Praktika shoqërore si kriter kryesor i të vërtetës marksiste-leniniste

Shkruan: Arbër Gashi

“Kriteri kryesor i të vërtetës është praktika shoqërore. Mendimi i vërtetë është provuar në praktikë.” – Karl Marks

I

Mendimet, opinionet, përkufizimet dhe debatet filozofike për të vërtetën janë të shumta në numër dhe datojnë që nga antikiteti e deri në ditët tona. Andaj, synim nuk është ballafaqimi i mendimeve, opinioneve dhe përkufizimeve tjera filozofike mbi të vërtetën, me përkufizimin e mangët të dhënë nga Karl Marksi, sepse, kritika shkencore rreth përkufizimit të Karl Marksit për të vërtetën si praktikë shoqërore është bërë tashmë pjesë e pandashme e ligjërimeve të përditshme anekënd univerziteteve me renome botërore. Pra, te univerzitetet me renome botërore, për dallim nga univerzietet me renome t’rrënueme pellazgo-ilire, dardano-arbnore dhe shqiptaro-kosovare, praktika shoqërore e shoqëruar me kritikën konstruktive, përmbajtësore dhe shkencore, është përditshmëri. Për rrjedhojë, synim i këtij punimi modest është kundrimi subjektiv mbi praktikën shoqërore dhe të vërtetën marksiste-leniniste në institucionet shtetërore e shoqërore shqiptaro-kosovare.

II

Seanca e parë e përballjes gjyqësore të pararojës marksist-leniniste me drejtuesin e Institutit për Hulumtimin dhe Studimin e Krimeve të Komunizmit në Shqipëri, z. Agron Tufa, përfundoi në dobi të drejtuesit të institutit antikomunist. Siç mësojmë nga mediat e shkruara, zotëriun Agron Tufa, në seancën gjyqësore e ka shoqëruar avokati i tij, zotëri Kujtim Cakrani, pinjoll i familjes së Kadri Cakranit, luftëtarit zulmëmadh për pavarësinë e Shqipërisë etnike. Nga mediat e shkruara mësojmë gjithashtu, se në rrethet komuniste shqiptaro-kosovare është dënuar rëndë veprimi i gjykatës, e cila, në seancë gjyqësore kishte guxuar të ftonte një çetë të tërë komunistësh, duke i poshtëruar me një praktikë të papranueshme shoqërore për të vërtetën dhe mendësinë e praktikuar shoqërore të marksist-leninistëve shqiptaro-kosovarë!

Ballafaqimi i një komunisti me një ballist, për marksist-leninistët shqiptaro-kosovarë, nuk paraqet aspak problem, sepse në këtë rast, viktimës i dihet emri që më parë. Ndërsa, të ftosh edhe si gjykatës i autorizuar nga shteti, një çetë të tërë komunistësh për ta ballafquar atë me një ballist të vetëm; ky veprim, edhepse ligjor e i kuptueshëm,  për mendësinë e pararojës marksist-leniniste është i papranueshëm, sepse, ndoshta padashjen e gjykatës dhe të shtetit, çetës marksist-leniniste i imponohet ndikimi i armatosur në praktikën shoqërore! E pastaj, si ngahera, dihet se ç’farë ndodh kur ballafaqohesh me një çetë të tërbuar komunistësh, që kërkon ta ndryshojë dhunshëm praktikën shoqërore… Atëherë, vaj halli për shtetin e për gjykatat dhe, gjithsesi, vaj halli edhe për të vërtetën e Karl Marksit! Prandaj, meqenëse praktika shoqërore e marksist-leninistëve shqiptaro-kosovarë nuk e përjashton plumbin nga analiza dhe gjykimin partiak nga praktika shoqërore, gjykata shqiptare paska qenë dashur të marrë në konsideratë ndjenjat shpirtërore të pararojës marksist-leniniste! Me këtë veprim që bie ndesh me praktikën shoqërore marksiste-leniniste, gjykata shqiptare e paska rrezikuar po ashtu, edhe praktikën shoqërore të demokracisë çalamane pellazgo-ilire. Për të shmangur pasojat, është mëse e kuptueshme që qytetarë të brengosur i bëjnë thirrje gjykatës, që drejtuesit e pararojës marksist-leniniste të ftohen një nga një, ose dy përnjeherë dhe jo më shumë se kaq. Gjykata, duke u bazuar te praktika shoqërore, duhet ta përjashtojë si mundësi edhe dëgjimin e tre pjesëtarëve të pararojës përnjeherësh, sepse, posa të bashkohen tre komunistë, aty për aty rritet vigjilenca, shtohen brengat, i hapet dera konspiracionit, depërtojnë armiqtë e brendshëm e të jashtëm, si p.sh.: Hashim Thaçi e Edi Rama, Vuçiç e Tsipras, Erdogani e Mogherini dhe, ku ta dijmë ne qytetarët e këtij vendi sa e sa marksistë të tjerë!

