PRENK BIB DODA – EMBLEMË E BESËLIDHJEVE KOMBËTARE PËR PAVARËSINË E SHQIPËRISË ETNIKE

SHKRUAN: NUE OROSHI

Ndër ato figura historike që lanë gjurmë të pashlyera në historinë kombëtare është edhe atdhetari i ndritur i kombit shqiptar Prenk Bib Doda. Për veprimtarinë e tij patriotike një kohë të gjatë është heshtur, por edhe kur është përmendur, kjo është bërë në kontekstin negativ nga historianët që ishin në shërbim të djallit për të zhdukur çdo gjë shqiptare, prandaj u munduan që veprimtarisë së tij t’i mveshin kontekste negative.

Ky atdhetar shqiptar u lind në vitin 1858, në fshatin Orosh të Mirditës, fshat i njohur për traditë patriotike ku gjithnjë ka qenë në anën e dëbimit të Perandorisë Osmane. Prenk Bib Doda ishte dëbuar që në fëmijërinë e vet në Turki, por ishte kthyer pas vdekjes së Bibë Dodës në Mirditë, për të vazhduar detyrën e Kapedanit në Mirditë.

Ky kthim i atdhetarit Prenk Bib Doda ishte bërë për shkak të kryengritjes që kishin bërë mirditasit për kthimin e tij në vitin 1873.
Kjo lëvizje në vitin 1873, na paraqitet në Mirditë, e që përfshinë edhe Hotin e Grudën. Mirditorët kishin rrokur armët dhe kishin lidhur besën në mes veti. Kapedan Kola, kryeplaku i Mirditës, mblodhi ushtri, ndërsa vëllai Kapedan Gjoni, me luftëtarët e tij kishte zënë vend midis Prizrenit dhe Shkodrës . Ushtria e Gjonit kishte 1500 luftëtarë dhe nuk lejonte të kalonte kush, me përjashtim të postëbartësve të konsujve. Por ky i kishte shkruar guvernatorit turk të Shkodrës, të cilin e njofton, se këtu nuk do të qetësohet gjersa qeveria t’ju japë atë që kërkonin:

  1. Që ti largojnë kajmekanët turq dhe për kryetar të sjellin djalin e Dodë Bibës, (djali i vëllait të Gjonit dhe Kolës Prenk Bib Doda) e në qoftëse ai nuk mund të vijë atëherë të emërohet një tjetër nga shtëpia e tyre;
  2. Që të lirohen nga burgu të gjithë njerëzit e tyre, të cilët Shefqet Pasha i mashtroi dhe i burgosi;
  3. T’u paguaj mirditorëve dëmet që kanë pasur deri më tani, nga ndalimi i shkuarjes në tregjet e tyre. Të tilla letra Kapedan Gjoni u ka akredituar të gjithë konsujve të akredituar në Shkodër. Hoti Gruda dhe Mirdita kishin vendosur që më parë të varroseshin të gjallë sesa ta nënshkruajn Tanzimatin .

Qeveria malazeze për të përfituar popullsinë luftarake të malësive, sidomos popullsinë e Mirditës, e cila ishte në konflikt me Turqinë për çështjen e kërkesës të saj për t’u kthyer Prenk Bib Doda në Mirditë, me 3 korrik te vitit 1876 dërgoi tre agjentë në Orosh. Duke parë porta një gjë të tillë dhe për t’i tërhequr në anën e saj mirditorët trima, bëri lëshim në kërkesat e malësorëve të Mirditës, të cilët që në gushtin e vitit 1875 i kishin parashtruar autoriteteve turke kërkesë ultimative, që, në rast se nuk do të kthenin djalin e Bibë Dodës në Mirditë, dhe nuk do ta përtrinin autonominë e Mirditës, ata kishin vendosur të rroknin armët kundër saj . Për ta zbutur situatën me mirditorët, porta e ktheu Prenkën në Shqipëri. Përderisa zhvilloheshin bisedime rreth këtij problemi, më tepër se 30 fshatra të Mirditës, në pranverën e vitit 1876, u quan në kryengritje dhe zunë rrugën që lidhte Prizrenin me Shkodrën. Përpjekjet e pushtetit turk për ta përfituar Kapedanin, e përmes tij mirditorët, nuk patën sukses. Ky mospranim i Kapidanit të Mirditës Prenk Bib Doda, qëndronte në urrejtjen shekullore që kishin mirditasit ndaj zgjedhës turke, dhe në aspiratat e tyre për liri, si dhe për të mos njohur reformat e reja turke.

Në këtë kryengritje me Mirditën u bashkuan edhe rajonet fqinje, si: Dukagjini, Kthella, Lura, Lezha. Emisarët e Prenk Bib Dodës vajtën edhe në Malësinë e Shkodrës, si në Hot, Kelmend, Shalë, Shosh etj.. Prenk Bib Doda me ndihmën e arbëreshëve të Italisë, u përpoq që kryengritjen e malësorëve ta vën në shërbim të Lëvizjes kombëtare Shqiptare, „Ai, sipas disa të dhënave, bënte plane për krijimin e një principate, që hë për hë, do të përfshinte Shqipërinë e veriut .

Në pranverën e vitit 1876, Mirdita u que në armë dhe kërkjoi lirimin e menjëhershëm të prijësit të vet Prenk Bib Dodës. Stambolli u gjetë ngushtë para asaj vendosmënie të mirditasve, dhe vendosi ta liroi Prenk Bib Dodën, i cili në verën e vitit 1876, ktheu prej syrgjynllëku të parë. Porsa mbërrini në Shkodër, Prenk Bib Doda ia filloi aktivitetit politik, përpjekjet për një organizim operativ, si dhe kontakteve me pari e popull. Mirdita u kall flakë dhe priten me ankth zemre fjalën e tij, me shpërthye si vullkan kundra turkut, dhe kujdo që synonte me cenue tokën arbnore .

