SHKRUAN: EDISON YPI
Ja çfarë thonë dosjet e Sigurimit për disa prej atyre që më kanë spiunuar mua.
I.S. me pseudonimin “Helmi”. Tip i lëvizshëm, merakli qokash, sidomos muhabetesh të rrezikëshme ku flitet me simpati për kanconeta italiane dhe urrejtje për komunistat, lebërit, krimet e diktatorit dhe diktaturës. Dosja e “Helmit” provon se I.S. është ai që me spinllëqet e tij ka dërgur në internime dhe burgje dhjetëra shqiptarë, prej të cilëve shumica ka vdekur, disa janë çmendur, nja katër a pesë janë me një këmbë në varr.
A.N. me pseudonimin “Vreri”. Dosja e “Vrerit” është plot me kallxime nga më të ulëtat dhe më të pështirat, kryesisht për mua, fakt ky që provon se “Vrerin” e paskam pasur “Spiun të dedikuar”, ose “Pullë poste”. Meqënëse punonte si elektriçist tek “Kombinati i Mishit”, Për t’ja lehtësuar spiunimin, Sigurimi kishte porositur rojat të mbyllnin një sy kur “Vreri” nxirrte jashtë kombinatit pula të vjedhura. Këto pula “Vreri” i përdorte si karrem për të joshur viktimat dhe për të bërë qef. “Vreri” i nxirrte pulat nga Kombinati të fshehura brenda brekëve. Nga kontakti brenda brekëve i mishit të butë të pulave të porsatherura, të ngrohta, të përgjakura, me hallatet e uritura për seks të “Vrerit”, “Vreri” ejakulohej.
V.K. me origjinë katundare, e shpunë në Francë për të studjuar ca gjëra që ende sot kurrkush nuk e di se çfarë. Me tu kthyer nga Franca, V.K. për ca kohë tymosi me llullë dhe përdori ca shaje të modës pariziene të asaj kohe. Kishin qënë të gjitha mjete për të futur në kurth sa më tepër viktima, mes tyre dhe mua. E provon fakti se pasi ma morën vëllain në burg, për nja dhjetë vjet V.K. s’më foli me gojë.
Sh.K., ose “Mishi”, si tironc i vjetër, nuk ishte fort’ i besuar. Por spiunllëqet për shumë nga të njohurit e tij, dhe natyrisht mua, i ka bërë me zell të madh.
Këta, bashkë me të tjerë që më kanë njohur dhe më kanë spiunuar mua, duan të më spiunojnë edhe tani. Në mos për tjetër, të paktën për stilizimin. Por s’kanë se ku. S’dinë se si. Tani ata ndyrësira po presin në heshtje vdekjen si poetët “Noir”, ata që rrijnë gjithë kohën me fytyrë nga muri duke pritur vdekjen.
Kishte dhe plot spiuna të tjerë që as i kam njohur as më kanë njohur;
A.L. me pseudonimin “Qelbësi”. Zelli i papërmbajtur i “Qelbësit” për të spiunuar, zhdërvjelltësia e kallximeve, tejpamësia dhe besnikëria ideologjike e këtij spiun, kanë qënë tiparet bazë të “Qelbësit” që ka bërë gjithato spiunllëqe duke nxirë gjithato jetë. Edhe kot. Për qef të spiunllëkut.
A.S. ka pasur pseudonimin “Zifti”. Rekrutimi i “Ziftit” është bërë qysh herët nga oficerë të specializuar në Rusi në “Akademinë Xherxhinski” për njohjen dhe zbatimin me rreptësinë të parimeve pedagogjike të Makarenkos për futjen e sa më tepër rrugaçëve në pikat kyçe të shtetit të halabakëve. Në dosjen voluminoze ka cilësime profetike si; “rrëshqet si ngjalë Lalëzi”, “depërton si urith Dumreje” etj. për “Ziftin” i cili në demokraci u bë faktor mediatik me rëndësi të konsiderueshme dhe cilësi të skëterrëshme.
“Turtulli” është pseudonimi i A.Ç. Ja vuri operativi i katundit i cili spiunit të ardhshëm i tha një ditë; Je i lindur për lake’ dhe për spiun mor qerrata. I ke të gjitha cilësitë. E folura papushim sikur ke ngrënë bythë turtulli është më e mira për zanatin e ndritur në të ardhmen e nxirë që të pret. Ruaje dhe përsose atë stil të foluri dhe të shkruari me Shqipe të shprishur se na duhesh për kohë të vështira, çka koha e vërtetoi.
