shërbim të saj e jo në duart e spekulatorëve. Ja pse nga kurthi i neo-kolonizimit mund të dalim vetëm me politika sovraniste, duke kthyer naftën, minierat, bankat, portet e aeroportet, telekomunikionet e siguracionet në duart e shqiptarëve e rolin aktiv të një shteti demokratik por efikas. Por kjo nuk mund të bëhet nga oligarkia që ndërkombëtarët krijuan dhe mbështesin prej dekadash, por nga lëvizje të reja autentike popullore që rivendosin demokracinë autentike e pjesëmarrëse. Aty ku populli vendos fatet e tij e jo thjesht dele/gon pushtet e voton kukullat e sistemit.
Kasta ka privatizuar e shkatërruar shtetin shqiptar, (nën eufemizmin e shtetit minimal) i cili ka hequr dorë nga detyrimet kushtetuese e mbrojtja e interesit publik. Shteti shqiptar nuk është tërhequr vetëm nga mbrojtja e interesave ekonomikë por dhe nga mbrojtja e kulturës kombëtare. Këtë e ka bërë në disa mënyra:
Duke hequr kontributet publike dhe rolin kurues ndaj kulturës dhe artit, duke ia besuar “mekanizmave të tregut” dhe llogjikës së parasë. Si rezultat “art” bëjnë vetëm lekaristët duke bllokuar median dhe hapësirën me banalitete e antivlera që po shkatërrojnë rininë shqiptare. Njerëzit e artit nuk kanë mundësi të kontribuojnë në asnjë drejtim sepse gjenden si peshku pa ujë, të rrethuar nga lekaristët me pushtet e me dyfek. Si pasojë shqipja ka ndaluar së dëgjuari në vepra të bukura, filma, telefilma, teatër, këngë, vjersha e poezi. Çdo gjë me cilësi e dëgjon në gjuhë të huaj dhe shqipja përdoret vetëm për jetën banale të përditshme. Çpasionimi ndaj shqipes është vdekja e ngadaltë e një gjuhe si çdo organizëm tjetër që nuk prodhon fryte.
2.Duke promovuar kulturat e huaja pa asnjë kriter e kontroll, të filmave, telefilmave, mënyrave të jetesës, historisë së shtrembëruar, problemeve jo shqiptare por të importuara, heronj jo shqiptarë. Mos na duket çudi se si fëmijët bërtasin emrin e Ertugrulit e jo Skënderbeut kur luajnë mes veti. Këtë e bëjmë të gjithë në fushat tona, nëse indi kombëtar gërryhet çdo ditë e më shumë. Në doktrinë ky quhet “pushtim i butë” dhe është strategjia e zbatuar nga shumë vendeve antagoniste me Shqipërinë.
Tërheqja e rolit të shtetit nga promovimi i artit dhe kulturës, është shoqëruar me dorëzimin e këtyre detyrave “organizmave privatë” si mijëra ojf që kanë mbirë si kërpudha helmuese në të gjithë vendin. Tematikat e tyre janë të tilla që në dukje “emancipojnë” rininë por në fakt e budallepsin, duke e përgatitur për ta sunduar me “dashuri e qetësi” nesër.
Rënia e shkencës dhe arsimit në shqip. Kjo nuk përkëthehet vetëm në një analfabetizëm funksional të rinisë, por dhe sprapsjen e gjuhës shqipe nga tekstet shkencore në të gjitha fushat, por sidomos në shkencat humane, si ekonomi, drejtësi, shkenca politike, filozofi, psikologji, sociologji etj. Këtu gjuha shqipe ose nuk është e përpunuar për të shpjeguar konceptet e ligjet ose është përmbytur nga zhargone të huaja. Ekzistenca e aktivitetit jo vetëm të shkollave por dhe ojf-ve që preferojnë gjuhën angleze nga ajo shqipe, krijon te të rinjtë idenë se çdo gjë që duket “trendi” dhe progresiste duhet të thuhet në gjuhë të huaj. Po të futësh këtu dhe përhapjen e rrjeteve sociale, modeluar pas anglishtes, efekti zmadhohet dhe më shumë duke krijuar një asimilim gjuhësor të shpejtë dhe total. Një tjetër shqetësim madhor mbetet Jugu i Shqipërisë, dominuar prej dekadash nga Greqia. Shqiptarët atje tashmë ushqehen materialisht e shpirtërisht me influencën konstante greke. E njëjta gjë me shkollat turke që po përhapen me shpejtësi në Shqipëri duke prodhuar shpesh aktorë dhe ide antagoniste me historinë dhe interesat e Shqipërisë.