Ndërkohë ishte krijue grupi i dytë i intelektualëve katolikë patriot shkodranë i përbërë prej Zef Jubanit, Pjetër Lorenc Gurakuqit e dom Prend Doqit etj. Me 27 dhetuer të ati vjeti, mblodhi në Shpal krentë e 12 bajrakëve të Mirditës, e aty vuni Lidhjen e Besës. Menjëherë u mblodhë edhe Puka e vuni lidhjen e besës dhe vendosi me ndjekë me besniki. Influenca e Prenk Bib Dodës u shtri thellë në gjithë malësi. Shofim se, në kallnuer të vitit 1877, iu ngjeshën Mirditës edhe Dibra dhe Krasniqja, kurse Mati kishte dhanë fjalën e vetë. Më 15 qershor 1877, Prenk Bib Doda dërgoi një telegram Kongresit të Berlinit, tue lajmrue, se Mirdita kërkon ta ruej statutin e vet, dhe, se bajrakët e saj nuk pranojnë kurrfarë zgjidhjeje, përpos atyne që do ta respektojnë autonominë e Mirditës . Disa ditë më vonë i dërgon kongresit të Berlinit një letër të nënshkrueme prej parisë së 58 bajrakve të Mirditës, në të cilën theksohej, se kurrgja nuk do t’i pengonte, që në të ardhmen ta ruajnë statutin e vjetër të tyne.

Prenk Bib Doda ka kërkue një zgjidhje krahinore vetëm për Mirditë, por, për Mirditën e zmadhueme në 58 bajrakë, ana e Dukagjinit. Kjo ka ardhë për arsye, se Mirdita që gëzonte një autonomi shekullore, kishte posibelitetin të siguronte autonominë e të gjithë bajrakëve të veriut, të cilët shtriheshin prej lumit Mat e deri thellë në Kosovë. Në Kosovë janë 11 bajrakë. Kjo ishte një strategji politike edhe pse e kufizueme, po t’ishte realizue, gjysma e Kosovës do të kishte qenë pjesë e pandashme e kësaj autonomie .

Kryengritja e Mirditës shpërtheu me hov në kallnuer të vjetit 1877, preu rrugën Shkodër –Prizren, dhe u vërsul me furi kundra ushtrisë turke, e cila ishte përqendrue në vende të ndryshme përreth Mirditës . Në qytetin e Pukës ushtria turke rrethohet dhe qe në prag të një dorëzimi, për këtë arsye guvernatori i Shkodrës urdhëroi një organizim të ri e të fortë. Me 8 prill të atij viti trupat turke sulmojnë Mirditën në grykën e Giadrit, por thehen keqas. Sulme tjera më të forta u përsëriten po në grykë të Giadrit, por pësuan të njajtën disfatë . Mirditasit të mësuem në lufta, përdorën një strategji të re, për ta hutue ushtrinë turke. Për çdo maje mali e kodre ndezën zjarmuer të mëdhaj që mund t’u shifshin në tanë Zadrimën. Tue mendue turqit, se mirditasit nuk theheshin me ekspedita të kufizueme, thirrën nën armë zadrimorët. Ky veprim i autoriteteve turke shkelte angazhimin e Portës s’Naltë me përdorë bashkë me veprimet ushtarake të rregullta dhe bashibozukë, prandaj konzujt e shteteve evropiane në Shkodër protestojnë dhe njoftojnë menjëherë ambasadat e tyne në Stamboll, me qëllim te pengojshin rekrutimin e bashibozukëve kundra Mirditës.

Kryengritja e Mirditës u ndigjue jo vetëm në tanë Shqipninë, por deri n’Europë, tue prodhue gjithkund përshtypjen më të thellë. Shtypi europian, gazetat e Vjenës, Parisit e Londrës dhe shumë vendeve tjera, e lavdojnë qëndresën dhe trimninë e mirditasve, kurse gazeta Piccolo e Arbëreshëve t’Italisë vën në pah kombësinë shqiptare dhe pamvarësinë e një shteti shqiptar, i cili do të ishte një digë e fortë përkundrejt pansllavizmit n’Adriatik. Kjo kryengritje tërhoqi vëmendjen e diplomacisë europiane aq sa, që në kongresin e Berlinit, me ndërhymjen e Austro-hungarisë, dhe t’Italisë, e mandej me pëlqimin e Francës dhe të Anglisë, u shqyrtue problemi dhe u vendos që autonomia e Mirditës mos të prekej-paragrafi 23, por vetëm për 5 bajrakët e Mirditës, sepse, përfaqësuesi i Turkisë Mehmet Ali Pash Maxharri, kundërshtoj rrebtësishtë që mos të njifej Mirdita më 58 bajrakë. Arsyetimi i tij ishte, që Turkia pati frikë prej një fuqie aqë të madhe kombëtare shqiptare, e cila mund të zgjanohej në tanë Shqipninë.

Prenk Bib Doda, ashtu si krerët e Lëvizjes Kombëtare, e dinte mirë, se pas largimit të Perandorisë Osmane nga trojet tona, do të ndeshet me probleme të ardhacakëve ballkanas, që e luanin politikën dyftyrëshe, prandaj krerët u përgatitën të luftonin në dy fronte. Prenk Bib Doda i njihte mirë traditat dhe historinë e kombit shqiptar, prandaj ishte i zgjedhur nga vetë populli për realizimin e të drejtave shekullore, kështu që për t’i përballuar të gjitha këto vështërsi ky kishte dy pikëmbështetje: njëra ishte vullneti që ia jepte Perendia e tjetra ishte ndërgjegja e lartë Kastriotike e historisë së lavdishme të dhimbshme, por krenare .

