SHKRUAN: Bledi KASMI
Dy ngjarje të ndodhura dje brenda një harku kohor të shkurtër kanë risjellë në vëmendje të opinionit mënyrën se si pushteti po përgatit skenarët për të reaguar ndaj protestës të së shtunës. Paniku i ka bërë të humbin arsyen dhe i janë rikthyer provokimeve të ngjashme me ato që përdorte diktatura, ndërsa po jepte shpirt. Ramiz Alia kur pa se bustet e diktatorit po rrëzoheshin në çdo qytet shpiku antimitingjet me shoqatat e “Vullnetarëve të Enverit”. Synimi i tyre ishte për të treguar forcë në një shoqëri të traumatizuar dhe rezistencë, ndërsa regjimi i kishte orët e numëruara. Ndonëse asnjë bust i rrëzuar nuk arriti të rivendosej në Tiranë, Shkodër, Kavajë dhe qytete të tjera, antimitingjet mbetën në kujtesën e shoqërisë si simboli i mjeteve që përdor një regjim kur është në prag të rrëzimit.
Kjo ka ndodhur dje në miniaturë në Kavajë. Kryetari i opozitës dhe qytetarët rrëzuan në mënyrë simbolike në qendër të qytetit “bustin” e rremë të krimit të përdhunuesit të Kavajës. Po aty ku u rrëzua me pështyma ai bust, u shfaq edhe një vullnetar i Ramës, i cili protestoi duke bërtitur dhe duke thënë të njëjtat fjali që dikur thuheshin për diktatorin nga vullnetarët e Enverit. “Nuk e shikoni sa punë ka bërë ai?” Kaq mjaftoi që antimitingu i një njeriu të vetëm të kthehej në shesh rrahje për viktimën. Sa shumë vullnetarë dhe mercenarë të krimit po kërkon Rama të rreshtojë në mbrojtje të tij, ndërsa i ka orët e numëruara. Po dje, një organizatë kriminale me emrin “Hakmarrja për Drejtësi” është shpallur e pafajshme. Burgjet po hapen dhe kriminelët po lirohen për t’u kthyer në një armatë zgjedhore. Burgjet hapen atëhere kur shteti bie, dhe në këtë vend shteti ka rënë. Shoqëria po provokohet nga krimi, ndërsa rendi kushtetues është vënë në pikëpyetje.
Protesta e shqiptarëve të shtunën do të jetë më e madhja që ka parë ndonjëherë ky vend. Zemërimi dhe revolta është në prag të shpërthimit, por synimi i opozitës dhe shoqërisë është dhe mbetet vetëm politik; garantimi i zgjedhjeve të lira. Përmes ngjarjeve të djeshme të provokimit në Kavajë dhe të lirimit të terroristëve të “Hakmarrjes për Drejtësi”, Rama po tregon se atij i intereson një skenar tjetër. Rama është një këlysh i bllokut, etërit e të cilit përgatitën 2 prillin e Shkodrës. Kjo nuk duhet harruar. Ai i përket të njëjtit laborator ku përgatiten krime. Ai mund të jetë i gatshëm që t’i verë flakën Kryeministrisë të shtunën përmes bandave të tij njëlloj si Ramiz Alia i vuri flakën Komitetit të Partisë në Shkodër për të reaguar më pas brutalisht ndaj protestuesve paqësorë duke futur vendin në kaos. Një i mbytur po kërkon të mbysë gjithë vendin. Kështu ndodhi më herët edhe me bombën në ambasadën sovjetike. Historia është aty për të na treguar se ajo nuk duhet harruar dhe se skenarët e këtyre monstrave të krimit duhet të diskretitohen, duke parapërgatitur opinionin në mënyrë që të parandalohen. Rama është sot një kufomë politike njëlloj si Ramiz Alia i masakrës së 2 prillit. Ai do të ikë. Kjo është e pashmangshme, por çdo skenar provokimi në protestën e opozitës do të ketë vetëm një përgjegjës dhe ai do të jetë kreu i organizatës kriminale.
Kujdes Edvin! As mercenarët e krimit që ke nxjerrë nga burgjet nuk të shpëtojnë dot dhe as skenarët perversë ogurzinj me provokime të protestuesve.