Programi politik e kombëtar i Dr. Ibrahim Rugovës të jetë themel i mendimit tonë politik !

SHKRUAR NGA BESIM KRASNIQI

Si njeri intelektual, si ish – i burgosur politik i viteve të 90-ta, si krijues publicistik e analitik dhe i angazhuar politikisht në mënyrë publike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, gjithnjë në bazë të përcaktimeve politike të shumicës së popullit shqiptar të Kosovës, pa pretendime për ndonjë post politik në çfarëdo instance të organizimit institucional të shtetit të Kosovës apo të ndonjë subjekti politik, dhe duke qenë vazhdimisht i preokupuar me rrjedhat politike para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, opinionit tonë të brendshëm dhe të jashtëm, nëpërmes publikimeve të mia, i kam ofruar pikëpamjet e mia politike, për t’i kontribuar drejtë organizimit politik të shqiptarëve në përgjithësi, për realizimin e një qëllimi të përbashkët të shqiptarëve të Kosovës, që siç dihet tashmë është Pavarësia e Kosovës!

Në këtë kontekst, tendencave të ndryshme manipuluese me opinionin tonë të brendshëm dhe të jashtëm të disa individëve të specializuar për propagandë dhe agjitacion si dhe të disa grupeve politiko-ushtarake rreth statusit politik të Kosovës rrespektivisht rreth ardhmërisë politike të shqiptarëve në trojet e veta etnike mendoj se atyre duhet:

– (ri)përsëritur pozicionin politik të dr.Ibrahim Rugovës dhe LDK-së, emra këto me të cilat po shërbehen keqas individë dhe grupe të lartëpërmendura për interesa të ngushta vetiake dhe grupore, e që në fakt nuk kanë për qëllim mbështetjen e interesave politike të qytetarëve shqiptarë të Kosovës dhe trojeve tjera etnike;
– (ri)kristalizuar shkaktarët e armiqësisë së UÇK-së me dr.Rugovën dhe LDK-në;

– (ri)qartësuar pozitën e vështirë të LDK-së në të cilën po e vejnë qarqe të ndryshme individësh dhe grupe ilegale ekstremiste në rrugën e saj drejt realizimit të programit të saj politik;

– si dhe duhet shprehur interesat e armiqve të Kosovës në dështimin e filosofisë politike të dr.Rugovës dhe LDK-së drejt pavarësisë së Kosovës.

LDK-ja i dha Kosovës identitet politik

Themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe zgjedhja e njërit ndër intelektualët e guximshëm të kohës, dr.Ibrahim Rugovës për kryetar të saj, për të gjithë qytetarët e Kosovës së robëruar dhe të shkelur ka qenë akti i parë historik drejt realizimit praktik të programit politik të shqiptarëve të Kosovës për çlirim dhe mëvetësim të Kosovës nga okupimi qindravjeçar serbosllav. Pra, ky akt historik është edhe i ashtuquajturi “fati historik”, i cili i priu shqiptarëve të Kosovës drejt faktorizimit politik të shqiptarëve të Kosovës në instancat më të larta ndërkombëtare dhe daljes së emrit të Kosovës nga anonimiteti i pafund, ku e kishte futur politika margjinalizuese e antishqiptare e jugoserbisë titiste e millosheviqjane!

E veçanta e këtij “fati historik” të shqiptarëve të Kosovës është se përkundër ekzistimit të shtetit zyrtar shqiptar “nënës Shqipëri” dhe propagandës trilluese e trumbetuese për kinse interesimin e Tiranës zyrtare për vuajtjet e “vëllezërve të Kosovës”, tragjedia, dezintegrimi dhe sakrifikimi i shqiptarëve të Kosovës nuk kishte të ndalur, prandaj edhe themelimi i LDK-së gjeti mbështetjen e shqiptarëve anembanë Kosovës si një lëvizje më e rëndësishme politike e shqiptarëve që nga periudha e Lidhjes së Prizrenit e këndej.
Në anën tjetër, programi i prezentuar politik i LDK-së në kohërat më kritike, i përpiluar nga intelektualët shqiptarë të kohës, kuptohet nën patronatin e dr.Ibrahim Rugovës, ishte program i tillë politik që përputhej decidivisht me vullnetin e shqiptarëve të Kosovës për çlirim dhe ndarje përfundimtare nga shteti artificial jugoserb, dhe se ishte program kombëtar i cili pavarësinë e Kosovës haptazi e vinte në rend të parë, si zgjidhje e cila do t’i kënaqte synimet politike të qytetarëve të Kosovës pas më se tetëdhjetë vite të rënda e plot sakrifica.