Dhe kështu, me hapa të sigurt, Prenk Bibë Doda përgatiti terrenin për një luftë të përgjithshme shqiptare kundër Perandorisë Osmane, e kjo ndodhi në vitin 1878, kur Prenk Bib Dodën e gjeti në krye të Lidhjes Shqiptare të Shkodrës. Për veprimtarinë e Prenk Bib Dodës në përgatitjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dihet shumë, por, e vërteta se ai ka qenë ndër figurat më emblematike për orientimin e duhur kombëtar, gati se ka rënë në hije. Në këtë shkrim po japim disa fakte shkencore të cilat dëshmojnë peshën e Prenk Bib Dodës si atdhetar: Shkencëtari libanez Gjergj Korma (Georges G. Krom), në tezën e tij të doktoraturës, të mbrojtur në Sorbonë, të botuar në Paris në vitin 1971, konstaton se, ” Lëvizja kombëtare shqiptare fillon në vitin 1878, kur Lidhja e Prizrenit, e drejtimit islam, e udhëhequr nga Haxhi Ymer Prizreni dhe të Lidhjes Shqiptare të Shkodrës, e udhëhequr nga Prenk Bib Doda, i drejtimit të krishter, shpallin origjinën e vet të përbashkët etnike, me ç’rast ndryshimet fetare janë fare të parëndësishme …”. Ky zgjim kryesisht spjegohet me rilindjen kulturore dhe gjuhësore të trimëruar nga veprat e shqiptarëve në diasporë, në SHBA, Itali e veçanërisht në Egjipt. Në atë zgjim, në masë të barabartë marrin pjesë të krishterë dhe myslimanë, të cilët, duke tejkaluar rrethanat e veta fetare e gjejnë sërish përkatësinë e përbashkët etnike.

Ndërkaq, Kapidani i Mirditës Ndue Gjon Marku në librin Mirdita Dera e Gjon Markut Kanuni kontributin e Prenk Bib Dodës dhënë lëvizjes kombëtare, do ta vlerëson në këtë mënyrë: Kjo ngjarje me kaq rëndësi të madhe politike, ushtarake e kombëtare u dha shkas shqiptarëve të krahinave të ndryshme me hy menjëherë në veprim. Dhe shofim se në pranverën e vitit 1877, kur kryengritja e Mirditës ishte në kulmin e zhvillimit të saj, u bë një mbledhje e parisë së jugut, në Janinë, ku morën pjesë Abdyl Frashëri, frymëzuesi i saj Mehmet Ali Vrioni, Ibrahim Dragoti, Muslim Gjoleka etj., të cilët përpiluan një memorandum për gjendjen e keqe të Shqipërisë, dhe kërkuan prej portës së naltë bashkimin e gjithë krahinave të Shqipnisë me popullsi shqiptare në një vilajet të vetëm.

Shqiptarët i shpejtuan kontaktët dhe në fillim të qershorit 1878, gjithë paria e Shqipnisë u mblodh në Prizren. Aty u vu Itifaku, (Lidhja e Besës) simbas Kanunit të Lekë Dukagjinit, dhe krijoj (Lidhjen Shqiptare për Mbrojtjen e Tokave Kombëtare) e që më vonë u quajt „Lidhja e Prizrenit“. Me 13 qershor 1878, lidhja e Prizrenit i dërgoi një memorandum kongresit të Berlinit, me pika të caktueme mbi të drejtat e popullsisë shqiptare. Në Shqipni të Veriut morën pjesë edhe katolikët, dhe Shkodra u ba qendra e rezistencës, prej të cilës doli komiteti Shkodran i Lidhjes, i përbamë prej 12 antarësh katolikë dhe muslimanë.

Prenk Bib Doda që në atë kohë, (1876-1877), ishte në luftë me Turkinë, dhe përfaqsonte një pjesë të madhe të popullatës së Veriut, pa hezitim iu përgjigj thirrjes së komitetit të Shkodrës. Prenk Bib Doda tue pasë një fuqi numërike luftarësh, mund të kundërshtonte, por ai si tradicionalist respektonte traditat shekullore të vendit, prandaj pranon dhe vëhet në dispozicion të Lidhjes së Shkodrës, tue pranue Hodo Beg Sokolin kryetar. Tue marrë parasysh zgjimin kombëtar për mbrojtjen e tokave shqiptare preji Malit të Zi. Prenk Bib Doda pa ngurrim u vue në dispozicion të lidhjes. Në krye të 10.000 luftëtarëve ranë në Tuz, e aty bëri qendrën e komandës. Në vitin 1879, filluan luftimet me malazez. Mjerisht punët nuk shkuan ashtu siç kujtuen e dishruen shqiptarët, por si deshti Europa. Stambolli i shtrënguem prej fuqive europiane, dërgoi një ushtri të madhe, nën komandën e Dervish Pashës, i cili prej Shen Gjinit u ra shqiptarëve mbas shpinës. Të nxanun ngushtë ndërmjet dy anmiqëve, shqiptarët thehen. Krenët e Shqipnisë kapen e treten ndër vende të largëta të perandorisë.