Ky vakum që shteti shqiptar krijoi me tërheqjen e tij, u shoqërua me një zgjatim të fesë në mënyrë anormale. Degradimi moral që ka përfshirë vendin, padrejtësia sociale, konfliktet mes skllevërve, sigurisht nëse nuk parandalohen nga shteti, janë një terren pjellor për besimet fetare. Por këto të fundit nuk e luajnë atë rol në të mirë të gjithë kombit shqiptar, por vetëm për një pjesë të tij duke minuar dhe atë bashkëjetesë fetare në themel të kombit tonë (Feja e shqiptarit është shqiptaria – Pashko Vasa).
Problem tjetër ka qenë emigracioni i jashtëm dhe urbanizimi. Ndërsa emigracioni dhe njohja me kultura të tjera jo gjithmonë shoqërohet me pasurim por shpesh herë dhe me asimilim të kulturës kombëtare. Kurse urbanizimi i shpejtë, sidomos në kryeqytet, krijoi masa të reja pa lidhje me territorin e ri dhe indin social, ndryshe nga vendlindja origjinale ku lidhjet ishin të forta.
Dalja e shtetit shqiptar nga shinat kushtetuese duket qartë në politikat e tij që nuk mbyllin por zgjerojnë padrejtësinë sociale në shifra alarmante. Kjo prodhon një largim të popullit nga interesat e përbashkët dhe ndjenjës së atdheut si shpreheshin rilindësit pas ideve iluministe, si ajo e Robespierre. Në deklaratën e famshme mbi parimet e moralit politik, në 1974, Robespierre nënvizon se virtyti publik është në thelb, dashuria për atdheun dhe ligjet e tij, dhe shton se – meqenëse esenca e Republikës ose e Demokracisë, është barazia, nga kjo rrjedh se dashuria për atdheun përfshin domosdoshmërisht dashurinë për barazinë. Përndryshe për të varfrit idea e kombit mbetet një ide e largët nëse mbeten të përjashtuar nga politika dhe ekonomia e atdheut të tyre.
Kombi, atdheu dhe populli pas Revolucionit Francez fillohen të përdoren si sinonime. Ndjenja kombëtare përforcohet me anë të shpalosjes kolektive të simboleve, flamurë dhe himne ashtu si dhe heronj të historisë kombëtare. Me sprapsjen e fesë nga punët tokësore, kombi bëhet hyjnia e re për të mbajtur bashkë popullin e funksional Republikën, do thoshte Chabod tek “Idea e kombit”. Përdorimi i përbashkët i një gjuhe, përkatësia ndaj një tradite të përbashkët historike dhe kulturore, janë këto karakteret që përshkruajnë etnosin e një populli, duke formuar në terma hegelianë përmbajtjen “etike” të një komuniteti ose të një shteti. Patriotizmi është republikan pro Shqipëria ka de facto një Resprivata, një kastë që udhëheq vendin si plaçke private e qytetarët si bujkrobër.
Për Gellner nacionalizmi është një parim politik që synon koinçidencën mes unitetit kombëtar dhe unitetit politik. Kundër këtij konceptimi që barazon shtetin totalitar me kombin del studjuesi italian Rusconi duke kujtuar këtu nacionalizmin liberal anglez apo nacionalizmin republikan francez. Kundër Gellner dhe Hobsbawn del dhe Lunaro në fjalët e Kalamandrei, kur kujton se atdheu prodhon një sens afrimiteti dhe miqësie, që lejon që edhe dy individë edhe pse të panjohur apo të ndryshëm për edukim apo profesion të ndihen pjesë e diçkaje të përbashkët dhe solidare nga brenda tyre.