Ky program politik e nacionalist është edhe themeli i mendimit politik të shumicës së shqiptarëve të Kosovës, dhe kjo argumentohet me vetë faktin se të gjitha subjektet politike shqiptare në Kosovë pavarësinë e Kosovës e proklamojnë si pika më esenciale e programeve të tyre partiako-politike, edhe pse shumë nga këto subjekte politike opcionin për pavarësinë e Kosovës e përdorin si “alibi” për të mbijetuar në skenën e pluralizmit politik të Kosovës.
Në fund të fundit, cili shqiptar i Kosovës do të pranonte të anëtarësohej në ndonjë parti tjetër politike, nëse ajo parti politike nuk e parasheh pavarësinë e Kosovës si zgjidhje të vetme e të drejtë politike për Kosovën!?

Nuk do të shfrytëzojmë kohën këtu duke i përmenduar meritat politike të LDK-së dhe të dr.Ibrahim Rugovës (edhe pse ndoshta do të duhej ripërsëritur ato merita për hir të disa “harrestarëve” të taborreve tjera politike), por janë pikërisht veprimtarët e LDK-së anembanë botës dhe kryetari i Kosovës dr.Ibrahim Rugova të cilët në mënyrën më dinjitoze artikuluan vullnetin tonë politik brenda kancelarive të politikanëve më të njohur dhe më të fuqishëm të politikës ndërkombëtare, e që në fjalorin politik kjo quhet internacionalizim i çështjes së Kosovës, rëndësinë e së cilës po tentojnë ta zhvlerësojnë kundërshtarët politik të LDK-së për hesape të veta politike.
Me internacionalizimin e çështjes së Kosovës fillon edhe njohja e bashkësisë ndërkombëtare me identitetin politik të Kosovës, identitet ky i humbur nëpër peirudha të rënda kohore për shqiptarët.

Dr.Ibrahim Rugova dhe LDK-ja mbetën edhe sot e kësaj dite sinonim i një politike të urtë, të mençur, largpamëse dhe kombëtare, me të cilën i janë kundërvënë represionit dhe dhunës serbe, pa e përjashtuar asnjëherë mundësinë për rezistencë aktive, por një mundësi e cila nuk është proklamuar asnjëherë publikisht, sepse vetë përcaktimi i LDK-së ishte për një politikë aktive në kuadër të instancave të larta të bashkësisë ndërkombëtare dhe kjo politikë e “butë” apo siç kanë dëshirë ta quajnë kundërshtarët e LDK-së “politikë pacifiste”, afronte qendrat ndërkombëtare të vendosjes politike pranë “çështjes së Kosovës”!

Ndërsa, sa i përket përgaditjeve dhe organizimit të rezistencës së armatosur nga ana e LDK-së, do të ishte më e udhës të flasin e të shkruajnë publikisht ata që ishin në kuadër të këtyre organizimeve siç ishin Bujar Bukoshi, Rexhep Gjergji, Anton Kolaj, Jonuz Tërstena, Sheremet Ahmeti, Hajzer Hajzeri, Hafiz Gagica dhe shumë bashkëpuntorë dhe figura tjera politike të LDK-së, në mënyrë që të mos i jepet rasti propagandës majtiste të kritikojë LDK-në me terma bajate sikurse ky për “politikën pacifiste” të LDK-së rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës!

Taborri LPK-ist armiqësoi UÇK-në me LDK-në

Kundërshtari më destruktiv i politikës së dr.Ibrahim Rugovës dhe i LDK-së gjatë tërë periudhës së ekzistimit të LDK-së si subjekt politik i shqiptarëve, brenda dhe jashtë Kosovës u tregua LPK-ja (Lëvizja Popullore e Kosovës), ish-LPRK (Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës), e cila programin e saj politik e mbështeste tek krijimi i Republikës së Kosovës dhe bashkimi i saj me Shqipërinë, por që në fakt, për shkak të ideologjisë enveriste e staliniste të cilën e shprehnin me pankarta dhe fotografi të postulateve të kësaj ideologjie antidemokratike, protestat e tyre nuk nëpër rrugët e shteteve të perëndimit nuk gjetën përkrahjen e qendrave të vendosjes, kështu që edhe efekti i kësaj “veprimtarie” të LPK-së në perëndim le që nuk shkonte në dobi por edhe i bënte dëm çështjes së Kosovës, sepse diplomacia ndërkombëtare nuk e dëshironte edhe një “republikë komuniste” në Ballkan.