Ndërkaq, filozofi dhe historiani gjerman Peter Bartels, në librin e tij: Albanien Vom Mitelalter bis zur Gegenëart “, f. 95, ku bënë fjalë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ai kontributin e Prenkë Dodës dhënë Lidhjes Shqiptare e spjegon në këtë mënyrë: “Në këtë luftë kundër Turqisë nuk kanë qenë të angazhuar vetëm muslimanët por edhe katolikët e udhëhequr nga Kapidani i Mirditës Prenk Bib Doda” . Dhë vazhdon më tutje: “Me 13 qershor të vitit 1878, në mbledhjen e parë të Kongresit të Berlinit, Lidhja Shqiptare e Shkodrës, e udhëhequr nga Prenk Bib Doda, i dërgoi një memorandum kryeministrit të Britanisë Lord Beaconsfildit që edhe delegacioni shqiptar të merr pjesë në kongres “. Në memorandum thuhet: “Ne shqiptarët jemi popull i vetëm në Ballkan që nuk i kemi përfaqësuesit tanë në Kongresin e Berlinit. Ne ende s’e kemi një qeveri të përbashkët, por nuk dëshirojmë që të na prezantojë Qeveria e Turqisë . Ne shqiptarët jemi popull me kulturë të njejtë, me gjuhë dhe tradita të përbashkëta. Ne i kemi dy besime të ndryshme, por, kurrësesi nuk e kemi harruar prejardhjen tonë të përbashkët “, përfundon memorandumi i dërguar kryeministrit të Britanisë së Madhe, Lordit Beaconsfild, nga Lidhja Shqiptare e Shkodrës e udhëhequr nga Prenk Bib Doda.

Në lidhje me “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” të vitit 1878, ka pasur shumë keqinterpretime nga historianët, para dhe pas diktaturës komuniste në Shqipëri dhe në kohën e sundimit të serbëve në Kosovë . Për këtë ngjarje është anashkaluar roli dhe kontributi që ka luajtur krahina e mirënjohur e Mirditës dhe qytetarët e nderuar shkodranë. Ndryshe e ka analizuar dhe trajtuar këtë ngjarje Kapidani i Mirditës Ndue Gjon Marku, i mbështetur tërësisht nga burimet historike autentike shqiptare dhe joturke sikurse shpesh është referuar e ashtuquajtura historiografia komuniste në Tiranë e Prishtinë. Duke shfletuar me kujdes librin e juristit dhe Kapidanit të Mirditës Ndue Gjon Marku në veprën e vet, ku ndër të tjera lexojmë një realitet shumë të vërtetë historik, se: “Tue marrë parasysh zgjimin kombtar për mbrojtjen e tokave shqiptare prej Malit të Zi, Preng Bibë Doda, pa ngurrim u vu në dispozicjon të Lidhjes. Në krye të 10. 000 luftarve, ra në Tuz e aty bani qendren e komandës. Mjerisht gjendja u turbullue me qendrimin antikomtar te Abdullah Drenit i cili, megjithse ishte antar i Lidhjes e aj vetë bestar i Intifakut përbujti Mehmet Ali Pash Maxharrin të cilin Lidhja e konsideronte anmik të Shqipnisë. . . ” .

Edhe dokumentët anglez, që bëjnë fjalë për Lidhjen e Prizrenit, ata japin shumë hollësi në lidhje me veprimtarinë atdhetare të Prenk Bib Dodës dhe nderin që kishin shqiptarët ndaj kësaj figure emblematike të kombit shqiptar. Këto dokumente u botuan nga Prof dr Ramiz Abdyli. Dokumenti numër 1 paraqet vërjetjet e konsullit të Britanisë së Madhe z Kirby Green, dokumenti 2 paraqet protestën e Parisit për autonominë e Mirditës dhe vendosjen e Prenk Bib Dodës në krye të shtetit shqiptar, ndërkaq dokumenti numër 5 që bën fjalë për Prenk Bib Dodën, paraqet letërkëmbimet në mes të konsullit të Britanisë së Madhe z Summa, me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Stamboll z Henry Lyayard.

Në vërejtjet e konzullit anglez në Shkodër Kirby Green thuhet: “Prenk Bib Doda, kreu i Mirditës, duket se tashti paraqitet si njeriu i përshtatshëm për këtë. Në Shqipërinë e Veriut me siguri ai do të pritet mirë. Nuk jam po kaq i sigurtë për rastet e tij në Shqipërinë e mesme dhe të poshtme, ku ka fisnik po me aqë ndikim. Autoritetet turke që janë në dijeni të emrit që gëzon ai midis bashkatdhetarëve, po i kushtojnë një vëmendje të madhe, me shpresë që kështu ta mbajnë në gjendje të mirë shpirtërore e largë syve . Ndërkaq, në telegramin e Parisë thuhet, ”Protestë e parisë së Mirditës, Pukës, Kthellës, Malësisë së Lezhës dhe të Lurës, përfaqësusve të fuqive të mëdha, në Kongresin e Berlinit, me të drejtën për krijimin e shtetit Autonom Shqiptar.

Konsullatës së L. M. së saj britanike në Shkodër

Mirditë, 18 qershor 1878

Ne të nënshkruarit krerë dhe pleqë të Miriditës, Pukës, Okridës së Vogël, dhe malësive të Leshit e të Lurës, i lutemi përulësishtë konsullatës suaj mbretërore, që t’ua transmetoj dhe t’ua paraqes sa më shpejtë të jetë e mundur, zotërinjëve të plotëfuqishëm në Kongresin Evropian të Berlinit kërkesën tonë të mëposhtme: Siç dihet, viset tona gjithmonë janë qeverisur dhe rregulluar simbas ligjeve të tyre, dhe si rrjedhojë në fakt kanë gëzuar Autonominë. Për këtë arsye ne kërkojmë që kjo Autonomi të njihet zyrtarisht nga fuqitë e mëdha europiane. Dhe që Puka, Okrida e vogël, malësitë e Leshit e të Lurës, të bashkohen me Mirditën, dhe të mbetën nën komandën e drejtpërdrejt të menjëhershme të kreut tonë të dashur natyrorë e të trashëguar Prenk Bib Doda. Vendi ynë shumëherë e ka treguar dëshirën për të formuar një shtet të vetin autonom, të njohur me Mirditën, kurse si provë e veçant janë faktet e ndodhura dy vitet e fundit, si rrjedhojë ne shpresojmë që aspiratat tona – me qellimin gjithashtu, që të mund më së fundi të hyjmë në rrugën e përparimit e të qytetërimit, siç e dëshirojmë, do të merren parasysh dhe do të kenë miratimin e zotërinjëve të plotfuqishëm, që janë mbledhur në kongresin e Berlinit,