Edhe K. Kohn pohon se “kombi nuk është vetëm një grup njerëzish që qendrojnë bashkë mga një ndjejnjë e përbashkët por dhe një grup që kërkon ti realizojë formën më të lartë të oprganizimit si është një shtet sovran. Ndjenja e kombit ka nevojë për shtetin kombëtar dhe forcimi i shtetit kombëtar forcon dhe kombin.
Shqiptarët nuk e konsiderojnë veten popull universal për të dominuar të tjerët si e kanë gjermanët (shih Friedrich Meinecke) apo primati i gjermanëve si shprehej Fichte.
Ndjenja e kombit ndërtohet mbi këto baza objektive dhe subjektive, nga një anë ekzistenca e një pasurie të përbashkët të memorieve, nga ana tjetër vullneti për të mbajtur në këmbë këtë trashëgimi. Nëse do e qendisnim me fjalët e Renan: “kombi është pra një solidaritet i madh, krijuar nga ndjenja e sakrificave kryer dhe nga ato që duhet të kryejmë ende së bashku. Parashikon një të kaluar, por përmblidhet në të tashmen nëpërmjet një fakti të prekshëm: konsensusi, dëshira e shprehur qartë për të vazhduar të jetuari së bashku. Ekzistenca e një kombi është një plebishit i përditshëm. Ky është kombi”. Pra nevoja që të prodhohet përditë një konsensus i lirë dhe i përgjegjshëm për të qendruar së bashku kundër çdo instance despotike që ndrydh këtë autonomi të njeriut dhe vjedh dëshirën e tij për të kontribuar lirisht për komunitetin e tij. Vetëm kështu kombi rritet shëndetshëm brenda e nuk bëhet agresiv jashtë. Si do të thoshte Giuseppe Mazzini i cili kishte martuar idealin e atdheut me parimin e lirisë, të lirisë për atdheun e vet dhe lirinë për të gjithë atdhetë e tjerë si një botë me krijesa të lira, sepse “atdheu është shtëpia e Njeriut, jo e skllavit”
Nga këto reflektimi dalin dy konceptet e ndryshme për kombin. Një e tipit vullnetarist, bazuar mbi lirinë dhe konsensusin (eksperienca italiane dhe franceze) dhe një e tipit objektiv dhe natyror, si ajo e gjermanëve. Ishin antikët që arritën në fakt të realizonin një formë civilizimi origjinale e të ekuilibruar frymëzuar nga arritja e një rendi, apo realizimin e lumturive dhe respektin me civilizimet e tjera. Çdo popull meriton respekt dhe një vlerësim pa paragjykime, por që duhet kuptuar në një kontekst më të gjerë historik që shfaqet gjithmonë për të realizuar potencialitet e tija.
Ishte Herder që çoi në kërkimin e origjinës së idesë së kombit të cilën e gjeti tek rrënjët e gjuhës. Kjo ishte dhe rruga që ndoqën rilindasit shqiptarë, duke mos vënë fenë por gjuhën dhe historinë e përbashkët shqiptare në themel të kombit. Kujtojmë këtu thënien e Pashko Vasos, e cila u bë motoja e Rilindjes Kombëtare: “feja e shqiptarit është shqiptaria”
Gjuha nuk shihej thjesht si instrument i mendimit, por motor i vetë mendimit dhe çdo aktiviteti shpirtëror e material, si kishin kuptuar stoikët e mandej Witgenstein e të gjithë filozofët e gjuhës dhe komunikimit. Kombi “kulturor” herderian do transformohej në komb “politik” me Rousseau, i cili përmbledh thelbin në dimensionin e vullnetit të përgjithshëm, që është vullneti i veprimit që pasqyron e përfshin interesin e gjithë kolektivitetit, brenda së cilit të gjithë duhet të identifikohen. Kombi nuk është më vetëm ndjenjë, si tek Herder, në kërkim të literaturës, folklorit dhe zakoneve popullore, por transformohet në vullnet, në lëvizje për vetërealizim. Pra kombi ndalon së qenuri thjesht si ndjenjë për tu bërë vullnet; ndalon së projektuari vetëm në të kaluarën për tu projektuar përpara nesh në të ardhmen; ndalon së qenuri vetëm kujtim historik për tu transformuar në normë jete për të ardhmen.
