POPULLI DHE INTELEKTUALËT

Shkruar nga Tajar ZAVALANI

I. Kush e ka fajin?

Kurrkujt s’i pëlqen të pranojë se u gabua. Sa më i pazoti dhe më kapadaji të jetë njeriu, aq më tepër e urren autokritikën. Kur një njeriut të frymëzuar me eogizmë të cekët puna nuk i del ashtu siç e priste, fajin e ka moti, kriza, dreqi, i biri, ipsilloni, bota e tërë, po kurrë jo ay vetë. Kësisoj, pas parimit të strategjisë që thotë se forma më e mirë e mbrojtjes është ofensiva, njerëzit që s’durojnë dot autokritikën se e ndjejnë veten të dobët, akuzojnë të tjerët për të larë vehten nga çdo gabim ku ata mund të jenë të implikuar. Këtë mentalitet shumë të përhapur këtu ndër ne, urtësia popullore e ka cilësuar me fjalën e njohur: “Kush e bëri kulaçin e shtrembër?… Nusja”. Përgjithësisht, autokritika është priviligji i njerësve të zgjuar, me kulturë, dhe që i dalin gjithmonë për zot punës që marrin përsipër. Këta njerës të veprimit, energjik dhe me vullnet të çelikt, janë të parët që e njohin se u gabuan, kur një punë nuk del ashtu siç e kishin parashikuar. Ata udhëhiqen prej parimit: nuk gabohet ay që s’bën kurgjë. E dinë se jeta është aq e komplikuar dhe dinake sa kurrë njeriu, në fillim të një pune, nuk mund të parashikojë të gjitha eventualitetet që mund t’i dalin përpara. Edhe do të ishte gabimi më i madh për një njeri të veprimit sikur të shkonte kohën duke menduar ngjarjet më të vogla që munt të influencojnë çdo gjest të tij, se atëherë do të humbte rastin që të veprojë.

Njeriu i veprimit që din se ku do të arrijë, kujdeset që rruga që ka nisur të mos jetë kryekëput e gabuar dhe, kur e sheh se faktet nuk vërtetojnë parashikimet e tij, ndrron taktikë pa u ndalur nga fjalët e botës që do të thonë se u gabua. Ay shikon qëllimin dhe respekton faktet, të cilëve u jep të drejtë sa herë që nuk janë dakort me projektet ose dëshirat e tij. – , Mjerisht, shumë intelektual të rinj shqiptarë hyjnë në kategorinë e parë. Ata mbasi nxijnë letër tërë ditën nëpër zyrat për të gjetur nonjë shkresë o nonjë pllug të arratisur në labirintin burokratik, mbidhen nëpër kafenetë dhe flasin mbi situatën. Që të gjithë e pranojnë se punët venë keq, keq sa s’ka ku të vejë më. Pa e lënë të mbaronjë fjalën gjithë të tjerët ngrenë duart në qiell dhe psherëtijnë: Ah! s’bëhet gjë me këtë popull! Fillon pastaj numurimi i të metave të “këtij populli” që ndalon intelektualët të realizojnë idealin e tyre. Po ky ideal ç’është vallë? A mos është zgjimi i popullit, dalja e tij nga errësira ku gjendet sot? Jo, aspak! Ideali i shumë intelektualëve të rinj shqiptarë është një jetë e rehatshme, pa andralla as mundime, me para boll, konfort e dëfrime moderne. Dhe në ështe se ata nuk e gëzojnë këtë jetë të ëndërruar, fajin e ka populli, i cili nuk kupton shpirtin e intelektualëve dhe nuk vepron siç dëshërojnë ata.