Me shpresën që kjo konsullatë do të na japë gjithashtu ndihmën e saj sa më të shpejtë për kërkesën tonë, ne kemi nderin të shfaqim ndjenjat tona të respektit më të thellë . E nënshkruajnë 32 udhëheqës, ku ju dërgohet trupit konsullor. Me të vetmin qëllim që autonomia e vendit të tyre të njihet nga fuqitë evropiane, me Prenk Bib Dodën si kryetar të trashëguar.

Ndërkaqë, konzulli angle, z Summa këtë letër protestë ia dërgon ambasadorit të Britanisë së Madhe në Stamboll, ku thotë, ”Shkelqësi, kam nderin t’jua transmetoj bashkëngjitur për shkëlqesinë tuaj përkthimin e lutjes së paraqitur nga ana e krerëve dhe pleqëve të Mirditës, Pukës, Okridës së Vogël, (Ohrit të Vogël), dhe malësive të Leshit e të Lurës, për t’ua transmetuar të plotëfuqishmëve, të mbledhur në kongresin e Berlinit dhe për të cilin e kam njoftuar në telegramin tim të datës 25 të këtij muaji. Nënshkruesit e kësaj kërkese kërkojnë që vendi i tyre të bashkohet më një shtet të vetëm autonom, nën komandën e drejtpërdrejt e të menjëhershme të kreut të tyre të trasheguar e natyrorë Prenk Bib Doda . Së fundi, ata lutën që kjo autonomi të njihet zyrtarisht nga fuqitë e mëdha evropiane. Prandaj, unë e quaj detyrën time të parashtroj para shkelqësisë suaj, se për të rivendosur qetësinë në Mirditë, është e nevojshme që trupat turke të largohen nga vendi dhe administrimi t’i besohet Prenk Bib Dodës, kreut të trashëguar të këtij fisi .

Me duhet të njoftoj gjithashtu shkëlqesia juaj, se me datën 27 të muajit të shkuar, janë nisur për në Prizren 14 delegatë të malësive të fiseve katolike të Shqipërisë së Epërme, si dhe dy delegatë të krahinës së Shkodrës për t’u bashkuar me delegatët e tjerë shqiptarë, që janë thirrur për një mbledhje të përgjithshme .
Në Vitin 1883 Prenk Bib Doda tradhëtisht kapet dhe dergohet në mërgimin e dytë në Kastamuni. Mirdita zaptohet dhe shtëpitë e Gjomarkut n’Orosh digjen. Lidhja e Prizrenit konsiderohet e likuidume.

Rikthimi i sërishem i Prenk Bib Dodës në Mirditë dhe roli i tij në bërjen e shtetit shqiptar

Rikthimi i Prenk Bib Dodës në Mirditë u shndërrua në festë të madhe, jo vetëm për mirditasit por edhe për tërë Shqipërinë e Veriut, të cilët atë e shihnin si udhëheqës të ardhshëm të Shqipërisë së pavarur dhe të bashkuar me të gjitha vilajetet shqiptare. Në Fruer të vitit 1903, Kapidan Marka Gjoni qoi në kambë Mirditën, të cilës iu bashkue Puka. Bllokuen rrugën Shkodër Prizren, prenë telat e telefonit në rrethinën e Lezhës dhe kërcënuen qytetin.