III

Në mërgatën shqiptare, gjatë fundjavës që lamë pas u promovuan librat e kolonelit Ahmet Krasniqi, ish-Ministër i Luftës i Republikës së Kosovës, i vrarë nga dora e zezë tradhtare në mes të Tiranës. Kjo vrasje makabër ndikoi dukshëm në rrjedhën e luftës, sepse i hapi rrugë pararojës marksist-leninste për marrjen e pushtetit, duke përdorur aktet e dhunës dhe të terrorit. Republika e Kosovës, 20 vjet pas vrasjes ende të pasqaruar në mes të Tiranës, i riatdhesoi eshtrat e kolonelit Ahmet Krasniqi, megjithatë, riatdhesimi i kolonelit ndodhi në kohën kur republika jonë ka marrë pamjen e një shteti në ikje nga vetvetja, nga historia, nga identiteti kombëtar dhe nga bandat e organizuara marksiste-leniniste. Në Kosovë, vrasja e Ahmet Krasniqit në vlugun e organizimit të luftës për liri, e solli në kujtesë edhe vrasjen e Iljaz Agushit në vitin 1943, vrasje të cilën e pasuan një mori vrasjesh tjera, duke e thelluar dhunën marksist-leniniste deri në përmasa të gjenocidit. Për pasojë, edhe vrasjet që ndodhën pas vrasjes së Ahmet Krasniqit nuk mbetën pa jehonën e zërit kundërshtues, por, pavarësisht kërkesave qytetare dhe obligimeve ligjore, deri më sot, as Kosova e as Shqipëria, nuk e kanë zbuluar asnjërin prej vrasësve, me përjashtim të vrasësit të Ukë Bytyçit. Shpresa se vrasësit e shqiptarëve të pafajshëm do të sillen para drejtësisë, dita më ditë po fashitet. Popullsia shqiptare në Kosovë e Shqipëri, e ballafaquar me të vërtetën e praktikës shoqërore marksiste-leniniste, ka filluar të shpërngulet. Kërkesat për emigrim drejt vendeve perëndimore kanë marrë përmasa të jashtëzakonshme, të frikshme dhe të lëna pa përgjigje adekuate nga institucionet vendore. Kjo gjendje, ku pararoja është në pushtet, shish-mbi-shik-u vigjilent, dhe Skender Gjinushi kryetar i Akademisë së Shkencave, nuk premton kurrfarë ndryshimi pozitiv për shqiptarët, prandaj, protestat e qytetarëve shqiptarë në rrugët e Tiranës, jo vetëm në Shqipëri, por edhe te mërgata shqiptare perceptohen si shpresa e vetme e ndryshimit pozitiv.

IV

Definicionin e Karl Marksit për të vërtetën si praktikë shoqërore dhe për të vërtetën si mendim të provuar në praktikë, e kanë vlerësuar si të pasaktë dhe të njëanshëm të gjithë ata filozofë që e mbështesin përkufizimin shkencorë karshi indoktrinimit dhe interesit ideologjik. Sido që të jetë dhe sido që ta kenë formuluar filozofët tjerë përkufizimin e tyre për të vërtetën, për ne shqiptarët, e vërteta duhet ta posedojë një arsye të mjaftueshme, të jet’ identike me vetveten, të mos shndërrohet në tautologji dhe të mos keqepërdoret për të imponuar praktikë shoqërore terroriste, marksiste e leniniste. Përndryshe, përvoja jonë jetësore me marksistë-leninistët dhe praktikat e tyre, definicionin e Karl Marksit, ku tekstualisht thuhet:

“Kriteri kryesor i të vërtetës është praktika shoqërore dhe,  mendimi i vërtetë është provuar në praktikë.” – për ne shqiptarët interpretohet si:

“Vrasësi kryesor i të vërtetës është praktika shoqërore dhe, vrasësi i vërtetë është provuar në praktikë.” 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *