Politika e epsheve

SHKRUAN: ENGJËLL I. BERISHA

Vullneti për tu marrë edhe me politikën edhe me rrezikun nga pandemia, janë shprehje me koncepcion pa i dalluar veçoritë intelektuale me ato mendore. Dikush e ka hetuar këtë gjendje, mbase, po na lehtëson pakëz kohën, laj e shpërlaj, të mos mendojmë vetëm për sëmundjen. Po, a punon koha për ne se? Pos sëmundjes, do të dalim edhe të çmendur nga kjo krizë. Unë, nuk do t’ia fali këtë moment të ligë, atij që është fajtor.

Kur e ka përnjëmend protestën Kimete Berisha, ta shkul zemrën e ta tregon kah e kishin rrjedhën e keqe damarët tu. Atë që e favorizon si shumë fati edhe e bën budalla, ky epigram latin, e vërteton dhe atë se fati të jep, madje edhe tepër, por askujt nuk i jep mjaft. Mjaft mend, mjaft kohë, mjaft mundësi e mos o Zot, dikujt ti japë mjaft fuqi. Fati nuk ka masë, sipas proverbave, as në të mirë as në të keq.

Lajka

Fuqitë botërore po kollapsojnë, e te ne ka lajka politike, me të cilat luhet fati i shoqëruar me smirë. Këtij vendi nuk i ka mbetur asnjë gram trimëri më, asnjë sekondë tolerancë, pos, aty ku ka arsye. E në çdo çast, krejt sikur po hapet epidemia, po humbet arsyeja edhe te ekzistenca e klasës politike. Kush mund të ngadhënjejë mbi epshet e veta? Konstatimi po del se kjo është politikë e epsheve. Sa keq, instinkti është dukur e kafshëve. Dikujt i duket vetja origjinalë, e në fakt e kopjon vetveten. Po çfarë origjinali, nëse e ke kopjuar vetveten? Vetëm kur i marrim rreziqet e përgjithshme të momentin e të së ardhmes jemi origjinalë. A u duket vetja origjinalë atyre që na udhëhoqën, e na udhëheqin? Ata mendojnë se po.

Ushtria sociale

Momentet e vogla kanë përcaktuar të ardhme të mëdha gjatë jetës. Kapaciteti ynë human, ekonomik edhe demografik është i vogël përballë fuqive botërore. Ndonëse u duket moment i vogël, ky i krijuar me pandeminë, aq i vogël sa të gjithë jemi të ekspozuar para rrezikut. Më i madh është inati i njëri tjetrit, ose epshi, se sa e tërë situata. Rrjetet sociale, te të rinjtë e kanë më shumë preokupim se çka ndodh me subjektin partiak se sa e madhe do të jetë pandemia. E pyes një kolege sa për ta ditur gjendjen familjare të saj, se si po ia dilnin me izolimin apo me shëndetin, ajo ma kthen, – shëndetin mirë more, po shihe çka është ka ndodhë me qeverinë. Përgjigja, – shëndetin mirë moreeee, mu duk se e ka dytësore, nocion i njeriut me vullnetin e lokalizuar, derisa unë ia njoh diferencën e tipareve origjinale, nga ndikimi i importeve të ushtrisë sociale.

Secili subjekt e ka krijuar ushtrinë sociale nëpër rrjete dhe prej tyre e bëjnë sondazhin sa janë të fortë. Sikurse po lokalizohet e keqja në këtë formulë dominonte. Sa më shumë të lokalizohemi, aq më pakë do të jemi të dobishëm për universalen, me ndikime afektive psikike anësore, mjerim i madh moral për të nesërmen. Kësaj i thonë politikë e izolimit. Vërtetë kemi nevojë për izolim nga rreziku i infektimit, por si ta bëjmë dallimin e varfërisë materiale me atë mentale të një subjekti në tjetrin. Vota mund të merr edhe një i krisur në bollëkun partiak dhe pastaj bëhet problem antropolitik. Kësaj i thonë politikë me rrënjë. Tani numëroni, cili subjekt ka më shumë të tillë?

Kush është fajtori?

Dikush nuk e ngriti kapacitetin shëndetësorë, dikush e rrënoi, e dikujt po ia shpërfillë politika rëndësinë e saj. Tani e tutje, artileritë, aviacionet, armet me tyta të gjata i mund një konspiracion që as nuk e shohim as nuk e luftojmë dot. Këso armë biologjike kanë shumë nga shtetet që e mbrojnë njerëzimin dhe shumë nga ato që e kërcënojnë çdo ditë. Pse janë prodhuar këto armë, natyrisht për ta ç’farosur njerëzimin. Ata që prodhojnë këso armësh, edhe luten, edhe shkojnë në tempuj fetarë. Veshën me kravata e bëjnë qytetërim, bile me konkurrencë. Kaq e pafuqishmë është bota sot. Kaq e pasigurt, sa ne popujt e vegjël, nëse nuk jemi viktimat e para, se ato prodhohen për njëri tjetrin, jemi më të pambrojturit. Kaq është fuqia e jonë. Gjërat ecin kaq shpejtë sa nuk të lënë as të mendosh.

Nuk mundet i tërë populli të aspirojë, të bëjë kryevepra, por të gjithë kemi ide si ta ndryshojmë vendin tonë.

Shëndetësorët janë heronjtë e mi

Hajde tani, bëni politikë. Sikur po shihet, sikur ta kish dhënë Zoti ta zbulojë dikush ilaçin në Kosovë, për ta shpëtuar popullin nga kjo pandemi, me siguri, krahu tjetër politik do ta refuzonte. Kaq na duket diferenca.

Heronjtë e Kosovës tani për tani janë vetëm mjekët. Mjekët epidemiologë, e të tjerë. Punëtorët shëndetësorë në tërësi. Shprehja individuale ka peshë aq sa ajo kolektive, kur është në të mirën e përgjithshme. Vijën morale ndërmjet politikës e humanes e ndan shkenca. Mjekësia, këta kujdestarë të devotshëm, e korrigjojnë me mund instalimin politik, duke nisur prej tani të vendosin normat e zhvillimit evolutiv. Nuk ka shtretër nëse shtohen vetëm edhe dy herë kaq sa kemi të prekur me epidemi. Pyesni vazhdimisht veten, pse nuk kemi shtretër dhe aspiratorë? Pyesni e dënoni, secilën ditë, secilin sekondë fajtorët. Por edhe ti gjejmë fajtorët.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top