Veprimtaria antiturke vijon dhe zgjerohet nga viti në vit. Në fillim të shekullit XX (viti 1903) tarafi i Gjomarkut si gjithnjë i ripërtërirë, nën kryesinë e Kapidanit të Mirditës Marka Gjoni merret shumë me çështjen kombëtare, duke ngritur në këmbë ndërgjegjen atdhetare të mirditorëve 15). Falë respektit dhe autoritetit që gëzonte prijësi i parisë së Derës së Kapidanit Marka Gjoni i Mirditës, i bashkangjiten edhe trimat e Pukës, të cilët përmes disa aksioneve antiturke, në një mbledhje të përbashkët, i dërgojnë një Memorandum Valiut të Shkodrës dhe Konsujve të Fuqive të Mëdha me rezidencë në Shkodër, duke i kërkuar kthimin e Prenk Bib Dodës. Dhe Memorandumin e përpiluar nga Abati i Mirditës imzot Prenkë Doçi dhe për herë të parë e zbardhë në librin e vet Kapidani Ndue Gjon Marku, që në mbyllje ka këto fjalë: “Sulltani nuk do të njifet kurr Prijsi ynë; flamuri i hanës nuk do të valvitet ma në malet tona, na duem të jemi të lirë, duem qi kombsija e jonë të njifet si kombsija e popujve tjerë. Tash e mbrapa Flamuri ynë do të jetë ai i Gjergj Kastriotit Skanderbegut, i cili ka fillue tue fluturue n’eren e Liris. ”Është e rëndësishme të dihet nga historiografia shqiptare dje dhe sot, se përveç 6 Prillit 1911, ku trimat e Dedë Gjo’ Lulit përmes një luftë të lavdishme ngritën Flamurin e Gjergj Kastriotit dhe më 28 nëntor 1912, Ismail Bej Qemali në Vlorë ngriti Flamurin kuq e zi, edhe më përpara datave të sipërcituara në Mirditë dhe më saktë në katundin Vinjollë, prej patriotit Ndue Gjoni, që është vëllai i Kapidanit Marka Gjonit, më 25 prill 1902 është ngritur Flamuri i Shqipërisë në Ditën e Shën Markut thotë studiuesi dhe atdhetari Tomë Mrijaj. Memorandumi pati një rëndësi të madhe, se, për herë të parë tronditi në themel rrënjët e kalbura të Perandorisë së “pathyeshme” turke, e cila mendonte se pas kryengritësve të prirë nga mirditorët e Kapidanit, fshihej Austro – hungaria. Edhe ardhja e xhonturqve nuk solli ndonjë ndryshim në strategjinë të ashtuquajtur liberale të turqve të rinj, të cilët ishin më fanatik dhe konservatorë se etërit e tyre. Ata nuk morën asnjë hap për të qetësuar zemërimin e banorëve të Mirditës, të udhëhequr nga Marka Gjoni, kërkonin lirimin pa asnjë kusht të prijësit të tyre Prenk Bib Dodës. Në situatën e re të krijuar dhe pasi filloi t’i çjerret maska xhonturqve të rinj që erdhën në pushtet, për të treguar se janë “liberalë” u detyruan të lirojnë Prenk Bib Dodën, i cili u prit në qytetin bregdetar të Shën Gjinit me një pritje shumë të madhe nga popullsia e Mirditës, Këthellës, Malësisë së Lezhës dhe Zadrimës. Ardhja e Prenk Bib Dodës në vendlindje solli një ripërtëritje të re të krahinës dhe rriti edhe më shumë moralin dhe shtrëngimin e radhëve rreth Derës së Kapidanit të Mirditës. Ky përsonalitet ndërmori një sërë masash të domosdoshme, falë eksperincës politike, kulturore dhe frymës së shëndoshë fetare e atdhetare që kishte gëzuar nga të parët e tij të Principatës së Derës së Gjomarkut – Kapidani .

U mblodhën në Shpal krenë e popull e prej aty dërguan një memorandum valiut të Shkodrës e konzujve të fuqinave të mëdha në Shkodër tue kërkue kthimin e Prenk Bib Dodës. Memorandumi mbyllet me këto fjalë. “Sulltani nuk do të njifet kurrë prijësi i ynë; flamuri i hanës nuk do të valvitet ma në malet tona, na duem të jemi të lirë, duem që kombësia e jonë të njifet si kombësia e popujve tjerë. Tash e mbrapa flamuri ynë do të jetë ai i Gjergj Kastriotit Skanderbegut, i cili ka fillue tue fluturue n’erën e lirisë“ Këtë telegram e ka përpiluar Monsinjor Doçi. Në bazë të këtij dokumenti (memorandumi), del në shesh qartë se flamuri i Shqipnisë ka qenë naltue në Mirditë, e ky flamur ka qenë naltue në katundin Vinjollë prej Ndue Gjonit, vëllau i Marka Gjonit, me 25 Prill 1902, (Dita e Shmarkut) por publikue vetëm me anë të këtij memorandumi. Ky memorandum preku thellë Qeverinë turke e cila dyshoj në fuqitë e mëdha, e sidomos në Austro-hungarinë. Në verë të vitit 1910, kur duel konstitucioni i ri, Stambolli e pengoi lirimin e Prenk Bib Dodës, dhe kjo pengesë shkaktoi një egërsim të madh në popullin e Mirditës, sepse Mirdita i pa qartë synimet e Turqisë së Re (Xhonturqvet).Marka Gjoni qoi në kambë Mirditën, dhe e shtrëngoi për luftë. Stambolli u gjet ngushtë, prandaj u detyrue me lirue Prenk Bib Dodën, i cili mrrini në Shën Gjin, ku iu ba një pritje entuziaste, prej parisë e popullit të Mirditës, Këthellës, Malësisë, Lezhës e Zadrimës. E njëjta pritje iu ba në Shkodër me një darkë madhështore, e me fjalime të zjarrta prej monsinjor Doçit, Hil Mosit e Luigj Gurakuqit . Me 28 Shtator të po atij viti, Prenk Bib Doda duel në Mirditë me proklamue Konstitucionin e ri. Mblodhë në Shpal krenë e popull. Aty vunë Itifakun (Lidhjen e Besës). Prenk Bib Doda ishte një personalitet me famë kombëtare, me një kulturë të gjanë dhe me një eksperiencë politike, e që njifte shumë mirë Turkinë dhe fuqinë e saj. Ishte burrë i urtë, i matun e i thellë në kuptimin e çështjeve; ishte një diplomat i vërtetë, ai thonte: Turkia me gjithë se ashtë në shkatrrim, ka fuqi ushtarake të mjaftushme me përballue çdo lëvizje shqiptarësh, të cilët nuk janë te bashkuem as nuk janë të stërvitun ushtarakisht. Në anën tjetër, Shqipnisë nuk i ndëgjohej zani n’Europë, sepse katërqind vitet e sundimit otoman e kanë bindë Europën për mos me na konsiderue shqiptarë, prandaj Shqipnia ka me mbetë e izolueme e pa kurrfarë ndihme ditën që të kërkoj lirinë. Por në rrjedhim të këtij arsyetimi ai thotë: “Vetëm vujtjet, sakrificat e përpjekjet për liri, mund të zgjojnë interes pranë kancelarinave të shteteve europiane, por duhet me u ruajtë prej Malit të Zi e Serbisë, te cilët të shtyem prej Rusisë, kanë me na mësy porsa Turkia të dalë prej vendit tonë. Atëherë ka me qenë në rrezik ardhmënia e Shqipnisë. Por, mbasi hëpërhë Mali i Zi nuk lëvizë të nisen lëvizjet anti turke, kahmos më qëllim t’u ndëgjohet zani shqiptarëve . Dhe Prenk Bib Doda nuk qëndroi indiferent ndaj çështjes shqiptare. Ai ndezi lëvizjen antiturke në Kallmet me Shtjefën Haberin, e cila ushtri në tanë Mirditë, Pukë e Zadrimë, ku turqit patën humbje të medha .