LPK-ja tashmë e margjinalizuar nga programi politik dhe veprimtaria aktive politike e LDK-së, e cila vepronte politikisht në Kosovë (më vonë edhe jashtë Kosovës), sikur e harroi Serbinë si shkaktare e dhunës dhe terrorit kundër shqiptarëve dhe iu kthye luftës politike kundër LDK-së dhe liderit të saj dr.Rugovës, i cili ishte njëkohësisht njihej edhe si lider i mbarë shqiptarëve të Kosovës nga shqiptarët e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.
Loja e LPK-së dhe simotrave të saja me emrat e lavdishëm të dëshmorëve të Kosovës dhe keqpërdorimi i emrave të tyre për t’a përfocuar imazhin e partisë së caktuar politike apo të liderëve të caktuar politik duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë, sepse asnjë shqiptar nuk i beson më atyre që tentojnë të ngrisin karrierën e tyre politike shumë shpejt dhe në mënyrë jodinjitoze. Aty edhe filloi armiqësia e imponuar e UÇK-së me LDK-në dhe kreun e saj politik, qëllim ky i paraparë me kohë nga LPK-ja e margjinalizuar.

Pastaj, ambiciet e LPK-së për monopol politik dhe pushtet absolut si dhe përfaqsimi i interesave antikombëtare të zyrtarëve të Tiranës nëpërmes saj, janë faktorët primar që ndikuan në armiqësimin e LDK-së dhe të dr.Rugovës me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një pjesë e së cilës fatkeqësisht udhëhiqej nga eksponentë të lartë të LPK-së, të lidhur ngushtë me “Sigurimin” (anti)shqiptar. “Sigurimi” dhe politika e Tiranës zyrtare e 97-tës i dha përkrahje të plotë LPK-së në reklamimin e saj para opinionit si “Shtab i UÇK-së” dhe në luftë kundër politikës së dr.Rugovës dhe LDK-së, duke i eliminuar edhe fizikisht pikërisht ato figura politiko-ushtarake të UÇK-së që nuk i takonin LPK-së dhe ideologjisë enveriste, por që përfaqsonin interesat e popullit shqiptar të Kosovës brenda UÇK-së.

Viktimë e kësaj lufte politike plotësisht absurde padyshim është edhe koloneli Ahmet Krasniqi, i emëruar nga Bujar Bukoshi si Komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, vrasje kjo akoma e pasqaruar nga ana e drejtësisë shqiptare. Ndërsa pallavrave majtiste se kinse “LDK nuk e përkrahu UÇK-në dhe luftën” duhet përkujtuar se sot na bie të dëgjojmë dhe të lexojmë se “UÇK-ja ka dalur nga gjiri i popullit”, atëherë dihet se edhe shumica e popullit shqiptar të Kosovës e ka votuar Lidhjen Demokratike të Kosovës në të gjitha zgjedhjet e lira, andaj edhe mund të shprehemi lirisht se LDK-ja e ka përkrahur më së shumti UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare, por ishin struktura të caktuara politike që e futën përçarjen në mes!

Dr.Rugova dhe LDK-ja si “fajtorë kujdestarë”

Pas çlirimit të Kosovës, përveq goditjeve të brendshme që kishte LDK-ja, sikurse ishte rasti i largimit të nxituar të Bujar Bukoshit (ky edhe ashtu politikisht i harxhuar) nga kjo parti politike, LPK-ja “revolucionare” nëpërmes “degëve” të saja politike, të cilat i formoi në mbarë territorin e Kosovës, e që sot ato “degë” politike njihen si “parti të dala nga lufta”, me një intensitet më të shtuar vazhdon aktivitetin e saj anti-Rugovë dhe anti-LDK, duke i krijuar procesit të pavarësimit pengesë pas pengese.