Duke iu rikthyer dallimit mes idesë së atdheut dhe nacionalizmit, është i rëndësishëm kontributi i M.Viroli i cili në veprën “Per amore della patria. Patriottismo e nazionalismo nella storia” dallon prioritetin mes dy këtyre vlerave: për patriotin, vlerat kryesore janë Republika dhe të jetuarit në liri, që vetëm Republika mundëson; për nacionalistin, vlerat supreme janë uniteti dhe pastërtia shpirtërore e një populli”.
Kurse në fjalët e Montesquieu: virtyti politik është dashuria për atdheun ose dashuria për barazinë sepe atdheu i vërtetë është vetëm ai vend ku çdo gjithsecili është qytetar dhe pjesëmarrës në sovranitet. Duket kështu sikur përsërit idetë e Rousseau se: atdheu i vërtetë është nëna e përbashkët që bën pjesëmarrës qytetarët në “administrimin publik”.
Në këtë linjë dhe John Stuart Mill mbi kombin si ideale emancipimi dhe solidariteti social. Ekziston një dallim i thellë mes patriotizmit republikan dhe atij monarkik. Një dallim i tillë qëndron në faktin se për një republikan atdheu i vërtetë është ajo Republikë ku të gjithë mund të jetojnë si qytetarë të lirë, të barabartë para ligjit dhe të barabartë për të drejta politike; për një monarkist atdheu i vërtetë është edhe monarkia, ku një njeri i vetëm trashëgon të drejtën për të komanduar dhe të tjerët duhet të binden. Për një patriot republikan besnikëria është vetëm ndaj Kushtetutës dhe institucioneve të Republikës, ndërsa për një monarkist besnikëria drejtohet ndaj personit të mbretit dhe dinastisë.
Ja pse është e rrezikshme ri-qarkullimi i ideve pro monarkisë në këto kohëra të turbullta. Ardhja e Zogut në pushtet nga të huajt u shoqërua me cedime territoriale apo pasuritë kombëtare në duart e të huajve, duke shtypur shpirtin republikan dhe revolucionin iluminist të Fan Nolit. Eksperienca greke romake franceze italiane prej të cilave u frymëzuan dhe rilindasit tanë, refuzonin në mënyrë kategorike idenë e monarkisë për të mbështetur atë të republikës. Rrezik që po na kanoset tani sërish si shpëtim duke shpikur mbretër të vjetër apo të rinj.
Një tjetër kancer është shpërthimi i korrupsionit si magma që mban bashkë sistemin e kësaj kaste antikombëtare. Kujtojmë fjalët e Dorias: Politikanët falsë, besojnë se do të mund të mbajnë nënshtetasit të zbutur e do fitojnë simpatinë e tyre, duke përhapur korrupsionin dhe vese të tjera (kumari, krimi, degjenerimi etj). Klerikët e kastës besojnë mbi faktin se njerëzit dashurojnë veset dhe prandaj duhet ti inkurajojnë të jetojnë një jetë meskine, por harrojnë se me kalimin e kohës vesi dhe korrupsioni bëhen aq të padurueshëm sa populli ngrihet dhe djeg të gjallë ata që themeluan këtë ndërtesë horrori.
