PREJARDHJA E SHQIPTARËVE

SHKRUAR NGA PROFESOR ABAS ERMENJI

Ne Shqiptarët zbresim nga Ilirët, se edhe popullsia e Epirit përbëhej prej fisesh iliriane. Shqipja i ka rrënjët në një gjuhë shumë të vjetër që flitej në pjesën më të madhe të Ballkanit, ndoshta edhe më larg akoma, si në Itali dhe në brigjet e Mesdheut lindor. Por ata popuj u romanizuan pjesërisht, dhe pjesërisht u sllavizuan. Grushtin më të rëndë racës shqiptare ia kanë dhënë Sllavët, të cilët ranë në Ballkan aty nga shekulli VI pas Krishtit dhe e mbuluan pothuajse të gjithë gadishullin. Ky komb shqiptar që ka mbetur, pas shumë përpjekjesh t’ashpra me Sllavët, është rrjedha e grupit iliro-thrak të dikurshëm. Ka shumë të ngjarë që edhe Maqedonët e Filipit dhe t’Aleksandrit ishin një degë e këtij grupi. Nuk i dimë me hollësi tronditjet, çfarosjet ose shkrirjet që pësoi kjo racë e vjetër në përpjekje me Sllavët; sepse historia e Shqipërisë është shumë e errët gjatë atyre tre-katërqind vjetëve, që nga shekulli VI deri në të IX-in pas Krishtit. Nëpër atë rrëmujë të tmerrshme, prej fiseve iliriane dolli kombësia shqiptare me gjuhën dhe tiparet që ka pak a shumë edhe sot. Në shekujt XI e XII vendi ynë filloi të quhej Arbëri ( Arbanon e Arbanum ose Albanon e Albanum, prej të huajve) dhe Shqiptarët vetë u quajtën Arbëreshë. Ky është emri i një fisi ilirian që jetonte rreth Krujës ose aty afër dhe përmendet në shekullin II pas Krishtit prej gjeografit t’Aleksandrisë, Ptolemeut, i cili e quan në shumës Albanoi.

Në fillim të shekullit XI, kur perandori i Bizantit, Vasili II, i dha grushtin dërrmonjës Mbretërisë Bullgare, Arbëreshët u çliruan prej sundimit bullgar dhe fillojnë të lozin një rol, si grup ethnik që dallohej, në këtë pjesë perëndimore të Ballkanit. Por nuk kanë ndërmjet tyre lidhje t’atilla sa të lëvizin bashkarisht si komb dhe të synojnë autonominë kombëtare. Lëvizjet e tyre, si më të shumtën e herës gjatë historisë së Shqiptarëvet, kanë karakter krahinor, lokal. Megjithatë, në ballancën politike t’asaj kohe, ose më mirë të themi në përzjerjen që prunë Kryqëzatat ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, populli arbëresh nisi të shikohej si një forcë; dhe perandorët e Bizantit, mënjanë, princat e Italisë jugore (Normanët dhe pastaj Angjevinët) n’anën tjetër, mundoheshin ta bënin për vehte duke i premtuar privilegje ose ulje taksash.

Përhapja e lidhjevet feudale në Ballkan prej Kryqëzatavet dhe dobësimi i Perandorisë Bizantine nxitën daljen ose forcimin e disa familjeve të para arbëreshe, që u bënë sundimtaret e vërteta të vendit. Nga mbarimi i shekullit XII dolli edhe një principatë e lirë e Arbërisë me qendrën në Krujë ose aty rreth, për të cilën mjerisht dimë fare pak. Themelonjësi i saj quhet Progon. Ky la dy djem, Gjinin dhe Dhimitrin. Dimë se Dhimitri mbante titullin princ ose arhont i madh i Arbërisë.

