Shkruan: Edison YPI
Natën kur çausheskun dhe bushtrën e tij të dy mbytur në gjak i hodhën si qen mbi një beton, Ilir Strazimiri shqiptoi një Profeci.
Profecinë e Ilir Strazimirit se si mund të ndreqet Shqipëria unë desha ta përhap. Por s’munda. S’më lanë rradhë lukunia e zagarëve që j’u vërsulën partive.
Profecia e Ilir Strazimirit mu kujtua këto ditë kur ju zorraxhinj që vidhni, ju halabakë që hiqeni për patriota, ju plehra që filmoni intimitetet e njëritjetrit, ju gazetarë që e ktheni diskun sa herë j’u hedhin ndonjë kockë, j’u ka ngecur sharra, po kuptoni se kështu nuk mund të vazhdohet, dhe duke mos ditur nga t’ja mbani keni nisur të kërkoni, jo atë që do ishte më e mira, një rrugëzgjidhje për të gjithë, por një rrugëdalje për vete.
Profecia e Ilir Strazimirit, që lidhet pikërish me një rrugë, e ka brenda edhe rrugëzgjidhjen për rehatimin e miletit, edhe rrugëdaljen tuaj nga labirintet kriminale ku jeni futur e s’po dini se si të dilni.
Profeti Ilir Strazimirit tha;
“Bëjeni Rrugën e Saraçve si ka qënë para kolerës komuniste. Kthejani rrugës magjike gjakun, jetën, njerzillëkun. Nëse Rrugën e Saraçve do ta ktheni ekzakt si ishte, gjithçka do ndryshojë për mirë. Përndryshe, pra nëse Rrugën e Saraçve nuk do ta ktheni si ka qënë, në këtë vend nuk ka për të ndryshuar asgjë, shqiptarët do vazhdojnë të vidhen e të vriten e të fukarallepsen pafundësisht në jetë të jetëve. Fillojeni nga ana e Selvisë, ku ka qenë një vilë që më vonë e bëtë vend torturash. Nëse pas pak mbi vendin ku ka qënë vila do ndërtojnë një grataciel, shembeni gratacielin pa ju dridhur qerpiku. Pastaj vazhdoni në drejtim të pazarit të ri. Hidhini në tokë pallatet ku kurvi strehoi spiunat që i solli nga Gjirokastra dhe Labëria për të përçarë banoret e urtë të rrugës së magjishme. Shkatërroni me kazëm dhe digjni me acid çdo gjurmë të çdo mbishkrimi apo slogani që mund të ketë mbetur nëpër mure dhe zgëqe. Ftojini për bashkëpunim në këtë ristrukturim madhështor arkitektët më në zë; Petraq Kolevica, Maks Velo, si dhe dy artanët Shkreli dhe Lame që janë qeflinj vjetërsirash dhe kanë foto të kohës. Rivendosini samarxhinjtë, teneqexhinjtë, këpucarët, argjendarët, sahatçinjtë, jorganxhinjtë, dhe krejt zejtarët e tjerë, saktësisht ku kanë qënë. Rindërtoni shtëpitë, rrugicat, avllitë. Kujdesuni veçanërisht për shtëpinë e të madhit Osmon Saraçi dhe të tjerat shtëpi të nderuara. Ristrukturoni kalldrëmin e rrugës së lavdishme me gurë origjinalë, dhe ktheni gjithçka tjetër në vendin e vet të natyrshëm, autentik, autokton”.
Kaq tha profeti, dhe heshti.
Realizojeni Profecinë e Ilir Strazimirit sa s’është vonë.