Për këtë angazhim dhe zotësi, nderin dhe respektin që e gëzonte Prenk Bib Doda në mbarë Shqipërinë, e sidomos në Shqipërinë veriore, flet raporti i dërgatës së Qeverisë së Vlorës e vendosur në Shkodër. Raport i zotërinjëve L. Gurakuqi, H. B Vrioni dhe E. B. Vlora. “Qeverisë së Përkohshme në Vlorë, gusht 1913 . Kemi nderin të ju shtrojmë raportin në vijim mbi punën që menduam ta bëjmë në Shkodër, pas barrës që na keni vënë, të shkojmë në atë qytet dhe të shohim se në ç’mënyrë pat mundur të nisej një marrëveshje e ngushtë dhe e drejtë në mes të Qeverisë sonë dhe atyre viseve të sundimtarëve të Shkodrës, ku nuk arrinë fuqia e komisionit ndërkombëtar. Me të arritur në Shkodër, patëm një pritje aq të mirë, së cilës i mbetemi përgjithmonë mirënjohës, nga i tërë populli i qytetit. Mendimi jonë ishte që t’i paraqesim komisionit ndërkombëtar për t’u marrë vesh më te, duke i treguar qëllimin tonë. Jemi të gëzuar të themi se pjesëtarët e ndershëm të atij komisioni patën mirësinë dhe u sollën në mënyrë njerëzore me ne. Të gjithë na siguruan se e shihnin me sy të mirë punën, e na uruan një përfundim të gëzueshëm. Në fillim të veprës sonë, u mbështetëm në parime që t’i këshillojmë qytetarët e Shkodrës në prezencën e tyre, ashtu edhe banorët e fshatrave të maleve, për të bërë fillimisht bashkimin e lidhjes mes tyre e pastaj edhe marrëveshjen me qeverinë tonë. Duke u bazuar në këto dy pika, që në ditët e para patëm shumë takime e marrëveshje, si me të krishterë ashtu edhe me muhamedanë të Shkodrës dhe me disa nga krerët e maleve të Dukagjinit dhe të Mirditës. Kur erdhi Prenk Bib Doda në Shkodër i gjithë populli e priste me padurim dhe pati nderime të mëdha, takimet e marrëveshjet tona u bënë më të shpeshta e më miqësore. Ditë për ditë mbledhje të mëdha u mbajtën në Klube të Shkodrës apo në shtëpi të Prenk Bib Dodës dhe në të gjitha bisedat që u bënë u pa haptas dëshira e paqës, e bashkimit dhe e lidhjes. Qëllimi ynë ishte t’i takojmë dhe t’i afrojmë me një mendim e një dëshirë të vetme krerët e maleve e të fushave të qytetit të Shkodrës. Këto qëllime dhe dëshira u gjetën në të gjitha mendjet dhe zemrat e tyre, kështu që puna jonë u lehtësua tepër e na dhanë premtime të mira. Autori më i madh dhe më i lartë i marrëveshjes dhe i bashkimit në krahinën e Shkodrës është sot për sot i përndershmi Prenk Bib Doda i Mirditës, i cili, përveç emrit dhe nderimit që ka kudo në ato vise, ka edhe një mënyrë fjalë e veprimi aq të ngrohtë e të arsyeshme që ofron, lidhë dhe bashkon . Pas të gjitha atyre vërejtjeve që bëmë në ato ditë që qëndruam në Shkodër, e pas marrëveshjeve e bisedimeve që patëm me krerët dhe pas premtimeve e sigurimeve që morëm mund të themi me gëzim që Krahinën e Shkodrës e gjetëm dhe e lam shumë më mirë sa që menduam. Po e përsërisim edhe njëherë, se të gjithë kanë dëshirë për paqe e bashkim e sa për të kryer këtë qëllim krerët dhe të parët e maleve, të fushave e të qytetit së shpejti do të mbajnë një mbledhje të madhe ku shpresojmë të hedhim themelin e një bashkimi të plotë, nga i cili do të rridhte pastaj edhe marrëveshja me Qeverinë tonë të Përkohshme. Mbledhja do të mbahet ose në Shkodër ose në Lezhë, ndërsa zgjedhja e vendit do të bëhet pasi të kthehet z. I. Tije, arqipeshkvi i Shkodrës, i cili pritet të vijë këto ditë. Përfundojmë, duke ju sjellë shëndet e urime të gjithë vendasve të asaj krahine, me përshëndetje personale të të përndershmit Prenk Bib Doda, te të përndershmëve peshkopë të Lezhës të Zadrimës e të Mirditës, e të gjithë kryesisë së Klubit, të cilët na kanë porositur tju sigurojmë se si janë të lidhur me zemër ashtu të lidhen shpejt edhe me punë me Qeverinë e Përkohshme .