Familjet më të vjetra arbëreshe, siç ishin Dukagjinët, në veri, Aranitët, në jugë, Thopiajt, në Shqipërinë e Mesme, Muzakët etj., nisin të shquhen që në shekullin XIII. Disa prej tyre, si Aranitët, përmenden edhe më përpara. Një kryetar arbëresh i quajtur David Araniti ose Arianita merrte pjesë në luftën kundër Bullgarisë me Vasilin II, në fillim të shekullit XI.

Këto familje, për të mbajtur pozitën dhe sundimin mbi krahinat e tyre, bënin politikën e kohës me shtetet fqinjë duke e kthyer gunën nga të frynte era dhe shpeshëherë duke luftuar kundra njëra-tjetrës. Herë njihnin autoritetin e Bizantit, herë atë të mbretit të Napolit, por gjithnjë sa për emër. Me pëlqimin e tyre, Karli i Angjevinëvet (Charles d’Anjou), mbreti i Napolit, shkarkoi një ushtëri në Durrës, në Shkurt të vitit 1272, edhe e shpalli Shqipërinë mbretëri më vehte (Regnum Albaniae) nën kurorën e tij.

Kjo «mbretëri» qe e përkohshme dhe ra shpejt në harresë, por ka rëndësi për historinë e Shqipërisë sepse hodhi në shesh idenë e një shteti shqiptar më vehte. Nga ana tjetër provon se Shqipëria shikohej si një njësi ethnike dhe si portë e Adriatikut ku përpiqeshin influencat ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes. Rifillimi i marrëdhënievet me Perëndimin, hapja e një horizonti më të gjerë shkëmbimesh dhe ndikimesh e kish ngritur jetën ekonomike e qytetare të vendit në një shkallë që s’qe njohur në shekujt e mëparshëm. Tregëtia ishte zgjeruar, kultura dhe zejtaria kishin marrë hov lulëzimi, limanet e Shqipërisë dëftenin një lëvizje të gjallë.

Përveç Perëndimit dhe Bizantit, një tjetër fuqi, nga anë e veriut, bënte n’atë kohë mbi Shqipërinë një presion që vinte duke u shtuar: Mbretëria Serbe. Nuk ishte e para herë që Serbët synonin tokat shqiptare. Qëkurse u formua shteti serb i Zetës, në shekullin XI, nuk i qe ndarë Shkodrës dhe një pjese të Shqipërisë së Veriut. Më vonë, kur Mbretëria Serbe u forcua me dinastinë e Nemanjavet, u përpoq vazhdimisht të zgjerohej mbi tokat shqiptare në dy drejtime: nga anë e Kosovës dhe nga anë e Adriatikut. Përparimet ose tërheqjet e saj në Shqipëri kanë qënë të herë-pas-hershme dhe vareshin nga rrethanat ose nga zotësia e mbretërve serbë. Nën Uroshin II Milutin, për shembull, nga mbarimi i shekullit XIII dhe në fillim të të XIV-it, Serbët e shkelën Shqipërinë e Veriut gjer në Durrës, pushtuan edhe Kosovën me gjithë Maqedoni. Por ai që shtiri përkohësisht të tërë Shqipërinë dhe pothuajse gjithë Ballkanin nën sundimin e tij qe Stefan Dushani, i cili, më 1346, u shpall Car (domethënë perandor) i Serbëvet, i Grekëvet, i Bullgarëvet dhe i Shqiptarëvet. Perandoria e Dushanit zëvendësoi përkohësisht atë të Bizantit, së cilës i kishin mbetur vetëm Kostandinopoja dhe disa qytete bregdetare. Por sundimi i Dushanit qe i shkurtër. Pas vdekjes së tij (më 1355) Perandoria Serbe nuk mundi të mbahej: u thërrmua në principata të pavarura.

Feudalët shqiptarë, të cilët ishin mjaft të fortë, mundën jo vetëm t’a spastronin vendin nga mbeturitë e sundimit serb dhe të bëheshin zotër të Shqipërisë ethnike, por e shtrinë edhe më tutje pushtetin e tyre, nga veriu, nga lindja dhe nga juga.