Pseudonimin “Xerxeleja” e ka pasur R.R. Këtë pseudonim j’a vuri një operativi tek vuri re se spiunit të ardhshëm nuk i rrinte kurrë bytha rehat dhe i hapi një dosje të bardhë që u nxi më vonë.
Nuhatja dhe vizioni i Sigurimit bënte spiun me dosje, përveç të gjallëve që spiunonin të gjallët dhe të vdekur që spiunonin të gjallët, edhe të vdekurit që spiunonin të vdekurit. Si do mund të zbuloheshin gjithato grupe armiqësore pa këta varietete spiunësh ?
Vënia e pseudonimit, si hap i parë në botën e pafundme të spiunllëkut, ishte një procedurë delikate të cilës i jepej rëndësia që meritonte. Pseudonimi duhej zgjedhur i atillë që të pëlqehej nga i rekrutuari edhe rekrutuesi. Një pseudonim i pa përshtatshëm, me kalimin e kohës, mund të shkaktonte, siç kishte ndodhur jo pak herë, deri edhe në traumë psiqike si për njërin dhe për tjetrin. S’kish si ndjehej rehat një rekrutues i quajtur “Uk” me një spiun me pseudonimin “Qingj”. Ose në mardhënien spiun-spiun, do të ishte fatale që një spiun me pseudonimin “Mjalti” të bashkëpunonte gjakftohtësisht me një tjetër spiun me pseudonimin “Ariu”.
Pseudonimin më interesant në krejt botën komuniste e ka pasur A.K; “Prisencolinensinainciusol”, pra titullin e një kënge të Çelentanos që i pëlqente pa masë, A.K. j’a vunë si pseudonim kur pas një ditë të lodhëshme stërvitje në zbor, e shqiptoi gjatë gjumit kur po shihte në ëndërre sikur po konduktonte Festivalin e Sanremos kur vrau veten Luixhi Tenko. “Shoku” i zborit që po flinte në krah të tij, ja kallxoi operativit të Sigurimit atë fjalë të gjatë e të përdredhur si kthesat e Qafë Krrabës. Lajthitjet e sotme skenografike janë pasojat e çrregullimit permanent që ka shkaktuar në trurin e A.K. pseudonimi kilometrik në fjalë.
M.N. e bënë spiun me pseudonimin “Zgjebja” kur ishte i internuar në Lushnje.
Dosjet e Sigurimit flasin edhe për F.L. me pseudonimin “Tezga”. Një natë behari, F.L. me disa shokë nomenklaturistë po dëgjonin muzikë borgjeze me një radio dore. Andejpari kaloi një polic. Polici ua mori nomenklaturistave radion. U tha të vinin në rajonin e policisë. I vetmi që nga frika e vajtjes në rajon i tha policit se i biri i kujt ishte, qe’ F.L., ai banakieri i sotëm televiziv që pllaquritet kur flet. Me të dëgjuar këtë, polici, e hoqi mënjanë F.L., i tha të ikte në shtëpi, ndërsa të tjerët i mori në polici. Pra F.L. pranoi që miqtë e tij të iknin në polici, ndërsa vetë iku në shtëpi. Të nesërmen e thirri një operativ i Sigurimit. Operativi i tha se do ta dënonin e ridënonin. Por nuk duhej të bënte gëk. Sepse, pas shumë vitesh, si burgosjet dhe riburgosjet, vuajtjet dhe rivuajtjet, do ishte përsëri Sigurimi që do t’ja mundësonte shitjen e vuajtjeve dhe stërvuajtjeve mbi tezgë.
Në dosjet e femrave spiune bie në sy angazhimi i tyre që, për të mirën e partisë dhe të atdheut, mund të bëheshin kurva. Ka të ndershme që bëhen kurva. Ka kurva që bëhen të ndershme. Ama kurva që bëhen kurva, është
i vetmi marifet që, për të mos ja ngrënë hakun, Sigurimi nuk e solli nga Rusia por e shpiku vetë.
Ku janë të rrallë ata që nuk kanë spiunuar. Edhe më të rrallë ata që nuk janë spiunuar. Ku është zero numuri i atyre që as kanë spiunuar dhe as janë spiunuar, “Popull ushtar”, “Popull bujk”, “Popull heroik”, “Popull besnik”, ishin dhe janë dëngla.
Këtu ka pasur dhe ka vetëm “Popull spiun”.