Për një restaurim përfekt të rrugës nga pikëpamja shpirtërore dhe materiale, të bëhen konsultime me ata që rrugën e madhërishme e njohin dhe e duan; me ishullin që mblidhej nat-për-natë për të uluritur kundër kurvit dhe paudhësive satanike të kohës tek shtëpia e Ilir Strazimirit. Të parin, autorin e Profecisë, Ilir Strazimirin. Pastaj Skënder Gjylhasanin që do vete ta ngre unë nga varri. Shpëtim Beja, Teodor Xhokaxhi, Ben Rexha, Ilir Rexha, janë gjallë dhe vinë vetë. Lilo Xhokaxhiun, edhe atë do ta bind unë të ngrihet nga varri për ndonjë sugjerim me vlerë. Mos harroni kurrsesi Liçin, pra Felicita Jakoel-in, Vjollca Strazimirin dhe Nexhi Saraçin. Dijen jo. Dijen lereni në Paqen e vet. Me Tim Xhilagën duhet gjithashtu me u konsultu. Timit, që do japi një ndihmesë të paçmuar për restaurimin e shpirtit të rrugës, nuk mundeni me ja kthy dashnoret e panumurta, por Guzzi-n legjendar po. Me vllain e Timit, Nand Xhilagën babin e Çiljetës, që është një enciklopedi e gjallë e rrugës së pamposhtur, duhet gjithashtu me u konsultu patjetër.
S’do ishte keq që, për rindërtimin e tempullit të qytetarisë tiranase, përveç inxhinierave të sipërpërmendur dhe ishullarëve, të ftoni për konsultim edhe ata me të cilët ishullarët ishin të lidhur me kordon ombelikal; Ruggero Orlandon, Massimo Valentinin, Jash Gavronskin, Demtrio Volcicin dhe disa të tjerë. Këta më përket mua t’i ftoj. Por meqënse mua më pëlqen më tepër me vajt në Itali pa vizë me arratisje se sa pa vizë dhe pa arratisje, gjeni ndonjë tjetër.
Pas sjelljes në identitet të rrugës më të bukur të botës që është Rruga Saraçve, klyshat e kurvit do kuisin; Na kthyet kuislingët, kolaboracionistët, bejlerët dhe agallarët që na kanë pirë gjakun.
Le të bërtasin. Bërtitjet e uluritjet e edepsizave do jenë kosto e operacionit për gjetjen e rrugëdaljes suaj nga krimi dhe rrugëzgjidhjes për miletin që të mos shohi më natë e ditë në televizor sharrime me kalashnikov, gra që vrasin burrat, operacione policore teatrale për pushtimin e katundeve të hashishit që praqiten si Beteja të Stalingradit, turlilloj pedofilash që ngacmojnë kalamajtë, dhe një mijë e një flliqësira të tjera që i sollët ju.
Rruga Saraçve duhet restauruar në mënyrë integrale, që të hyjë në mardhënie me rrugët e tjera. Pra në atë mënyrë që pakngapak zanatçinjtë e Rrugës së Saraçve të japin e të marrin me zanatlinjtë e Rrugës së Dibrës, dhe gjithashtu në skajin tjetër, zejtarët e Rrugës së Saraçve të bashkëpunojnë me zejtarët e tjerë të asaj rrugës me emrin e atij komunistit me syze që para se me u bo komunist, kishte qënë fashist, adhurues i Musolinit.
Kështu, pakngapak, ashtu si hapja e arteries kryesore të zemrës mundëson qarkullimin e gjakut në të gjithë trupin, restaurimi i Rrugës së Saraçve do mundësojë humanizimin e të gjitha rrugëve të tjera, dhe me kalimin e kohës të gjithë Shqipërisë.
Nuk doni ta realizoni Profecinë e Ilir Strazimirit ?
Sytë ju dalçin, kancerin në fyt, mishin copa-copa prej veremit, pak i keni. Ilir Strazimirit, mua, Liçit, Vjollcës, Nexhit, Tokut, rahmetlinjve Skënder Gjylhasani dhe Lilo Xhokaxhiu, s’na bën asnjë përshtypje pritja dhe vuajtja me të cilat jemi mësuar. Po nuk zbatuat Profecinë që Ilir Strazimiri e bëri natën e ngordhjes së çausheskut dhe bushtrës, s’keni për të dalë dot kurrë nga spiralja e krimit, haleja ku jeni zhytur dhe fryma po j’u merret.
Nëse Profecinë doni ta plotësoni, urgjent back to the future. Tek Ilir Strazimiri që di Kodin. Tek Rruga Saraçve që mban Skeptrin.