Ardhja e Ismail Qemalit dhe e Luigj Gurakuqit në Shqipëri bëri që të pezullohet çdo aktivitet tjetër, sepse, që të dyt kishin ardhur më program të qartë. Prenk Bib Doda shkon në Vlonë me takue Ismail Qemalin. Në bisedim e sipër, paraqiti idenë e kantoneve simbas modelit zviceran: nji kanton i jugut, nji i Shqipnisë së mesme, e nji i veriut, por të trija të mvareshin prej një qeverie qendrore, që ta drejtonte Shqipninë shtet politikisht dhe administrativisht. Ky drejtim politik kishte për tiu pre hovin tarafëve që damtojshin idenë e bashkimit kombëtar. Ky propozim i Prenk Bib Dodës nuk u muer në vështrim prej Ismail Qemalit .

Më pas Ismail Qemali shkon në Romë dhe takohet me ministrin e jashtëm italian, San Guliano. Të dy bashkë kishin rën në ujdi me largue Princ Vidin, me ndryshue Qeverinë dhe me nda Shqipninë në tri kantone, simbas modelit zviceran, pikërisht ashtu siç kishte propozue Prenk Bib Doda më parë. Por ishte tepër vonë, Ismail Qemali ktheu në Shqipëni dhe shkoi në Durrës e ja paraqiti këtë plan qeverisë e cila e refuzoi njëzani .

Në fruer të vitit 1913, komisioni ndërkombëtar i mbledhun në Firencë të Italisë, mbas shumë kompromisesh i mbylli punimet, dhe në fruer të ati vjeti ja komunikoj qeverisë shqiptare. Mbasi Shqipnia u cungue dhe u rrenue, iu caktue edhe forma e rexhimit: Monarki Konstitucionale. Si mbret të Shqipnisë zgjodhën princin gjerman Vilhelm Von Vid, i cili me 6 fruer të vitit 1914, pranoi dhe me 7 mars zbriti në Durrës.Me këtë rast shpërthej lëvizja antikombëtare (rrebelat) të cilët të frymëzuem prej propagandës së huaj, në Princ Vidin kristian panë një –mano-longa-t’Austrisë, dhe kërkuan për mbret të Shqipnisë princin musliman Edin Durham, i biri i Sulltan Hamidit. Prenk Bib Doda u vue në mbrojtje të Qeverisë së Princ Vidit, dhe luftoj kundër rrebelimit te Haxhi Qamilit, ku e vetmja forcë kombëtare ishin mirditasit, të primë prej Marka Gjonit dhe kosovarët prej Isa Boletinit, të cilët bajtën peshën ma të randë, të luftës kundër rrebelëve, edhe ky qëndrim kombëtar i Prenk Bib Dodës u gjykue prej Romës, në kundërshtim me politikën italiane. Pas mbajtjes së Kongresit të Triestës, prej 1 deri 4 mars 1913, dhe pas aprovimit të kërkesave që dolën nga ky kongres i madh gjithëshqiptar, ku merrnin pjesë nga Preveza e Janina, Shkupi e Manastiri, nga Shkodra e Saranda, nga Kalabria e Sicilia, nga Kosova e vende tjera, Prenk Bib Doda ishte përshëndetësi dhe përuruesi i parë i këtij kongresi për punën e mbarë dhe të suksesshme në realizimin e kërkesave.

Pas gjithë kësaj veprimtarie atdhetare, shumë shtete fqinjë të Shqipërisë e shihnin rrezikun që Prenk Bib Doda të bëhej prijës i Shqipërisë së pavarur.

Kapidani i Mirdites Ndue Gjon Marku, vrasjen e Prenk Bib Dodës e spjegon në këtë mënyrë: Për sa i përketë vrasjes së Prenk Bib Dodës, ai nuk u vra në prill 1919 për gjak (hakmarrje), siç thotë Edith Durham, por prej intrigave të italianëve, që në Prenk Bib Dodën shifnin pengesën e madhe për realizimin e qëllimeve të tyne të errëta mbi Shqipninë dhe vunë në veprim makinën e tradhëtisë, tue que djemtë e Gjeto Cokut në krimin kombëtar . Përveç Italisë, në vrasjen e Prenk Bib Dodës një rol të madh e ka luajtur edhe Mali i Zi, i cili nuk mund t’i harronte lehtë luftërat që kishte bërë Prenk Bib Doda kundër malazezve. Prandaj nga e gjithë kjo nxjerrim përfundimin, se vrasjen e Prenk Bib Dodës e bënë djemtë e Gjeto Cokut, ku bënë tradhëtinë më të madhe kundër kombit shqiptar, të ndikuar nga Italia dhe Mali i Zi, madje duke marrur edhe një sasi të konsiderushme Aspra të Judës, për vrasjen e Prenk Bib Dodës, këtij atdhetari shqiptar, ku ardhja e Prenk Bib Dodës në krye të Shqipërisë nuk i shkonte për shtati kurrsesi sllavëve, por edhe një pjese të shqiptarëve, të cilët ishin të mjerë shpirtërisht dhe të shitur poshtërisht.

U vra në moshën 62 vjeçare, pikërisht atëherë kur e kishte arritur stadin më të lartë të pjekurisë politike. Dhe pikërisht atëherë kur përgaditej që në saje të diplomacisë që kishte fituar gjatë një kohe të gjatë politike, të artit ushtarak që kishte fituar në udhëheqjen e luftërave kundër pushtusve të huaj, kur kjo lidhej me traditat, të cilat i kishte mësuar në kullën e Kapidanit, shihet qartë se Prenk Bib Doda ishte vrarë mu atëherë kur ishte bërë emblemë e Besëlidhjeve Kombëtare për pavarsinë e Shqipërisë Etnike.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top