PROJEKTREZOLUTA E LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

Nisur nga situata e re e pasigurisë globale e krijuar nga ndërhyrja luftarake e paprecedent e Rusisë në Ukrainë, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar sot në Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, propozim-rezolutën për diskutim me Grupet e tjera Parlamentare, lidhur me dënimin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe rrezikimin e sigurisë globale, si dhe në koordinim me aleatët perëndimorë për vendosje të sanksioneve ndaj Rusisë dhe për aplikimin për anëtarësim të Kosovës në NATO dhe BE.

LDK kërkon mbledhjen me urgjencë të Grupeve Parlamentare, me qëllim të ndërmarrjes së hapave të nevojshëm në afat sa më të shpejtë kohor; dhe miratimin e rezolutës këtë të enjte, me pikat e propozuara si në vijim:

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës e dënon aktin e paprecedent të ndërhyrjes ushtarake të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, veprim ky i paprovokuar dhe në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare që garantojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve të pavarura.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës renditet krahas aleatëve perëndimorë në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj.

3. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme politike dhe kushtetuese për zbatimin e sanksioneve të njëjta ndaj Federatës Ruse sikurse që kanë vepruar vendet aleate perëndimore dhe të koordinohet me ta në të gjitha veprimet e mëtutjeshme në këtë drejtim, përfshirë marrjen e obligimit për strehim eventual të refugjatëve dhe kontributin në ndihmat humanitare për popullin e Ukrainës.

4. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës të ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim të Republikës së Kosovë në NATO dhe BE.

5. Kuvendi i Republikës së Kosovës i bën thirrje NATO-s dhe BE-së të shqyrtojnë kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

6. Kuvendi i Republikës së Kosovës u bënë thirrje vendeve të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, ta ndërmarrin sa më parë këtë akt politik në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe BE.

7. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë të Republikës të Kosovës që, në konsultim me misionin e NATO-s në Kosovë, të rishikoj dhe shkurtoj afatet e parapara në planin 10-vjeçar të vitit 2018 për avancimin e FSK-së në ushtri të rregullt, përfshirë këtu edhe sigurimin e mbështetjes financiare të nevojshme për këtë qëllim.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top