Duket sikur këto rreshta janë shkruar për historinë e Shqipërisë. Transformimi i nomenklaturës komuniste në oligarki kapitaliste, transformoi dhe sundimin me shartimin e shantazhimit të dosjeve të krimeve të komunizmit me dosjet mbi korrupsionin reciprok. Kjo arriti kulmin dhe u transformua në “shkencë” nga Fatos Nano, i cili majmosi dhe shtoi oligarkët në dëm të ekonomisë, territorit që u shkatërruan nga babëzia e një kaste barbare. Ja pse shqiptarët kujtojnë periudhën e Nanos si “kohëra të arta” duke u mbjellë një kulturë parazitare e shkatërrimtare për kombin. Por dhe pse fillimi i demokracisë u shoqërua me nxjerrjen në krye të disa njerëzve pozitivë nga ana e PD, personalizimi dhe sulltanizimi i partisë zëvendësoi raportet demokratike me ato të besnikërisë dhe nënshtrimit ndaj “shefit të ri” të vjetër. Si pasojë shumë prej intelektualëve që iu bashkuan PD, filluan të largoheshin duke rikthyer partinë në moçal me injorantë mediokër hajdutë e oportunistë. Të njëjtën gjë dhe PS ku solidariteti mbahej mbi një superioritet trashëguar nga lidhjet me ish-sistemin. Të dyja partitë, pavarësisht aparencës, paraqisnin të njëjtën mënyrë funksionimi antidemokratik, antipopullor e antikombëtar. Kjo do dukej qartë në dakordësinë mbi të njëjta politika që u ndoqën ndër vite: deindustralizmin e vendit, goditjen ndaj ekonomisë së prodhimit, privatizimet e pasurive publike dhe dorëzimin e sektorëve strategjikë të huajve, transformimi në koloni importi, krijimin e një oligarkie e monopolesh importi, kontrolli i plotë i shtetit nga një kastë, pilotimi i zgjedhjeve, votës dhe vullnetit të popullit, kontrolli i medias dhe informacionit në vend, rritja e borxhit publik dhe taksave, krijimi i papunësisë strukturore, rroga mjerane dhe detyrimi për emigrim të shqiptarëve, administratë militante, presione, shantazhe dhe gjoba për çdo biznes që guxonte të dilte jashtë rreshtit.
Në ndihmë për reflektim vjen dhe mendimi i Renan mbi kombin: Një aspekt është të pasurit një trashëgimi përkujtimore, aspekti tjetër është konsensusi aktual, dëshira për të jetuar së bashku, vullneti për të vazhduar duke afirmuar së bashku këtë trashëgimi të krijuar ndër breza. Kombi – pohon Renan – është frymë, një parim shpirtëror. Vetëdijësimi kombëtar krijohet mbi këto baza, njëkohësisht objektive dhe subjektive, nga një anë ekzistenca e një pasurie të përbashkët me memorie, kurse tjetra është një vullnet i qartë për të mbajtur këtë trashëgimi. E në fund vjen përkufizimi propozuar nga Renan: “kombi është pra një solidaritet i gjerë, formuar nga ndjenja e sakrificës së kryer dhe nga ata që janë gati ti ribëjnë ato së bashku. Nënkupton një të kaluar, por që përmblidhet në të tashmen nëpërmjet një fakti të prekshëm: konsensusi, dëshira shprehur qartë për të vazhduar për të jetuar së bashku. Ekzistenca e një kombi është pra një plebishit i çdo dite, si ekzistenca e individit është një pohim i përhershëm i vetë jetës. Sot ekzistenca e kombeve është një gjë e mirë, madhe një domosdoshmëri. Ekzistenca e tyre është një garanci për lirinë, që nëse do të humbej nëse bota do të kishte vetëm një ligj dhe vetëm një padron. Fjalë që kujtojnë filozofinë e Kant mbi kombet, popujt dhe Evropën tek traktati mbi paqen.
Duke vijuar me mendimin e një tjetri filozofi si F.Meinecke, (Kozmopolitizmi dhe shteti kombëtar) duke dalluar dy grupe të mëdha, duke ndarë kombet në a)kombe kulturore e b)kombe territoriale, pra kombe të themeluara mbi një posedim kulturor fituar me sforcim të përbashkët dhe kombe që bazohen mbi një virtyt unifikues nga një histori e legjislacion i përbashkët. Gjuha, literatura, besimi i përbashkët janë posedimet kulturore më të rëndësishme, falë të cilave një komb mund të ngrihet e çimentohet. Meinecke, diskuton dhe metaforën e famshme të Renan se kombi është plebishit i përditshëm, duke shtuar se këto aspirata lindën me shpirtin e Revolucionit Francez të 1789, nga ideja e vetëvendosjes dhe sovranitetit të kombit, nga ideja pra e një Kombi Territorial që dëshiron të ketë Kushtetutën e vet, dhe të marrë në dorë fatet e politikës së vet. Vullneti faktik për tu bërë komb filloi me francezët e më vonë përfshiu dhe gjermanët apo italianët duke krijuar këto kombe të mëdha në Evropë.
Kontribut iluminist mbi kombin ka dhënë gjithashtu dhe Mazzini. Ideja e fjalës “komb” është lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me idenë e lirive civile dhe integrimin e një Evrope me popuj të lirë (jo degradim të popujve e sundim të elitave si sot). Atdheu për Mazzini është një bashkësi i njerëzve të lirë e të barabartë bashkuar paqësisht për një qëllim të njëjtë. Pra atdheu nuk është tufëzim por komunitet. Nuk ka atdhe aty ku uniformiteti i kësaj të drejte dhunohet nga ekzistenca e kastave, privilegjeve dhe pabarazive. Atdheu nuk është një territor: territori nuk është veçse baza. Atdheu është ideja që lind mbi këtë territor: është mendimi i dashurisë, ideja e unitetit që mban bashkë të gjithë në atë territor. Kjo duhet të ndodhë përpara se një komb vendos të hyjnë në lidhje me kombet e tjera që formojnë njerëzimin botëror. E kishin kuptuar dhe rilindësit tanë se pa organizim politik shqiptaria zbehet e shuhet si ka ndodhur me ata shqiptarë mbetur në trojet e vendeve fqinjë. Gjeopolitika nuk bëhet në hava, por lidhur me pozicionin gjeografik që ka vendi e nga ata që rrethohemi.
Frantz Fanon, tek vepra “të mallkuarit e truallit” pohon se: “Kombi nuk është vetëm konditë për kulturën, eferveshencën e saj, rinovimit të vazhdueshëm të sajën, thellimin e saj. Është dhe nevojë. Është mbi të gjitha betejë për mbijetesën kombëtare për të zhbllokuar ekonominë, kulturën, për të hapur dyert krijimtarisë e begatisë.
Për këtë arsye, atdheu i njerëzve të lirë lind kur vdes atdheu i monarkisë dhe oligarkisë apo regjimeve despotike. Si ka shpjeguar në mënyrë magjistrale Piero Calamandrei disa ditë pas rënies së fashizmit: “ndjenja që na përshkoi këtë ditë mund të përmblidhet pa retorikë në këtë fraze: rigjetëm atdheun”.
Patriotizmi civil është i papajtueshëm më forma institucionale monarkike e oligarkike. Edhe Rusconi dhe të tjerë, do të gjykojnë një tezë të republikanizmit intransigjentë duke refuzuar nacionalizmin të elitave financiare, monarkisë apo oligarkisë. Rusconi pranon se për të pasur qytetarë të mirë, nuk ka nevojë aspak për të forcuar unitetin fetar por ngritur kulturën dhe memorien e përbashkët patriotike. Edhe Gjergj Kastrioti dhe Hamzai, edhe Ismail Qemali dhe Esat Pashë Toptani, ishin shqiptarë dhe flisnin shqip, por kishin parime politike dhe morale të papajtueshme.