Jemi në gjysmën e dytë të shekullit XIV, kur Shqiptarët tregojnë gjallërinë dhe shtrirjen më të madhe në Ballkan. Krijohen tri principata të pavarura, të cilat, pasi dërrmojnë armiqtë e jashtëm dhe nënshtrojnë përbrenda feudalët më të vegjël, e qeverisin vendin me fuqi sovrane. Është e para herë, ç’prej kohës s’Ilirëvet, që Shqipëria ndodhet e tërë në duart e Shqiptarëvet dhe duket sikur ecën drejt bashkimit në një shtet të vetëm.

Tri principatat e mëdha, që dolën përmbi të tjerat, qenë:

  • ajo e Balshajvet, në veri, me qendër Shkodrën
  • ajo e Thopiajvet, në Shqipërinë e Mesme, me qendër Krujën dhe pastaj Durrësin
  • Despotati i Çamërisë, në jugë, me qendër Artën

Familja e Balshajvet nuk ishte e vjetër, dhe e kishte rrënjën nga një fshat i Shkodrës që quhej me atë emër. Pas vdekjes së Stefan Dushanit, Balsha I plaku, i ndihmuar prej tre të bijvet, Strazimiri, Gjergji I dhe Balsha II, e spastroi vendin nga zhupanët serbë, i shtroi nën vehte krerët e tjerë të Shqipërisë së Veriut dhe të krahinavet të sotshme të Malit të Zi, u shtri nga bregu i detit gjer në Tivar dhe formoi kështu një principatë të fuqishme me qendër Shkodrën. Principata vazhdoi të zgjerohej me Gjergjin I duke arritur deri në Bosnje, nga anë e veriut dhe, nga lindja, deri në Maqedoni. Për të këputur çdo lidhje me Sllavët dhe për t’u afruar me Perëndimin, Balshajt, nga orthodokës që ishin, u kthyen katolikë. Megjithëse nga juga principata e tyre u ndesh n’atë të Thopiajvet, Gjergji I dhe pastaj Balsha II mundën për disa kohë t’a shtrijnë sundimin mbi të gjithë Shqipërinë e sotshme dhe të bëjnë përkohësisht bashkimin e shtetit shqiptar. Pushtuan Myzeqenë, Beratin, Vlorën, duke arritur gjer afër Gjirokastrës, nga juga, dhe deri në Kostur, nga lindja. Por u ndeshën, siç thamë, në principatën e Thopiajvet, së cilës Balsha II i mori Krujën dhe Durrësin, më 1382. Atëhere Karl Thopia kërkoi ndihmën e Turqvet, të cilët n’atë kohë kishin arritur deri në Maqedoni. Një ushtëri turke, nën kumandën e Hajredin Pashës, hyri në Shqipëri më 1385, pushtoi Kosturin, Beratin, dhe u ndesh me fuqitë e Balshës II në fushën e Savrës, afër Lushnjës. Shqiptarët u thyen dhe Balsha II u vra. Gjergj II Balsha, që erdhi pas tij, nuk ishte në lartësinë e duhur dhe principata e Balshajve filloi të çthurej. Karl Thopia i pushtoi prapë zotërimet e veta bashkë me Durrësin. Ushtëria turke, pas plaçkitjevet që bëri u tërhoq prej Shqipërie. Por ky qe një shembull shumë i keq nga anë e Thopiajvet sepse iu hapi Turqve rrugën për në të pastajmen.E dyta principatë shqiptare e asaj kohe, ajo e Thopiajvet, me qendër Krujën dhe pastaj Durrësin, u mundua, sikurse Balshajt, t’a bënte bashkimin e të gjithë Shqipërisë nën sundimin e saj. Familja e Thopiajvet ishte e vjetër; por Karl Thopia, figura m’e shquar e asaj familjeje, i cili mbante titullin princ ose Kont i Madh i Arbërisë, i dha principatës së tij formën e një shteti të pavarur, pasi iu mori Durrësin Angjevinëvet dhe i shtroi nën vehte krerët e tjerë të Shqipërisë së Mesme. Mjerisht, rivaliteti ndërmjet Thopiajvet dhe Balshajvet, i shtytur edhe prej Venetikut, pengoi formimin e një shteti shqiptar të bashkuar.

Në të njëjtën kohë, principata e tretë shqiptare u krijua në Çamëri me Gjin Bua Shpatën dhe Pjetër Loshën. Këta e mundën despotin e Epirit dhe të Thesalisë, Niqeforin II, më 1358, dhe u bënë zotër të vendit. Njëzet vjet më vonë, më 1379, Gjin Bua Shpata i dërrmoi ushtëritë e bashkuara të Grekëvet, Serbëvet, Napolitanëvet, dhe u shtri nga juga gjer në thellësitë e Greqisë duke bërë Artën kryeqytet shqiptar.

Siç shihet, në gjysmën e dytë të shekullit XIV ndihet edhe në Shqipëri proçesi i përfshirjes së zotërimevet të vogla në principata të mëdha. Me anë të këtij bashkimi, qoftë edhe i tripjesshëm, kombësia shqiptare tregoi një fuqi zgjerimi e qëndrese që s’ishte parë gjer n’atë kohë. Pas përmbledhjes së zotërimevet të vogla në principata të mëdha, kishte edhe një çap për t’u bërë – çapi i përmbledhjes së principatavet në një mbretëri të vetëme – dhe Shqipëria do t’a kish gjetur që atëhere bashkimin politik si shtet. Bashkimi politik do të sillte si pasojë edhe lartësimin kulturor si dhe përmbledhjen e Shqiptarëvet në një Kishë, në një fe. Për fat të keq ky cak nuk u arrit dot, sepse principata e Balshajvet dhe ajo e Thopiajvet qenë më të shumtën e herës në luftë me njëra-tjetrën për çështje të sundimit. Secila prej tyre kishte stemën e saj, priste monedha edhe ushqente ambicjen e kurorës mbretërore. Në këtë konflikt shtyhëshin edhe nga jashtë prej Venetikasvet, Serbo-Bosnjakëvet, Napolitanëvet etj., të cilët kishin interesa ndërhyrjeje në Shqipëri.

Balshajt qenë ata që e përmblodhën përkohësisht në një dorë të gjithë Shqipërinë dhe, përveç njësimit politik, deshën t’i jepnin edhe njësimin fetar duke u kthyer ata vetë në katolikë. Por familja e Thopiajvet do të kishte qenë ndoshta m’e përshtatshmja për të bërë bashkimin e përgjithshëm mbasi ndodhej në Shqipërinë e Mesme, e favorizuar nga gjeografia. Dhe Karl Thopisë nuk i mungonte as ambicja as zotësia për një vepër të këtillë. Duke qenë të dy familjet në luftë kundër njëra-tjetrës, ky bashkim nuk u bë. Po edhe përmbledhja e përkohëshme e të gjitha tokavet shqiptare në tri principata të mëdha solli dobi në ngritjen e shkallës ekonomike dhe kulturore të vendit, në zhvillimin e jetës qytetare me zgjerimin e tregëtisë dhe përparimin e zejtarisë. Shkëmbime tregëtare bëheshin sidomos me qytetet e Italisë. Zejtaria shqiptare çmohej shumë në tregjet e jashtëm. Limanet e Shqipërisë, prej Tivarit gjer në Prevezë, tregonin një lëvizje lundrimi nga më të gjallat në Adriatik dhe në detin Jon.

Nga fundi i shekullit XIV, principatat shqiptare u thërrmuan prej ndërhyrjeve të jashtëme e prej grindjeve midis tyre dhe vendi ra përsëri në një anarki feudale, si më përpara. Bashkimin e Shqipërisë në një shtet të vetëm, që s’u bë dot në shekullin XIV, u përpoq t’a bënte Skënderbeu, në të XV-in, gjatë qëndresës kombëtare kundër Turkut.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top