II. Ç’pamë në Evropë. Ç’gjejmë në Shqipëri.

Vërtet kur vjen rasti , ne i stigmatizojmë, dhe me tërë fuqinë, të metat tona si komb. Por këtë e bëjmë për të shpieguar të shkuarën dhe për të kuptuar psikologjinë e masave; edhe jo për të justifikuar apathinë, inercinë, indiferencën dhe mosveprimin tonë. Në qoftë se vjen puna për të ndarë fajet, fajin më të math e kemi ne që i themi vehtes intelektual. Pse?.., do të pyetni. Puna për mua është aq’ e qartë sa nuk ka nevojë të shpiegohet. – Por janë disa të vërteta që nuk bëjnë dëm pse të përsëriten kohë pas kohe. Neve, bijtë e këtij vendi, të dalë nga gjiri i këtij populli, patmë rastin ose fatin të vemë të rrojmë disa vjet në kryeqytetet e shteteve më të qytetëruar të Evropës oksidentale. Atje hymë në kontakt me një botë, një kulturë, një popull që ka arrirë kulmin e përparimit. Atje u munduam, si cilido pas takatit dhe zotësisë, të shkundim pluhrin e mrapështisë ku qemë rritur, të çkëputemi nga idhetë e ndryshkura, paragjykimet e cekta dhe mentaliteti primitiv; u përpoqmë të riedukojmë vehten dhe të armatosemi me dituri dhe vullnet për punë. Pastaj vimë këtu dhe gjejmë botën e vjetër që kishim lënë. Sado pakë thellë të na ketë prekur kultura oksidentale, prap se prapë një qind për qind me botën e vjetër nuk mund të pajtohemi.. (Padyshim ka edhe disa shëmbëlla të shëmtuara të rinjsh që janë vjetëruar para kohe). Pra, ç’duhet të jetë qëndrimi i ynë?

Mjerisht, shumë nga të rinjtë që kanë mësuar jashtë sillen si ay jahudiu që u bë i krishterë dhe, kur e pyeti miku i tij se si e ndiente veten, ay i u përgjigj me përbuzje: “Ikë mor çifut i ndyrë!” U hyri lezeti i jetës moderne. Mirpo atë këtu nuk e gjejnë. Bota shqiptare u del përpara e u thotë: Hë, ju që mësuat se ç’është kultura moderne, nxirrmëni dhe mua nga kaosi, nga errësira, nga mizerja ku gjindem. Rruga që duhet ndjekur për të modernizuar Shqipërinë është plot gjëmba, plot vështirësi të panumurta dhe lyp sakrifica të çdo çasti. Ata që do t’i përvishen kësaj pune duhet të mos ëndërrojnë jetën e një pallati por atë të kasolles, me fjalë të tjera mos kërkojnë konfort e dëfrime. Intelektualët shqiptarë nuk kanë vullnetin ose guximin të ndjekin këtë rrugë që nuk dihet se ku mbaron, por nuk duan as t’a pranojnë se u mungon kurajua civile. Atëhere ç’bëjnë? Ngushëllohen me frazën tipike: nuk bëhet punë me këtë popull.

Sa mirë vjenezi ose pariziani: të kupton menjëherë, ka shpirt, ka guxim, e ndan të mirën nga e keqja, indignohet nga padrejtësitë, enthuziaset për një ide, din të sakrifikohet për një ideal. Kurse shqipos i bën mirë – t’a merr për keq, e mpron – s’ta di për mirë, është frikash, pa hov, hipokrit, shpirt-sllavi, dembel, pa dëshirë përmirësimi në jetën e tij mizerable. Në këtë arsyetim të shumë intelektualëve të rinj shqiptarë ka një mungesë perspektive. Neve hymë në kontakt me popujt oksidentale që kanë arrirë kulmin e qytetërimit. Por nuk duam të kuptojmë se sa shekuj kanë kaluar në vuajtje e në errësirë sa përpjekje, sa theori u janë dashur atyre popujve që të arrijnë atë shkallë qytetërimi që u kemi zili neve sot. Harrojmë se në çdo vend pionjerët e kulturës janë ignoruar, përbuzur, persekutuar dhe, gjëja më e hidhur për ta, populli që donin të ndriçonin I ka shikuar shumë herë si armiq. Sa breza kanë kaluar pa parë asnjë reze drite, sa idealistë të mbëdhenj kanë vdekur pa parë asnjë grimë të idealit të tyre të realizuar. Kurse neve mendojmë kështu: me qënë se nuk munt të shohim rezultatet e veprës sonë sa jemi të gjallë e të rinj, nuk vlen zahmeti që t’i hyjmë punës që na vë përpara realiteti.

III. Riedukimi i popullit konditë e parë e çdo përparimi

S’ka fjalë se një qëndrim i tillë nuk është i dejtë për një intelektual të vërtetë. Në qoftë se populli është sqeptik kundrejt elementave të kultivuar, në qoftë se është refraktar kundër çdo mase përparimtare, ky qëndrim ka arsye të thella që duhen zbuluar. Nuk mund të thotë askush se populli shqiptar është i kënaqur ashtu si është sot dhe nuk kërkon përmirësimin e gjendjes së tij. S’ka popull në botë që të mos dojë a priori të mirat e jetës së qytetëruar. Popullin shqiptar e ka shtërnguar jeta të dyshojë dhe të jetë sqeptik. Ay ka konstatuar me zemër të thyer se pothua të gjitha masat që janë marrë gjer më sot gjoja në favor të tij, kanë dhënë rezultate të dëmshme për të; ay ka paguar direkt ose indirekt, shpenzimet e eksperimenteve që janë bërë në çdo fushë deri më sot. Prandaj neve intelektualët nuk munt të lajmë veten duke thënë se populli s’na kupton dhe nuk di të çmojë idealet tona përparimtare. E parë e punës duhet t’a dijmë se njeriu është faktori kryesor që e shpie shoqërinë përpara, prandaj riedukimi i popullit është kondita e parë e çdo qytetërimi. Në qoftë se duam me gjithë mënt të lëfojmë për modernizimin e vendit tonë, e pra punë që duhet të bëjmë, është të ndryshojmë mentalitetin e popullit, t’i çelim sytë mbi realitetin e sotmë, t’i tregojmë rrugën e daljes nga mjerimi dhe errësira, edhe, në munçim, t’a udhëheqim në këtë rrugë. Por që t’i hyjmë seriozisht kësaj pune duhet pik së pari të pranojmë disa sende që mbase nuk na pëlqejnë por që nuk çduken me sot me nesër. Duke qënë Shqipëria ashtu, primitive, e pazhvilluar siç është sot, ne nuk kemi të drejtë, as nuk duhet të kërkojmë sot për sot një jetë të rehatshme, me komfort e dëfrime moderne. Në duam që jeta jonë të ketë një kuptim, në duam që të mos kalojmë nga kjo botë si barka mbi cipën e detit që ngre disa vala, të cilat çduken sakaqë, duhet të kërkojmë kënaqësinë në përpjekjen, në mundimin, në luftën për të krijuar një frymë të re. Dhe të mos mendojmë se në pakë kohë Shqipëria do të bëhet ashtu siç ëndërojmë ne dhe atëhere do të mundim t’a shijojmë jetën. Për këtë do të duhen dhjetra vjetë. Neve duhet të jemi të lumtur në qoftë se lokomotivi vendoset mbi vijat e hekurta, në qoftë se Shqipëria hyn përnjimend në rrugën e përparimit me themel.

Të huajt që vizitojnë Shqipërinë na kanë zili që rrojmë në një vend të virgjër ku çdo gjë është për t’u filluar nga kreji. E ne këtë e quajmë fatkeqësi. Kurse do të duhej të mburreshim që rrojmë në periudhën më të vështirë të historisë sonë ku jeta është një luftë e paprerë kundër vështirsinave që na turren nga të katër anët. Duhet të krenohemi duke menduar se brezat e ardhshëm do të na kujtojnë me admirim, duke thënë: “ata që rrojtnë në një epokë heroike”. Mbase dikush, duke kënduar këto rreshta do të buzëqeshë me ironi. Atij do t’i përgjigjem se skepticizma na ka marrë më qafë, se ironia shumë herë është masa e ignorancës dhe e dobësisë morale. Në qoftë se qënja nëpër universitetet e Evropës nuk na ka ngjallur ambicjen që të lëftojmë për të vendosur kulturën dhe qytetërimin në vendin tonë, atëherë është kot q’i themi vetes intelektualë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top