Si rezultat i këtij aktiviteti antikombëtar, dr.Rugova dhe LDK-ja (edhe në liri) i humbi aktivistët e saj të devotshëm për pavarësinë e Kosovës sikurse që ishin Haki Ymeri, Ismet Rraci, Ukë Bytyçi, Smajl Hajdaraj, Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Shaban Manaj, Tahir Zemaj, Hasan Zemaj, Azem Delia e shumë aktivistë tjerë politik, por edhe përkrahës të së djathtës shqiptare siç ishin Bekim Kastrati, Besim Dajaku etj. Ndërsa, në kuadër të veprimeve politike, LDK-ja po sfidohet me opsione politike që janë në kundërshtim me të gjitha aktet historike të krijuara me gjak, sikurse janë “Ballkania”, “Shpallja e pavarësisë për herë të dytë”, “Unioni i Kosovë-Shqipëri”, pastaj “Moratoriumi i Pavarësisë së Kosovës” etj. fenomene këto që zbulojnë para opinionit fytyrën e vërtetë “të degëve” të LPK-së, degë këto me emra të modifikuar demagogjikë dhe që tregojnë për faktin se disa parti politike nuk kanë “Program politik kombëtar” por veprojnë sipas sygjerimeve të Tiranës zyrtare dhe sipas tekeve lideriste të liderëve të tyre partiak. Kjo tregon edhe mjerimin adoleshent të liderëve partiak, për mossuksesin e të cilëve dr.Rugova dhe LDK-ja janë “fajtorë kujdestarë”!

Andaj, si përfundim, duhet theksuar se është më se e qartë se duke i bërë dr.Rugovës dhe LDK-së “luftë të pakompromis” politike në emër të kinse “pluralizmit politik”, pa zgjedhur forma dhe mjete dhe pa menduar fare mbi barrën e përgjegjësisë historike që bart me vete kjo luftë e shpallur politike, e gjithë kjo shkon në harmoni të plotë me interesat e skenarëve antishqiptarë dhe kundër homogjenizimit të klasës politike të Kosovës në drejtimin politik në të cilin janë nisur, kush më herët e kush më vonë.

Kosova ka nevojë si kurrë për lirinë e mendimit, për shumësi mendimesh, për platforma të shumëllojshme politike, për pluralizmin politik, por asnjë nga ato nuk guxojnë të bien ndesh me “Programin Kombëtar” të filosofisë politike të dr.Rugovës dhe LDK-së, program ky i përgjakur me gjakun e ideatorëve të tij si Fehmi Agani, Adem dhe Hamëz Jashari, Latif Berisha, Gazmend Zajmi, Bajram Kelmendit, Ismet Rracit, Haki Ymerit, Sali Çekut, Ukë Bytyçit, Smajl Hajdarajt si dhe me sakrificat e pashembullta të dr.Ibrahim Rugovës, Mark Krasniqit, Idriz Ajetit, Alush Gashit, Kolë Berishës, Eqrem Kryeziut, Nekibe Kelmendit, Sabri Hamitit, Fadil Kryeziut, Fadil Feratit, Faruk Spahisë, Adem Salihajt, Aqif Shehut, Hysen Gërvallës, Hafiz Gagicës, Donika Gërvallës etj., por secili program i ri politik do të duhet t’a ndihmojë përshpejtimin e procesit të pavarësimit të Kosovës, duke mos rënë në kundërshtim me principet themelore të këtij synimi politik, në mënyrë që në momentin e duhur politik (kjo padyshim varet nga rrethanat e ndryshme politike) të mos dështon ky finalizimi i njohjes së pavarësisë së Kosovës mu për shkak të karrierizmit, liderizmit, inateve partiake që vijnë nga prapaskenat e organizuara antishqiptare.

Në këtë kontekst, nga individë dhe grupe të reja e të vjetra politiko-ushtarake shpresojmë të vetëdijësohen sa më parë dhe t’i bashkangjiten karvanit të pandalshëm dhe të pandërprerë të pavarësisë së Kosovës, sepse nomenklatura politike të cilën e përkrahin ata, ka mbetur peng i “baballarëve” ideologjik dhe i bindjeve të stërvjetruara e kontradiktore kundruall vullnetit të lirë politik të popullit shqiptar të Kosovës.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top