Nazionalizmi – shkruante George Orwell – nuk duhet të ngatërrohet me patriotizmin sepse përshkruajnë dy ide të kundërta. Për “patriotizëm” unë kuptoj devotshmërinë për një truall të caktuar dhe një mënyrë të jetuari që konsiderohet më e mira në botë, por pa dashur që këtë t’ia imponoj botës. Patriotizmi për natyrën e tij, është difensiv, qoftë ushtarakisht ashtu dhe kulturalisht. Kurse nacionalizmi, nuk mund të ndahet nga dëshira për dominim, jashtë dhe brenda. Ja përse nacionalizmi shtohet atje ku struktura e një shteti nuk është demokratike por elitiste, monarkike apo oligarkike, duke mbytur dhe pluralizmin e individualizmit shumërformësh brenda.
Konsiderata të ngjashme vlejnë dhe për dallimin propozuar nga Karl Deutsch. Patriotizmi është një sforcim për të promovuar interesat e të gjithë personave që kanë lindur dhe jetojnë në të njëjtin atdhe, ndërsa nacionalizmi synon të promovoj interesat e një grupi ose dinastie që sundon një territor të caktuar. Në këtë mënyrë del që nacionalizmi ndryshe nga patriotizmi, është patologji e një ndjenje natyrale e humane, që popujt kanë krijuar në rrugëtimin historik të tyre.
Në të njëjtin mendim shkon dhe Anderson që e analizon kombin nga aspekti antropologjik dhe e lidh me “dashurinë” që ai zgjon mes njerëzve të ngjashëm, që kanë të njëjtën gjuhë, e orienton pasione të përbashkëta. Prandaj dhe detyrimi që kemi ndaj atdheut është në radhë të parë ai për të mbrojtur lirinë tonë të përbashkët. Nga ky detyrim për lirinë na rrjedh dhe detyrimi, që nëse vendi është i pushtuar nga sundues të brendshëm apo të jashtëm, ta çlirojmë e jo të gjejmë lirinë në një vend tjetër. Në çdo vend tjetër mund të shijojmë porcione të lirive civile e politike, por nuk do jetojmë kurrë të lirë sipas kulturës sonë natyrore.
Të jesh patriot – vazhdon Anderson – do të thotë të luftojmë kundër cilido që përpiqet të vërë interesat personalë mbi ato komunitarë. Kombe të tillë implodojnë nga brenda, prandaj duhet që çdo interes individual duhet të harmonizohet me atë të përbashkët, si qeliza e shëndetshme brenda një trupi të shëndetshëm. Qeliza nuk lufton kundër trupit por as trupi kundër qelizës, si bën psh. regjimet autoritare duke zhdukur liritë personale e pronën private. Pra harmonizim e gjetje të ekuilibrit.
Për Makiavelin, dashuria për atdheun afron qytetarët mes tyre dhe i bën të konsiderojnë të mirat e përbashkëta si më të rëndësishme se ato që ai posedon individualisht.
Zoti – thonin Baballarët e Kishës – do Republikën dhe komunitetet civile dhe ai do trajtojë me dhimbsuri të gjithë ata që sakrifikojnë shpirtin për atdheun. Edhe Voltaire, në Dictionnaire philosophique, asimilon atdheun me Republikën. Atdheu – shkruan Voltaire – është një bashkim i familjeve të ndryshme, dhe individët provojnë për atdheun një afrim të tillë që ndjejnë dhe për familjen e vet. Në një atdhe të vërtetë e të drejtë, interesi i qytetarëve përkon me interesin e përgjithshëm të Republikës.
Si përfundim mund të themi, se rikuperimi i idesë të kombit si ndjenjë dhe projekt konkret (shteti komb dhe ekonomia kombëtare prodhimi) mbetet sot, ashtu si para një shekulli, prioriteti absolut i popullit shqiptar për të dalë nga gjendja e mjerueshme shpirtërore dhe materiale. Por kjo ide duhet të jetë fiziologjike – ashtu si rilindasit kërkonin – dhe jo patologjike, pra patriotizëm e jo nacionalizëm, demokraci e jo oligarki, Republikë e jo monarki. Besoj fuqishëm se ky është dhe drejtimi, ku duhet të drejtohen energjitë intelektuale e materiale të shqiptarëve, ashtu sikundër ky kontribut modest tentoi ta ilustronte me mendimin rilindas shqiptar dhe atë iluminist evropian.